Day ArchiveLiverpooli “bie” në “Anfield” pas 64 ndeshjes, “gjëmën” ia bën Burnley
Miti “Anfield” bie pas 64 ndeshjesh. Pas një serie të pabesueshme pa humbje në shtëpi, Liverpooli u mposht 0- 1 nga Burnley, skuadër e pjesës së poshtme të renditjes, duke humbur më shumë terren ndaj rivalëve në garën e titullit në Premier League.
Skuadra e drejtuar nga Jurgen Klopp jo vetëm që nuk ia doli t’i imponohej një kundërshtari ndjeshëm më inferior, por u ndëshkua me gol në fundin e sfidës, pa gjetur forcat për të kthyer ndeshjen në ato pak minuta të mbetura.
Shumë raste të humbura nga “The Reds” me Origin, Trent Alexander-Arnold dhe Mohamed Salah, ndërsa Burnley në një nga momentet e pakta që hyri në zonën kundërshtare fitoi një 11-metërsh me Barnes, në minutën e 83-të, të cilin e shndërroi në gol vetë numri 10 i skuadrës mike. Pas kësaj disfate, Liverpooli mbetet në kuotën e 34 pikëve, gjashtë më pak se Manchester United kryesues.
Pas deklaratës për fejesë, Shqipja publikon mesazhet zanore me Andin!
Ditën e sotme, Andi na befasoi të gjithëve me deklaratën e tij për emisionin “Live From Tirana” në Top Albania Radio, ku shprehej se shumë shpejt mund të kemi fejesë prej tij dhe Teas.
Mirëpo, në një situatë si kjo pritej edhe reagimi i një personi të tretë… Shqipes.
Në një seri postimesh në Instagram, Shqipja ka publikuar mesazhet zanore, marrë shkas edhe nga deklarata e së ëmës së Andit, e cila shprehej se ky i fundit nuk kishte pasur ndjenja për Shqipen, por vetëm për Tean.
“Po ti pse nuk ja tregon historinë tamam se si ishte? Unë me të vërtetë dola mbrapa Teas, po unë dola për diçka, nuk dola se më interesoi shumë ajo pjesë. Unë dola për të përfituar ti një gjë. Për këtë arsye dola dhe pastaj sa mbarova me Tean erdha direkte te ty. Sa i thashë dy llafe, sa e bëra të reagojë ndaj gjërave që tha, që dilte komplet situata në përfitimin tënd. Unë për këtë u përpoqa edhe erdha direkt te ty”, shprehet Andi në audio.
“Ty edhe të argumentova çdo gjë tashi. Pse nuk ja shpjegon? Derisa janë familjarët e tu, tregoji gjërat tamam siç janë nuk ke pse e kalon situatën duke qesh. Se tek e fundit burri jot është ai po përgojojnë kështu që përpiqu ta rregullosh situatën!”, – përfundon mesazhi zanor i konkurrentit.
Mesa duket Shqipja e bëri sërish… shkaktoi “trazira” mes konkurrentëve të Për’puthen!
Halili: Titulli larg? Më mirë të mos shkojmë fare në Europë
Refik Halili, tepër i zhgënjyer nga humbja në derbi, e pranoi se Tirana e tij tashmë është larguar shumë nga objektivi.
“Humbëm si ekip dhe i largohemi shumë kreut, aty ku është Vllaznia me meritë. Do të vazhdojmë të punojmë, do të respektojmë kampionatin që të ecim përpara. Kam besim te skuadra, kam besim te çunat. Kthehet edhe një grup lojtarësh gjatë këtyre dy javëve, kontingjenti do të jetë më i plotë. Gjerat e tjera janë pjesë e lojës, ka raste, por ka edhe humbje. E rëndësishme është që punojmë të ecim përpara.”
Titulli më larg: “Nuk dua të them që jemi dorëzuar. Unë vetë kam thënë që është shpejt për të folur për titullin, por po i largohemi shumë kreut të klasifikimit. Duhet të luftojmë të kapim vendin e parë, që të kapim të dytin apo të tretin.
