zoom

Day ArchiveDisa zona pa drita në Tiranë

Për shkak të dëmtimit të kabullit të tensionit të mesëm nga një subjekt privat mbrëmjen e kësaj të marte kanë mbetur pa energji elektrike 16 kabina duke lënë pa energji disa zona në Tiranë.

OSHEE thotë se aktualisht pa drita janë rruga “Tasim Shehu”, zona në fund të rrugës “5 maji”, zona pranë shkollës “Ardian Klosi”, rruga  ” Pavllo Pavlli”, Bregu i Lumit, rruga “Myslym Keta”.

“Grupet e avarisë së OSSH njësia 2 Tiranë janë në terren dhe po punojnë për riparimin e defektit dhe rikthimin e energjisë sa më shpejt tek të gjithë abonentët”, njofton OSHEE.

Hungari, Parlamenti miraton zgjatjen e gjendjes së jashtëzakonshme antiCovid-19

Parlamenti hungarez ka miratuar një zgjatje tjetër 90-ditore të gjendjes së jashtëzakonshme aktuale kundër pandemisë, duke e lejuar qeverinë të vendosë masa për të ndaluar përhapjen e Covid-19.

Në një votim sot në mbrëmje, 133 parlamentarë nga qeveria e djathtë nacionaliste votuan pro, ndërsa 55 votuan kundër. Kjo është hera e dytë që qeveria e kryeministrit Viktor Orban merr miratimin për një zgjatje, pas një gjendje urgjence të parë të vendosur për vetëm 15 ditë në fillim të nëntorit.

Gjendja e jashtëzakonshme lejon qeverinë të mbyllë restorantet dhe institucionet kulturore, si edhe të vendosë një shtetrrethim nate midis orës 20:00 dhe 05:00, si pjesë e masave për të ndaluar përhapjen e virusit.

Situata është përkeqësuar në Hungari kohët e fundit. Autoritetet raportuan 2 623 infeksione të reja në 24 orët e fundit, gati dyfishi i numrit të një javë më parë.

“Tokë e nxonme”, si nisi sherri për parkimin në Durrës, vëllezërit “jabanxhinj” qëlluan nënë e bir

Nënë e bir, Valbona dhe Flamur Çerma u qëlluan me armë zjarri poshtë pallatit të tyre në lagjen nr. 12 në Durrës nga fqinji, që kishte vetëm dy javë që kishte ardhur nga Peqini. Gazetari Leonidha Musai zbardhi kronologjinë e plotë të sherrit që nisi rreth orës 20:00 dhe përfundoi me dy të plagosur dhe dy vëllezër të arrestuar.

Flamur Çerma në limitet e orës policore parkoi makinën poshtë shtëpisë dhe në momentin që po dilte u konfliktua me dy vëllezërit Erges dhe Zyber Juba, të cilët i kërkuan që të largonte makinën pasi vendin poshtë pallatit e kishin zënë me gurë për të parkuar.

Dy vëllezërit kishin vetëm 2 javë që ishin zhvendosur nga Peqini me banim në lagjen nr. 12 në qytetin bregdetar. Çerma nuk pranoi dhe mes tyre nisi debati që nga verbal kaloi në fizik me grushte dhe shkelma. Por, Ergesi nuk është mjaftuar me kaq duke u ngjitur në shtëpi për të marrë pistoletën.

Me shpejtësi ka zbritur poshtë duke qëlluar në drejtim të fqinjit. Pasi dëgjoi të shtënat poshtë pallatit zbriti edhe nëna e të riut, Valbona Çerma e cila gjithashtu u plagos në këmbë.

Policia fillimisht arrestoi njërin nga dy vëllezërit Zyber Jubën dhe rreth 2 orë më pas Ergesin, i cili ishte personi që qëlloi me pistoletë. Nënë e bir janë në spital jashtë rrezikut për jetën, ndërsa dy vëllezërit pas hekurave.

