zoom

Day ArchivePamje të rënda, ish e dashura e la, gazetari brazilian nuk duron, nxjerr armën e qëllon atë dhe veten (VIDEO)

Një ngjarje e rëndë është shënuar në Brazil. Një gazetar, është përpjekur të ekzekutojë ish të dashurën duke e qëlluar tri herë me armë, përpara se të tentonte qëllonte edhe veten e tij.

Sipas mediave të huaja, Jose Marcondes, 46-vjeç, u dërgua me urgjencë në spital, por nuk arriti t’i shpëtonte plagëve të marra duke ndërruar kështu jetë. Raportohet se gazetari, kishte një muaj që ishte ndarë nga 33-vjeçarja Muvuca Popular.

Në pamjet e bëra virale në rrjet shihet se gazetari kishte shkuar për t’u sqaruar me gruan, për të rikuperuar sërish marrëdhënien e tyre. Ai hyn në dyqanin e ushqimeve ku gruaja punonte dhe nis të flasë me të.

Pas disa momentesh, Marcondes, nxjerr armën dhe qëllon tri herë ndaj ish të dashurës, duke i shkaktuar plagë në gojë e gjoks. Por fatmirësisht, gruaja ka arritur të mbijetojë dhe ka kaluar me sukses operacionit që iu nënshtrua.

“M’i kanë çuar fotot dhe mua”, Atdheu flet për lidhjen e re të Sarës, përlotet kur përmendet…

Atdheu ishte i ftuar në “Top Arena”, ku foli për ndarjen nga Sara dhe imazhet që i kanë mbërritur për një lidhje të re që spekulohet të ketë nisur ish konkurrentja e Për’puthen.

Ai tha me bindje se nuk do të ketë rikthim me të, ndërsa për mikun e tij Andi tha se e ka pasur shok por rrugët janë ndarë prej disa veprimeve që nuk i kanë pëlqyer. Kur Antonela e pyeti për nënën, ai nisi të përlotej duke thënë se “për të jeton”.
Atdheu: Kemi dalë nga programi në njohje e sipër, nuk shkoi mirë, u ndamë.
Antonela: Thuhet se Sara është lidhur një ditë pasi është ndarë me ty.
Atdheu: M’i kanë çuar dhe mua fotot, por le të mbetet e saj. Unë dua veç të mos e shoh keq.
Antonela: Do ketë një rikthim?
Atdheu: Jo.
Antonela: Për Andi 2, ke bërë një postim për Andi 1 që është djalë flori po duhet të ndryshojë emrin?
Atdheu: E kam pasur shok, e kam quajtur dhe vëlla po janë ndarë rrugët tona. Nuk më kanë pëlqyer disa gjëra që ka bërë.
Antonela: Çfarë plani ke për të ardhmen?
Atdheu: Do martohem.
Antonela: Çfarë ka ndryshuar përputhen në jetën tënde?
Atdheu: Shumë gjëra, na ka bërë të famshëm.
Antonela: Të ka ndihmuar nga ana monetare?
Atdheu: Thjesht i ka shtuar.

OBSH: Europa në rrezik për një valë të re infektimesh nga Covid-19

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka ngritur shqetësimin se pas dy muajsh rënie në Evropë sërish ka filluar të rritet numri i rasteve me COVID-19, duke paralajmëruar se mund të ketë një valë të re infektimesh. Hans Kluge, kreu i OBSH-së për rajonin e Europës ku përfshihen edhe Britania e Madhe dhe Rusia thotë se infektimet e reja javën e kaluar u rritën me 10% , duke e lidhur këtë gjë edhe me variantin Indian.

Kluge paralajmëroi që përkeqësimi i situatës epidemiologjike mund të shtohen duke patur parasysh se variantin Delta është më ngjitës. Zyrtari i lartë i OBSH-së bën thirrje që qytetarët dhe ligjvënësit të jenë të disiplinuar në menaxhimin e situatës, para se kjo të dalë sërish jashtë kontrollit.

Agjencia e BE-së për kontrollin e sëmundjeve (ECDC) vlerëson se deri në fund të Gushtit, varianti Delta mund të përbëjë 90% të rasteve të reja në Bashkimin Evropian.

Rritja e rasteve me këtë variant është vënë re kryesisht në Rusi dhe në Britaninë e Madhe. Britania e Madhe theu një rekord të ri infektimesh ditore me mbi 25 600 raste të reja, shifra që është hasur në muajin Janar. Vdekshmëria në Angli është e ulët pasi gjysma e popullsisë është vaksinuar.

