zoom

Day ArchiveA bën dot Shqipëria histori?

U zgjova edhe sot në dhomën time gjysmë të errët, me kokën lëmsh dhe e përgjumur. M’u duk një mëngjes si gjithë të tjerët, asgjë e re, veçse kësaj here pata një dyshim në kokë: a mundet Shqipëria të bëjë histori? Ia del dot të mbetet në kujtesën e njerëzimit?

“Duhet të ketë diçka!” mendova me zë të lartë ndërkohë që pa vetëdije kisha rrëmbyer telekomandën. Dëgjova e pashë aq shumë kronika e lajme sa tani s’mbaj mend gjë prej gjëje. U bë kohë që kam krijuar një imunitet të frikshëm ndaj aktualitetit. Nuk më ngroh, nuk më emocionon dhe të them të drejtën, më tremb e gjitha kjo.

Gjatë kësaj përhumbjeje kisha gjetur zgjidhjen e dilemës sime. Tani unë (ndoshta dhe dikush tjetër) e dija fare mirë se si ky vend mund të bënte emër. Si mund të depërtonte në kujtesën kolektive, të fshinte gjithë reputacionin aktual dhe popujt t’i referoheshin si shteti që një ditë të bukur, verën e vitit 2019 mundi të pushtonte faqet e para.

“Pasi e shtrydhi prej shumë vitesh, një brez i tërë politikanësh (majtas, qendër, djathas) heq dorë dhe e lë vendin të marrë frymë”, kjo po që do të b nte përshtypje!

Pa mendojeni pak, nëse shqiptarët nuk i mbajtën mend politikanët si njerëzit që e ndreqën këtë vend, të paktën mund t’i kujtojnë si krijesat që pasi e djallosen aty ku thjesht s’mbante më, bënë ç’bënë dhe hoqën dorë. Delirim tërësisht naiv! Pushteti të heqë dorë nga pushteti per t’ia lënë pushtetin ca të tjerëve. Ja që kjo është ajo që ne presim prej dekadash. Më thoni ku dhe kur “i keqi” luftoi të keqen? Askund!

Është e çuditshme se si në vendin kur divorcet po rriten ndjeshëm, shqiptarët nuk vendosin të heqin dorë nga marrëdhënia shumëvjeçare dashuri- urrejtje me politikanët. Jam rritur me emra si Nano, Berisha, Meta, Rama, Basha, sa dashur padashur janë rrënjosur në fëmijërinë e adoleshencën time dhe druaj se te 30- at apo te 40-at do të më gjejnë sërish me to. Jam e mbytur!!! Kujtohem se si e vogël dëgjoja tim atë të fliste për bëmat e politikës shqiptare dhe sot, teksa ai është thinjur e ndërsa une rritur, dëgjoj sërish, e sërish, çdo mbrëmje, të njëjtin refren. Sa keq për të, për veten, për ne!

Rritemi nga prindër të pakënaqur, gjyshër të zhgënjyer, na injektohet politika në gen (gjen) dhe kur vjen koha për të reaguar nuk veprojmë. Pse? Sepse jane punë të politikës! Nuk mendoj se varfëria, krimi apo ndotja janë politike. Janë çështje jetike dhe njerëzore. S’mund të jemi moskokëçarës ndaj ujit të pijshëm, padrejtësive, arsimit apo shëndetësisë.

Më habit fakti se si njerëz me ndikim në shoqëri, njerëz te televizionit, Instagram- it, personalitete që u ka peshë fjala nuk shkruajtën dy rreshta për skandalin e fundit ushqimor. Njerëz qe flasin për emancipim elitar, që rebelohen për seksizmin apo homoseksualitetin dhe nuk u plas për djathin, vajin apo bukën që hanë për çdo ditë. Pse? Sepse është politike, sepse është sulm dhe thikë pas shpine për pozitën dhe rrahje shpatullash e mbështetje për opozitën. E tmerrshme, askush nuk flet! Teksa bota është gati për revolucionin e radhës teknologjik, në Shqipëri luhet ende ndeshja e majtë- e djathtë. Miliona njerëz peng të një dyluftimi pa të cilin kam frikë se nuk bëjmë dot.

