zoom

Day ArchiveIshte frymëzim i këngës me të cilën fitoi Sanremon, Ermal Meta humb njeriun e dashur

U kthye në frymëzim të një kënge që fitoi Sanremon dhe nga aty u mësua se ishte një nga personazhet e dashur të këngëtarit Ermal Meta.

Mësuese Margarita Feka nuk është më. Ajo është ndarë nga jeta ditën e sotme në moshën 78-vjeçare, teksa këngëtari i njohur ka një përshëndetje të veçantë për mësuesen e tij të dashur, për të cilën thotë se i ka dhuruar përkëdhelje për plagët e tij.

“Mësuese Margarita nuk është më. Kisha premtuar që ta vizitoja një ditë pas koncertit që do të bëj në Shqipëri këtë verë. Do kisha dashur ta përqafoja dhe ta falënderoja. Jam i sigurt se do të kisha gjetur të njëjtin shikim të ëmbël që gjeja sa herë që hyja në klasë dhe të mos mundem ta bëj më këtë gjë më dhemb. Përshëndetje mësuese, fëmijët e tu të përshëndesin dhe unë të falënderoj për të gjitha përkëdheljet e tua në secilën prej plagëve të mia”, shkruan Ermal Meta duke publikuar dhe foto të mësueses së tij të dashur, frymëzim i këngës “Vietato morire” (E ndaluar të vdesësh).

Margarita Feka ishte mësuesja e tij në shkollën artistike “Jakov Xoxa” në Fier. Pas deputimit të Ermal Metës në Sanremo ajo ishte shprehur e emocionuar dhe e prekur dhe se e mbante mend mirë nxënësin e saj.

Megjithëse isha shtrirë, dëgjova që thanë se do të këndonte Ermal Meta. Unë u çova menjëherë. E kisha emër të dëgjuar dhe nisa të përqendrohesha. Menjëherë i thashë djalit se ai ishte ish-nxënësi im. Të nesërmen më mori mbesa nga Shkodra. Më tha ta dëgjoja këngën me vëmendje, e të m’i përkthente fjalët daja (djali) sepse aty përmendej emri im. Kur e dëgjova u preka shumë, tej mase. Mendova, ky fëmijë kaq i vogël, i ikur kaq vite larg. Ka kaluar shumë mësuese të tjera, si nuk e harroi emrin tim?”, ishte shprehur ajo.

Nuk kanë fund bëmat e Enkeleda Kapedani, dëgjon këngë “gangsta” dhe bën sikur gjuan me pistoletë

Një tjetër video e gjyqtares Enkeleda Kapedani është publikuar në rrjete sociale. Bëhet fjalë për filmime të bëra prej saj dhe që janë postuar në rrjetin social Tik Tok.

Kapedani shihet të këndojë e kërcejë më këngë “gangsta” në sfond, teksa bën me gisht sikur tërheq këmbëzën e pistoletës për të vrarë.

Ajo gjithshtu në një moment ngre dhe gishtin e mesit.
Në këtë video të re, ndryshe nga të mëparshmet, ajo është treguar “korrekte” dhe e ka vendosur rripin e sigurimit.

Itali/ U hoqën si oficerë policie për t’i marrë kartën e bankës të moshuarës, shqiptari dhe turku bien në pranga

Dy të rinj janë arrestuar nga policia italiane në Basel, pasi akuzohen për mashtrimin e një gruaje 91-vjeçare.

Mediet fqinje shkruajnë se dy të rinjtë një shqiptar 22-vjeçar dhe një 18-vjeçar turk duke u paraqitur si oficerë policie i kanë vjedhur asaj kartën bankare.

Por sërish të rinjtë nuk ishin në gjendje të tërhiqnin paratë dhe kjo gjë u bë me dije sot nga autoritetet e Rinit.

Ngjarja

E moshuara mori një telefonatë nga një person që hiqej si oficer i policisë, i cili i kishte thënë asaj se një rumun ishte arrestuar për përdorimin e kartës së saj bankare. Si rezultat, zonja e vjetër ia dorëzoi atë agjentit të rremë.

Autoritetet janë duke vijuar hetimet nëse dy të rinjtë janë autorë të krimeve të tjera apo jo.

Videot me sfilata nga zyra, makina dhe jeta e luksit, merret vendimi për gjyqtaren e “Tik Tokut”

Inspektori i Lartë i Drejtësi Artur Metani i ka dërguar KLGJ-së kërkesën për pezullimin e menjëhershëm dhe shkarkimin nga detyra të gjyqtares së Elbasanit, Enkeleda Kapedanit për shkak të videove të publikuar në “Tik Tok”.

Gazetari i ABC, Ermal Vija raporton se kërkesa për shkarkim argumentohet nga ILD me faktin se gjyqtarja ka diskredituar figurën e gjyqtarit. Tashmë pritet që të mblidhet KLGJ për të vendosur mbi raportin e ILD ku sipas të gjitha gjasave gjyqtarja do të shkarkohet.

