zoom

Day ArchiveQyteti ku lindi koronavirusi, Wuhani goditet nga tornadot! Shënohen viktima dhe dëme të mëdha

Dy tornado lanë të paktën 7 persona të vdekur dhe 218 të plagosur në qytetin e Wuhan, në Kinën qendrore.

Të dy tornadot, të krijuara rreth 90 minuta larg njëra-tjetrës, shkatërruan dhjetëra shtëpie dhe rrëzuan shumë pemë.

Sipas të dhënave paraprake, të paktën 147 shtëpi u shembën ose mbetën të dëmtuara.

Wuhan është qyteti kinez ku virusi Covid-19 u zbulua për herë të parë.

Makina del nga rruga dhe futet në stacionin e autobusit, përplas dy kalimtare në Tiranë

Dy kalimtare janë aksidentuar mbrëmjen e sotme në Tiranë si pasojë e një aksidenti. Policia njofton se rreth orës 20:55 te “Vasil Shanto” një makinë me drejtuese F. Z., 47 vjeçe, ka dalë nga rruga duke përfunduar në stacionin e autobusit.

Si pasojë ka aksidentuar dy këmbësore të cilat u dërguan në spital, për të marrë ndihmë mjekësore, jashtë rrezikut për jetën. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.

Paraprakisht dyshohet se drejtuesja humbi kontrollin e makinës për shkak të shpejtësisë.

Sherr me grushte e shkelme, përplasje masive në aeroport, 3 persona përfundojnë në spital

Një sherr masiv ka ndodhur mes disa burrave në aeroportin “Luton” në Londër.

Mediat e huaja, bëjnë me dije se si pasojë e sherrit, tre persona kanë përfunduar në spital, ndërsa 17 të tjerë janë arrestua nga policia.

Në videon që është publikuar nga mediat ndërkombëtare, shihet se disa burra që zihen me grushte, shkelmojnë dhe godasin njëri-tjetrin me valixhe në zonën e pritjes në aeroport. Mëoshet se ngjarja ka ndodhur rreth orës 8 të mëngjesit së djeshëm.

Fillimisht disa gra kanë nisur të bëjnë sherr me njëra-tjetrën, e më pas një burrë ka qëlluar me shishe në drejtim të njërës prej grave.

Ndërsa kishte brohoritje “ndalo”, grupi sulmonte njëri-tjetrin me karrige, në zonën e pritjes.

Policia po heton përleshjen dhe autoritetet e aeroportit u kanë kërkuar falje pasagjerëve të tjerë që u shqetësuan për shkak të konfliktit.

Masat për Covid-in/ Shkurtohet ora policore dhe hiqen maskat? Ja kur zyrtarizohet vendimi

Ashtu siç edhe pritej, ulja e shifrave të infeksionit pritet të sjellë lehtësim të masave anti-Covid.

Në mbledhjen e radhës Komiteti Teknik i Ekspertëve pritet të vendosë për heqjen e maskave në ambientet jashtë, si edhe për shkurtimin e orës policore.

Prej disa muajsh mbajtja e maskës në ambientet jashtë është e detyrueshme, ndërsa liria e lëvizjes është deri në orën 22:00. Pas kësaj ore qarkullimi është i ndaluar dhe po ashtu të gjitha aktivitetet, me përjashtim të atyre që ofrojnë shërbim në banesë, janë të detyruar që të ulin qepenat.

Por në ndryshimet që pritet të zyrtarizohen javës që vjen parashikohet që të zgjatet ora policore së paku deri në mesnatë, ndërsa pritet po ashtu që maska të mos jetë më e detyrueshme për t’u mbajtur në ambientet jashtë.

SITUATA

Prej disa javësh shifrat e infeksionit vijojnë të pësojnë ulje, duke dëshmuar qartazi një përmirësim të ndjeshëm të situatës.

Të premten janë raportuar vetëm 49 raste të reja nga rreth 3 mijë testime të kryera, çka do të thotë se shkalla e infeksionit vijon të jetë nën 5 për qind. Pra, më pak se 5 për qind e të testuarve rezultojnë të prekur me COVID-19.

