zoom

Day ArchiveDhunohet simpatizanti i LSI në Poliçan, Meta: Shqipëria nuk mposhtet të pabesët

Presidenti Ilir Meta ka reaguar në lidhje me incidentin e ndodhur mbrëmjen e kësaj të mërkure në Poliçan.

Meta përmes një postimi në rrjetin social Facebook, konfirmon se ka komunikuar me Luan Tare, anëtar të LSI-së në Poliçan, i cili thekson se është dhunuar nga nipi me vëllanë e kryetarit të bashkisë Poliçan dhe 5 persona të tjerë.

Kreu i shtetit ndër të tjera thekson se i ka premtuar se nesër do e dërgojë për një kontroll më të specializuar në spitalet e Tiranës.

Gjithashtu ai ka theksuar se vetëm tre ditë kanë ngelur nga regjimi i dhunës për ti ardhur fundi përgjithmonë.

“Sapo fola me të plagosurin nga sulmi i pabesë i bandës rilindase të Bashkisë Poliçan, mikun tim të vjetër Luan Tare.

Mësova se ishte sulmuar pabesisht nga banda, që dhunon popullin e Poliçanit, vetëm pse mbante në kokë kapelen me simbolet e partisë së tij.

I urova të shkuara dhe nesër do e çoj për kontroll më të specializuar në spitalet e Tiranës.

I premtova se regjimit të dhunës edhe tre ditë dhe i vjen fundi përgjithmonë.

Shqipëria nuk mposhtet nga dhuna e të pabesëve dhe horrave! “, shkruan Meta.

“Ja kush hapi zjarr”, Bardhi sqaron: Përgjegjësi e Taulant Ballës. Autori nuk është vrasës por ish-shoqërues në Ambasadën Amerikane

Drejtuesi i PD dhe kandidati i PD në Elbasan, Gazment Bardhi ka reaguar për ngjarjen e ndodhur sot në Elbasan.

Sipas Bardhit grupi i PD janë sulmuar nga një grup që erdhën me makina të blinduara. Në këtë sulm mbeti i vrarë Pjerin Xhuvani i cili u qëllua nga Arbër Pepleka. Ky i fundit sipas Bardhi nuk është shoqërues i tij, por mbrojtës i votës.

DEKLARATË E DREJTUESIT POLITIK TË QARKUT ELBASAN, GAZMENT BARDHI:
 
Të dashur qytetarë të elbasanit,
 
Fillimisht dua të shpreh në emër të Partisë Demokratike keqardhjen për ngjarjen e rëndë dhe ngushëllimet familjes së të ndjerit, si dhe shërim të shpejtë të gjithë personave të plagosur dhe efektives se Policisë së Shtetit. Asgjë nuk është më e rëndësishme se siguria publike, se jeta dhe shëndeti i qytetarëve. Për këtë i kërkoj policisë dhe prokurorisë të kryejnë një hetim të plotë, profesional dhe transparent për gjithë ngjarjen, për shkaqet, motivet dhe autorët.
 
Konflikti politik i nxitur nga Partia Socialiste që prodhon tension cdo moment, në përpjekjen për të mbajtur pushtetin me cdo kusht, dhe për të mos lënë qytetarët të votojnë të lirë, nuk ndihmon Elbasanin, nuk e ndihmon procesin zgjedhor, nuk e ndihmon Shqipërinë dhe shqiptaret qe jane te etur per ndryshim.
 
Ajo që ka ndodhur sot është drejtpërdrejtë përgjegjësi e Taulant Ballës. Angazhimi i eksponentëve të krimit të organizuar në zgjedhje dhe nxitja për të kryer krime elektorale është përgjegjësi e tij. Ai po ben cdo gje te paligjshme, qe te ruaje privilegjet, qe te ruaje pushtetin e tij personal. 
 
Taulant Balla nën panikun e humbjes po bashkepunon me bandat e tij, ne perpjekje per te organizuar si ne zgjedhjet e kaluara strukturat kriminale te blerjes se votes.
 