Ligji për universitetet, 30 të arrestuar në protestat në Selanik

Në Selanik të Greqisë kanë ndodhur përleshje midis protestuesve dhe forcave policore në demonstratat e mbajtura kundër një ligji të sigurisë së kampusit. Mediat lokale raportojnë se 30 persona u arrestuan pasi pushtuan ndërtesën kryesore të Universitetit Aristotle të Selanikut.

Përleshjet filluan kur policia hyri në ndërtesë për të larguar protestuesit, që ishin në ndërtesën e universitetit për disa orë. Në fillim të këtij muaji, ligjvënësit grekë miratuan legjislacionin që do të lejojë forcat e policisë të ndërmarrin veprime në kampuset universitare për të ndaluar aktivitetet e paligjshme.

Rreth 166 deputetë votuan pro, ndërsa 132 votuan kundër projektligjit. Sindikatat studentore dhe partitë opozitare e kritikuan ligjin e ri, duke theksuar se ai shkel të drejtat e tyre demokratike në kampus.

Zbulohen vizatime 17300-vjeçare

Në një strehë shkëmbore në pjesën perëndimore të Australisë u gjetën figura që mendohet të jenë vizatuar rreth 17300 vite më parë.

Sipas BB,  kjo pikturë e gjetur në rajonin Kimberley, të njohur për pikturat aborigjene daton 17300 vite më parë. Gjithashtu thuhet se piktura e kangurit 2 metra ishte pikturuar në okër të kuqe

Studiuesi Sven Ouzman tha se duke krahasuar pikturën e kangurit me pikturat shkëmbore të 40 mijë viteve më parë në ishujt e Azisë Juglindore mund të dallojmë një lidhje kulturore midis këtyre rajoneve.

Mendohet se ky vizatim është vizatimi më i vjetër i zbuluar deri tani në Australi ndërkohë që piktura më e vjetër e njohur e kafshëve në botë, mendohet të jetë vizatuar 45 500 vjet më parë në një shpellë në ishullin Sulawesi, në Indonezi.

Borxhi publik, 77.8% e PBB/ Norma më e lartë e regjistruar ndonjëherë për financat shqiptare

Niveli i borxhit publik arriti në nivele rekord prej 77.8% të Prodhimit të Brendshëm Bruto në fund të vitit 2020, norma më e lartë e regjistruar ndonjëherë për financat shqiptare, duke reflektuar pasojat e rënda të krizës.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, stoku total i borxhit arriti në 1.22 trilionë lekë vitin e kaluar, nga 1.11 trilionë që ishte në 2019, duke shënuar një rritje me rreth 111 miliardë lekë.

Arsyet kryesore për rritjen e borxhit publik në vend lidhen kryesisht me ndikimin pandemisë Covid-19, e cila vijon të ushtrojë një presion të madh në financat publike.

Rritja e madhe e shpenzimeve buxhetore për mbulim e nevojave të emergjencës shëndetësore thelloi më tej deficitin buxhetor në rekorde historike në 110 miliardë lekë në fund të 2020-ës, çka solli më pas edhe këtë normë të lartë borxhi.

Por, me gjithë kapërcimin në 77.8%, realizimi i këtij treguesi rezultoi më i ulët se pritshmëritë e qeverisë që parashikonte një normë prej 79.9% të tij në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto.

Një normë e tillë shqetësuese e borxhit publik ishte paralajmëruar më herët edhe nga institucionet e huaja financiare si Fondi Monetar Ndërkombëtar, pritshmëritë e të cilit në raportin e fundit flisnin për një skenar ku niveli I borxhit mund të arrinte në 82.2% të PBB-së.

A distancohet nga PD? Topalli flet hapur për gabimet e qeverisë Berisha: Ka pasur korrupsion…

Kryetarja e Lëvizjes për Ndryshim, Jozefina Topalli, dikur numri 2 i Partisë Demokratike kur qeveriste Sali Berisha ka folur sot pa doreza në Open në Top Channel.

