Aplikacion
Nën titullin “Edi Rama mund të vazhdojë të qeverisë”, gazeta gjermane “Süddeutsche Zeitung” thekson se Partia Socialiste ka arritur shumicën absolute në zgjedhjet parlamentare dhe mund të qeverisë e vetme.
Për Edi Ramën ky është mandati i tretë, shkruan SZ, por thekson se “zgjedhjet u shoqëruan, ashtu si edhe votimet e mëparshme, nga një përdorim i dukshëm masiv i burimeve të qeveritarëve dhe me gjasë edhe të blerjes së votës që është mjaft e përhapur.”
Süddeutsche Zeitung nënvizon, se një fitore me një shumicë të tillë ka ardhur me gjasë edhe përmes manovrave jolegale. “Vëzhgues ndërkombëtarë panë se si qeveritarë në fushatë zgjedhore ‘përdorën postet publike’, sipas Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, PACE”, shkruan gazeta gjermane.
Lexoni më poshtë shkrimin e Florian Hassel:
Partia Socialiste e kryeministrit Edi Rama fitoi një shumicë absolute në zgjedhjet parlamentare të Shqipërisë dhe do të sundojë i vetëm. Për Ramën kjo është fitorja e tretë radhazi. Ai e ka sunduar vendin kandidat zyrtar për anëtarësim në BE që prej vitit 2013. Njësoj si zgjedhjet e shkuara, këto zgjedhje u shoqëruan nga përdorimi masiv i burimeve nga pushtetarët dhe me shumë gjasë nga blerja masive e votave.
Sipas komisionit shtetëror të zgjedhjeve, socialistët fituan 48.7 përqind të votave dhe në këtë mënyrë 74 nga 140 vende në parlament- mjaftueshëm për një qeverisje absolute për katër vitet e ardhshme. Partia Demokratike e opozitës u rendit e dyta me 39.4 përqind të votave dhe 59 vende në parlament. LSI e presidentit Ilir Meta ishte në aleancë me të dhe mori 6.9 përqind të votave ose katër vende deputetësh. Rama do të vazhdonte të qeveriste gjithsesi, pasi tre deputetët e socialdemokratëve do i siguronin shumicën.
‘Praktikat e përhapura të blerjes së votave’
Megjithatë, fitorja e socialistëve erdhi vetëm përmes manovrave të paligjshme. Vëzhguesit ndërkombëtarë të zgjedhjeve panë, për shembull, se si pushtetarët e përdorën funksionin publik gjatë fushatës zgjedhore, sipas Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, PACE. “Pretendimet për praktikat e përhapura të blerjes së votave gjatë gjithë procesit zgjedhor mbeten një problem serioz në Shqipëri,” tha shefi i delegacionit të PACE, Aleksander Pociej. “Kjo gjithashtu ka një ndikim negativ në perceptimin dhe besimin e përgjithshëm të publikut në procesin zgjedhor, siç janë stimujt e votimt dhe presioni i ushtruar mbi nëpunësit publikë,” tha Pociej.
Vetëm një nga dy votues me të drejtë vote hodhën votën e tyre. Para zgjedhjeve, vëzhguesit në qytetin e Laçit raportuan për gazetën Sueddeutsche Zeitung rreth presionit nga administrata e qytetit, e cila drejtohet gjithashtu nga partia e Ramës, ndaj zyrtarëve dhe për përpjekjet për të blerë vota.
Një media lokale raportoi gjithashtu për një abuzim masiv me bazën e të dhënave shtetërore nga socialistët në pushtet gjatë fushatës zgjedhore. Sipas mediave lokale dhe hetimeve nga prokurorët, manipulimi masiv dhe blerja e votave ka ndodhur edhe në zgjedhjet parlamentare të vitit 2013 dhe 2017. Sidoqoftë kjo nuk ka pasur ndonjë pasojë juridike të prekshme.
Ish sekretari i përgjithshëm i PD, Arben Ristani dhe kandidati për deputet në listën e PD, Mark Marku kanë debatuar ashpër në studion e ‘Open’ në Top Channel në lidhje me votat e pavlefshme.
Marku e cilësoi Ristanin si “të shitur”, ndërsa Ristani iu përgjigj duke i thënë se duhet të dijë me kë flet. Më pas i tha se sa jurist i mirë është e dinë të tjerët, ndaj nuk ka nevojë për mendimin e Markut.