Sot kur morëm informacione te sigurta, që një  automjet pa targa po levizste në lagjen 5 Maj, e  drejtuat nga një person i quajtur Met Dafllaku, dhe në mes të ditës, në mes të lagjes, në mënyrë demostrative, po shpërndante para në këmbim të votavedhe po mblidhte karta identiteti, ne njoftuam strukturat e Mbrojtjes e Votës, te shkonin ta verifikonin. Strukturat e Mbrojtes se Votes kanë në përbërje ish-punonjës të Policisë së Shtetit, të pastër dhe asnjë precedent penal. Pasi kjo njesi e verifikoi informacionin, ato kanë kërkuar ndërhyrjen e Policisë së Shtetit. Është njoftuar drejtëpërdrejtë Drejtori i Policisë Vendore Elbasan.
 
Pas mbërritjes së disa efektivëve të Policisë së Shtetit, me në krye Nëndrejtorin e Policisë Elbasan, strukturat tona kanë kërkuar që Policia të kryejë veprimet proceduriale në përputhje me ligjin. Ndërkohë që Policia e Shtetit ka qenë duke kryer veprimet përkatëse, në ndihmë të shtetasit Met Dafllaku që po shpërndante para në këmbim të votës kanë ardhur një grup personash të tjerë, me disa makina, një pjesë e të cilave të blinduara. Ne keto makina ndodheshin anëtarë te krimit të organizuar, që janë denoncuar nga ana jonë në SPAK, por edhe publikisht si dhunuesit e qytetarëve të elbasanit në Ditën e Verës.
 
Ne kete moment, ne prezencë të Policisë së Shtetit, në tentativë për të mundësuar largimin e makinës dhe personit që po blinte vota, një nga personat qe dyshohet te jete Klement Xhaferri, por edhe shtetas të tjerë të paidentifikuar nga strukturat tona, ka nxjerr armën dhe ka qëlluar në drejtim të anëtarëve të Strukturës për Mbrojtjen e Votës. Aty kanë mbetur të plagosur Pavlo Vuksani dhe Emiljano Prenga, të dy ish punonjës të Policisë së Shtetit, pjesë e Strukturës për Mbrojtjen e Votave në Elbasan.  Në këtë moment ka pasur të shtëna me armë mes palëve.
 
Per kete ngjarje te rende qe cenon rende procesin elektoral ne nxisim prokurorinë të hetojë në mënyrë të plotë, të paanshme,
të shpejtë dhe transparente ngjarjen. E gjithë zona është e pajisur me kamera sigurie dhe pamjet mbi ngjarjen janë evidente dhe mund e duhet të bëhen publike.
 
Arbër Paplekaj nuk është shoqëruesi im, sic u dezinformua me dashje media. Unë jam prej ditës së parë në fushatë i shoqëruar nga të rinjtë dhe nga ekipi im, dhe nuk kam nevojë për badigardë.
 
Por po, ai është pjesë e Strukturës për Mbrojtjen e Votës në Elbasan. Ai nuk është kriminel. As vrasës. Është ish-efektiv i Policisë së Shtetit dhe ish-shoqërues në Ambasadën Amerikane në Tiranë. Për shkak të punës që kryen në këtë moment disponon armë me leje nga Policia e Shtetit. Sipas informacioneve tona, si njohës i ligjit, menjëherë pas ngjarjes, është dorëzuar vetë në polici, për të sqaruar rrethanat e plota dhe për tu vënë në dispozicion të organeve të drejtësisë.
 
I bëj thirrje të gjithë mbështetësve të Partisë Demokratike që të ruajnë qetësinë dhe të garantojnë zgjedhje të qeta, të lira dhe të ndershme në qarkun Elbasan.
 
Ne e refuzojmë dhunën. Elbasani meriton rend e qetësi, meriton zgjedhje të lira e të ndershme.

4 ditë para zgjedhjeve, rrihet brutalisht nga dy socialistë anëtari i LSI në Poliçan

Një tjetër ngjarje e rëndë është shënuar 4 ditë par zgjedhjeve të 25 prillit.

Zoom.al mëson se është rrahur brutalisht anëtari i LSI në Poliçan ,Luan Tare Pitikoja.

