zoom

Day ArchiveZbulohet lidhja e re e Era Istrefit

Kohët e fundit Era Istrefi është parë të udhëtojë shpesh drejt Shqipërisë. Madje këto ditë ajo i ka kaluar në jug të vendit për të pushuar.

Së fundmi ajo ka ndarë në rrjete sociale foto dhe video nga brigjet e jugut të Shqipërisë, që i ka cilësuar si vendin e saj të lumturisë. Por duket se lumturinë nuk ja sjell vendi, por diçka tjetër më e madhe.

Sipas “Tirana Post” artistja shqiptare është në një lidhje dashurie me djalin e një prej biznesmenëve më të njohur në Shqipëri. Thuhet se lidhja e tyre ka pak kohë që ka nisur. Është mësuar se Era është parë në disa ambiente në Tiranë me partnerin e saj, por kohën po e kalon aktualisht në resortin në të cilin jeton edhe i dashuri. Ndërkohë identiteti i tij nuk dihet ende dhe Era nuk ka reaguar në lidhje me këto zëra.

Kujtojmë se para disa muajsh, Era Istrefi u përfol për një histori dashurie me artistin anglez Julian Perreta. Ata publikonin shpesh foto e video me njëri-tjetrin në rrjete sociale, gjë që i bënte fansat të mendonin se ishin në një marrëdhënie. Mirëpo më vonë Julian Perreta hodhi poshtë çdo aludim, pasi prezantoi publikisht të dashurën e tij të vërtetë. Madje më vonë edhe Era bëri të njëjtën gjë, pasi e cilësoi Perreta-n si vëlla gjatë një urimi publik.

“Ngatërruam rrugën për faj të saj”! Rrëfehet greku që vrau të dashurën gjatë pushimeve

Autori i vrasjes së 26-vjeçares në Greqi, i cili pranoi krimin para policisë ka tronditur me rrëfimin e tij. 30-vjeçari tha se e vrau partneren e tij për shkak se ngatërruan rrugën për në destinacionin ku ishin nisur.

Sipas mediave greke, çifti kishte marrë rrugën për në një vend tjetër në ishullin Folegandros, por u ngatërrua. Kjo ishte arsyeja pse ai nisi sherrin me të dashurën e tij, duke e bërë atë fajtore për këtë gjë.

Sherri mori përmasa tragjike pasi 26-vjeçarja u shty nga i dashuri vrasës në një greminë dhe përfundoi në det duke ndërruar jetë.

Gjatë rrëfimitx 30-vjeçari deklaroi se ai ndaloi pa dashje buzë shkëmbinjve dhe në atë moment ajo doli nga makina e trembur. Kur policia e pyeti pse e shtyu vajzën ai u shpreh se ndodhi në gjaknxehtësi e sipër dhe se nuk kishte ndërmend ta vriste atë.

Të dielën pasdite dolën edhe rezultatet e autopsisë për shkakun e vdekjes së të resë. Ajo kishte qenë gjallë deri në momentin kur ai e shtyu në det. Vdekja dyshohet të ketë ardhur si pasojë e mbytjes, ndërsa plagët u shkaktuan nga përplasja në shkëmbinj.

Kush qethet si koreano-jugor rrezikon pushkatimin / Ligji i ri i Kim-it

Media shtetërore e Koresë së Veriut i ka nxitur të rinjtë e saj kundër përdorimit të zhargoneve gjuhëësore nga Koreja e Jugut dhe u ka thënë atyre të flasin gjuhën standarde të Koresë së Veriut.

Paralajmërime të reja pati edhe në gazetën zyrtare të Koresë së Veriut kundër ndjekjes së modeleve të veshjes, qethjes, apo muzikës koreano-jugore.

Nisma është pjesë e një ligji të ri gjithëpërfshirës që kërkon të shfarosë çdo lloj ndikimi të huaj në vend me dënime të ashpra. Ata që gjenden në kundërshtim me ligjin mund të përballen me burg, ose edhe pushkatim.

Gazetat vendase paralajmërojnë sidomos të rinjtë për “rreziqet e ndjekjes së kulturës pop të Koresë së Jugut”.

“Depërtimi ideologjik dhe kulturor nën reklamat me ngjyra të borgjezisë është edhe më i rrezikshëm se armiqtë që marrin armë”, thuhet nëpër sloganet e komunistëve koreano-veriorë.