Marku: Kur vidhet a është fajtor hajduti? Se gjithë thoni që është fajtor Basha. Pse është bërë rrokopujë?
Ristani: Pse rrokopujë se ka vota të pavlefshme.
Marku: Po ku e dimë ne kush i ka nxjerrë? Të hapen kamerat. Edhe ti je i shitur.
Ristani: Mos lësho të tilla gjëra se e di ti kush jam unë? Ti mu mu drejtove si shitje. Te kush jam shitur? Te Edi Rama jam shitur?
Marku: Të shikohen kamerat për çdo fletë të pavlefshme se është e identifikueshme cdo individ. Ky është proces Ben dhe jeni ngutur.
Ristani: Këto procese i kam kaluar në duar disa dhe të jesh i sigurtë që…
Marku: Jeni të ngutur vetëm për të shitur këtë.
Ristani: Marku mos fol në këtë mënyrë o burrë. Marku, interpretimin bëje vetë. Se sa jurist jam unë, më njohin të tjerët, s’kam nevojë për ty fare. Ti rri urtë.
Luçiano Boçi kalon herësin në Elbasan, i merr mandatin Eugen IsajitKandidati i Partisë Demokratike në qarkun e Elbasanit, Luçiano Boçi ka thyer herësin, duke u bërë kështu kandidati i parë jo i përfshirë në listat fituese që mund të provojë të hyjë në Parlament me votat preferenciale.
Gazment Bardhi është i pari i renditur i listës së partisë në Elbasan, por jo më i dashuri nga qytetarët. Aktualisht kur janë numëruar rreth 67% e votave, Bardhi është i treti. Atij ia ka kaluar Luçiano Boçi. Boçi që është renditur i shtati kalon herësin dhe i merr mandatin Eugen Isajit, i cili ishte i 5-ti. Boçi deri tani 9736 vota, herësi në Elbasan 9640, Eugen Isaji deri tani ka 2809 vota.
I dyti është Dashnor Sula, Lefter Gështenja dhe i treti Bardhi.
E kundërta ka ndodhur në PS, ku Taulant Balla i renditur në vijën e zjarrit, në pozicionin e 8-të është më i votuari, për t’u ndjekur nga Saimir Hasalla dhe Besion Ajazi. Në këtë qark, LSI jo vetëm ka pësuar një disfatë të fortë, por një “shuplakë” ka marrë edhe vetë Monika Kryemadhi. Ajo ka marrë vetëm 382 vota, më pak e votuara nga 5 kandidatët për deputet.
Mark Marku: Brenda vitit kemi zgjedhje të rejaKandidati për deputet në listat e Partisë Demokratike, Mark Marku ka lajmëruar se brenda vitit Shqipëri do të shkojë në zgjedhje të tjera. I ftuar në “Open”, Marku tha se herën e parë i publikoi BILD përgjimet dhe doli që ishin të vjedhura zgjedhjet, por që këtë herë do të jetë vetë PD-ja ajo që do të nxjerrë dosjen e përgatitur me prova.
I bindur që zgjedhjet janë vjedhur, Marku tha se Shqipëria do të shkojë në zgjedhje të reja brenda vitit 2021. Në bisedë e sipër Marku u ndërpre nga Carlo Bollino, dhe i tha të pushonte, ndryshe do i kthehej keq.
Pjesë nga biseda:
Mark Marku: PD po punon dhe shumë shpejt ka për të dërguar një dosje të pabesueshme të fakteve. Për zgjedhjet e mëparshme , i nxori BILD-i. Sapo ti përgatisim do i nxjerrim. Herën e parë është vërtetuar se janë vjedhur, herën e dytë do të përgatisim dosje të paparë me dëshmi se si janë blerë votat shtëpi më shtëpi nga kandidatë të PS, të LSI dhe ky është fakt.
Carlo Bolino: Edhe LSI, aleati juaj?
Mark Marku: Aleati jonë pas zgjedhjeve. Zotëri të them mos të ndërhysh. Unë si të duash të kthehem… Duhet të merret vendimi, ta zëmë e dëshmojmë se janë vjedhur zgjedhjet. Beni thotë pse nuk e mbrojtët votën? Të krijojmë komision paralel? Ju thoni ata janë përfshirë direkt në procesin e vjedhjes së zgjedhjeve? Gjykata paralele, prokurori e polici? E treta, je qytetar, si mendon janë manipuluar apo jo?