Ai ka qenë duke hyrë në pallatin e tij kur është goditur me sende të forta në kokë e trup.

Mësohet se dhunuesit janë nipi dhe vëllai i kryetarit të bashkisë Poliçan dhe 5 persona të tjerë.

Tare momentalisht ndodhet në Qendrën Shëndetësore “Pëllumb Dollani” në Polican,ku po merr mjekim dhe gjendja e tij shëndetësore momentalisht nuk është e mirë. Tare ka deklaruar se është kërcënuar vazhdimisht gjatë 2 muajve e fundit nga anetaret e PS Polican per te hequr dore nga LSI.

Detajet/ Pjerin Xhuvani u ekzekutua me 2 plumba në kokë

Detaje të reja kanë dalë nga ekzekutimi i Pjerin Xhuvanit ditën e sotme në Elbasan.

Pjerin Xhuvani 56 vjeç, është ekzekutuar me 3 plumba, 2 në kokë dhe i treti në krahun e majtë.

Deri më tani pista kryesore e policisë ështe ajo e përplasjes së dy grupeve, mbështetës të PD dhe të PS. Xhuvani këtë fushatë ishte i angazhuar me socialistët ndërsa sot u akuzua nga PD se në makinën e tij kishte karta ID dhe para për të blerë vota.

Nderkohë të plagosur janë edhe 4 persona të tjerë. Ndersa autori është vetëdorëzuar në polici.

Deri më tani policia ka shoqeruar dhjetra persona.

Meta: Balla kryepatronazhisti i Elbasanit, Rama do të ndëshkohet me votë ditën e votimeve

Presidenti Ilir Meta ka sulmuar ashpër drejtuesin politik të PS-së për qarkun e Elbasanit, Taulant Balla.

Në një intervistë për një televizion në Elbasan, Meta theksoi se mes Ballës dhe Gazmend Bardhin do të zgjidhte këtë të fundit. Mes të tjerash ai tha se Taulant Balla është kryepatronazisti i Elbasanit, sepse nga ai kalon çdo tender dhe kontrollon çdo biznes e individ.

“Midis zotit Balla dhe zotit Bardhi do të doja që të zgjidhja zotin Bardhi, sepse Ballën e njoh që kur ka erdhi në Partinë Socialiste. Taulanti kontrollon çdo situatë në Elbasan, është kryepatronazhisti i Elbasanit sepse nga ai kalon çdo tender, kontrollon çdo biznes dhe individ.

Presidenti Meta: Prokuroria eshte e kapur sepse vetem kështu u mbyllën dhe dosjet e Dibrës dhe të Shijakut. I semuri i bën vetëm një thirrje Damjanit: Tërmet tërmet…!!! Prokuroria është e kapur dhe këtë e tregon dhe fakti që Presidenti ka bërë padi penale në SPAK për incenratorët, dhe nuk po bëhet asnjë hetim.
AKSHI është institucioni që duhet të mbroje të dhënat personale e të gjithë individëve. Si institucion është në varësi të Ramës dhe merr urdhra vetëm nga ai. Të gjitha të dhënat personale të çdo individi janë në duart e disa individëve të papërgjegjshëm dhe mund të shpërdorohen, siç ndodhi në Pustec. Kryeministri më i favorshëm për nje opozite e cila do te fitoje zgjedhjet është pikërisht Edi Rama. Unë e kam shprehur këtë mendim, ja kam thënë dhe opozitës sepse ai është bërë një Kryeministër shfrytëzues, dhe po ushtron trysni dhe presion ndaj qytetareve.

Nuk mund të kesh një kundërshtar më të thjeshtë për të fituar zgjedhjet sepse i vetmi veprim i ketij kryeministri është dhuna. Do përgjigjet populli me votë, sepse sa më shumë të ushtrosh forcë aq më shumë do ndëshkohet ditën e votimeve.”, tha Meta.