Por kjo gjë nuk po haset në Rusi, ku vdekshmëria ka kapur rekorde, me 672 vdekje në një ditë, për arsye se vaksinimi popullsisë është rreth 12%. Sipas Kluge vaksinat kundër koronavirusit janë treguar efektive ndaj variantit Delta, por një nivel i lartë i mbrojtjes kërkon marrjen e dy dozave.

Ai ngri shqetësimin se shpërndarja e vaksinave ende nuk është në nivele të duhura. Vaksinimi i popullatës në rajonin Evropian të OBSH-së, sipas tij, ishte 24%, shumë larg rekomandimit për imunizimin e 80 për qind të popullsisë së rritur.

Justin Bieber vjen me gruan në kufi me Shqipërinë, paguan shumën e çmendur

Justin Bieber dhe gruaja e tij, Hailey ndodhen në Greqi ku po shijojnë pushimet e tyre në këto ditë të nxehta.

Çifti i njohur po qëndron në një hotel që kushton 1400 dollarë nata, ndërsa janë shfaqur gjithë kohës të qeshur dhe pranë njëri-tjetrit.
Ylli i popit u fotografua në momente të ngrohta duke shkëmbyer puthje me modelen, me të cilën u martua 4 vite më parë.
Kamera ka fiksuar momentin kur Bieber përqafon Hailey-n, teksa vozisin mes dallgëve mbi një motor uji.

Nuk justifikon 7 mln lekë, BIRN: Si tentoi Theodhori Sollaku të mbrojë bashkëshorten në Vetting përmes pagave të tij si këshilltar e pedagog

Gjyqtarja e Apelit të Tiranës, Zegjine Sollaku, u mbrojt nga bashkëshorti i saj, Theodhori Sollaku, i cili pretendoi se të gjitha transaksionet ishin kryer prej tij dhe se kishin burime të ligjshme –ndërsa Komisioni i nxorri me 7 milionë lekë minus për të justifikuar investimet në pasuritë e paluajtshme.

Gjyqtarja e Apelit të Tiranës, Zegjine Sollaku u përball të enjten me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, kur gjatë seancës dëgjimore u evidentuan mungesa financiare për pasurinë.

Gjyqtarja u mbrojt në seancë nga bashkëshorti i saj avokat, ish-kryeprokurori Theodhori Sollaku, i cili i kundërshtoi gjetjet e KPK-së për pasurinë.

Zegjine Sollaku ka një karrierë të gjatë në sistemin e drejtësisë dhe ka punuar si gjyqtare e Gjykatës së Tiranës në vitet 1992-2003. Prej vitit 2003, ajo e ushtron funksionin në Gjykatën e Apelit të Tiranës. Procesi i saj i vetingut po kryhet nga trupa e drejtuar nga Xhensila Pine, me relator Lulzim Hamitaj dhe anëtarë Suela Zhegun. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Francesco Ciardi.

Gjatë relatimit u konstatuan pasaktësi në deklarime dhe mungesa të burimeve financiare në vlerën e 7 milionë lekëve. Sollaku u vlerësua pozitivisht për pastërtinë e figurës si dhe nuk u konstatuan probleme domthënëse në kriterin profesional.

Avokati Theodhori Sollaku deklaroi në fillim të seancës se do ta përfaqësonte ai bashkëshoten e tij, gjyqtaren Zegjine Sollaku.

“Ashtu si ka rezultuar edhe nga hetimi administrativ, të gjitha transaksionet financiare janë kryer nga ana ime,” tha ai, ndërsa shtoi se bashkëshortja kishte qenë e fokusuar tek detyra e saj.

Mungesat financiare

Gjatë seancës dëgjimore u relatuan pamundësi financiare për të justifikuar investimet e kryera në blerjen e gjashtë apartamenteve dhe të një autoveture. Ndërkohë, për një apartament dhe një shëpi private në Fier të trashëguar nga vjehrri i subjektit dhe një makinë tjetër ka rezultuar se bashkëshortët Sollaku kanë pasur burime të mjaftueshme financiare.

Avokati Sollaku i kundërshtoi balancat negative të Komisionit. Ai paraqiti një përmbledhje të bilanceve të të ardhurave dhe shpenzimeve të tij që nga viti 1991 e në vijim, duke pretenduar se kishte pasur burime të mjaftueshme dhe të ligjshme për krijimin e pasurive.