Më mirë mos shkojmë fare në Europë. Dëshira ime është të shkojmë drejt titullit. Nëse do të jetë e mundur të vazhdojmë, “ok”, nëse jo, nuk ka problem, ky është kismeti ynë”.
Çinari: Partizani ka lojtarë kampionë, besojmë te titulli
Një rikthim i denjë për skenar filmi. Më shumë se 6 muaj pa luajtur, për shkak të pezullimit të dhënë nga FIFA, dhe një ditë pasi merr lejen e aktivizimit shfaqet vendimtar në derbi. Eraldo Çinari deklaroi në “Gol pas Goli” se ishte një ëndërr e bërë realitet:
“Asnjëherë nuk duhet të dorëzohemi. Kisha minuta të pakta në këmbë, nuk jam në maksimumin tim. Kam 6 muaj pa luajtur. Nuk e kisha menduar kështu. Ëndrrat ndonjëherë bëhen realitet dhe u bë realitet për mua. Aktivizimi erdhi në momentin e duhur dhe nuk mund të vinte më bukur se kaq.”
Reagimi i Asanit: “Asani e di shumë mirë që unë mund të futem dhe të ndryshoj ndeshjen. Vllaznia? Është me meritë aty, ka lojtarë me kualitete. Kanë bërë një kampionat shumë të mirë, por të mos harrojmë edhe Partizanin. Partizani beson te titulli sepse ka lojtarë kampionë dhe me cilësi. 9 pikë janë, ndërkohë që do të zhvillohen edhe 22 ndeshje. Sa herë kam shënuar, kam marrë mesazhe të shumta nga shkodranët. Jam futbollist profesionist dhe mendoj vetëm për ngjyrat e kuqe.”
Roli i titullarit: “Akoma nuk jam në maksimumin tim, por nëse trajneri vendos të më aktivizojë, unë do të jem gati. Gjithçka është në dorën e trajnerit.”
Angela Merkel: ‘kjo pandemi është katastrofa e shekullit’
Kancelarja gjermane Angela Merkel tha se ka arsye për optimizëm në këtë “fazë të vështirë të pandemisë”, por Gjermania duhet të punojë së bashku me BE për të parandaluar përhapjen e varianteve të reja të koronavirusit.
Kancelarja gjermane Angela Merkel tha në një konferencë shtypi të enjten se “ne jemi në një fazë të vështirë të pandemisë”. Gjermania i zgjati masat aktuale kufizuese të paktën deri për në 14 shkurt të martën, duke reflektuar shkallën e lartë ditore të infektimeve dhe numrin e vdekjeve.
Virusi mbetet i rrezikshëm
“Nga njëra anë, numri i infektimeve ditore gradualisht po ulet,” tha Merkel. “Dhe numri i njerëzve në kujdes intensiv po zvogëlohet. Të gjitha këto janë lajme të mira.”
Ajo gjithashtu theksoi se rregulloret e koronavirusit do të ishin pozitive për çdo pjesë të shoqërisë në plan afatgjatë – për arsimin, kulturën dhe ekonominë.
“Por virusi është akoma shumë i rrezikshëm. Ne kemi një numër vdekjesh tronditës të lartë, më shumë se 1000 njerëz sot,” tha ajo.
Ajo foli për rrezikun e mutacioneve të virusit dhe tha se renditja e gjenomit të varianteve të reja do të ishte tema kryesore e diskutimit në videokonferencën e Bashkimit Evropian të enjten në mbrëmje.
“Epidemiologjikisht BE është një rajon,” tha ajo, dhe kërkoi masa ekuivalente për të luftuar virusin në të gjithë bllokun.
Merkeli tha se mundësia e imunitetit të tufës në Gjermani me programin e vaksinave nuk ishte duart e saj – përkundrazi, kjo varej nga sa qytetarë duan të vaksinohen. Organizata Botërore e Shëndetësisë ka vlerësuar se 70% e popullsisë duhet të vaksinohen për të arritur imunitetin e tufës; rreth 1.5% e popullsisë gjermane është vaksinuar deri tani.