“3 furgona me njerëz të armatosur”- Artan Hoxha tregon si u arratis vrasësi i Xhuvanit, i shkoi komandantit në zyrë

Gazetari Artan Hoxha ka dhënë detaje për ngjarjen e rëndë që ndodhi mesditën e sotme në Elbasan, ku pas shkëmbimit të zjarrit mbeti i vrarë eksponenti i PS, Pjerin Xhuvani dhe u plagosën katër të tjerë.

Në studion e Radar Informativ, Hoxha tha se policia është njoftuar nga qytetarët dhe jo nga shtabet politike se në zonë po lëviznin tre furgonë me njerëz të armatosur dhe nuk dihej nëse ishin civilë, policë apo të tjerë.

Gazetari shpjegon më tej se këta persona kanë ndaluar Benz-in ML dhe e kanë bllokuar me pretendimin se në mjet mund të kishte elementë si karta identiteti. Në këto momente janë njoftuar mbështetësit e tjerë të PS.

E para në vendngjarje ka ardhur policia, kanë qenë rreth 15 efektivë, mes tyre edhe dy nëndrejtorë. Më pas kanë mbërritur mbështetësit e tjerë të PS. Sipas Hoxhës, Pjerin Xhuvani ka ardhur me një mjet tjetër dhe jo të tijin. Gazetari thotë se gjatë përleshjes është qëlluar me dy armë dhe shton se ende nuk është sqaruar kush e nisi përplasjen.

“Është ngjarje me dinamikë ende të pazbardhur me detaje. Ka qenë një numër shumë i madh njerëzish të përfshirë. Dhe zoti ka dashur vetëm katër të plagosur. Vuksani ka marrë pjesën në arrestime që nuk guxonte kush ti bënte, viktima ishte një mjek psikiatër. Sot në orët e para të paradites, policia është njoftuar nga qytetarë jo nga shtabe politike për tre furgona që qarkullonin në lagje të Elbasanit me njerëz që ishin të armatosur. Ky është një nga tre furgonat që është sekuestruar. Nuk e dinin nëse ka të bëjë me policinë apo civilë. Kjo foto është bërë dikur rreth orës 13:00 dhe i ka shkuar policisë. Në Elbasan ka një marrëveshje të fshehtë mes PS dhe PD, por sot u prish për herë të dytë. Në mjetin që ka ndodhur ngjarja është ndaluar benzi ML.

Ky është mjeti i një militanti të PS që ka një lokal afër ngjarjes. Është ndaluar nga ky grupi i personave. Këta i kanë kërkuar që mund të kishte elementë, dhe e kanë bllokuar. Në këto momente janë njoftuar edhe mbështetësit e tjerë e PS dhe ndërkohë është njoftuar edhe Policia. Këta kanë ardhur pak para se të vinin mbështetësit e tjerë të PS. Policia ka gjetur këtë situatë, makina e ndaluar dhe ndërkohë vijë mbështetësit e PS me dy makina. Dalin nga makina dhe afrohen, viktima nuk ka qenë me makinën e vet. shtëpia e tij është 200 metra larg ngjarjes. Ata kanë ardhur për të ndihmuar krahun e tyre. Ka qenë në makinën e dikujt tjetër. nga hetimi rezulton se aty kanë qëlluar dy pistoleta. Në vend ngjarje ka gjetur vdekjen Xhuvani. Duhet sqaruar kush e nisi. U njoftua se kanë dalë tre furgona në qytet dhe krahu tjetër thoshte kush janë këta. Në momentin e përplasjes, kanë qëlluar dy armë, mes armëve që kanë qëlluar njëra ka shkaktuar vdekjen e mjekut. Janë plagosur katër persona, mes tyre dy mbështetës të PD. Kemi tre palë të dëmtuara,viktima dhe dhëndri, dy nga PD dhe policia,” ka thënë gazetari.

Më tej, Artan Hoxha rrëfeu të gjithë lëvizjen e autorit të dyshuar të ngjarjes Arbër Papleka, nga momenti i ekzekutimit të Xhuvanit dhe deri te largimi nga Elbasani për në zyrën e komandantit të RENEA-s në Tiranë duke u dorëzuar vetë. Gjithashtu Hoxha zbuloi edhe karrierën e pasur të Paplekës nga Afganistani deri edhe pjesë e stafit të sigurisë së ambasadës amerikane në Tiranë, pak muaj më parë.