Mediat shtetërore thonë se gjuha koreane e bazuar në dialektin e Penianit është superiore ndaj varianteve të tjerë dhe variantit koreano-jugor dhe urdhërohen të rinjtë që ta përdorin atë në mënyrë korrekte.

Ndikimi i huaj shihet si një kërcënim për regjimin komunist të Koresë së Veriut dhe i kontrollit të udhëheqësit suprem. Ai kohët e fundit e etiketoi K-pop, një bandë muzikore koreano-jugore si një “kancer të egër” që korrupton rininë e Koresë së Veriut.

Kushdo që kapet me sasi të mëdha materialesh muzikore, mediatike, apo të çdo forme tjetër nga Koreja e Jugut, Shtetet e Bashkuara, ose Japonia tani përballet me dënimin me vdekje. Ata që kapen duke parë këto materiale përballen me internim, ose burg deri në 15 vite.

Por pavarësisht rreziqeve, ndikimi i huaj vazhdon të depërtojë në Veri dhe rrjetet e kontrabandës shumë të sofistikuara për të sjellë media të ndaluara thuhet se vazhdojnë të veprojnë. Disa të larguar nga Koreja e Veriut kanë thënë se arratisja e tyre është nxitur nga serialet koreano-jugore që ndiqen në veri.

Yang Moo-jin, një profesor në Universitetin e Studimeve të Koresë së Veriut, i tha Korea Herald se Kim, i cili ishte arsimuar në Zvicër, “e di mirë që K-pop ose kultura perëndimore mund të depërtojë lehtësisht në brezin e ri dhe të ketë një ndikim negativ te pushteti i tij”.

“Ai e di që këto aspekte kulturore mund të vendosin një barrë mbi sistemin. Kështu që duke i shtypur ato, Kim po përpiqet të parandalojë telashet e mëtejshme në të ardhmen”.

Covid-19 ndal jetën e natës në Mykonos! Greqia shtrëngon masat pas shtimit të rasteve

Në një moment kulmimi të sezonit të pushimeve verore në ishullin e famshëm të Mykonos, i quajtur edhe ishulli i erërave, qeveria greke ka shpallur aty mini lockdown-in e parë lokal të palajmëruar, si pasojë e rritjes së madhe të rasteve me koronavirus në ditët e fundit.

Rritja e barrës epidemiologjike në Mykonos ishte e tillë që vetëm këtë të premte u regjistruan 40 raste të reja, një katërfishim i infektimeve brenda vetëm një javë. Me këto të dhëna, Zv/ Ministri i Mbrojtjes Civile Nikos Hardalias njoftoi rivendosjen e orës policore në ishull nga ora 1 e mëngjesit deri në orën 6, ndërsa ndalohet muzika në të gjithë lokalet prej orës 6 të mbrëmjes,masa që hyjnë menjëherë në fuqi deri në 26 korrik.

Për të gjithë ata që njohin jetën kozmopolitane të Mykonos, koncertet, baret dhe restorantet me cmimet e shtrenjta apo vizitoret e famshëm të tij, vendimi ishte sa i papritur aq edhe i papëlqyeshëm sidomos për autoritetet lokale dhe bizneset.

Por edhe 5 destinacione të tjera te njohura turistike kanë një rritje të rasteve si ishujt e Ios, Santorinit, Parosit dhe Kretës në qytetet e saj Rethymno dhe Heraklion dhe nuk përjashtohen masa të ngjashme dhe për ta, në varësi të barrës epidemiologjike.

Gjithashtu në vendimin e qeverisë bëhet e qartë se ndalohen kudo eventet e çfarëdolloj natyre me më shumë se 20 persona në ambiente personale dhe jo profesionale dhe ata që e shkelin këtë rregull do të paguajnë gjoba nga 50.000 deri ne 200.000 euro.

Gjithë partitë opozitare greke kanë reaguar duke e quajtur një dështim lockdown-in e parë lokal në ishullin simbol të turizmit vendas . Për vendimin e qeverisë greke ka reaguar edhe shtypi i huaj që thekson se megjithë këta ishuj para një muaji konsideroheshin si covid free për shkak se ishin të vaksinuar gjithë banorët ,tashmë ardhja e turistëve dhe mosrespektimi i rregullave ka çuar rastet aktive në mbi 300 për pesë ditë.

Ndërkohë që specialistët grekë këmbëngulin për intensifikimin e vaksinimeve, numri i rasteve ditore në të gjithë Greqinë mbetet ende i lartë mbi 2500, ndërsa për fat të mirë numri i viktimave dhe të intubuarve është ende i ulët.