Ai kërkoi që të konsideroheshin dietat e përfituara nga udhëtimet jashtë shtetit në vitet 1991-1992 e në vazhdim, duke argumentuar se ato kishin qenë dhjetëra herë më të larta se pagat mujore që përfitonte atëherë si këshilltar i Presidentit.

“Për shkak të pozicioneve që kam pasur në periudhën 1992-1997, kemi pasur udhëtime të shpeshta jashtë shtetit në cilësinë e ekspertit dhe jemi paguar,” pretendoi Sollaku.

Gjithashtu, ai kërkoi që të përfshiheshin të ardhurat për periudhën 1990-1992, kur tha se kishte punuar si pedagog dhe si avokat. Ai pohoi se kishte gjetur si prova një çështje që kishte përfaqësuar në atë periudhë dhe procesverbalin për marjen në provim të 1000 studentëve.

Sollaku këmbënguli se kishte vërtetuar edhe punësimin si këshilltar i jashtëm në një bankë, duke pretenduar se për periudhën 1996-2001 ishte paguar me 200 mijë dhrahmi në muaj. Lidhur me pamundësinë e gjetjes së dokumentacionit për periudhën 1996-1999, Sollaku kërkoi që të merrej në konsiderat pamundësia objektive për t’i siguruar ato dokumente.

Gjithashtu, ai kërkoi që të merreshin në konsideratë edhe pagesat në tre universitete private. Sollaku deklaroi se me të padrejtë nuk ishin konsideruar të ardhurat nga puna si pedagog dhe këshilltar në ish-Universitetin Kristal, duke argumentuar se kishte vërtetuar se pagat ishin dorëzuar në llogari bankare, megjithëse nuk kishte pasur kontratë të nënshkruar për punësimin.

Për pamundësinë e burimeve financiare në shumën 950 mijë lekë për blerjen e një apartamenti me sipërfaqe 84 m2 në Tiranë në vitin 1995 nga Enti Kombëtar i Banesave, Sollaku këmbënguli se për shlyerjen e çmimit të kësaj pasurie kishin shërbyer të ardhurat e përfituara nga shitja e një apartamenti në Fier në vitin 1995.

Edhe pse Komisioni konstatoi se kontrata e shit-blerjes së apartamentit në Fier është e vitit 1998 dhe nuk mund të ketë shërbyer për blerjen e një apartamentit në Tiranë tre vite më parë, Sollaku pretendoi se shitja de facto ishte kryer në ’95-ën.

Për një apartament me sipërfaqe 195 m2 + garazh 22 m2 në Tiranë në vitin 2003 është deklaruar pagesa e shumës 60 mijë euro. Si burim për këtë pagesë janë deklaruar një kredi në shumën 25 mijë USD dhe 35 mijë euro kursime. Sollaku ka shpjeguar se kursimet ishin krijuar nga pagat e bashkëshortit, kryesisht ato të përfituara si këshilltar në një bankë për periudhën 1996-2001.

Hamitaj tha se një prej pagesave ishte kryer nga babai i subjektit dhe për këtë arsye është konsideruar si person tjetër i lidhur. Nga hetimi ka rezultuar se babai i subjektit nuk ka pasur mundësi financiare për pagesën e këstit të parë 30 mijë euro, pasi ka rezultuar me balancë negative në shumën 2.2 milionë lekë. Gjithashtu, kanë rezultuar pamundësi financiare edhe për pagesat e këstit të tretë dhe të katërt, respektivisisht në shumat 1.1 milion lekë dhe 1.6 milion lekë.

Avokati Sollaku tha se vjehrri ishte konsideruar me të padejtë si person tjetër i lidhur, pasi ata i kishin dhënë shtëpinë ku rrinin vetë në këmbim të apartamentit që ai kishte prenotuar dhe kishte kryer pagesën.

Sollaku e kundërshtoi edhe gjetjen tjetër të Komisionit se vlera e shitjes së një trualli në Golem në vitin 2007 kundrejt çmimit 127 mijë euro, i deklaruar si burim për blerjen e një apartamenti 140 m2 + një garazh, ishte disa herë më i madh se çmimi i blerjes prej 10 mijë USD në vitin 2000.

Sollaku tha se kur ishte blerë, trualli kishte qenë tokë arë dhe se kishte vendosur ta zhvillonte dhe ishte dakordësuar me një shoqëri ndërtimi. Ai tha se çmimi i shitjes përfaqësonte pjesën takuese në objektin e ndërtuar nga shoqëria dhe se ishin dakordësuar të shlyhej në vlerë monetare.

