Aplikacion
E mbylli 2020-ën me fitore dhe e nisi 2021-shin në të njëjtën mënyrë, pasi mposhti Crotonen me rezultatin 6-2 dhe regjistroi suksesin e 8 radhazi në kampionat. Kështu Inter u ngjit përkohësisht në krye të renditjes me 36 pikë. Por Milani e rimori kreun pasi fitoi në transfertë ndaj Beneventos.
Zilaltrit u befasuan që në minutën e 11′, pasi Crotone kaloi ne avantazh me Zanellaton gjatë zhvillimeve të një këndoreje, megjithatë reaguan mjaft mirë, duke barazuar me anë të Lautaro Martinez dhe gjetur golin e avantazhit pas një devijimi të pafat të Marrones në portën e tij.
Megjithatë në minutën e 36′ Arturo Vidal solli një tjetër konfirmim se është larg formës më të mirë, pasi shkaktoi një penallti naive dhe krejtësisht të panevojshme ndaj Reca-s, të cilën e ekzekutoi saktë mbrojtësi serb Golemiç, duke rikthyer baraspeshën.
Në fillim të pjesës së dytë Conte la në pankinë Vidalin dhe hodhi në fushë Sensin, ndërsa Interi mori menjëherë kontrollin e lojës dhe arriti të shënojë plot 4 herë deri në vërshëllimën finale, dy herë me Lautaron, që kompletoi tripletën personale sot dhe nga një me Lukakun e Hakimin, të cilët vulosën suksesin tenistik.
Me 40 gola në 15 ndeshje, zikaltrit konfirmohen si skuadra me sulmin më të fortë në kampionatin italian dhe njëkohësisht hedhin zyrtarisht kandidaturën për të shkuar te titulli kampion.
Dy vajza të mitura, 16-vjeçare janë denoncuar nga familja e tyre se janë larguar nga banesa.
Policia thotë se denoncimi është bërë në datën 1 janar, ndërsa dy vajzat tashmë janë shpallur në kërkim, por deri tani nuk ka asnjë informacion.
“Më datë 01.01.2021, shtetasja A. A dhe shtetasi L. H, kallzojnë se janë larguar nga banesa dhe nuk janë kthyer vajzat e tyre të mitura 16-vjeçare, shoqe me njëra-tjetrën. U bë shpallja në kërkim dhe punohet për gjetjen e tyre”, thotë policia.
Dyshohet se vajzat janë larguar në një nga vendet e rajonit, ku shqiptarët mund të lëvizin lirshëm në këtë periudhë të kufizimit të lëvizjes për shkak të pandemisë.
Dëborë në zonat malore, temperaturat do të ulën deri sërishGjatë ditës së nesërme vendi ynë do të jetë me kthjellime të pakta dhe vranësira të shpeshta, të cilët herë pas herë do të gjenerojnë reshje shiu në Ultësirën Perëndimore.
Sipas Meteoalb, dita e nesërme do të shoqërohet edhe me reshje dëborë në zonat malore.
Sa i takon temperaturave të ajrit, në mëngjes ato do të ulen, por do të rriten sërish në mesditë duke luhatur vlerat nga -4 deri në 13 gradë.
Era do të fryjë e lehtë në tokë dhe mesatare në det me shpejtësi 45 km/h, duke krijuar dallgëzim mbi 4 ballë.
Shkëlqimi dhe rënia e dinastisë MediçiAjo ishte një nga familjet më të pasura dhe më të fuqishme në Evropë. Prej saj dolën 2 mbretëresha, 3 mbretër dhe 4 papë. Si sundimtarët de fakto të Firences për gati 300 vjet, Mediçit krijuan bazën e Rilindjes Italiane.
Por para se t`a ngrinin perandorinë e tyre, Mediçi e nisën si fermerë të varfër nga Kafaxhiolo në veri të Toskanës. Nga fundi i shekullit XIII-të, Xhovani di Biçi de Mediçi e ndryshoi origjinën e përulur të klanit të tij me themelimin e një banke të suksesshme.