Ajo tha se Gjermania do të ketë “më shumë se mjaftueshëm doza vaksinash” gjatë këtij viti dhe shprehu shpresën se prodhimi mund të rritet.
Kancelarja shpresoi gjithashtu për vaksina për të rinjtë. Më shumë të rinj janë prekur nga kjo valë e pandemisë sesa në pranverën e vitit 2020.
“Kjo pandemi është katastrofa e shekullit. Durimi po vihet në provë,” tha Merkeli.
‘Në tremujorin e tretë Gjermania do të jetë në gjendje të shpërndajë doza’
Ajo gjithashtu u ndal te shqetësimet në lidhje me pabarazinë ndërkombëtare të shpërndarjes së vaksinave në të gjithë botën. Ajo tha se bashkëpunimi ndërkombëtar do të ketë rëndësi thelbësore në përfundimin e pandemisë.
Në lidhje me vendet më të varfëra, Merkelin tha se Gjermania do të ketë mjaft vaksina në tremujorin e tretë, kështu që do të jetë në gjendje të shpërndajë doza. Kancelarja tha se gjithmonë mund të ndodhë që të jenë të nevojshme punime në fabrika për të rritur kapacitetet e prodhimit. Sidoqoftë, ajo beson se Gjermania do të marrë edhe dozat e premtuara nga BioNTech dhe Pfizer.
Merkel: bashkëpunim më i gjerë me SHBA
Në konferencën e shtypit, kancelarja Merkel u shpreh edhe për ndryshimin e pushtetit në SHBA dhe marrëdhëniet që rezultojnë. “Marrja e detyrës nga Joe Biden është një sinjal i mirë. “Bashkëpunimi thjesht bazohet përsëri në një themel më të gjerë të bindjeve të përbashkëta.”
Por Merkeli paralajmëroi kundër besimit se Evropa mund të rrijë e qetë pas ndryshimit të pushtetit në SHBA.”Evropa do të duhet të marrë më shumë përgjegjësi në përgjithësi”. Kjo vlen në aspektin ekonomik, diplomatik, por edhe ushtarak.
Kosovë: Akuza për ndërhyrje në punën e KQZ-së
Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, tha të enjten se akuzat e partive politike ndaj saj dhe Komisionit janë ndërhyrje drejtpërdrejtë në punën e institucionit për të pamundësuar zbatimin e kushtetutës dhe ligjeve në fuqi.
Burimet: Biden mban në detyrë drejtorin e FBI-së të emëruar nga Trump
Presidenti Joe Biden i ka kërkuar drejtorit të FBI-së Christopher Wray të vazhdojë të qëndrojë në detyrë, gjë që ai e ka pranuar, bëri të ditur një burim i zbatimit të ligjit për agjencinë “Reuters”.
Zoti Wray ishte shpesh në shënjestër të ish-Presidentit Republikan Donald Trump për shkak të refuzimit të tij për të mbështetur pretendimet e rreme për manipulime në zgjedhjet e 3 nëntorit.
Vendimi i zotit Biden për të mbajtur zotin Wray si shef të Byrosë Federale të Hetimit u mirëprit nga kryetari i Komisionit të Zbulimit në Dhomën e Përfaqësuesve, Adam Schiff, një kritik i mënyrës se si zoti Trump i ka trajtuar çështjet e zbulimit.
“Christopher Wray u bë drejtor i FBI-së në një moment turbullirash të jashtëzakonshme që kishin përfshirë byronë dhe vendin. Ai ka shërbyer me profesionalizëm dhe integritet të madh. Jam i lumtur që Presidenti Biden synon ta mbajë në detyrë zotin Wray “, tha zoti Schiff.