Hamitaj tha se mungesë burimesh është konstatuar edhe për blerjen e dy apartamenteve dhe tre garazheve në vitin 2010 kundrejt shumës 300 mijë euro. Sipas relatorit, subjekti ka deklaruar si burime dy kredi, një në shumën 200 mijë euro dhe tjetrën në vlerën 139 mijë euro.

Komisioni konstaton se subjekti nuk ka specifikuar në deklarime një hua në shumën 100 mijë euro të marrë në vitin 2010, që ka shërbyer për pagesën e një pjese të vlerës së këtyre pasurive. Hamitaj tha se duket se huadhënësi nuk ka pasur mundësinë për kursimin e vlerës 100 mijë euro në momentin e transaksionit, megjithëse Sollaku ia ka kthyer këtë vlerë pasi është disbursuar kredia.

Sollaku deklaroi se kishte arritur të siguronte deklarimin DIVA të shoqërisë së administruar nga huadhnësi, prej nga rezultonte se kishte pasur 30 milionë lekë të ardhura në atë periudhë. Ai shtoi se huadhënia nuk ishte deklaruar, pasi ishte marrë dhe shlyer brenda vitit.

Nga analiza financiare paraprake ka rezultuar pamundësi në shumën 1.7 milionë lekë për një apartament me sipërfaqe 70 m2 në Kavajë të porositur në vitin 2009 me vlerën 3 milionë lekë.

Avokati Sollaku tha se të ardhurat për krijimin e kësaj pasurie janë të ligjshme dhe se duhet të përfshihen në analizën financiare. Ai shtoi se nëse do të konsiderohej gjendja cash, balanca negative do të mbetej në shumën 349 mijë lekë

Po ashtu është konstatuar pamundësi në shumën 2.6 milionë lekë për pagesën e vlerës 30 mijë euro për një apartament + verandë në vitin 2013. Sollaku shpjegoi se kishte pasur njohje me ndërtuesin, por pasi kishte shkuar për të parë apartamentin, kishte konstatuar se nuk ishte ai që pasqyrohej në kontratë dhe kishte kërkuar revokimin.

Bashkëshortët Sollaku kanë rezultuar në pamundësi financiare edhe për blerjen e një autoveture tip Citroen në vitin 2009 për shumën 30 mijë euro. Si burim krijimi për këtë pasuri është deklaruar shuma e përfituar nga shitja e truallit në Golem.

Nga hetimi ka rezultuar se subjekti ka shitur një apartament në vitin 2005 në Fier kundrejt shumës 45 mijë USD, që e kishte blerë dy vite më parë në shumën 1.9 milion lekë.

Komisioni nuk ka konsideruar si burim vlerën 45 mijë euro të përfituar nga shitja e apartamentit në 2005-ën, për blerjen e një apartamenti tjetër në vitin 2007 në Golem, pasi ka rezultuar se nuk është deklaruar gjendje cash në vitet 2005 dhe 2006.

Hamitaj shpjegoi në seancë se nisur nga ky konstatim, nuk është konsideruar në analizën financiare shuma e përfituar nga shitja e apartamentit në Golem në vitin 2016.

Komisioni nuk evidentoi mungesa burimesh për një apartament të blerë në Sarandë dhe një shtëpi + truall në Fier të dhuruar nga vjehrri i gjyqtares.

Sa i përket kriterit të pasurisë, relatori Hamitaj pohoi se subjekti i rivlerësimit kishte dorëzuar prova dhe shpjegime voluminoze, të cilat do të vlerësoheshin përpara vendimarrjes përfundimtare.

Në seancë u relatua për 58 denoncime nga publike për gjyqtaren Zegjine Sollaku, njëzet prej të cilave ishin depozituar nga i njëjti person. Sipas Hamitajt, mes denoncimeve nuk ishin gjetur indicie që mund të sjellin pasoja në vlerësimin profesional –për të cilin u konstatuan vonesa në fillimin e seancave apo dorëzimin e vendimeve.

Në fund të fjalës së tij, avokati Theodhori Sollaku deklaroi se provat dhe shpjegimet e dorëzuara krijonin bindjen se pasuritë ishin krijuar me burime të ligjshme dhe se subjekti i rivlerësimit duhet të konfirmohej në detyrë. KPK njoftoi se seanca e radhës do të mbahej më 8 korrik, ora 09:30./BIRN

Artan Hoxha rrëfen si e morën peng: Qyteti kryesor që pret drogën dhe pse u godit aq shpejt Lazarati

Gazetari Artan Hoxha u shpreh mbrëmjen e sotme se është marrë peng nga grupet kriminale. Ai tha se kjo ka ndodhur në vitet ’97-të, ndërkohë që theksoi se tashmë është e vështirë pasi është personazh publik.