Nga diferenca e moshës me Gencin te raportet me djalin e tij, Eni Koçi i tregon të gjitha!

Eni Koçi dhe Genc Prelvukaj janë një nga çiftet më simpatikë të showbizit shqiptarë. Edhe pse kanë vite që e kanë bërë publike dashurinë e tyre, shumë pak dimë se si ka nisur gjithçka mes dyshes dhe ç’planesh kanë ata për të ardhmen.

Por së fundmi gjatë një bisede virtuale me ndjekësit, Eni ka treguar gjithçka që nuk kemi ditur më parë për çiftin. Ajo ka treguar se me Gencin është njohur gjatë një turneu në Amerikë dhe se asokohe mendonte se ai ishte shumë mendjemadh e komenti i Gretës për këtë rast ka qenë epik.

“Me Gencin jemi njohur në një turne në Amerikë. Të them të drejtën në fillim më është dukur shumë mendjemadh dhe i thashë Gretës “obobo si do e shtyjmë në turne, ky as muhabet s’do na bëj” dhe përgjigja e Gretës ishte: Eha sa e vret mendjen, sikur do bëjmë krushqi me të. Përfundimin e dini besoj”, ka treguar Eni.

E pyetur për diferencën në moshë më Gencin dhe nëse ndihet konfuze për këtë gjë, Eni është shprehur:

“Pika e parë jeto për veten tënde dhe bëj atë që ta ndjen zemra se goja e njerëzve nuk mbyllet kurrë. Një jetë kemi dhe çdo njeri duhet ta jetojë ashtu siç ja do zemra. Në rastin tim , diferencën time me Gencin nuk e konsideroj tabu dhe as të tepruar. Por edhe nëse do ishte, është çështja jonë dhe jo e njerëzve. Personalisht e gjykoj që pjekuria e mashkullit sjell edhe qetësinë dhe lumturinë e femrës”.

Sa i përket raporteve me djalin e Gencit, ajo thotë:

“Kam raporte fantastike. Pavarësisht të kaluarës, fëmija është bekim. Jeta është shumë e shkurtër, dhuroni vetëm dashuri, nëse e doni partnerin tuaj, do e pranoni dhe do e doni të gjithë familjen e tij pa përjashtim”.

Ndërsa dasma duket se nuk është fare në planet e tyre, sepse sipas Enit është një lodhje e madhe për nusen dhe dhëndrin.

“Jam menduar shumë për këtë pjesë dhe mendoj që dasma për nusen dhe dhëndrin është një lodhje e paparë. Kështu që nuk jam shumë për dasmë”.

Është infektuar sërish? Johnson izolohet bashkë me ministrin e tij

Kryeministri britanik, Boris Johnson dhe ministri i Financave, Rishi Sunak do të izolohen për të pakatën 10 ditë, pas njoftimit se kanë pasur kontakte me një person që rezultoi i infektuar me variantin Delta të Covid.

Boris Johnson e ka kaluar një herë Covid, ndërkohë që është edhe i vaksinuar me të dyja dozat e AstraZeneca.

Zyra e Johnsonit tha se ai dhe Sunak do të merrnin pjesë në programin më të ri të qeverisë, që do t’u lejonte atyre që të punonin nga zyrat e tyre, kur personat e tjerë të përfundonin orarin e punës. Megjithatë, Johnson e ndryshoi këtë vendim vetëm tri orë më vonë, për shkak të kritikave të shumta për papërgjegjshmëri.

Mediat britanike dyshojnë se personi i kontaktit ka qenë ministri i Shëndetësisë Sajid Javid, që njoftoi një ditë më parë se kishte rezultuar pozitiv me Covid.

The Sunday Times më herët ka raportuar se Johnsoni ka pasur një takim të gjatë me Javidin më 16 korrik. Johnson do të izolohet në rezidencën e Kryeministrisë në Chequers.

“Ai do të vazhdojë të mbajë takime nga larg”, tha një zëdhënës i Johnsonit, duke shtuar se ai nuk do të marrë pjesë në pilot-programin e qeverisë.

Edhe Sunak tha po ashtu se do të vetizolohet për të shmangur perceptimet se “rregullat nuk janë të njëjta për të gjithë”.

Qeveria britanike ka thënë se do të heqë pothuajse të gjitha masat kundër COVID-19 më 19 korrik, pavarësisht se infektimet kanë filluar të rriten fort së fundmi dhe ekspertët parashikojnë një bum të tyre në fund të këtij muaji dhe fillim të muajit gusht, që përkon me periudhën dyjavore nga përfundimi i Euro2020.