Zoti Schiff tha se mezi priste të punonte me zotin Wray për të analizuar “dështimin e operacioneve të zbulimit e sigurisë në raport me sulmin e 6 janarit ndaj Kapitolit dhe nevojën për të zgjeruar në mënyrë dramatike vëmendjen dhe burimet financiare ndaj kërcënimit që paraqet terrorizmi i brendshëm“.
Shtatorin e kaluar zoti Wray u tha ligjvënësve të një komisioni të Dhomës së Përfaqësuesve se Rusia po ndërhynte në zgjedhjet presidenciale, duke përhapur disinformata ndaj kandidatin Joe Biden.
Zoti Wray shtoi gjithashtu se FBI-ja po kryente hetime të shumta ndaj ekstremistëve të dhunshëm të brendshëm dhe se “pjesa” më e madhe e hetimit përfshinte grupe supremaciste të bardha.
Lidhur me Kinën, zoti Wray tha se FBI-ja hapte “çdo 10 orë” një hetim të ri kundërzbulimi ndaj Pekinit.
Christopher Wray u betua në 2 gusht 2017 për një mandat 10 vjeçar në krye të FBI-së. Rrjeti televiziv CNBC ishte që i pari që njoftoi vendimin e Presidentit Biden për ta mbajtur atë në krye të Byrosë Federale të Hetimit.
Biden shpalos sot planin kundër koronavirusit
Presidenti Joe Biden dhe Nënpresidentja Kamala Harris po i kushtojnë një vëmendje të madhe përgjigjes të qeverisë federale ndaj pandemisë së koronavirusit.
Zoti Biden pritet të mbajë sot (të enjten) një fjalim rreth planeve të administratës së tij si dhe të nënshkruajë disa urdhra ekzekutivë e të ndërmarrë veprime të tjera lidhur me pandeminë.
Si Presidenti Biden ashtu edhe Nënpresidentja Harris do të informohen nga ekipi i tyre i koronavirusit në lidhje me gjendjen aktuale të programeve të vaksinimit që po kryhen në të gjithë vendin.
Presidenti Biden ka vendosur tashmë si objektiv që të rrisë ndjeshëm nivelin e vaksinimeve, me synim injektimin e 100 milionë dozave në 100 ditët e para të administratës së tij.
Vaksinimet në Shtetet e Bashkuara filluan në mesin e muajit dhjetor duke u përqendruar tek punonjësit e kujdesit shëndetësor në vijën e parë të frontit dhe ata që jetojnë në institucione të kujdesit afatgjatë shëndetësor. Sipas të dhënave të ofruara nga Qendrat e Kontrollit dhe Parandalimit të Sëmundjeve deri të mërkurën në mëngjes rezultojnë të jenë injektuar 16.5 milionë doza. Të dyja vaksinat që kanë marrë miratimin për përdorim urgjent nga entet rregullatore amerikane duhet të merren me dy doza.
Presidenti i ri është zotuar të marrë masa shumë më agresive për të vendosur nën kontroll situatën krahasuar me paraardhësin e tij, duke nisur me respektimin më rigoroz të udhëzimeve të shëndetit publik. Por ai përballet me pengesa të forta e me paqartësi nëse republikanët e kongresit do ta ndihmojnë të miratojë një paketë lehtësuese ekonomike prej 1.9 trilionë dollarësh si dhe paketën e përgjigjes ndaj COVID-19 në kushtet kur virusi po përhapet me shpejtësi në shumicën e shteteve dhe kur shpërndarja e vaksinave po kryhet ngadalë.
“Ne duhet të kërkojmë nga amerikanët e thjeshtë të bëjnë atë që u takon” tha Jeff Zients, zyrtar i Shtëpisë së Bardhë që drejton përgjigjen kombëtare ndaj pandemisë. “Mposhtja e virusit kërkon një përpjekje të koordinuar në të gjithë vendin“, shtoi ai.