A të kanë marrë ndonjëherë peng? “Sigurisht që më kanë marrë peng, kujton se kam shpëtuar… Më kanë marrë në ’97-ën, jo tani” tha ai. Po tani? “Tani është problem, kur del në televizor dhe bëhesh i njohur është problem. Gjatë vitit të kaluar një kolegia jonë tentoi të bëjë këtë gjë që bëj unë zakonisht, mirëpo bëri një gabim, u fut natën. Natën do filmosh me prozhektor. Vuri veten në rrezik, kameramanin sepse nuk filmohet natën dhe të nesërmen ata kapën televizionin dhe ajo video nuk doli. Çështja është të hysh e të dalësh pa e marrë vesh ata se po e morën vesh mbaron filmi. Mua më ka ndodhur një rast, kam hyrë në një zonë, kam gjetur një plantacion me 45 mijë rrënjë, s’kisha parë aq të madh. Ata kishin gjetur një rezervuar nga ato të Enverit dhe ruhej nga policia vetë. Nuk e dija që ishte aq e madhe. Informacionin ma dha një grup tjetër që se kishin lënë të kultivonte. Është shumë e rrezikshme ta bësh këtë” tha ai.

Edhe pse nuk është zbuluar asnjëherë një laborator droge, qyteti kryesor në Shqipëri që pret ngarkesa sipas gazetarit Artan Hoxha është Fieri. Nga emisioni “Të Paekspozuarit” në MCN TV Hoxha tha se e quan Fierin Universitetin shqiptar të krimit të organizuar sepse siç tregon ai është shumë i evoluar.

“Dihet në Shqipëri vendi kryesor deri tani që ka pritur ngarkesa, është Fieri, por në Fier nuk është zbuluar kurrë asnjë laborator. Por Fierin unë e quaj Universitetin shqiptar të krimit të organizuar sepse është shumë i evoluuar, është pak i ekspozuar dhe as mediat dhe as policia nuk sulmojnë aty. Ndoqa një rast aty vitin e kaluar, kontenieri vinte nga Ekuadori, kaloi në Durrës nuk e kapi skaneri, e mori kompania që priste banane dhe papritur kur e çojnë në Patos shkuan dhe i grabitën dhe ngjarja u regjistrua si grabitje e thjeshtë. Në fakt ata grabitën kokainën sepse ky i shkreti kishte porositur banane dhe nuk dinte gjë. Ata i çmontuan kontenierin nga jashtë dhe ikën dhe kjo ngjarje u raportua se grabitje dhe u rrahën edhe rojet. Ata kanë krijuar grupe të fuqishme. Përdorimi i Shqipërisë si bazë operacionale do të thotë se ata kanë krijuar lidhjet e duhura në Shqipëri, paguajnë në Prokurori, në gjykatë, në polici dhe e kanë kollaj dhe financojnë fushatën sepse ata kanë para dhe nuk e kanë problem”, deklaroi Hoxha.

Arsyeja se përse u godit aq shpejt Lazarati përsa i takon kultivimit të kanabisit, sipas gazetarit Artan Hoxha është e lidhur me politikën. Ai tha se Lazarati u godit sapo erdhi qeveria e re sepse Lazaratin nuk e kontrollonte e majta, por e djathta. “Lazarati ishte një licencë kombëtare që të merreshe me trafikim sepse atë nuk e komandonin lazaratasit vetë, aty nga nuk ishin futur. Por pse u godit aq shpejt Lazarati, që në 2014-ën? U godit sapo erdhi qeveria e re sepse Lazaratin nuk e kontrollonte e majta, por e djathta. Praktikisht iu hoq nga kontrolli atyre që e kishin. Ndaj në Lazarat u gjetën 100 tonë hashash, para pafund dhe tre laboratorë përpunimi kanabisi. Ajo që bëhej në Lazarat u hap në të gjithë vendin. Duke e shtrirë aq shumë në masë do paguaje shumë taksa për policinë, gjeneratorët, rojet, tubacionet, ndërkohë çmimi ra. Policia në fund ngaqë s’po merrte kesh arriti të merrte nga depot si mall. Situata shkoi deri aty sa 1 në 3 rrugë ishte e policisë sepse nuk kishte më lekë”, tregoi Hoxha.