“Janë kryer 2,964 testime, nga të cilat kanë rezultuar pozitivë 49 qytetarë. Rastet pozitive të konfirmuara janë identifikuar në këto bashki: 9 raste në Tiranë, 6 raste në Pogradec, 4 raste në Shkodër, Devoll, Elbasan, 3 raste në Korçë, 2 raste në Vlorë, Mirditë, Gjirokastër, Sarandë, Gramsh, Skrapar, 1 rast në Kurbin, Kavajë, Lushnjë, Berat, Kolonjë, Finiq, Pustec”, ka bërë me dije Ministria e Shëndetësisë. Ndërkohë, në 24 orët e fundit janë shëruar 983 qytetarë, duke e çuar numrin e të shëruarve në 122,105 që nga fillimi i epidemisë.

Shifrat e larta të të shëruarve nga njëra anë dhe rënia e rasteve të reja kanë sjellë ulje të shifrave me të infektuarit aktivë. Aktualisht në të gjithë vendin janë vetëm 7,407 persona pozitivë me koronavirus.

NË SPITAL

E qëndrueshme paraqitet situata edhe në spitalet COVID, ku po marrin trajtim mjekësor 84 pacientë, nga të cilët 5 pacientë janë në terapi intensive. Pra për herë të parë pas shumë muajsh nuk ka asnjë pacient në intubim.

“Me gjithë përpjekjet e stafit mjekësor, betejën me COVID-19 nuk e ka fituar një qytetar 71 vjeç nga Berati”, ka bërë të ditur më tej Ministria e Shëndetësisë./ Panorama.al

30 kriminelë në “sitë” për mbytjen e 20-vjeçares në sy të foshnjës, gabimi që fundos grabitësit

Ndërsa ditët kalojnë, hetimet e autoriteteve greke për të gjetur autorët, të cilët vranë Karolinën 20-vjeçare, përpara burrit të saj dhe foshnjës 11 muajshe në shtëpinë e tyre në Glyka Nera, po përparojnë me shpejtësi.

“Ta Nea” shkruan në një artikull se rrethi për të zbuluar autorët e krimit po ngushtohet dhe në listë janë 30 kriminelë të dyshuar, që po futen në “sitë” dhe kontrollohen të gjitha lëvizjet e tyre.

“Në të njëjtën kohë, bandat e të huajve janë nën syrin e autoriteteve, ndërsa videot nga kamerat e sigurisë po shqyrtohen hap pas hapi” thotë artikulli.

Policia, vijon më tej shkrimi, ka formuar profilin e vrasësve dhe identifikimi i tyre konsiderohet çështje ditësh. Falë dëshmisë së burrit 32-vjeçar të Karolinës, autoritetet kanë në duart e tyre përshkrimin e kriminelit që vrau 20-vjeçaren.

Hetuesit pritet që t’i ndihmojnë shumë qelizat telefonike, ku gjurmimi vijon pasi autoritetet greke dyshojnë se kriminelët kishin kontakte me njëri tjetrin në zonën ku ndodhi grabitja në periferi të Athinës.

Dokumenti/ Për dëme të vogla aksidenti nuk do të vijë policia, si do e zgjidhin palët mes tyre

Aksidentet në vendin tonë janë të shpeshta, për arsye të ndryshme komplekse. Mirëpo një pjesë e mirë e aksidenteve përfundojnë vetëm me dëme të lehta materiale. Në këtë rast, nëse palët nuk merren vesh mund tëketë konflikte, por në rastin më të mirë njoftohet policia.

Tani kjo gjë pritet të marrë fund. Për dëme nga aksidenti që kapin vlerën nën 30 mijë lekë të reja, nuk ka më polici. Çdo posedues mjeti do të ketë në makinë “Vërtetimin miqësor të ngjarjes” që rregullon dëmshpërblime për vlera deri në 30 mijë lekë.

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare e ka nxjerrë për konsultim dhe pret miratimin nga bordi për të hyrë në fuqi në 1 korrik të këtij viti. Dëme të kësaj kategorie nuk janë pak, por 30-35 për qind e aksidenteve, referuar të dhënave zyrtare nga kompanitë e sigurimit.

Deri më sot, këto raste janë trajtuar sipas procedurave standarde të zgjatura në kohë. Puna për dëmshpërblim nis 30 ditë nga marrja e kërkesës, si edhe përmes plotësimit të një sërë dokumentesh, përfshirë edhe procesverbalin e konstatimit të shkeljes nga Policia Rrugore.