170 km/h! Të dehur e pa patenta, policia arreston 11 shoferë

11 shoferë janë arrestuar nga policia, pasi 5 prej tyre kanë rezultuar të dehur, ndërsa 6 të tjerë kanë qenë duke i dhënë makinës pa patentë. Personat e ndaluar pa patentë, sipas policisë janë të rinj në moshë.

“Gjatë kontrolleve në 24 orët e fundit, nga shërbimet e Policisë janë konstatuar me radar shpejtësi që varonin deri në 170 km/h, si dhe drejtues mjetesh që drejtonin mjetet në gjendje të dehur dhe nën ndikimin e alkoolit. Gjithashtu, nga kontrollet intensive janë konstatuar dhe arrestuar disa shtetas, kryesisht të rinj, që drejtonin mjetet pa leje drejtimi”, thuhet në njoftimin e policisë.

Njoftimi i plotë

Mos shpejtoni e mos drejtoni mjetin nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur, mos kryeni parakalime të gabuara dhe mos përdorni celularin gjatë drejtimit të mjetit, tregoni kujdes të shtuar pasi ka prezencë të lagështirës në rrugë, në zona të caktuara edhe reshje të dendura shiu, respektoni rregullat e qarkullimit rrugor që të arrini të sigurt në destinacion.

Policia Rrugore, pavarësisht kushteve të vështira të motit, ka rritur akoma më shumë prezencën në akset rrugore dhe qendrat e banuara, duke vijuar kontrollet intensive për të evidentuar dhe ndëshkuar shkelësit e Kodit Rrugor, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore dhe rritjen e parametrave të sigurisë së jetës në rrugë.

Gjatë kontrolleve në 24 orët e fundit, nga shërbimet e Policisë janë konstatuar me radar shpejtësi që varonin deri në 170 km/h, si dhe drejtues mjetesh që drejtonin mjetet në gjendje të dehur dhe nën ndikimin e alkoolit. Gjithashtu, nga kontrollet intensive janë konstatuar dhe arrestuar disa shtetas, kryesisht të rinj, që drejtonin mjetet pa leje drejtimi.

Janë arrestuar në flagrancë 11 drejtues mjetesh, nga të cilët 5 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 6 për drejtim mjeti pa leje drejtimi.

Janë pezulluar gjithsej 39 leje drejtimi, nga të cilat 30 për drejtim mjeti me shpejtësi tej normave të lejuara dhe 9 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur.

Gjatë 24 orëve të fundit, si rezultat i kontrolleve intensive dhe denoncimeve të qytetarëve te Komisariati Dixhital apo në numrin 112, në të gjithë vendin janë ndëshkuar me masë administrative 1734 drejtues mjetesh, për shkelje të Kodit Rrugor që përbëjnë rrezik potencial për përfshirje në ngjarje rrugore, konkretisht për përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjetit, për parakalime të gabuara, për mospërdorim të rripit të sigurisë, për shpejtësi mbi normat e lejuara, manovra të rrezikshme në rrugë dhe mosrregullim shpejtësie, veçanërisht në qendrat e banuara, për mospërdorim të kaskës mbrojtëse në mjetet me dy rrota, si dhe për mosruajtje të largësisë së sigurisë mes mjeteve.

Në akset rrugore në drejtim të Tiranës dhe Morinës, përgjatë ditës së sotme ka pasur dhe vijon të ketë fluks të shtuar të automjeteve që kthehen nga zonat bregdetare, si dhe në të gjitha akset rrugore ka prezencë të lagështirës dhe të ujit në rrugë, ndaj Policia Rrugore apelon për të gjithë drejtuesit e automjeteve që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, si dhe fton qytetarët që të denoncojnë në Komisariatin Dixhital dhe në numrin e emergjencave 112, çdo paligjshmëri.

Covid-19 në Shqipëri/ Asnjë viktimë, por numri i rasteve të reja rritet sërish

Numri i rasteve të reja me Covid në vendin tonë vijon të rritet, ndonëse në shifra ende jo shqetësuese, por ditët e fundit trendi është rritës.

Ministria e Shëndetësisë njoftoi këtë të diel se në 24 orët e fundit janë shënuar 21 raste të reja nga 2451 testime të kryera. Fatmirësisht nuk ka asnjë humbje jete dhe dy persona janë të shëruar.