Ajo tha se nuk distancohej nga PD për të gjitha arritjet që vendi ka pasur gjatë kohës që ishin në qeveri, megjithatë tregoi edhe gabimet e Sali Berishës.

“Në shëndetësi, qeveria ishte e detyruar për t’ia dhënë aleatëve, dhe të mbajnë përgjegjësinë për atë që bënë. Ne i jepnim një shumë të madhe buxheti, por është tjetër gjë sa punë bënë atë.

Ka pasur korrupsion më shumë në mandatin e dytë të qeverisjes. Nuk jam dakord as me mënyrën si jemi marrë me pronat, por jam shumë krenare që u futëm në NATO. Jam shumë krenare për shumë reforma të tjera që u morrën në të mirë të interesit publik,” tha Topalli.

Beteja për mandatin në Shkodër/ Topalli për votat e demokratëve: Nuk shkojnë kurrë tek Lulzim Basha

Kryetarja e “Lëvizjes për Ndryshim”, Jozefina Topalli ka folur në “Open” për betejën e mandatit në Shkodër dhe kalimin e votave të demokratëve në partinë e saj.

Topalli theksoi se votat që do të shkojnë për të nuk kanë qenë kurrë për Lulzim Bashën dhe fton këdo që është i pakënaqur të marrë pjesë në votime dhe të mos e japë votën për tre partitë politike më të mëdha në vend.

“Së pari, nën përgjegjësi do të them që më shumë demokratë janë jashtë PD se sa brenda. Nuk i heq asnjë votë askujt. Ato vota nuk shkojnë kurrë tek Lulzim Basha. Ftesa ime është për të gjithë ata që janë krejt të pakënaqur me Edi Ramën dhe me rritjen e korrupsionit, as me Ilir Metën, as me Lulzim Bashën. Deri tani, të dëshpëruar mund të rrinë në shtëpi. Kjo do të ishte nderi më i madh që mund t’i bëjnë këtyre të treve. Është votë proteste kundër qeverisjes, ftesa ime është që vota juaj është arma më e fuqishme që keni. Një person që ka guxim mund të sjellë ndryshimin”, tha Topalli.

Llojet e ushqimeve që duhet të shmangni nëse s’doni akne në lëkurë

Pjesa më e madhe e njerëzve i konsiderojnë aknet si problem i moshës, por e vërteta është se kjo gjendje e zakonshme e lëkurës mund të ndodhë në të 20-tat, 30-tat apo të 40-tat. Nga hormonet tek gjenetika e deri tek regjimi i kujdesit të lëkurës, aknet mund të shkaktohen nga shumë faktorë, përfshirë këtu edhe ushqimet që konsumoni.

Personat me akne duhet të shmangin ushqimet me sheqer, të konservuara dhe të procesuara si pijet e lehta, drithërat me sheqer që konsumojnë në mëngjes, patatet e skuqura dhe bukën e bardhë.

Aknet kanë kryesisht rrënjë hormonale, por ushqimi mund të jetë një ndër shkaktarët dhe karbohidratet janë ndër armiqtë kryesorë.

Karbohidratet e larta stimulojnë prodhimin e një hormoni të quajtur insulinë dhe mund të shkaktojë probleme me nivelin e testosteronit në gjak.

Bëni mirë të shmangni karbohidratet dhe produktet me bazë qumështi kafshësh, provoni trajtimet me dritë LED, lazer, mikrodermabrazion, maska dhe peeling kimik. Edhe përdorimi i produkteve me përbërje Benzyol-i mund të ndihmojnë, ashtu si dhe minimizimi i grimit të rëndë.

Australi/ “Rebeli që s’e do humbjen”, vlerësimi i “The Guardian” për Berishën

“Besart Berisha, harku armik i çdo kundërshtari dhe sulmuesi më i madh i të gjitha kohërave në A-League”, një titull që flet vetë për madhështinë e sulmuesit shqiptar, që tani është pjesë Western United në Australi, kurse në të shkuarën ka qenë pjesë e Brisbane Roar dhe Melbourne Victory për shtatë vite.