Në videot që bënë xhiron e rrjeteve sociale në dy ditët e fundit gjyqtarja Kapedani mes luksit shfaqet ndërsa ecën me ritëm sfilate nëpër korridoret e gjykatës si dhe në mjediset e zyrës së saj. Madje në sfond të njërës prej videove dëgjohet melodia e një kënge shqiptare të titulluar “Mafia”.

Gjyqtarja Kapedani është shprehur për mediat se është ndjerë keq nga publikimi i videove, i bërë sipas saj, me qëllimin për t’i prishur imazhin. Por ILD brenda pak orësh, pas inspektimit që iu bë pasditen e djeshme zyrës së saj vendosi që të kërkonte shkarkimin nga detyra.

EMRI/ Vritet 52-vjeçari në Tepelenë

Çajup Selimi, 52-vjeç ka mbetur viktimë e disa të shtënave me armë mbrëmjen e të martës në Tepelenë.
Ai është qëlluar pranë shtëpisë së tij nga persona të paidentifikuar në rrethana të paqarta. Policia dhe prokuroria ngritën një grup hetimor dhe morën në pyetje disa persona, mes të cilëve edhe të afërm të viktimës, në përpjekje për të zbuluar konfliktet që mund të ketë pasur Selimi. /Zoom.al

Të shtëna me armë zjarri në Tepelenë

Të shtëna me armë zjarri janë regjistruar mbrëmjen e sotme në qytetin e Tepelenës.

Ende nuk dihet nëse ka të plagosur apo viktima, ndërkohë policia po shkon në vendngjarje dhe po heton për të zbardhur të plotë shkaqet e të shtënave me armë.

‘Para të errëta’ dhe këshilltarë izraelitë pas zgjedhjeve shqiptare

Tri javë përpara zgjedhjeve të kontestuara parlamentare të 25 prillit, një faqe në Facebook e titulluar ‘Untold Stories of Albania’, publikoi ekstraktin e një interviste televizive të liderit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ku gazetari thotë me humor se gjumi i Bashës ishte kthyer në një çështje elektorale.

“Është rutina ime e përditshme. Fle gjumë,” duket se përgjigjet Basha. “Qytetarët e kanë parë se si unë, edhe Partia Demokratike kemi qenë nga mëngjesi deri në darkë në gjumë”!

Videoja, e cila përmban edhe pamjet e një burri që fle në një kolltuk lëkure, shfaqet e trukuar. Në thelb ishte e tillë, e megjithatë mori 203,844 shikime në Facebook –një rezultat mbresëlënës për pak më shumë se 300 USD të shpenzuara për promovimin në Facebook, përmes një llogarie me vetëm 1833 ndjekës.

Videoja është një shembulli i vrazhdë i “deep fake”-një video që portretizon dikë të thotë diçka, që në të vërtetë nuk e ka thënë.

Ajo nuk ishte reklama e vetme politike e transmetuar në “Untold Stories of Albania” që sulmonte Bashën apo drejtues të tjerë të opozitës përpara zgjedhjeve të 25 prillit, të cilat u fituan nga Partia Socialiste në pushtet e kryeministrit Edi Rama.

Në fakt, kjo faqe publikoi 218 reklama politike nga dhjetori deri në prag të votimeve, duke regjistruar miliona shikime. Pas sigurimit të fitores nga socialistët, ajo ndaloi së postuari.

Reklamat u publikuan me shënimin se u paguan nga “Untold Stories of Albania”, por një entitet i tillë nuk ekziston, ndërsa në librarinë e reklamave të publikuara nga Facebook nuk jepet asnjë e dhënë se kush e zotëron faqen apo kush e financon atë.

Duke përdorur të dhënat e mbledhura përmes Crowdtangle, një aplikacion në pronësinë e gjigandit të medias sociale, BIRN mundi të identifikonte pesë faqe të ngjashme në Facebook, të cilat regjistruan dhjetëra milionë shikime të videove përpara zgjedhjeve në Shqipëri, ndonëse ndajnë së bashku vetëm pak mijëra ndjekës.

Ndërsa burimi i financimit të këtyre reklamave është i panjohur, kjo formë e shpenzimeve politike referohet shpesh si “para e zezë”.

Një anonimitet i tillë i inkurajon aktorët politikë që të shkelin kufijtë e normave demokratike –thotë Anthony Nadler, profesor i asociuar i Studimeve të Medias dhe Komunikimit në kolegjin Ursinus në Pensilvani.

“Kur burimi i financimit mbrapa një fushate reklamash nuk është i identifikuar, askush nuk frikësohet se mund të mbahet përgjegjës nëse reklamat janë manipulative, nxisin urrejtje apo shpërndajnë keqinformim,” tha Nadler.