BE fillon përdorimin e çertifikatës digjitale të vaksinave, ja anomalitë që u shfaqën ditën e parë

Bashkimi Evropian filloi zyrtarisht përdorimin e çertifikatës digjitale për COVID-19, e krijuar për të bërë udhëtime të sigurta dhe të lehta për të vaksinuarit plotësisht brenda vendeve anëtare të BE-së – por të paktën një kompani ajrore thotë se aplikacioni ka hasur në probleme në ditën e parë të përdorimit.

BE-ja krijoi çertifikatën dixhitale – të disponueshme si një aplikacion në telefonat inteligjentë ose në format letre – për të ndihmuar përdoruesit të përjashtohen nga kufizimet si karantina. Sipas rregullave të BE-së, vendet anëtare duhet të mos vendosin kufizime shtesë të udhëtimit për ata që janë të pajisur me çertifikatë nëse masat nuk janë të nevojshme dhe proporcionale për mbrojtjen e shëndetit publik.

Në një konferencë për shtyp në Bruksel, zëdhënësi i Komisionit Evropian, Christian Wigand, tha se 26 vendet anëtare po lëshojnë çertifikata duke filluar nga e enjtja dhe tashmë, janë lëshuar më shumë se 200 milionë certifikata.

Por në praktikë, çertifikata duket se ka disa anomali. Një zëdhënëse e shoqërisë ajrore Brussels Airlines, Maaike Andries, i tha agjencisë së lajmeve Reuters se kodi digjital QR në çertifikatat COVID-19 me sa duket nuk është ende i lidhur me destinacionin e udhëtarit. Kjo do të thotë që linjat ajrore duhet të kryejnë ende kontrolle vizuale për t’u siguruar që udhëtari i plotëson kërkesat e zonës në të cilën po udhëton.

Për sa i përket lehtësimit të udhëtimit me çertifikatën digjitale të vaksinave, zonja Andries tha se, “fatkeqësisht, nuk kemi arritur akoma në atë pikë”.

Një zëdhënës i aeroportit të Brukselit tha se pasagjerët po këshillohen të kontrollojnë plotësisht dokumentat që u duhen në destinacionin e tyre për të demonstruar prova të vaksinimit, ose provë të një testi negativ COVID-19 nëse nuk janë të vaksinuar plotësisht./VOA

Aksidentet rrugore, Çekia i dhuron policisë shqiptare katër radarë për të kapur shkelësit

Policia çeke i ka dhuruar asaj shqiptare katër radarë dixhitalë për monitorimin e akseve rrugore, me qëllim parandalimin e aksidenteve nga shpejtësia tej normave.

Pas përfundimit të trajnimit dhe njohjes me aparatet dhe me modalitetet e vënies në punë u kryen veprime praktike në terren, në rrugën interurbane kryesore, në aksin rrugor Tiranë-Elbasan.

Njoftimi

Policia çeke ndihmon Policinë e Shtetit, me katër radarë dixhitalë modernë për monitorimin e akseve rrugore, me qëllim parandalimin e shpejtësisë tej normave të lejura, e cila është burim potencial për përfshirje në ngjarje rrugore me pasoja fatale për jetën.

Mbështetur në marrëveshjen dypalëshe mes Policisë së Shtetit të Republikës së Çekisë dhe Policisë së Shtetit të Republikës së Shqipërisë, me kërkesë të drejtpërdrejtë të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Ardi Veliu, për të ndihmuar Policinë Rrugore shqiptare gjatë sezonit turistik 2021 dhe sidomos monitorimin dhe kontrollin e tejkalimit të shpejtësisë së mjeteve, mbërritën në vendin tonë nëpërmjet PKK Morinë, Kukës, dy zyrtarë të Shërbimit të Policisë Rrugore çeke, së bashku me një mjet të Policisë Rrugore çeke, të cilët sollën në Shqipëri 4 radarë dixhitalë modernë që do të përdoren nga Policia Rrugore shqiptare.

• Mëngjesin e sotëm, në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, zyrtarët e Policisë Rrugore të Çekisë zhvilluan një takim me Drejtorinë e Policisë Rrugore, ku mori pjesë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.

• Më tej, në sallën e mbledhjeve të DPPSH-së, me rreth 20 punonjës të shërbimit të Policisë Rrugore u realizua trajnimi special me përfaqësues policor të të dy shërbimeve policore, mbi përdorimin praktik të radarit model “Laser Cam4”.