“Arbër Papleka ka qenë në Afganistan për të trajnuar policinë afgane. Papleka është nga policët më të mirë që mund të ketë pasur RENEA, 36 vjeç, baba i 4 fëmijëve, me origjinë nga Tropoja, ka qenë shef i njësisë së posaçme në policinë e shtetit në Tiranë, dy herë efektiv i RENEA. Përpara se të shkëputej ka qenë për më shumë se dy vite pjesë e grupit të sigurisë, ambasadës amerikane, në 2018 u largua nga RENEA, fitoi konkursin atje, ka pasur përgatitje shumë të mirë, prandaj u përzgjodh nga ambasada amerikane. 3 muaj më parë u largua nga stafi i ambasadës amerikane, ka shërbyer si shoqërues i një biznesmeni në Tiranë.

Para fushatës i është kërkuar të mbështesë këtë grup. Zoti Bardhi nuk ka trupëroja nga garda, por cdo kandidat zgjedh një grup njerëzish. Në Elbasan qarkullonte fjala se Bardhi është ministër i Brendshëm i ardhshëm. Në Elbasan shumica ka mbështetës shumë të fortë dhe ata morën masa, dhe morën këtë ish-pjesëtar policie dhe njerëz si Papleka, pasi janë me armë me leje.

Papleka nuk ka qenë në konfliktin e drejtpërdrejtë, ka pasur një distancë, pak të shkëputur, 1-2 meta, ai qëlloi kur konstatoi një rrezikshmëri të lartë për jetën dhe reagoi në atë formë dhe për shkak të zjarrit të hapur nga Papleka gjeti vdekjen Xhuvani. Në momentin që ka pasur përplasje, nuk rezulton që policia ka qëlluar. Papleka pasi ka qëlluar është larguar në këmbë, pasi e ka ndjekur një makinë edhe në distancë, ka vrapuar. Ai diku 700-800 metra ndaloi një mjet të rastit i drejtoi armën dhe iu mori makinën dhe u largua nga Elbasani.

Kur RENA ka qenë duke shkuar nga Tirana në Elbasan, ai bënte rrugën e kundërt. Papleka ka ardhur nga Elbasani ka shkuar drejt te reparti RENEA ka kërkuar takim me komandantin, ndërkohë nuk dihej që ishte autori. Ka shkuar në zyrën e komandantit të RENEA-s, i ka shkuar në zyrë pa ditur gjë dhe i ka thënë ”unë jam filani, kam qëlluar në kushtet e vetëmbrojtjes, pash rrezikshmëri të lartë, pasi isha i rrezikuar dhe hapa zjarr.

Arma ime është kjo”. Ai dorëzoi armën pistoletë tip Glock. Armën e ka me leje, por autorizimi është që të qëndrojë në shtëpi. Kur deklaroi këtë dhe i dha disa sqarime, menjëherë komandanti njoftoi drejtorinë e policisë dhe i kërkoi të shkonte ta merrte dhe policia i ka thënë më mirë se ju nuk ka njeri që ta sjellë. I është marrë arma, është prangosur dhe është çuar me pranga në Tiranë. Pra autori nuk është arrestuar, por është dorëzuar” tregoi Artan Hoxha.

Sot në ngjarjen e rëndë në Elbasan katër nga gjashtë personat e përfshirë janë ose punonjës ose ish-oficerë policie. Artan Hoxha kishte një apel për efektivët. “Nuk duhet të pranojë të shkojnë mish për top për një klasë të tillë politike”.

Rusia dëbon 10 punonjës të ambasadës së SHBA-së

Rusia ka shpallur persona të padëshiruar (non grata) 10 punonjës të ambasadës amerikane në Moskë.

Masa merret si hakmarrje ndaj dëbimit të 10 diplomatëve rusë dhe sanksioneve të gjëra ndaj Rusisë të cilat u vendosën nga ana e Shteteve të Bashkuara.