Në total janë 156 pacientë aktivë, ndërsa pesë ndodhen të shtruar në spital.

Në 24 orët e fundit janë kryer 2451 testime, nga të cilat kanë rezultuar pozitivë me Covid19, 21 qytetarë në këto bashki: 8 raste në Tiranë, nga 3 raste në Durrës, Elbasan, 2 në Konispol, nga 1 rast në Fier, Lezhë, Vlorë, Sarandë, Cerrik.

Aktualisht janë 156 pacientë aktivë me COVID19 në të gjithë vendin. Në Spitalin Infektiv po marrin trajtim spitalor të specializuar 5 pacientë. Në 24 orët e fundit nuk ka asnjë humbje jete me Sars-Cov2 pozitiv. Janë shëruar 2 qytetarë gjatë 24 orëve të fundit, duke e çuar numrin e të shëruarve në 130,074 që nga fillimi i epidemisë.

Statistika (18 Korrik 2021)
Raste të reja ditore 21
Të shëruar në 24 orë 2
Të shtruar në spitale 5
Humbje jete në 24 orë 0
Testime ditore 2451

Testime totale 855,993
Raste pozitive 132,686
Raste të shëruara 130,074
Raste Aktive 156
Humbje jete 2,456

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive sipas qarqeve:

Tiranë 62
Vlorë 17
Elbasan 14
Fier 14
Shkodër 13
Durrës 13
Lezhë 11
Korçë 5
Kukës 5
Gjirokastër 2

Tea Trifoni, në një lidhje të re!

Prej javësh ish-konkurrentja e “Për’puthen” , Tea Trifoni ka bërë të ditur se ka nisur një histori të re dashurie. Këtë lajm ajo e konfirmoi para disa ditësh në emisionin “Shqipëria Live”, por nuk preferoi të jepte më tepër detaje.

Ndërkohë e ftuar ditën e sotme në rubrikën “N’Fermë” në emisionin “E diell”, Tea ka folur më gjatë për partnerin e saj të ri. Ajo tregoi se të dashurin e ka njohur rastësisht me Fation Kuqarin dhe se ai është një djalë i thjeshtë i panjohur për publikun.

“Është dikush që unë jam duke e njohur për momentin. Është figurë jo e njohur, njeri i thjeshtë, nga zona ime, aty afër, nga Fieri. E kam njohur me Fatjonin, rastësisht, kur nuk e pret të vjen. Isha duke festuar për qejfin tonë dhe na doli ky bandilli. Ishte shumë i ëmbël”, u shpreh Tea.

Ajo shtoi se përshtypje i bën komplimentet që mori për karakterin dhe inteligjencën e jo nga ato të zakonshmet që merr për sytë. Gjithashtu Tea tregoi se ata kanë shkëmbyer edhe puthjen e parë me njëri-tjetrin.

Kujtojmë se pas daljes nga “Për’puthen”, Tea u përfol gjatë për lidhjen e saj me Beartin, që u bë publike papritur. Mirëpo marrëdhënia e tyre nuk zgjati shumë dhe brenda pak muajsh ata u ndanë në mënyrë aspak miqësore nga njëri-tjetri.

Basha uron Këshillin e ri: Shqiptarët i kanë sytë nga ne

Lulzim Basha shprehu mirënjohjen për delegatët që në Kuvendin Kombëtar, sipas tij, përfaqësuan demokratët anembanë Shqipërisë dhe i uroi suksese këtij organi.

Kreu i PD-së vlerëson se Këshilli i ri është më gjithpërfshirës dhe do të ketë një rol të posaçëm në betejën, siç e quan Basha, për ndryshim.

“I hapur për më shumë zonja dhe zonjusha, më shumë të rinj dhe të reja, do të jetë një urë bashkëpunimi me shoqërinë, për të ndërtuar së bashku një Platformë Qytetare për Demokracinë, sepse ne jemi e vetmja shpresë për shqiptarët që kërkojnë ndryshim”, deklaroi kreu i PD-së.

“Keni besimin e demokrateve dhe demokratëve dhe përgjegjësinë për të luftuar çdo ditë pranë qytetarëve, për shqetësimet e vogla dhe të mëdha të familjeve shqiptare, për të kapërcyer bashkarisht vështirësitë dhe për të qenë zëri i tyre përballë çdo padrejtësie. Sfidat që kemi përpara janë te mëdha, por vullneti dhe vendosmëria jonë po ashtu”, thotë Basha.