• Pas përfundimit të trajnimit dhe njohjes me aparatet dhe me modalitetet e vënies në punë u kryen veprime praktike në terren, në rrugën interurbane kryesore, në aksin rrugor Tiranë-Elbasan.

Drejtues të Drejtorisë së Teknologjisë së Informacionit dhe të Drejtorisë së Certifikimit dhe Trajnimit të Mjeteve Motorike pranë Akademisë së Sigurisë morën pjesë në trajnim, me qëllim përgatitjen e kurrikulave dhe të protokolleve të trajnimit, duke konsideruar se shërbimi i Policisë Rrugore përherë e më shumë po përdor pajisje shpejtësimatëse radarë, dronë fluturues dhe mjete të tjera të teknologjive dixhitale.

Danimarka merr vendimin, dhuron 1 milion vaksina AstraZeneca për Ballkanin Perëndimor, përfiton dhe Shqipëria

Në muajt e ardhshëm, Danimarka do të dhurojë 1 milionë vaksina të kompanisë AstraZeneca për Ballkanin Perëndimor.

Kjo është konfirmuar nga Ministri i Punëve të jashtme atje Jeppe Kofod, në një njoftim shtypi. Ai ka thënë se donacioni është pjesë e vaksinave AstraZeneca, të cilat nuk janë pjesë e programit të tyre të përgjithshëm të vaksinimit.

Nga ky donacion, përfiton Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova dhe Maqedonia e Veriut.

“Fqinjët tanë në Ballkan po përjetojnë një mungesë të madhe vaksinash.

Kjo gjë përkeqëson gjendjen dhe rrezikun e shpërthimeve të reja atje. Kjo është arsyeja pse unë jam i kënaqur që ne mund të ndërhyjmë dhe të ndihmojmë partnerët tanë të ngushtë me armën absolutisht të rëndësishme kundër pandemisë, vaksinat.

Ballkani Perëndimor është pjesë e zonës sonë të ngushtë dhe ne kemi një interes të madh të përbashkët për të qëndruar së bashku, sidomos gjatë kësaj pandemia”, ka thënë ministry Kofod.

Lushnje/ Pacientët bredhin me shiringa më gjak në duar nga shteti tek privati, për analizat

Fiks Fare trajtoi mbrëmjen e së enjtes një rast unik mbi mënyrën se si trajtohen pacientët në poliklinikën e Lushnjes.