SHBA-ja vendimin e arsyetoi me faktin se Rusia është përgjegjëse për veprimet kundër interesave të SHBA-së, përfshirë një fushatë të sulmeve kibernetike.

Ministria e Jashtme në Moskë tha se 10 punonjësit e ambasadës amerikane kanë afat deri në fund të ditës më 21 prill që ta lëshojnë vendin.

“Kjo masë është një përgjigje ndaj veprimeve armiqësore të palës amerikane kundër një numri të punonjësve të Ambasadës Ruse në Uashington dhe Konsullatës së Përgjithshme Ruse në Nju Jork, të cilët u deklaruan në mënyrë të paarsyeshme ‘persona non grata’, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme Ruse.Tensionet midis Perëndimit dhe Rusisë janë rritur në javët e fundit për shkak të grumbullimit të trupave ruse pranë Ukrainës, sulmeve kibernetike dhe pretendimeve çeke se agjentët ushtarakë rusë kanë qenë prapa shpërthimit vdekjeprurës më 2014 në një depo të armëve.

Perëndimi ka kritikuar ashpër Rusinë edhe për burgosjen e udhëheqësit të opozitës ruse Aleksei Navalny pasi u helmua me një agjent nervor vitin e kaluar./rel

Krimi në Elbasan, reagon Meta: Pse erdhi situata

Presidenti i Republikës Ilir Meta ka reaguar lidhur me krimin e ndodhur në Elbasan ku mbeti i vrarë Pjerin Xhuvani.

Meta ka shprehur ngushëllimet familjes së 56-vjeçarit Pjerin Xhuvani që u vra sot pas një konflikti.

Në një intervistë në median lokale, Kreu i Shtetit e cilësoi situatën sot kritike duke akuzuar për këtë gjendje policinë dhe prokurorinë që sipas tij janë të njëanshme. Ai bëri thirrje për rikthim në normalitet.

“Situata është tepër kritike, mjafton të shohim sa krime janë bërë në këto katër ditët e fundit. Për fat të keq dhe Elbasani i dijes, i kulturës, i qytetarisë është kthyer ne një nga qytetet problematike. Kjo situatë vjen si rezultat i policisë dhe të prokurorisë që janë të njëanshme dhe kjo është më se e dukshme sepse njerëz të caktuar ecin të armatosur.
I shpreh ngushëllimet e mia familjes se viktimës dhe shpresoj për shërimin sa më të shpejt të te lënduarve. Unë bëj thirrje për rikthimin në normalitet dhe të mos ndodhi më situata të cilat përfundojnë me tragjedi. Policia e shtetit të zbardhi sa më shpejt krimin e ndodhur dhe të vihen përpara drejtësisë personat që kanë bërë këtë krim”, deklaroi Meta.

Detajet/ Si u qëllua me breshëri ndaj një lokali ne Vlorë

Të shtëna me armë zjarri janë raportuar mbrëmjen e sotme në fshatin Poro të Vlorës.

Mësohet se dy persona të maskuar kanë shtënë në drejtim të lokalit me breshëri kallashnikovi.

Deri në këto momente nuk raportohet për persona të plagosur, ndërsa policia po shkon në vendngjarje.

Ende nuk dihet kush ka qëlluar dhe nëse ka qenë ndonjë shënjestra për ta ekzekutuar.

Polica ka ngritur një grup hetimor dhe po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Krimi në Elbasan, Basha nga Durrësi: Refuzojmë dhunën, shitblerja e votës s’na ndal

Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka reaguar për krimin e ndodhur në Elbasn ku deklaroi se PD refuzon dhunën.

Basha nuk përmendi konkretisht ngjarjen në Elbasan, ku mbeti i vrarë aktivisti i PS, Pjerin Xhuvani por theksoi se nuk ka shitblerje votash që e ndal ndryshimin.

Kreu i demokratëve deklaroi se ata e mbrojnë me çdo çmim demokracinë.

“Nuk ka forcë, banda dhe shitblerje votash te na ndalë. Ne e refuzojmë dhunën, por ne do ta mbrojmë demokracinë me çdo çmim. Fitorja ka zbritur në zemrat tuaja,” deklaroi Basha.