Për të plotësuar statusin e ri, familja trilloi një prejardhje po aq mbresëlënëse. Sipas legjendës së përhapur prej tyre një i afërm i largët me emrin Averardo luftoi si një kalorës kundër Karlit të Madh të Frankëve. Në vitin 1537, Perandori i Shenjtë Romak Karli V i dha zyrtarisht familjes fisnikërinë që ata dëshironin duke themeluar Dukatin e Madh të Toskanës.
Perandoria bankare e familjes Mediçi do të zgjerohej me shpejtësi, për t’u bërë institucioni më i madh financiar në Evropë, me degë në Napoli, Gjenevë dhe Londër. Lista e gjatë e klientëve të pasur përfshinte edhe Vatikanin, duke krijuar një aleancë të fortë që u solli shumë fitime.
Nën drejtimin e Kozimo de Mediçit (djali i Xhovnait), Firence u bë qendra kryesore bankare. Fuqia e tyre ishte e tillë, sa që patën madje edhe “qasje”të drejtpërdrejtë tek Zoti. Në vitet 1500, 4 të afërm të tyre u zgjodhën si Papë, duke filluar me Papën Leonin X në 1513 vitin.
Por drejtimi i Vatikanit prej tij u shoqërua nga skandale dhe një shthurje e paparë. Ishin teprimet tij, ato që çuan drejtpërdrejt tek Reforma Protestante. Ata mbanin lidhje me figurat më të mëdha të shkencës. Kështu Galileo Galilei ishte i punësuar si mësues kujdestar i fëmijëve të kësaj familje
Si stërmbesa e Lorencos së Madhërishëm, dhe mbesa e Papa Klementit VII, Katerina e de Mediçi (Katerine e Madhe)ishte një nga gratë më të fuqishme të epokës së saj. Bukuria dhe zgjuarsia e saj, e lejuan të kishte de fakto pushtetin mbi Francën si një bashkëshorte e mbretit, regjente dhe më pas si nënë e 3 mbretërve.
Në moshën 14 vjeçare, Katerina u fejua me Henrin, djalin e mbretit francez Fransua I, duke çimentuar një aleancë strategjike dhe siguruar linjat e ardhshme mbretërore të gjakut. Ajo lindi 10 fëmijë, përfshirë monarkët Fransua II, Sharli IX dhe Henri III.
Gjithashtu, 2 nga vajzat e saj u bënë mbretëresha, përkatësisht në Spanjë dhe Francë. Ndikimi i Katerinës në shekullin XVI-të – veçanërisht gjatë Luftërave Fetare – e bëri atë një figurë sa të dashur nga disa aq edhe të urryer nga disa të tjerë.
Pavarësisht sa e meriton apo jo, Kaeterina u fajësua për masakrën e Ditës së Shën Bartolomeut, ku u vranë mijëra Hygenotë. Interesimi i përjetshëm i saj për okulten dhe marrëdhënia e ngushtë me fallxhorin legjendar Nostradamus, vetëm sa ia shtoi reputacionin e saj prej fajtoreje.
Kësaj familje i njihet edhe merita e shpikjes së akullores që njohim sot. Edhe pse shpikja e akullores daton që në Kinën e lashtë, varieteti i butë italian u krijua posaçërisht për familjen Mediçi. Në njërin nga variantet e historitë,një kasap i quajtur Ruxheri, fitoi një konkurs prestigjioz për krijimin e “pjatës më të pazakontë”.
Katerina u magjeps aq shumë nga ëmbëlsira e pazakontë sa që e mori me vete Ruxherin në oborrin mbretëror francez në Paris, për të gatuar për dasmën e saj në vitin 1533. Historia tjetër alternative, thotë se akullorja u krijua nga arkitekti i njohur italian Bernardo në vitin 1565.