Palët duhet të bien dakord fillimisht për shkaktarin e dëmit që më pas të ulen për të plotësuar formularin, i cili mundëson dëmshpërblim të shpejtë te kompania siguruese. Bashkë me të nevojiten prova. Nevojiten fotografi të mjeteve në momentin e aksidentit para lëvizjes së mjeteve nga një distancë e afërt dhe e largët. Po ashtu, edhe foto të qarta të pjesës së dëmtuar bashkë me targën, dokumentet e identifikimit të personave dhe makinave të përfshira në aksident.

“Vërtetimi miqësor i ngjarjes” jepet nga kompania e sigurimit në momentin që pritet polica dhe këshillohet të mbahet në makinë për t’u përdorur në rast aksidenti. Me rëndësi është dorëzimi brenda pesë ditësh nga përplasja, jo më vonë. Pavarësisht cili është mjeti fajtor, dokumenti për zgjidhjen me mirëkuptim të aksidentit duhet të nënshkruhet nga të dy drejtuesit e mjeteve. Të dy duhet të bien dakord që përplasja ka ndodhur sipas rrethanave, modaliteteve dhe pasojave të pasqyruara në formular.

Dy shqiptarët në Gaza, gazetarja rrëfen bisedën e burrit pas bombardimit nga Izraeli me raketa

Dy raketa izraelite shembën një ndërtesë në Gaza ku gjendeshin zyrat e Al Jazeera-s, Associated Press dhe medieve të tjera. Pas gjithë kësaj ngjarje ka reaguar ish-gazetarja nga Kosova, Gerantina Kraja, e cila jeton në Izrael bashkë me burrin e saj, gazetarin Nebi Qena, i cili punon për Associated Press.

Kraja ka treguar për trishtimin që ka përjetuar teksa ka dëgjuar burrin e saj duke komunikuar me ekipin e tij nga Associated Press-it pas gjithë asaj që ka ndodhur.

“E shtangur nga frika derisa dëgjoj burrin tim Nebi Qena teksa thotë se do të rindërtojnë gjithçka pasi zyrat e Associated Press në Gaza ku qëndronin ekipet e jashtëzakonshme janë shkatërruar nga një sulm ajror i Izraelit”, shkruan Kraja në Twitter.

Për ultimatumin rreth bombardimit, e para kishte njoftuar një gazetare e Al Jazeera-s, duke treguar se Izraeli kishte dhënë një orë kohë për evakuim nga ndërtesa.

Edhe një gazetar holandez ka treguar se brenda ndërtesës s’ka qenë askush kur është bombarduar.

“E pabesueshme. Gazetarët kanë dalë nga ndërtesa me kohë, por pajisjet dhe arkiva, janë shkatërruar”, ka shkruar Olaf Koens./ Botasot

“Do presim edhe ca”, anëtari i KAS zbulon kur do të vuloset përfundimisht rezultati i 25 prillit

Anëtari i Komisionit të Ankesave dhe Sanksioneve (KAS), Ledio Braho ka thënë se rezultati i Zgjedhjeve të 25 prillit do të vuloset përfundimisht nga mesi i muajit qershor.

Ai ka folur në një intervistë për Report tv pas përfundimit të shqyrtimit të ankimimeve të partive politike, specifikisht të PD-LSI.

“Parashikoj që së bashku me Kolegjin Zgjedhor mund të shkojë deri nga mesi i qershorit, që mund të certifikohet përfundimisht”, tha Braho.

Ai ka zbuluar edhe se çfarë pritet të ndodh edhe në mbledhjen e së hënës.

“Ditën e hënë në 10 do të vijohet me qarkun e Beratit nëse KQZ do i ketë bërë gati, në rast të kundërtën do vijohet me qarkun e Vlorës, dhe po presim provat për Gjirokastrës”, përfundoi Braho.

Sulmi mbi mediat ndërkombëtare në Gaza, reagon Associated Press: Jemi të shokuar. Al Jazeera: Ne nuk do të heshtim

Mediumi Associated Press tha të shtunën se janë të “shokuar dhe tmerruar” nga sulmi izraelit në ndërtesën ku gjendeshin zyrat e AP-së si dhe të mediumit tjetër Al Jazeera në Gaza.

AP tha se ishte paralajmëruar për sulmin, gjë që i mundësoi të evakuojë gazetarët me kohë. Ndërsa Al Jazeera tha se nuk do të hesht pas sulmit.