Arben Ristani: Të gjitha këto ishin të ditura, nuk prisnim që Rama nuk do të manipulonte zgjedhjet. Masa e manipulimit është e atyre që e përcaktojnë. Fakti është që kemi humbur votën, 4 vjetët e ardhshme do jenë në opozitë.
Mark Marku: Për 1 vit do të ketë zgjedhje të tjera, maksimumi. Pyetjes time nuk iu përgjigje.
“Komunist”/ Plas keq mes Mark Markut dhe Carlo Bollinos, kërcënon analisti: Ta tregoj pastaj me prova pse PD i humbi zgjedhjetMark Marku dhe Carlo Bollino janë përplasur ashpër me njëri-tjetrin. Të dy të ftuar në “Open”, kanë hedhur akuza të forta ndaj njëri-tjetrin, teksa po diskutonin për mosnjohjen e zgjedhjeve nga ana e Partia Demokratike.
Marku tha se do të jetë kryedemokrati Lulzim Basha ai që do të dalë ta thotë zyrtarisht këtë gjë, ndërsa Bollino u shpreh se ky është një gabim, është njësoj si të kthehesh pas në kohën kur dogjën mandatet.
Pas replikës së Bollinos, Marku i tha se ai ende nuk ka mësuar të flaës shqip dhe se nuk mund të sqarojë këtë gjë. Replikat vijuaN më të forta mes tyre.
Pjesë nga biseda:
Carlo Bolino: Mos harro që je profesor. Nuk ke si të thuash këtë gjë, është njësoj si të kthehesh pas në kohë dhe të djegësh mandatet.
Mark Marku: Po ti mos harro që ke 30 vjet në Shqipëri, je gazetar e nuk di shqipen. I vë në shërbim të qeverisë median, je tregtar i medias, as gazetar nuk je ti
Carlo Bolino: Je shitur për 8 vite si analist i pavarur dhe dole i shitur në një parti politike. Mos më bëj leksione mua se nuk kam nevojë. Mos të flasim për Italinë se ka traditë tjetër.
Mark Marku: Keni dhe traditën e Musolinit.
Carlo Bolino: Ju pretendoni që bindja juaj janë faktet. Ju tani akuzoni forca politike që kanë vjedhur zgjedhjet, bëni shumë mirë, faktoni, shkoni në KQZ dhe SPAK.
Mark Marku: Kush tha që nuk e kemi bërë?
Carlo Bolino: Shumë mirë. Deri tani faktet e vërtetuara janë vetëm vjedhjet e votave nga anëtarët e LSI-së. Kryemadhi ka pranuar që gabimi fatal ka qenë djegia e mandateve. Nëpërmjet këtyre, i keni humbur zgjedhjet.
Mark Marku: Kemi humbur se na kanë vjedhur.
Carlo Bolino: Pavarësisht nga gafa fatale, propozoni të bëni të njëjtën gjë.
Mark Marku: Je i fundit që mund të na japësh këshilla. Je i fundit që mund të marrim në konsideratë qoftë vërejtjen më të vogël.
Carlo Bolino: Ti je anëtar i një parti politike. I keni humbur zgjedhjet se keni folur për dhunë e për sulme. Shkoni në shesh e thoni “të shporrim”.
Mark Marku: Je komunist. Nuk je as komunist italian. Unë kam qenë student në 1990 dhe është turp që vjen e na thua që protesta është dhunë. Mendoja se je komunist italian, ti qenke komunist i Enver Hoxhës.
Carlo Bolino: Pak më vonë ta tregoj unë me fakte se unë di të bëj gazetarin. Ta tregoj unë me fakte se e kam zbuluar një gjë që do ta tregoj më vonë pse PD ka humbur zgjedhjet.
“PD duhet të riformatohet”, Ristani: Basha të japë dorëheqjen pa kthimIsh-sekretari i PD-së Arben Ristani foli në “Radari Informativ” për rezultatin e zgjedhjeve të 25 prillit.
Gjatë bisedës në studio, ai tha se kërkesa ndaj kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha për të dhënë dorëheqjen nuk është një debat që ka nisur sot.
Arben Ristani gjithashtu theksoi se pas humbjes së zgjedhjeve, lideri i Partisë Demokratike Lulzim Basha duhet të japë dorëheqjen pa kthim.