Mbështetja e madhe e familjes Mediçi për shkencat humane, luajti një rol të madh në shkuarjen në Firence të artistëve më të mirë të Evropës. Mes talenteve ishte edhe një adoleshent premtues nga fshati i vogël toskan Kaprese, të cilin bota e njohu si Mikelanxhelo.
Në vitin 1490, 15-vjeçari pranoi ftesën për t’u zhvendosur me banim në Palazzo Medici.
Atje, ai u bë pjesë e familjes së famshme,ndërsa rafinonte aftësitë e tij të pazakonte artistike.
Mikelanxhelo do të merrte 3 porosi nga tre Papë të familjes Mediçi (Leoni X, Klementi VII dhe Piu IV).
Gjatë asaj periudhe, ai prodhoi disa nga veprat e tij më të mira, si skulptura e Moisiut dhe afresku i tij “Gjykimit të Fundit”, që mbulon murin e altarit të Kapelës Sistine. Gjatë mbretërimit të tyre të gjatë, Mediçit ishin vazhdimisht vigjilentë, pasi kishin bërë shumë armiq.
Në vitin 1478, familja Paci ndërmori një grusht shteti për të vrarë princat e familjes Mediçi, Lorenco dhe Xhulianon. Edhe pse vëllai i vogël vdiq nga plagët e marra, Lorenco mbijetoi dhe arriti të vrasë apo dëbojë nga qyteti rivalët e tij.
Një sulm tjetër, këtë herë nga një predikues radikal i quajtur Xhirolamo Savonarola, do të ishte më i suksesshëm. Frati puritan domenikan arriti të merrte kontrollin e Firences në vitin 1497, duke i inkurajuar mbështetësit e tij fanatikë të digjnin librat, veprat e artit dhe sende të tjera që konsideroheshin si “kotësi” të liga.
Por një vit më vonë, Savonarola u shkishërua dhe më vonë u ekzekutua me varje. Nëse historia na mëson ndonjë gjë, ajo është se asgjë nuk zgjat përgjithmonë, përfshirë dinastitë. Në vitin 1737, Xhan Gastone de Mediçi vdiq pa lënë asnjë trashëgimtar mashkull, duke i dhënë fund Dukatit të Madh të Toskanës. Megjithatë, motra e tij do të shpëtonte trashëgiminë e familjes.
Ana Maria de Mediçi, pasardhësja e fundit e drejtpërdrejtë e familjes, firmosi një pakt ligjërisht të detyrueshëm, për ruajtjen e veprave të artit në qytetin e Firences. Si rezultat,katedralet dhe muzetë e shumta, si Kapela Mediçi dhe Galeria Ufici, janë edhe sot të mbushura me thesare të paçmuara. / TopTenz – Bota.al
Shtatë sekretet e vitit 2020Një shtëpi prej letre. Një mori gënjeshtrash, të cilat ne i kemi pranuar në mënyrë të pavetëdijshme. Kështu na duken siguritë tona gjatë krizave të mëdha. Episode të tilla na tronditin, kur shohim se sa të pasigurta janë supozimet tona.
Kjo është arsyeja pse ky vit i ngjan një batice që tërhiqet shpejt, duke na detyruar të përballemi me të vërtetat lakuriqe. Dikur ne mendonim, me arsye të mira, se globalizimi kishte sfiduar qeveritë kombëtare. Presidentët kishin si prioritet tregjet e bonove. Kryeministrat i injoruan të varfrit e vendit të tyre, por asnjëherë “Standard & Poor’s”. Ministrat e Financave u sollën si batakçinjtë e “Goldman Sachs”,apo satrapët e Fondit Monetar Ndërkombëtar. Manjatët e medias, biznesmenët e naftës dhe financierët, jo më pak se kritikët e majtë të kapitalizmit të globalizuar, ranë dakord që qeveritë nuk ishin më në kontroll.