Pasi i merret gjak një pacienteje 77 vjeçare në shtet i thuhet që me shiringën e gjakut të paraqitet në privat për të kryer analizat dhe të marrë e përgjigjen.
Denoncimi erdhi nga një qytetare nga Lushnja e cila kishte çuar nënën e saj 77 vjeçare në poliklinikën e Lushnjes. Me rekomandim nga mjeku i familjes 77 vjeçarja do të kryente analizat e hemoglobinës së glukozuar. Sipas denoncimit laborantja Donika Kote pasi i ka marrë gjakun të moshuarës ia ka dhënë atë në një shiringe dhe i ka drejtuar për të kryer ekzaminimet në një laborator privat i quajtur Talasemial, ngjitur me poliklinikën. Ky ekzaminim i kushtoi pensionistes 21 mijë lekë të vjetra.
Bashkë me gazetarët e Fiskit e moshuara i drejtohet edhe njëherë poliklinikës , por kësaj radhe pa rekomandimin e mjekuar për të përsëritur të njëjtën analizë. Nuk gjejnë të njëjtën laborante, por edhe ajo që takuan me një arrogancë u thotë se nuk duhet ta përsërisin analizën, pasi e kanë bërë njëherë. Megjithatë pa rekomandim mjeku ajo thotë se e moshuara duhet të paguajë. Pyetjes së Fiksit se pse nuk bëhet kjo analizë në spital por i drejtoni pacientët në privat, ajo përgjigjet se shteti nuk e bën pasi nuk ka reagent. “Ne bëjmë analizë të thjeshtë glicemie dhe për këtë duhet të paguash” thotë laborantja. Pasi i merr 77 vjeçares gjakun bashkë me fletën e pagesës i drejton drejt recepsionit për të bërë pagesën. Në recepsion gazetarja e Fiksit pyet se si ka mundësi që me rekomandim të mjekut të familjes duhet të shkojë tek privati që të bëj analizat. Dhe recepsionista për ankesën e drejton drejt shefit te poliklinikës i quajtur Doktor Fredi.
Para se të paraqiten tek drejtori gazetarja bashkë me 77 vjeçaren marrin analizat tek laboratori privat. Edhe aty gazetarja e Fiksit pyet se përse këto analiza nuk kryhen në shtet, dhe punonjësi i laboratorit privat i përgjigjet se në dijeninë e tij shteti nuk ka reagent.
Bashkë me fletën e analizave në dorë e moshuara dhe gazetarja e Fiksit i drejtohen drejtorit. Ai u thotë se spitali i bën ato analiza dhe se përgjegjësit do mbajnë përgjegjësi. Ai thërret në zyrë mjeken e laboratorit e cila i shpjegon se për kryerjen e këtyre analizave nuk kanë reagent, por që drejtimi i laborantes drejt privatit nuk është i dejtë dhe për këtë duhet të merren masa. Ajo shpjegon se laborantja Donika Kote e ka bërë disa herë këtë gjë duke i orientuar pacientët drejt këtij laboratori privat. Drejtori i poliklinikës i orienton që t’i drejtohen drejtorisë së spitalit Bashkiak të Lushnjes.
Drejtuesi i këtij institucioni, zoti Perin Vogli pasi u njoh me ankesën e pacientes 77 vjeçare, pranoi se këto ishin raste të përsëritura. Pasi qytetarja depozitoi ankesën me shkrim pranë administratës së spitalit, drejtori i spitalit të Lushnjes, vendosi pezullimin nga detyra të laborantes Donika Kote.
Takim me shefin e poliklinikës
Fiksi: Si jeni? Doktor Fredi?
Shefi: Po
Fiksi: Unë kam një problem këtu tek laboratori poshtë.
Shefi: Po
Fiksi: Nëna pardje me rekomandim, ka ardhur të bëj analizën e diabetit.
Shefi: Po
Fiksi: Laborantja i ka marrë vetëm gjakun i ka dhënë shiringën në dorë dhe i ka thënë shko tek laboratori këtu përballë, bëje dhe paguaje.
Shefi: Cilat analiza?
Fiksi: Urdhëro, ja ku i ke se i mora tani tek laboratori dhe ka paguar 2100 lekë për këto analiza.
Shefi: Kush ta tha këtë, kjo këtu?
Fiksi: Kjo këtu poshtë.Pyeta tek recepsioni dhe më thanë shko tek shefi.
Shefi: Një minut, një minut mos u….
Fiksi: Edhe çudia është që i kanë dhënë shiringën me gjak në dorë dhe i kanë thënë shko tek ai përballë.
Shefi: Mos u mërzit nuk ka problem do ta gjejmë përgjegjësen ç’ke ti.
Shefi thërret në zyrë përgjegjësen e laboratorit
Shefi: Nuk e kanë sqaruar fare të sëmurin,i kanë dhënë një shiringë dhe shko bëje atje mbrapa.
Përgjegjësja: Ka tre muaj hemoglobina e glukozuar që nuk bëhet.
Shefi: Mirë mirë do ta shohim.Kush ishte pardje?
Përgjegjësja: Donika . Nuk bëhen, po se ku i thojnë bëje dhe ku i drejtojnë nuk e di.
Shefi: Jo jo
Fiksi: Po mirë në qoftë se nuk bëhen këtu, nuk ka pse t’ja marri gjakun, t’i japi shiringën në dorë dhe ti thotë shko bëje atje.
Përgjegjësja: Ja pra kjo është, këtë nuk duhet ta bëjë.Ti thotë bëje ku të duash.Nuk ka punë ti thotë
Fiksi: Po mirë ky mjeku i familjes të jep rekomandimin dhe i të thotë shko tek poliklinika dhe bëj këto analizat. Mjeku përse e ka rekomanduar këtu?
Përgjegjësja: Mjeku i familjes e ka rekomanduar sepse nuk e di se çfare bëjmë ne të spitalit se është drejtori tjetër. Ai thotë thjesht na bëji, po a i bën spitali apo nuk i bën nuk e di.
Shefi: Ne do ta çojmë në drejtori rastin.
Përgjegjësja: Veprimin që kanë bërë të merren masa.
Shefi: Do shkoni në drejtori, drejtor është Perin Vogli do i thoni ishim te shef Fredi dhe na dërgoi këtu tek spitali.Do të të presi dhe do të të presi mirë jam i garantuar që do të sqaroj mirë. Bëni ankesën në rrugë zyrtare për këto që po bëhen.