“E gjithë ecuria që nga ligji për ndarjen territoriale ku Basha vendoi të mos merrte pjesë shkaktoi disporpocion të palëve në raport me zgjedhjet. Kjo është e ditur dhe jo rastësisht kemi këto rezultate. Një gjë e tillë ka ndodhur edhe pas humbjes së 2017. Unë personalisht kam kërkuar një reflektim për vendin që solli edhe ndryshimin e Kodit Elektoral”, tha ai.
Më tej Ristani u shpreh se nuk priste që Partia Demokratike t’i fitonte këto zgjedhje, ndërsa shtoi se kjo forcë politike ka nevojë të riformatohet dhe se kryetari i PD-së duhet të reflektojë sa më shpejt.
“Pasi ke humbur disa zgjedhje njëra pas tjetrës nuk ka nevojë të ngulësh më këmbë për të vazhduar. PD ka nevojë të riformatohet të ringrihet për të fituar zgjedhjet sepse potencialet janë. Vazhdon të jetë një parti e fortë e madhe, problemi është strategjia e ndjekur, demokracia e brendshme”, tha Ristani.
-Kërkesa e kritikëve për largimin e Bashës?
Ristani: Në bazë të sasisë dhe cilësisë të drejtave dhe detyrimeve që ka është edhe përgjegjësia. Duhet të kemi parasysh që Rama nuk ndryshoi me këto zgjedhje.
-Kush në vend të Bashës do të thyente një mazhorancë si kjo?
Ristani: Basha vendosi të bënte një fushatë pozitive duke menduar se më të gjitha gjërat që kishte bërë Rama, ky do të fitonte. Unë besoj që kriteri i të vërtetës është praktika dhe ajo që ndodh në praktikë është humbja. Dhe humbja në 2015 në zgjedhjet lokale, në 2017 në zgjedhjet e përgjithshme, janë vendime personale jo të sktrukturës së partisë me përjashtim të djegies së mandateve. Unë mendoj që është koha të hapet rruga.
Sot është shpejt për të folur për data. Ajo që pritet është që kryetari të reflektojë e të hapë rrugën. Unë besoj që në këto kushte pas disa humbjesh rresht është momenti për një dorëheqje pa kthim. PD ka edhe një precedent të qenësishëm të kësaj natyre ku zoti Berisha dha dorëheqjen pa kthim.
-Mendimi për largimin e Bashës është i nxitur nga interesa të ngushta personale?
Ristani: Në çdo vendimmarrje ka interesa personale, por interesi im personal është që kam vendosur të merrem me politikë dhe jo se në çfarë vendi pozicioni do të jem.
-Është ambicia juaj të jeni kryetar i PD-së?
Ristani: Jo nuk është. Unë kam ambicien të merrem me politikë dhe të shërbej sa më shumë.
“25 Prilli ditë e zezë”, Fatmir Mediu: Opozita duhet të nxjerrë përgjegjësitë e vetaFatmir Mediu, kandidat i PD-AN ka deklaruar se 25 Prilli është një ditë e zezë në kombin shqiptar.
Përmes një postimi në “Facebook”, ai shprehet se kryeministri Edi Rama e vodhi këtë mandat mbi blerjen masive të votave.
Megjithatë, sipas Mediut, opozita duhet të nxjerrë përgjegjësitë e veta për qëndrimet e saj dhe mënyrën e ndërtimit dhe funksionimit të koalicionit.
“25 Prilli është një ditë e zezë në kombin Shqiptar!
Edi Rama e vodhi këtë mandat mbi blerjen masive të votave, duke përdorur grupet kriminale, administratën publike, policinë dhe strukturat e drejtësisë, si dhe vjedhjen e të dhënave personale.
Megjithatë opozita duhet të nxjerrë përgjegjësitë e veta për qëndrimet e saj dhe mënyrën e ndërtimit dhe funksionimit të koalicionit”, ka shkruar ai.
Tjetërsimi i votave, reagon Celibashi: Shkelësit rrezikojnë deri në 7 vite burgKryekomisioneri Ilirjan Celibashi ka paralajmëruar të gjithë numëruesit dhe komisionerët të cilët përfshihen në tjetërsime votash.
Komisioneri Shtetëror i zgjedhjeve sjell në vëmendje se KQZ disponon pamje filmike të vlerësimit të çdo vote, të bërë në fazën e nxjerrjes së rezultatit për partitë dhe koalicionet.