Pastaj na goditi pandemia. Brenda natës, qeveritë nxorën thonjtë dhe hapën dhëmbët e mprehtë. Ato mbyllën kufijtë ajrorë dhe tokësorë, vendosën nën mbikëqyrje të fortë qytetet tona, mbyllën teatrot dhe muzetë, dhe na penguan të përcillnim për në banesën e fundit prindërit tanë që vdisnin.
Madje ato bënë atë që askush nuk e mendonte të mundur para Apokalipsit:ato anuluan ngjarjet sportive. Në këtë mënyrë u zbulua sekreti i parë:Qeveritë kanë një pushtet të pandalshëm. Ajo që zbuluam këtë vit, është se qeveritë kishin zgjedhur të mos ushtronin kompetencat e tyre të mëdha, në mënyrë që ata që globalizimi i kishte pasuruar, të mund të ushtronin kompetencat e tyre.
E vërteta e dytë, është ajo për të cilën dyshuan shumë njerëz, por ishin shumë të ndrojtur për ta thënë:“pema e parave” është një dukuri e vërtetë. Qeveritë që shpallnin paaftësinë e tyre sa herë që u kërkohej të paguanin për ndërtimin e një spitali këtu apo një shkolle atje, zbuluan papritur një mal me para për të paguar pagat e biznesit privat, për të shtetëzuar hekurudhat, për të marrë përsipër linjat ajrore, për të mbështetur prodhuesit e makinave, madje edhe për të mbështetur financiarisht palestrat dhe sallonet e bukurisë. Ajo që normalisht na thonë qeveritë, është se paratë nuk rriten në pemë.
Greqia është një rast studimi perfekt i së vërtetës së tretë që u zbulua këtë vit:Aftësia paguese është një vendim politik, të paktën në Perëndimin e pasur. Në vitin 2015, borxhi publik i Greqisë prej 320 miliardë eurosh ishte shumë mbi të ardhurat kombëtare prej vetëm 176 miliardë eurosh.
Problemet e vendit ishin lajmet në faqet e paratë mediave në të gjithë botën, dhe udhëheqësit e Evropës ankoheshin për paaftësinë tonë paguese. Sot, në mesin e një pandemie që e ka përkeqësuar më tej një ekonomi në gjendje të keqe, Greqia nuk është më një problem, edhe pse borxhi ynë publik është 33 miliardë euro më i lartë, dhe të ardhurat tona 13 miliardë euro më të ulëta se në vitin 2015.
Fuqitë e Evropës vendosen që një dekadë e tutelës financiare ndaj Greqisë ishte e mjaftueshme, ndaj zgjodhën t`a shpallnin Greqinë si një shtet me aftësi paguese. Për sa kohë që grekët zgjedhin qeveri që vazhdimisht ua transferon oligarkëve çfarëdo lloj pasurie (publike ose private) që ka mbetur, edhe Banka Qendrore Evropiane do të bëjë gjithçka që dëshiron. Ajo mund të blejë sa më shumë bono të qeverisë greke, që të ruajë paaftësinë paguese të vendit.
Sekreti i katërt që nxori në pah 2020, ishte se malet e aseteve private të përqendruara që ne vërejmë, kanë shumë pak të bëjnë me sipërmarrjen. Unë s’kam asnjë dyshim se Xhef Bezos, Elon Mask, ose Uorren Bafet kanë aftësinë për të bërë para dhe për të diktuar tregjet.
Por vetëm një përqindje e vogël e plaçkës së tyre të akumuluar, është rezultat i krijimit të vlerës. Shihni rritjen e jashtëzakonshme që nga mesi i marsit të pasurisë së 614 miliarderëve të Amerikës.
931 miliardë dollarë shtesë që ata grumbulluan, nuk erdhën nga ndonjë risi apo zgjuarsi e tyre që u dha fitime shtesë. Ata u pasuruan pasi Bankat Qendrore e përmbytën sistemin financiar me para të fabrikuara që shkaktuan rritjen e çmimeve të aseteve, dhe kësisoj edhe pasurinë e miliarderëve.
