zoom

Day ArchiveTensionet BE-Turqi, Erdogan thotë se kërkimet për naftë do të vazhdojnë

Turqia do të vazhdojë kërkimet për naftë dhe gaz në Mesdheun lindor, tha presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan. Komentet e tij mund të ringjallin tensionet me Bashkimin Evropian dhe Greqinë.

Ka kohë që Turqia është në mosmarrëveshje me dy vendet anëtare të BE-së, Greqinë dhe Qipron, për të drejtën e kërkimeve të gazit në Mesdhe.
Vitin e kaluar tensionet u përshkallëzuan aq shumë, saqë Athina dhe Ankaraja dërguan luftanije në rajon.
Por, pas presionit të BE-së, të dyja vendet u përfshinë në bisedime dhe raportet shkuan duke u qetësuar.
Duke folur në provincën veriperëndimore të Sakarya, Erdogan tha se Turqia posedon të dhënat për “gaz natyror” në Mesdheun lindor dhe u zotua se do të vazhdojë të mbrojë të drejtat e vendit të tij për rajonin.
“Do të kryejmë operacionet tona të kërkimit të naftës në Mesdheun lindor, Qipro dhe të gjitha ato dete”, tha ai, pa ofruar detaje për një afat kohor.
Vitin e kaluar, udhëheqësit e BE-së e patën kërcënuar Turqinë me sanksione nëse nuk e tërheq një anije kërkimi nga Mesdheu. Ankaraja e tërhoqi më pas anijen, duke u angazhuar në përmirësimin e raporteve me BE-në.
Por, edhe Bashkimi Evropian është i kujdesshëm në raport me Turqinë pasi presidenti turk disa herë e ka kërcënuar bllokun se mund të hap kufijtë për miliona migrantë nga Lindja e Mesme që ndodhen në Turqi.
Komentet e Erdoganit për kërkimet e gazit u bënë një javë pasi BE-ja premtoi 3.5 miliardë euro në mënyrë që Turqia të vazhdojë të strehojë refugjatët sirianë deri më 2024.
Ankaraja e ka hedhur poshtë ofertën, dhe i bëri thirrje bllokut të tregojë gatishmëri konkrete për të rritur bashkëpunimin.

“Luftë” mes bandave në qendër të Athinës, vritet një person

Një përleshje me bandave mbrëmjen e sotme në qendër të Athinës ka përfunduar me vdekjen e një të riu.

Mediat greke bëjnë me dije se sherri ka ndodhur në rrugën Satovriandou, ku persona të paidentifikuar ende qëlluan me thikë një person.

Viktima kishte marrë dy plagë dhe për pasojë nuk mundi të mbijetojë.

Policia tashmë është vënë në kërkim të autorëve dhe po punohet për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

Italia e madhe “zbret me këmbë në tokë” Belgjikën, gjysmëfinalja ndaj Spanjës

Italia është gjysmëfinalistja e dytë e Euro 2020, teksa do të ndeshet me Spanjën. Azzurët mposhtën 2-1 Belgjikën në Allianz Arena, në një sfidë tepër të luftuar.

Ndeshja ishte e luftuar nga fillimi deri në fund. Të parët kaluan në avantazh italianët me anë të Bonuccit, por VAR ndalon festën e axurrëve. Por në minutën e 31-të ka gol të rregullt, është Barrella që ngulmon dhe mposht portierin Courtois.

Minutat e fundit të pjesës së parë janë shumë emocionuese. Insigne shënon një super gol nga distanca në minutën e 44-t. Por vetëm dy minuta më pas Belgjika ngushton në 2-1. Lukaku shënon nga pika e bardhë, i katërti gol për të. Merita ishte e Dokut që mori penallti.

Pjesa e dytë ka të njëjtin ritëm, me raste në të dyja krahët. Mesi i këtij fraksioni është i pafat për dy futbollistë, që lënë fushën e lojës. Chadli për Belgjikën detyrohet të braktisë fushë pas 4 minutash që kishte hyrë.

Tërheqje pëson edhe Spinazzola, që mes lotëve largohet me barrelë. Belgjika bëhet agresive në fushën e lojës. Italia vuan shumë, por pas 5 minutash shtesë triumfon dhe kalon në gjysmëfinale.