Duket se kaq pak gati jemi ne për ndryshime madhore, sa kur e mendojmë politikën pa ata, të lartpërmendurit, na duket një kotësi e madhe. Varësi e jashtëzakonshme! Nga problematikat më të papërfillshme te shqetësimet madhore, që të gjitha, kurdoherë, bien në nivelin “e majtë- e djathtë” të diskutimit. Ta ka ënda të dalësh në rrugë si një qytetar i ndërgjegjshëm dhe të protestosh për x gjë ama doemos të pozicionojnë në një nga dy anët e vetme te shumëanëve. Kështu ka qenë përherë, kështu do jetë dhe për ca kohë, shumë kohë, nuk e di sa kohë.

Ende sot, vazhdojmë të votojmë njërin krah apo tjetrin thjesht dhe vetëm se familjarët janë me atë parti, se kështu na kanë mësuar që të vegjël, se jemi nga veriu, jugu apo se nuk gjejmë më mirë. Pavarësisht edukimit apo preferenvace të mia, ajo që kërkoj është një jetë më e mirë, ose të paktën të nis të jetoj më mirë. Nuk më interesojnë protestat- fasadë, morali i rrejshëm apo shtrimi për të disatën herë i rrugëve të qytetit, kur periferitë janë tmerr.

Sado përpiqen në dukje, këta politikanë s’mund t’i përfaqësojnë dhe nuk i lidh gjë me të rinjtë e talentuar, vizionarë, të çiltër, që s’duan t’ia dinë për mllefet apo broçkullat e së shkuarës, por duan të bëjnë para dhe të lënë të shkuarën pas, shumë pas.

Dëgjoj të thuhet se ne shqiptarët jemi ndoshta populli që meremi më shumë se kushdo tjetër me politikë. Ja që politikë dëgjojmë gjithë kohës, politikë na serviret dhe politikë s’dimë të bëjmë. Pas shumë më pak se 48 orëve, vendi hyn në zgjedhje. Disa do shkojnë të votojnë për të ruajtur vendin e punës, të tjerë do mungojnë si shenjë revolte dhe dëshire për rrëzim qeverie, e ndërsa që të gjithë mbetemi unanimisht spektatorë.

Politika s’mund të bëjë dot histori; historinë mund ta shkruajë vetëm duke paketuar plaçkat, ikur dhe ç’liruar këtë vend. E teksa situata në vazhdim do të percillet tek- tuk në mediat ndërkombëtare, shqiptarët vështirë se janë gati për ndryshime spektakolare. Historia s’është pika jonë më e fortë!

Nga Denisa Skodi

U desh një virus, t’kujtoheshim se jemi njerëz!

Ironike, ë? Planeti i çmendurive teknologjike, sot vuan për një shtrëngim duarsh apo shëtitje në qytet. Ke celularin më të fundit, divan shumëfunksional, shtrydhëse të pastës së dhëmbëve, ama jo lirinë për të dalë në rrugë. Je i kamur dhe prapë s’ke mjaftueshëm para të blesh një përqafim. Të ka mbaruar shampoja me shegë e trupit, por s’e ke fort mendjen aty. Do të dalësh gjallë nga kjo histori. Gjallë ti, gjallë fëmijët e tu që t’u bë kohë pa i parë kaq gjatë. Po punoje për të ngritur një kat të dytë, blerë një makinë më të mirë, një tjetër shtëpi. Pse një, kur mund të kishe 2,3… më shumë, shumë më shumë. Ti që deri dje ishe dhënë pas sipërfaqësores, dukjes, sot ke rënë në grackën e përmbajtjes. Na plaska ende për ndjenja! S’qenkemi robotë, akoma…

Ne që pak më parë bisedonim për transplante, negociata apo seks virtual, sot po flasim për larje duarsh, lëng të freskët portokalli dhe përkujdesje. Ja ku u rikthyem te jetikja, primitivja. Rigjetëm veten!