Zyrtarët e administratës Biden thonë se gjatë tranzicionit ata u përballën me një mungesë bashkëpunimi nga administrata Trump. Ata thonë se nuk kanë informacion të plotë rreth veprimeve të paraardhësve të tyre mbi shpërndarjen e vaksinave dhe se po përballen me një mori ankesash nga shtetet që thonë se nuk po marrin vaksina në sasi të mjaftueshme edhe kur u kërkohet të vaksinojnë më shumë kategori njerëzish.
Presidenti Biden pranoi urgjencën e misionit në fjalimin e tij të inugurimit. “Ne po hyjmë në atë që mund të jetë periudha më e vështirë dhe më vdekjeprurëse e virusit”, tha ai përpara se t’u kërkonte amerikanëve që të bashkoheshin me të në një moment heshtjeje për të nderuar më shumë se 400,000 amerikanë që kanë vdekur nga COVID-19.
Presidenti demokrat ka orientuar Agjencinë Federale të Menaxhimit të Emergjencave të fillojë ngritjen e qendrave të vaksinimit, duke synuar që 100 të tilla funksionale brenda një muaji. Ai ka urdhëruar Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve të fillojnë një program për t’i bërë të vaksinat të disponueshme përmes farmacive lokale duke filluar nga muaji tjetër. Presidenti Biden po mobilizon Shërbimin e Shëndetit Publik që të ndihmojnë në terren lokalitetet lidhur me vaksinat.
Shpallet non-grata diplomati rus
Pavarësisht paralajmërimeve për të mos i shkelur masat anti-covid, diplomati rus nuk kishte reflektuar. Ministria e Jashtme njoftoi se i kishte tërhequr vëmendjen disa herë, por rusi vijonte me sjelljen e tij neglizhuese.
Një gjë e tillë, sipas Ministrisë ka nisur që në Prill të 2020, në muajin e parë të pandemisë, si edhe ka vijuar edhe në fillim të këtij viti. Ky është argumenti i dhënë për shpalljen “non grata” të Aleksej Krivoshev, i cili duket se kishte tërhequr vëmendjen e autoriteteve më të larta me sjelljen e tij.
“Përfaqësues të lartë të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme kanë kontaktuar me ambasadorin e Ambasadës së Federatës Ruse në Tiranë, Mikhail Afanasiev”, thuhet në njoftim, “duke i bërë me dije shqetësimin për shkeljet e vazhdueshme të masave anti COVID-19 nga diplomati”. Për këtë çështje, ambasadori ka pasur një rol plotësisht bashkëpunues dhe ka premtuar se këto akte nuk do të përsëriteshin, por pavarësisht kësaj, premtimi nuk ishte mbajtur.
Rreth dy vite më parë, dy diplomatë rusë u shpallën non grata nga qeveria shqiptare. Vendimi u mor në koordinim me disa vende të tjera të NATO-s për të dëbuar disa diplomatë rusë pas helmimit të ish-spiunit rus në Britaninë e Madhe, Sergej Skripal.
FOTO/ Loredana është shtatzënë për herë të dytë?
Në rrjet kanë filluar të mendojnë sërish se Loredana është shtatzënë dhe këtë herë vështirë se mund t’i bind dikush se janë gabim.
Disa foto dhe video, ku shfaqet reperja me barkun e rrumbullakosur e kështu kanë nisur dyshimet për një shtatzëni të dytë.
Sikundër mund ta shihni në fotot e mëposhtme ata mendojnë se Loredana mund të jetë sërish shtatzënë.
Madje, kujtojmë se në nëntor, qarkulluan të tilla lajme për të, nisur nga një foto që ajo ndau me fansat e saj në Instagram. Mirëpo, në fund rezultoi të ishin thjesht thashetheme.
Pas dokumentarit, Mozzik publikoi në Instagram dy çiftet e famshëm, Bonnie & Clyde dhe Romeo & Juliet, me të cilët ka identifikuar marrëdhënien e tij të dashurisë me Loredanën. Sigurisht që gjithë këto shenja i ka çuar fansat të mendojnë se në fakt ata të dy janë ribashkuar.