Britanikja “The Guardian” i ka kushtuar një artikull sulmuesit dardan, i cili është shënuesi më i mirë i të gjithë kohërave në A-League. Kthim pas në kohë, duke tentuar të tregojë që Berisha kurrë nuk pëlqen të jetë i dyti. Në dhjetor të vitit 2016 ishte pjesë Melbourne Victory dhe donte barazimin e rekordit të Arcie Thompson.

Sulmuesi donte golin e 90-të dhe në pjesën e parë humbi shumë raste. Në pushim shkatërroi gjithçka, derën, disa karrige dhe një kosh plehrash. I motivuar zbriti në fushë dhe shënoi një gol trepikësh për skuadrën e tij dhe kështu kishte barazuar rekordin si shënuesi më i mirë në historinë e kampionatit elitar të Australisë.

Sërish një tjetër vend i parë që synohet nga Berisha, i cili në ndeshjen e fundit shënoi dy gola në fitoren 4-1 që Western United mori kundër Macarthur. Tani numëron 138 gola në dhe Rod Broën ka zbritur i poshtë tij, me një gol më pak se sulmuesi shqiptar. Bëhet fjalë për numrin më të lartë të golave në të gjitha ligat në Australi.

Më mirë se Berisha ka bërë vetëm Damian Mori, i cili numëron 240 gola. Berisha, tani 52 vjeç, vështirë t’i realizojë 102 gola dhe ta parakalojë ish-futbollistin e Napolit.  Në artikull nuk mund të lihen jashtë dy titujt kampionë, përfshirjen e tij në formacionin më të mirë të vitit thuajse çdo herë, apo dy “Këpucët e Arta” që ai ka fituar në Australi.

Berisha është edhe autori i tregolëshit më të shpejtë në historinë e A-League, kur luante me Brisbane Roar.  “Të gjitha këto janë përbërësit kryesorë për një lojtar që konsiderohet si sulmuesi më i mirë i A-League, por nuk janë të gjitha ato që e bëjnë Berishën”, shkruhet në artikull, ndërkohë që vihet në dukje edhe karakteri i tij i fortë.

Lidhja me Australinë, që i ka dhënë edhe pasaportën, u bë edhe më e fortë, edhe pse fillimi nuk ishte i lehtë. “Ishte një moment kur unë doja të prishja kontratën, para se të vija në Brisbane. Gruaja më shty dhe më tha jo. Jam i kënaqur që ajo më ndihmoi me këtë vendim për ta vazhduar udhëtimin. I jam përgjithmonë mirënjohës. Mendova se do të luaja 7 muaj dhe do të kthehesha në Europë, por thjesht i dashurova, u ndjeva si në shtëpi që në vitin e tij. Doja të vazhdoja”, tregonte Berisha kohë më parë.

Vlerësime të mëdha edhe nga ish-trajnerët për Berishën, ndërkohë që tani në skuadër ka një kampion si Alessandro Diamanti. “Nuk kam nevojë të flas me të, t’i bërtas. E di që topi do të vijë. Thjesht më duhet të vrapoj dhe kjo është fantastike. Me sinqeritet, kështu jam ndjerë edhe kur isha në Brisbane me Thomas Broich”, u shpreh Berisha në fundjavë.

Gjithsesi shumëkush e ka të vështirë ta pranojë që ai gjaknxehti i fushës është krejt tjetër jashtë: “Miqtë ma thonë privatisht, që pse jam kaq ndryshe në fushë, kur unë jam një njeri familjar, djalë i mirë dhe njeri i mirë. Dhe unë u them që shkon me historinë time. Loja është jeta ime dhe unë e marr seriozisht. Edhe në moshën 14 vjeç, isha kaq serioz, Nuk doja të humbja asnjë ndeshje”.