Postimi i plotë:
Cenimi i votës së çdo kandidati do të ketë si pasojë sanksion penal deri në 7 vite burgim, për këdo nga numëruesit apo komisionerët e përfshirë.
KQZ disponon pamjet filmike të vlerësimit të çdo votë, të bërë në fazën e nxjerrjes së rezultatit për partitë dhe koalicionet.
Reagimi i komisionerit vjen në një kohë kur palë të ndryshme në qendra të numrit kanë bërë akuza për ndërhyrje të qëllimshme në fletëvotime për t’i kthyer ato në të pavlefshme.
Kryeministri nuk e përfshiu në listë, Xhafaj “sfidon” Ramën me votat preferenciale
Tashmë që Edi Rama ka konfirmuar mandatin e tij të tretë, ka filluar raundi i dytë e numërimit të votave të së dielës.
Tashmë ethet elektorale nuk kanë përfshirë partitë, por kandidatët.
Lufta nuk bëhet më mes kampeve kundërshtare, por brenda partive, ku kandidatët matin fuqinë mes llojit se kush gëzon më shumë besimin e qytetarëve.
Një kandidat që nuk është renditur në fillim të listës nga kryetari i partisë, ka një shans të hyjë në parlament, nëse thyen herësin. Herësi, është mesatarja e votave që i duhet një partie, për të fituar një mandat deputeti në një qark të caktuar.
Në varësi të qarqeve, herësi varion nga 7 300 vota, që regjistrohet në Vlorë, në 10 mijë vota që është në pjesën më të madhe të zonave të tjera zgjedhore.
Numërimi i deritanishëm nuk ka prodhuar ndonjë mundësi për garë reale brenda llojit. Ata që janë poshtë vijës së kuqe, pra jashtë pjesës fituese, nuk kanë arritur të marrin aq vota personale sa të thyejnë vullnetin e partisë.
I vetmi që ka një shans real në këtë drejtim, është Fatmir Xhafaj, i cili në Tiranë është renditur i 23-ti. Kur PS ka fituar vetëm 18 mandate. Ai ka grupuar deri tani disa mijëra vota, dhe nëse këtë tendencë e ruan edhe në kutitë që ende janë të panumëruara, do të hajë kokën politike të mashkullit më pak të votuar mes 18 të parëve të listës socialiste.
Aplikimi i listave të hapura dhe votës preferenciale u provua për herë të parë në Shqipëri në 25 prill.
Albin Kurti uron Ramën, por ka një mesazh: Institucionet në Shqipëri të sqarojnë çdo paqartësi në lidhje me procesin zgjedhorKryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka uruar homologun e tij në Shqipëri, Edi Rama për fitoren.
Kurti me anë të një postimi në rrjetet sociale shkruan se Kosova nuk mundet pa Shqipërinë ndaj e ka përgëzuar Ramën për fitoren. Sipas Kurtit uron që të ketë bashkëpunim në të gjitha sektorët Kosovë-Shqipëri.
Ndër të tjera Kurti kërkon që institucionet në Shqipëri të sqarojnë çdo paqartësi në lidhje me procesin zgjedhor që askujt të mos i preket e drejta e votës, mbi të cilën themelohet demokracia përfaqësuese.
Postimi i Kurtit:
Sipas rezultateve paraprake të shpallura nga KQZ në Republikën e Shqipërisë, Partia Socialiste dhe kryeministri Edi Rama ka fituar zgjedhjet parlamentare. Kosova nuk mundet pa Shqipërinë e Shqipëria nuk mundet pa Kosovën, prandaj e përgëzoj kryeministrin e Shqipërisë Edi Ramën për rezultatet, dhe uroj që së bashku, si shqiptarë, të shtojmë bashkëveprimin mes nesh në të gjithë sektorët, si dhe t’i afrojmë standardet evropiane sa i përket demokracisë, zhvillimit ekonomik, drejtësisë e mirëqenies.
Njëkohësisht uroj që institucionet në Shqipëri të sqarojnë çdo paqartësi në lidhje me procesin zgjedhor që askujt të mos i preket e drejta e votës, mbi të cilën themelohet demokracia përfaqësuese.
Këto janë pritshmëritë e shqiptarëve, andaj, të punojmë së bashku.