Interesante si në fare pak kohë, jeta e të gjithëve huazoi një emërues të përbashkët: izolimin. Brenda deputeti, brenda këpucari i lagjes, avokati, estetistja dhe komshiu fodull. Papritur u zeruan gradat, kursimet, titujt apo followers-at; të gjithë njësoj, të gjithë përballë Covid-19. S’mund t’i dredhosh, shpëtosh me ryfshet, ligësi, famë apo pushtet. Jo këtë herë!

A kam frikë? Jo pak. Mall? Shumë. Pa mendojeni, po ndjejmë sërish. Një skenar horror, me arkivole, krematoriume dhe lot, por dhe një etje e madhe për të jetuar, sapo të dalim nga ku jemi.

Ku jemi sot? Në pikën që s’e menduam kurrë se do të mbërrinim. Të verbuar nga forca e gënjeshtërt e njeriut modern, kujt i shkoi në mendje se mund të kërcënoheshim nga një virus. Ndoshta ndonjë shtet periferik, nga ato të botës së tretë që s’para na interesojnë. Por kaos në Europë? Kurrën e kurrës. Ushtri, postblloqe, izolim, mijëra viktima? E pra, ja që po!

Diku lexova se kjo është koha perfekte për të lënë cigaren. Mendoj se është koha ideale për të lënë celularin gjithashtu. Do të jetë bashkudhëtari ynë i këtyre ditëve, ndaj gjasat janë të mëdha të jemi ngopur e velur me të, kur të dalim që këtu.

Në ditë si këto, pasigurie e ankthi, shumë betohen dhe premtojnë se do t’i bëjnë gjërat ndryshe. Do vrapojnë më shpesh, kërcejnë më shumë, zhyten, hidhen apo puthen, kur gjithë ky tmerr dhe histerizëm të marrë fund. Mes dhimbjesh, njerëzit po bëjnë plane për të jetuar.

Nuk di ç’do ndodhë me ne, kam lexuar pafund teori konspirative, nga më fantastiket te më alarmantet. Çfarëdo qoftë, ndjej se gjërat s’do jenë më njësoj, ditën kur do të dalim jashtë. Më tremb aq sa mezi pres. Korona na shkundi të gjithëve, duhet ta ketë bërë. Nëse jo, sa keq….

Nga Denisa Skodi

Jepuani atë dreq pene, ta ndryshojnë këtë vend

E dini çfarë është tjetër e vështirë në Shqipëri? Të jesh gazetar! Dëgjon sa në një cep në tjetrin të flitet për vështirësitë e gjithfarëlloj profesioni, ama ndesh një mungesë interesi dhe rrudhje buzësh, sa herë fjala bie te gazetarët. Kushedi, mbase njerëzia s’ka fort faj.

Pak ditë më parë u publikua indeksi i lirisë së medias në botë. Shqipëria renditej e 84-a, 14 vende poshtë Kosovës. Mund të kish’ qenë tema perfekte e atyre që shtrydhin çdo lajm periferik për të sajuar editorialin e radhës, por zor se folën. Pse? Siç ndodh, çdo shkrim të këtij lloji i faturohet në publik një rrezik i mundshëm; ngjyresa politike. Kush do ketë shkruar dy rreshta rebelimi, do e kenë renditur në radhët blu dhe pagëzuar kundërqeveritar.

Kështu, nis e mendon se ky vend do bëhet, ditën kur të mësojë se Toka nuk rrotullohet rreth rozës dhe blusë. Mund të çohesh dhe kundërshtosh ndotjen, ndërtimet, pa qenë domosdoshmërisht në njërin krah a tjetrin. Në do të kish’ një ferr për gazetarinë, kjo e jona do t’i përkiste një ndër rrathëve më problematikë të llojit të saj; e cungët, kopjace, gjithë dredhi e pa këllqe. Të rinj që shkelin gjurmët e shefave për të zaptuar diçka, ideale që thyhen që në punën e parë, fshirje ëndrrash, gojë që mbyllen, mendime brilante që s’hidhen kurrë në letër.

Rastësia deshi ta bisedoja me dikë të gjithën këtë. “Me ata tjerët ishte më keq”, u desh kjo përgjigje që të hiqja dorë e ta lija me aq, ishte e kotë me të.