“Për më tepër, paratë e errëta i lejojnë reklamuesit që përfshihen në përpjekjet për t’u shtirur si grupe të tjera interesi, ndoshta me qëllimin e nxitjes së ndasive ose keqdrejtimit të rivalëve të tyre,” shtoi ai.

BIRN u përpoq pa sukses që të kontaktonte me administratorët e “Untold Stories of Albania” përmes Facebook-ut dhe emailit. Edhe Facebook nuk iu përgjigj një kërkese për koment.

Problemi global i “parave të errëta”

Partia Socialiste e kryeministrit Edi Rama fitoi mandatin e tretë radhazi të paprecedentë në zgjedhjet e prillit, duke marrë 74 nga 140 deputetët e Kuvendit. Për shkak të masave kufizuese të COVID-19, shumica e fushatës elektorale u zhvillua në mediat sociale.

“Fushata elektorale u zhvillua në kushtet e kufizimeve të COVID-19, pjesa më e madhe e grupeve shoqërore ishin gjithashtu të kufizuar,” thotë Afrim Krasniqi, drejtori ekzekutiv i Institutit Shqiptar të Studimeve Politike.

“Për këtë arsye ishte e pritshme që lajmet online dhe reklamat online do të kishin audiencë shumë më të madhe sesa mjetet tradicionale të komunikimit direkt,” shtoi ai.

Në fillim të marsit, Facebook-u, rrjeti social më popullor në Shqipëri me rreth 1.6 milionë përdorues, i detyroi llogaritë që reklamonin çështje politike dhe sociale që të regjistroheshin në mjetin e vet të Transparencës së Reklamave.

Sipas të dhënave nga libraria e reklamave të Facebook, partitë politike dhe kandidatët për deputetë shpenzuan rreth 300 mijë USD në reklama politike nga 11 marsi deri në prag të ditës së zgjedhjeve.

Në këtë llogari përfshihen edhe shpenzimet nga faqe të ngjashme me “Untold Stories of Albania”, e cila shpenzoi 16,003 dollarë për reklama në Facebook dhe Instagram gjatë kësaj periudhe.

Por se kush apo çfarë i siguroi në të vërtetë këto para mbetet një mister.

Reklamat e financuara nga “paratë e errëta” nuk janë një problem që haset vetëm në zgjedhjet shqiptare. Sipas Nadler, financime të tilla vazhdojnë të mbeten problem edhe në Shtetet e Bashkuara, pavarësisht hapave të ndërmarrë nga kompanitë e mëdha të teknologjisë.

“Facebook dhe Google kanë ndërmarrë disa hapa për verifikimin e identitetit të entiteteve ligjore që sponsorizojnë reklama, në mënyrë që të godasin aktorët e huaj të financimit të reklamave politike,” tha Nadler.

“Por nuk ka pasur asnjë përpjekje në dijeninë time për të ndaluar reklamën e targetuar nga grupet e “parave të errëta”, të cilat janë entitete amerikane pa asnjë detyrim ligjor për të bërë transparencë mbi financuesit e tyre të mëdhenj,” shtoi ai.

Lidhja izraelite

“Untold Stories of Albania” filloi të rriste shikueshmërinë e videove të saj në dhjetor 2020.

Sipas të dhënave të siguruara përmes Crowdtangle, nga dhjetori 2020 deri në prill 2021, “Untold Stories of Albania” publikoi 44 video, të cilat u panë 3.75 milionë herë.

Duke përdorur Crowdtangle, BIRN arriti të identifikonte edhe pesë faqe të tjera Facebook-u që publikuan reklama politike dhe regjistruan një normë shikueshmërie jashtëzakonisht të lartë në periudhën parazgjedhore, pavarësisht se ato kanë së bashku vetëm disa mijëra ndjekës.

Këtu përfshihet “Çorapja”- një faqe e satirës politike, që ndonëse ka vetëm 6,839 ndjekës, ishte megjithatë e aftë që të siguronte 11.7 milionë shikime të videove të postuara prej saj nga shtatori 2020 deri në shkurt 2021.

Një tjetër faqe e quajtur ‘Pakez Drite’, e cila promovon projektet qeveritare të turizmit rural publikoi gjithashtu reklama negative kundër opozitës dhe regjistroi 18.25 milionë shikime, ndonëse ka vetëm 5,326 ndjekës.

Faqja ‘Pune Pune’ ka 1,364 ndjekës, por reklamat e saj politike u panë 7.9 milionë herë.

Të tre këto faqe u krijuan në të njëjtën ditë –më 3 shtator 2020.

Dy faqe të tjera, të cilat u krijuan më 11 dhe 13 nëntor 2020 – ‘Ligj dhe Rend’ dhe ‘Te Jesh Grua’ – patën sukses të ngjashëm.