Luksi dhe droga, britanikët zbulojnë detaje të reja për pilotin grek: “Spiuni” që i vuri pas Carolinës!

Të tjera detaje të reja vijojnë të dalin në dritë mbi vrasjen që tronditi Greqinë, ku piloti 32-vjeçar mbyti bashkëshorten e tij 20-vjeçe, Caroline, në sy të foshnjës 11-muajshe.

Mediet e njohura britanike “Mirror” dhe “Daily Mail” zbuluan ditën e sotme versionin e një skenari të ri “të errët”, i cili deri më sot nuk është raportuar zyrtarisht nga autoritetet greke, skenar që ngre dyshime se Babis Anagnostopoulos ishte përfshirë në trafik droge.

“Policia greke dyshon se Babis Anagnostopoulos e vrau gruan në mënyrë që t’i “mbyllte gojën”, kur nëna e re zbuloi se ai po e përdorte helikopterin e tij për të transportuar drogë” shkruan “Mirror”.

“Blerja e fundit e një ngastre toke me vlerë 170,000 euro” sipas “Mirror” por edhe “pushimet luksoze, të tilla si udhëtimi i fundit në Dubai, duket se kanë bërë që oficerët e policisë të besojnë se piloti mund të jetë i përfshirë në trafik droge”, thuhet më tej në artikull.

Ndërkohë, media prestiogjioze britanike “The Sun” citon një burim, i cili thekson se kohët e fundit piloti po e mbikëqyrte gruan e tij dhe madje kishte instaluar një aplikacion gjurmimi në telefonin e saj celular për të kontrolluar lëvizjet.

Piloti ka mohuar akuzuat, por edhe thashethemet për përfshirjen e një personi të tretë në marrëdhënien e tij me Caroline.

Temperaturat ekstreme në Kanada, shkon në 486 numri i viktimave, situatë alarmante edhe në SHBA

Temperaturat ekstreme në Kanada, kanë shkaktuar deri më tani 486 viktima. Sipas mediave të huaja, temperaturat në disa qytete të vendit janë regjistruar deri në 49.6 gradë Celsius, e kjo është e pazakontë, për një vend që në pjesën më të madhe të vitit mbulohet nga akulli e dëbora.

Autoritetet shëndetësore thonë se më shumë se çereku i viktimave janë shënuar në qytetin Vankuver. Statistikat tregojnë se vdekjet janë shtuar me gati 200% krahasuar me kushtet normale. Nga krahu tjetër, i nxehti, ka shkaktuar qindra vatra zjarri.

Viktima, janë shënuar edhe në SHBA, pasi i nxehti ka mbërthyer rajonet që shtrihen përgjatë brigjeve të Paqësorit.

Në Shtetet federale të Uashingtonit dhe Oregonit, numërohen 79 viktima gjatë këtyre ditëve, kur janë shënuar edhe nivele historike temperaturash deri në 50 gradë Celsius.

Edhe në Nju Jork, termometri ka shënuar këto ditë deri 41 gradë Celsius. Me të nxehtin e pazakontë po përballen dhjetëra qytete të Siberisë, ku temperaturat kanë arritur deri në 40 gradë, shkruajnë mediat e huaja.

Tërmeti “shkund” Greqinë

Një lëkundje sizmike me magnitudë 4.1 të shkallës Rihter u regjistrua mbrëmjen e sotme në Kretë në orën 22:46, sipas matjeve të Institutit Gjeodinamik të Athinës.

Thellësia ishte 10 km dhe epiqendra 21 km në veriperëndim të Arvit. Mediat greke nuk raportojnë për të lënduar apo dëme në njerëz nga tërmeti.

Emocione pa fund mes Belgjikës dhe Italisë, pjesa e parë dhuron 3 gola në “Allianz Arena”

Vijojnë emocionet në Euro 2020. Mbrmja e sotme kulmoi me ndeshjen Belgjikë-Itali, që po luhet në “Allianz Arena” të Mynihut, sfidë nga ku të dalë gjysmëfinalistja e dytë, ku e pret Spanja.

Italia gjeti avantazhin, por goli i Bonucci-t ka qenë i parregullt pasi në momentin e nisjes së krosimit nga Insigne, Di Lorenzo ishte më përpara dhe ka ndërhyrë duke marrë pjesë në aksion. Belgjika u tremb për disa sekonda, por VAR anuloi golin.