Kurrsesi s’kam besuar në vërtetësinë absolute të medias, gjykoj se si çdo pushtet tjetër gëzon dritëhijet e tij. A do ta justifikonim për hir të kësaj një kronikë që mendohet mirë, pritet e rregullohet, sepse një kryetari bashkie mund të mos i pëlqejë, a do ta justifikonim për hir të kësaj t’i trembesh bërjes së një kritike, sepse dikush mund të të telefonojë, të të kujtojë sa i vogël je dhe sa lehtë mund të shtypesh? A justifikohet të mos bësh zë? Ta përlyesh veten në llogoret e qokave, sepse me këtë filozofi ecën televizioni, gazeta ku punon. Të kesh një mendim kundër dhe të nxitosh ta hedhësh në një portal qartësisht të njëanshëm, sepse gjëkundi tjetër s’të pi ujë.

Kaq shumë web-e që ngrihen, por pak liri. E rrëfejnë këtë profesionistët e rinj teksa turfullojnë me kolegët në pushimin e drekës; e dëshmojnë studentët e sapopunësuar, që kanë nisur të marrin disi erë nga gjithë ky mekanizëm, e me rebelimin e moshës s’ngurojnë të nxijnë faqet e ndonjë pyetësori mbi lirinë e fjalës. Një gjuhë e përbindshme që thith kotësi e dhunë, e s’harron të lëpijë qeveritarë, opozitarë e VIP-a.
Pastaj ndodh të lexosh diku një artikull për së mbari, diçka të kopsitur mirë e bukur, një kritikë të pastër, pa inate personale dhe kupton sa i etur je të lexosh dikë që i mendon vërtet ato që shkruan. Ke nevojë t’i besosh dikujt. Por nëse stepesh ta listosh si të veshurën më keq në event, një artiste mesatare a çfarëdo qoftë, ç’mund të thuhet për deklaratën e një deputeti që ti mendon se s’shkon? Harroje, nëse s’do t’i prishësh vetes punë.

Joshesh nga dëshira e ethshme për të bërë gazetari, ashtu siç të është predikuar në auditoret e shkollës, pa kuptuar se do të shkelësh në dërrasë të kalbur, ose s’do të jepet mundësia ta vendosësh kurrë këmbën në një tillë, madje as t’i afrohesh. Vrapon me ëndrrën se sot do t’i gjendesh pranë këtij vendi, do çjerrësh maska, do buçasësh probleme e diç do lëvizë, por heshtja ta pret hovin. Mësues që i druhen kamerës, ngurojnë të thonë se po, gjatë dimrit në klasë bën ftohtë. Punëtorë të administratës që të kundërshtojnë prerazi, s’mund të flasin me zë e figurë. Kështu, të mbetet të lëvizësh gurin e fundit. Të mbash vesh për skamjen e ndonjë familjeje. Fundja ata s’kanë më çfarë të humbasin. Nuk u tremben partive, opinionit, asgjëje. Varfëria s’pyet. Mund të bësh një goxha lajm!

Ndaj ashtu në heshtje i nënshtrohesh edhe ti evolucionit poshtërues nëpër të cilin po endet gazetaria. Gjendesh përpara tastierës dhe duket se s’ke fort mundësi zgjedhjeje. Nëse nuk ke ndërmend të tentosh njëherë ta zhbësh të keqen, nëse vendos të mos pozicionohesh në asnjë anë e kurrsesi të mbrosh interesat e dikujt, s’të mbetet veçse të gërmosh gjëkundi nëpër artikuj të huaj e të përshtasësh diçka në shqip. Kështu je mirë me të gjithë.

Një penë mund të ndryshojë botën. Mundet vërtet! Pushteti i fjalës ka mbajtur njerëz nën tutelë e injorancë përgjatë historisë. Po për t’i qytetëruar e ardhur në ndihmë? Fjala sërish.

Sidoqoftë, ky vend s’është pa gjë. Në ka diçka që s’ia zë dot rrugën, ajo është fjala, bën ç’bën e gjen shtegun dhe rrjedh. Për sa kohë ka energji rinore dhe ideale të paprekura, gjërat këtu premtojnë për më mirë. Mund, do të, duhet.

Nga Denisa Skodi