“Është e qartë se ata që po bëjnë këtë luftë nuk dëshirojnë vetëm të përhapin shkatërrim dhe vdekje në Gaza, por edhe të heshtin media që dëshmojnë, dokumentojnë dhe raportojnë të vërtetën e asaj që po ndodh në Gaza,” tha Ëalid al -Omari, shefi i byrosë së Al Jazeera-s në Jerusalem.

“Por kjo është e pamundur”, tha ai. Izraeli pretendoi se “aeroplanët luftarakë sulmuan një ndërtesë shumëkatëshe e cila strehonte asete ushtarake që i përkisnin inteligjencës ushtarake të organizatës terroriste Hamas”. “Ndërtesa gjithashtu kishte zyra të mediave, të cilat grupi terrorist Hamas i përdorte si mburoja njerëzore”, tha ushtria, raporton Rel.

Izraeli ka intensifikuar sulmet e tij në Gaza në mëngjesin e së shtunës (15 maj) ndërsa militantët e Hamasit u përgjigjën duke qëlluar me raketa në Izrael.

Trembëdhjetë njerëz u vranë si rezultat i sulmeve ajrore izraelite në Rripin e Gazës të shtunën, sipas zyrtarëve shëndetësorë palestinezë, duke rritur numrin e të vdekurve në 139. Dhjetë nga viktimat – përfshirë tetë fëmijë – ishin anëtarë të një familjeje të gjerë. Shtëpia e tyre u godit nga një sulm ajror izraelit në një kamp refugjatësh në perëndim të qytetit të Gazës, thonë zyrtarët palestinezë.

Një burrë vdiq gjatë një sulmi me raketa në periferi të Tel Aviv. Ai është personi i nëntë që u vra në Izrael që kur filluan luftimet. Zyrtarët izraelitë raportuan rreth 200 sulme me raketa nga Gaza brenda natës. Në disa qytete jugore të Izraelit u dëmtuan shtëpitë.

Forca ajrore e Izraelit tha se ka goditur një “numër të madh” të vendeve prej nga po lëshohen raketat në Gaza, si dhe apartamente që u përkisnin operativëve të Hamasit.

Çfarë e shkaktoi dhunën?

Dhuna e kësaj jave në Gaza dhe Izrael është më e keqja që nga viti 2014. Ajo pasoi disa javë tensionesh izraelito-palestinez në Jerusalem, që kulmoi me përplasjet në një vend të shenjtë të nderuar nga myslimanët dhe hebrenjtë.

Hamas – grupi militant islamik që sundon Gazan – filloi të lëshonte raketa pasi paralajmëroi Izraelin të tërhiqej nga vendi, duke shkaktuar sulme ajrore hakmarrëse. Izraeli, SHBA-ja dhe një sërë vendesh e konsiderojnë Hamasin një organizatë terroriste. Tash e sa javë, protestuesit palestinezë dhe policia izraelite janë duke u përleshur në baza ditore në dhe përreth Qytetit të Vjetër të Jerusalemit. Atje ndodhen vendet kryesore fetare – të shenjta për hebrenjtë, të krishterët dhe myslimanët.

Përleshjet e fundit filluan një muaj më parë, kur Izraeli bllokoi disa tubime të palestinezëve, në fillim të Muajit të shenjtë të Ramazanit. Pasi ato kufizime u zbutën, plani për të dëbuar dhjetëra palestinezë nga një lagje e Jerusalemit Lindor vazhdoi të nxiste konfrontime.

Qytetarët dalin në protestë në sheshin ‘Skëndërbej’ në mbështetje të Palestinës

Me pankarta në duar e lot në sy, dhjetëra qytetarë protestuan në sheshin “Skënderbej” ditën e sotme, në mbështetje të Palestinës, e cila prej një jave është përfshirë në një konflikt të përgjakshëm me Izraelin .

“Jam Palestina a po më dëgjoni?”, “Lironi Palestinën”, “Shqipëria qëndron pranë Palestinës”, lexohet në disa prej pankartave që mbajnë qytetarët në duar.

Siç mund të shihet edhe nga fotot e shkrepura nga “LSA”, në protestë kanë mbërritur edhe forcat e policisë.

Lufta mes Izraelit dhe Palestinës ka nisur që prej të hënës dhe deri më tani bilanci është 140 viktima, mes tyre 40 fëmijë dhe 950 të plagosur. Deri më tani është shkatërruar me raketë godina e Al Jaseera dhe Assosiated Press në Gaza.