Megjithatë, Italia nuk stepet dhe në minutën e 31’ gjen avantazhin. Nicolo Barella depërtoi bukur në zonë pas një gabimi të mbrojtësit belg. Pasi ka dribluar, ka goditur duke e çuar në rrjetë. Avantazh i merituar i ekipit të Mancinit. Përpara golit duhen theksuar dy superpritje nga Donnarumma.

Në minutën e 44-t, Italia dyfishon shifrat me Insigne, një super gol i shënuar nga sulmuesi i Napolit. Por vetëm 2 minuta më pas Belgjika përfiton penallti dhe nga pika e bardhë ngushton në 2-1 Lukaku. Goli i katërt për belgun.

VLORË/ Banorët kanë 16 vjet pa hipotekë, ndërtuesi shkeli lejen, shpalli dhe falimentin

VLORË– Banorët e pallatit 39 në rrugën Hasan Kushta në lagjen “Pavarësia” në qytetin e Vlorës ankohen në Fiks Fare se janë futur në shtëpitë e tyre që në vitin 2004 -2005. Pallati i tyre është ndërtuar nga firma “ELVI2”. Që prej asaj kohe pronarët e apartamenteve nuk mund të marrin Certifikatën e Pronësisë, pasi investitorët kanë bërë shtesë në lejen e ndërtimit, ka shpall edhe falimentin.

Banorët janë ankuar në çdo institucion, por nuk kanë marrë asnjë përgjigje. Ata tentuan edhe t’i legalizonin apartamentet e tyre si ndërtim pa leje, por nuk mundën. E vetmja mundësi për ta ishte drejtimi i problemit të tyre në Fiks Fare. Fiksi u interesua në Bashkinë Vlorë ku mësoi se në sistemin elektronik të lejeve nuk rezulton aplikim nga subjekti “ELVI 2”, për pajisje me Certifikate Përdorimi.

Gjithashtu Fiksi iu drejtua edhe Kadastrës Vlorë në lidhje me aplikimin që kishin bërë banorët për legalizim. Specialisti Mandi Jaho shpjegoi se jo të gjithë banorët kishin aplikuar. “Që procesi të fillojë dhe të përfundojë duhet që të gjithë banorët të kenë aplikim ose të vinë me kontratat përkatës për njësitë individuale për të cilat ata posedojnë dhe të përfshihet në proces legalizimi dhe më t’u bërë dokumentet, që mirë është të jetë një person i autorizuar që të merret me të gjithë procedurën nga fillimi deri në përfundimin e legalizimit” shpjegoi Jaho.

Kjo bëhet gjithmonë nëse firma ka shpallur falimentin dhe e paraqet si dokument, pasi mund të jetë bërë si aplikim për legalizim të objektit nga firma e ndërtimit dhe procedura vazhdon në emër të firmës. Specialisti i kadastrës sqaron se nëse banorëve nuk u jepet ky dokument nga firma, ata duhet të kërkojnë të marrin konfirmimet përkatëse, gjithashtu edhe Kadastra merr informacion nga Drejtoria e Financave nëse kjo firmë që ata kanë bërë kontratën është aktive apo jo. Me përgjigjen negative banorëve u lind e drejta që të gjithë bashkë si pallat të nisin procedurat e legalizimit.

Spanja është gjysmëfinalistja e parë e Evropianit, mund Zvicrën me penallti

Spanja është gjysmëfinalistja e parë e Euro 2020. Iberikë vuajtën shumë, por me penallti shkojnë më tej dhe tani duan të fitojnë trofeun. E pafat Zvicra, që e edhe me 10 vetë u mbajt për 120 minuta.