“Ligj dhe Rend” regjistroi 3.39 milionë shikime me vetëm 896 ndjekës, ndërsa “Te jesh Grua” mori gati dyfishin e shikimeve, ndërsa ka të regjistruar vetëm 1,785 ndjekës.

Një analizë e fjalëve të përdorura në rreth 800 reklamat e publikuara në këto faqe tregon se ato përmbajnë shpesh mesazhe politike të përdorura në fushatë nga Partia Socialiste; përfshirë termat “mandati i tretë”, “punë jo gjumë”, “s’ka kohë për pushim”, “Voto PS” ose “Voto 12”.

Sipas të dhënave të Crowdtangle, gjashtë faqet e identifikuara të Facebook-ut për përdorimin e parave të errëta regjistruan në total 51.44 milionë shikime të videove nga shtatori 2020 deri në ditën e zgjedhjeve, një shifër kjo 18 herë më e lartë sesa popullsia prej 2.8 milionë e Shqipërisë.

Numrat e telefonit të listuara në këto faqe të Facebook-ut ishin jashtë shëbimit, ndërsa përpjekjet për t’i kontaktuar përmes mesenxherit dhe emailit mbetën pa përgjigje.

Sipas librarisë së reklamave të Facebook, këto gjashtë faqe shpenzuan në total 36,810 dollarë në reklama politike nga 11 marsi deri ditën e zgjedhjeve.

Numri jashtëzakonisht i lartë i shikueshmërisë së videove dhe mesazhi politik në favour të Partisë Socialiste nuk janë lidhja e vetme mes gjashtë faqeve.

Sipas raporteve të tyre të transparencës, secila prej këtyre faqeve e ka llogarinë e administratorit të listuar me adresë primare në Izrael. Sipas një shkrimi të publikuar më 7 maj në Times of Israel, të paktën tetë këshilltarë politikë nga Izraeli ishin përfshirë në fushatën elektorale të Shqipërisë, të punësuar si nga socialistët, ashtu edhe nga demokratët./BIRN

Greqia nuk gjen qetësi! Sërish lëkundje toke

Pasditen e sotme është regjistruar një tërmet me magnitutë 4,5 i shkallës Rihter në zonën e Elasonës.

Sipas mediave greke, thellësia fokale e tërmetit vlerësohet me 10,9 km, ndërsa epiqendra 14 km në jugperëndim të Elassona. Raportohet se tërmeti u ndje shumë në qytetin e Larissas.

Kujtojmë, se që prej fillimit të këtij viti Greqia është “pushtuar” nga tërmete të shumta.

Në po të njëjtin vend pak muaj më parë u shkatëruan qindra shtëpi, ndërsa mediat greke shkruanin se një tërmet i tillë, aq i fuqishëm, nuk kishte ndodhu që nga viti 1766.

Skënder Brataj bën parashikimin: Vjeshta do të krijojë probleme, por…

Skënder Brataj deklaron se transmetueshmëria e Covid-19 ka rënë në nivele minimale, ndërsa tha se po vihet re fenomeni kur njerëzit paraqiten shumë vonë në spitale dhe në gjendje të rëndë shëndetësore.

“Nga 37 të sëmurë, 7 janë në terapi intensive që do të thotë se vijnë në forma të rënda në spital. Do të thotë që në banesa ka edhe të tjerë të sëmurë. Ne ketë momente nuk duhet ulur vigjilenca. Mënyra e transmetimit të virusit është më e ulët. Në 15 qershor hiqet kufizimi nga 10 persona në 50. Muzika live është shtuar dy orë nga ora 20-22. Këto janë aktivitetet që janë në vend të parë për sa i përket përhapjes së infeksionit. Janë të gjitha rreziqet e përhapjes së infeksioneve”, deklaron ai.

Brataj përjashton mundësinë që vjeshta të mbërrijë me një valë tjetër infektimesh.

“Vjeshta do të krijojë pak probleme, por nuk ka valë si vala e nëntorit-shkurt të vitit të kaluar. Deri në shtator do të ketë një numër më të lartë të personave të vaksinuar. Mua më gëzon fakti se nuk ka pasur humbje jetë për asnjë person që ka marrë dozën e vaksinës, apo forma të rënda. Ato që nuk e kanë kaluar virusin janë një pakicë”, u shpreh ai.

Manastirliu publikon shifrat: 3 881 vaksinime kundër COVID në 24 orët e fundit

Në 24 orët e fundit në vendin tonë janë kryer 3 881 vaksinime kundër COVID. Shifra është bërë publike nga ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu.

Ministrja bën me dije se që nga fillimi i fushatës së vaksinimit në vend, janë kryer 780 342 vaksinime në total.

Kreu i qeverisë Edi Rama ka deklaruar se deri në fund të fushatës synohet të kryhen deri në 1 mln vaksinime.