Spanjë shënoi pas tetë minutash lojë. Një autogol, i dhjeti në Euro 2020. Alba gjuajti fort dhe një devijim i Zakaria-s, i cili bëri debutimin e tij si titullar me Zvicrën, bëri të mundur kalimin në avatzh të iberikëve.
Sfida u barazua në minutën e 68-të. Shaqiri realizoi për zviceranët, i treti për të në këtë Evropian. Futbollisti shqiptar përfitoi nga një gabim i mbrojtjes spanjolle dhe shënoi me lehtësi.
Në 77’ Freuler lë Zvicrën me 10 vetë pas një ndërhyrje të ashpër. Pritej reagimi i iberikëve, por ishte shumë i vakët. Zvicra mbrohet fort në fund dhe çon ndeshjen në shtesë, e dyta për të dy ekipet. Të dyja shtesat nuk podhojnë gola, pavarësisht se Spanja provoi pa fund.
Ndeshja shkon me penallti, e dyta për këtë Evropian dhe sërish Zvicra e provon një gjë të tillë pas Francës. Por kësaj radhe helvetët gabojnë shumë, 3 penallti të humbura, kundrejt 2 të spanjollëve. Shar, Akanji dhe Vargas humbën radhazi gjuajtjet e tyre. Spanja kalon në gjysmëfinale.

Flet ish-shoqëruesi i Saimir Tahirit: I shokuar nga akuzat e SPAK, do vij në Shqipëri të përballem me drejtësinë!

Ish-shoqëruesi i ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, 45-vjeçari Paul (Agustin) Deda, ndaj të cilit gjykata ka caktuar masën e “arrestit me burg” për veprat penale të ngritura nga SPAK “trafikim i narkotikëve”, në bashkëpunim në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”, “pastrim i produkteve të veprës penale ose i veprimtarisë kriminale”, “grupi i strukturuar kriminal”, “kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, ka folur ekskluzivisht për gazetaren e “News24” dhe “BalkanWeb”, Klodiana Lala.

Deda ka hedhur poshtë akuzat e ngritura nga SPAK, duke thënë se nuk ndodhet prej tre vitesh në Shqipëri, por se do të kthehet dhe do të dorëzohet para drejtësisë shqiptare për të sqaruar gjithë të vërtetën, raporton “BalkanWeb”. “Unë nuk ndodhem në Shqipëri prej 3 vitesh. Jam i shokuar nga akuzat, që SPAK ka ngritur ndaj meje. Unë jam një familjar i rregullt dhe do të kthehem për t’u përballur me drejtësinë”, ka thënë ish-shoqëruesi i Tahirit.

INTERVISTA:
Sa vite keni punuar me Saimir Tahirin?
Kam qenë pjesë e grupit të shoqërimit të Saimir Tahirit për 3 vite e gjysmë, bashkë me Hekuran Markun, të cilin e kam mik.

A e njihni shtetasin Eltjon Bregu, për të cilin SPAK thotë se ju keni bashkëpunuar për trafikimin e mbi 1 mijë kg hashash?
Eltjon Bregun e njoh si mashtruesin më të madh në Shqipëri, i cili ka përfituar jo vetëm në emrin tim, por edhe të shumë personave të tjerë. Kemi punuar me të në Kombinat. Unë nuk kam e shok dhe nuk kam pasur lidhje direkte me të, por di që më herët ka qenë në burg.

Po me shtetasit Ferhat Ajdini dhe Seferi a keni pasur njohje dhe kontakte, pasi ato janë dy skafistët që kanë dëshmuar kundër jush?
Nuk i njoh dhe as nuk e kam idenë kush janë ata. Ju takon atyre të sqarojnë pozicionin tim dhe të vërtetën. Nuk kam bërë asgjë dhe nuk jam përfshirë në aktivitet kriminal. U tërhoqa nga puna, për shkak të sulmeve që nisën ndaj meje. Unë jam demoralizuar edhe kur u akuzua Tahiri, u shkatërrova. Jam duke punuar në ndërtim jashtë vendit për të siguruar të ardhura për familjen time, pasi jam baba i një djali.

Si i cilësoni akuzat?
Janë akuza të pabaza. Jam i pastër dhe nuk kam bashkëpunuar kurrë me askënd për të trafikuar drogë. Na bënë neve më të fortë se Edi Rama dhe këto janë sulmet për të rënduar pozitën e Saimir Tahirit. Duke përmendur emrat tonë, po shmangin vëmendjen nga zyrtarë policie apo persona të tjerë të përfshirë në veprimtari kriminale.

A do t’i dorëzoheni drejtësisë?
Do të dorëzohem të sqaroj pozicionin tim, sepse nuk kam asgjë për të fshehur dhe nuk kam frikë nga askush. Dua të jetoj i lirë në Shqipëri, ku kam kontribuar.