Me zhvillimin, testimin, miratimin dhe shpërndarjen e shpejtë të vaksinave anti-Covid, u zbulua edhe një sekret i pestë:shkenca varet nga ndihma shtetërore, dhe efektiviteti i saj varet nga pozita e saj publike. Shumë analistë janë habitur për mirë me aftësinë e tregjeve për t’iu përgjigjur shpejt nevojave të njerëzimit.
Por nuk mungon as ironia:administrata e presidentit më anti-shkencë që ka parë ndonjëherë SHBA-ja, një president që injoroi, frikësoi dhe u tall me ekspertët edhe gjatë pandemisë më të rëndë në një shekull, shpenzoi 10 miliardë dollarë për të siguruar që shkencëtarët tëkishin burimet që u duheshin.
Por ka edhe një sekret më të madh:ndërsa viti 2020 ishte një vit i artë për kapitalistët, kapitalizmi nuk është më i tillë. Si është e mundur kjo? Si mund të lulëzojnë kapitalistët, ndërsa kapitalizmi evoluon në diçka tjetër? Shumë e thjeshtë:Apostujt më të mëdhenj të kapitalizmit, si Adam Smith, e vunë theksin tek pasojat e tij të padëshiruara.
Pikërisht sepse individët që kërkojnë fitime nuk kujdesen për askënd tjetër, ata përfundojnë duke i shërbyer shoqërisë. Çelësi për të shndërruar vesin privat në virtyt publik është konkurrenca, që i nxit kapitalistët të angazhohen në veprimtari që i maksimizojnë fitimet e tyre.
Në një treg konkurrues, kjo i shërben të mirës së përbashkët duke rritur gamën dhe cilësinë e mallrave dhe shërbimeve në dispozicion ndërsa ul vazhdimisht çmimet.
Sot nuk është e vështirë të shohësh që kapitalistët mund të bëjnë shumë më mirë,edhe me më pak konkurrencë. Ky është sekreti i gjashtë që ekspozoi viti 2020. Të çliruar nga konkurrenca, kompanitë gjigante si Amazon, dolën shumë mrekullisht nga shkatërrimi i kapitalizmit dhe zëvendësimi i tij nga diçka që i ngjan tekno-feudalizmit.
Por sekreti i shtatë që zbuloi ky vit, përfaqëson një mësim me vlerë. Ndërsa arritja e ndryshimeve rrënjësore nuk është kurrë e lehtë, tani është mjaft e qartë se gjithçka mund të jetë ndryshe. Nuk ka më asnjë arsye pse duhet që t’i pranojmë gjërat ashtu siç janë. Përkundrazi, e vërteta më e rëndësishme e vitit 2020, shprehet më së miri në aforizmin elegant të Bertolt Brehtit:“Për shkak se gjërat janë ashtu siç janë, ato nuk do të mbesin ashtu siç janë. Nuk mund të mendoj për ndonjë burim më të madh shprese sesa kjo zbulesë, e ndodhur në një vit të cilin shumica nga ne do të preferonin t`a harronin.”
Shënim: Yanis Varoufakis, ish-ministër i Financave në Greqi, udhëheqës i partisë MeRA25 dhe profesor i ekonomisë në Universitetin e Athinës. / Nga Yanis Varoufakis – Project Syndicate – Bota.al
Një astronaut kanadez fluturon drejt HënësRadio Canada ka bërë të ditur sot që një astronaut kanadez do të marrë pjesë në udhëtimin e ardhshëm me njerëz drejt Hënës. Lajmi i referohet deklaratës së Ministrit të Inovacionit, Shkencës dhe Industrisë Navdeep Bains.
Ministri Bains ka pohuar që Agjencia Kanadeze e Hapësirës dhe NASA kanë nënshkruar Traktatin e Stacionit Hapësinor Gateway në bazë të cilit Kanadaja do të marrë pjesë në misionet Artemis që do të realizojnë ndërtimin e një stacioni të ardhshëm hapësinor hënor. Traktati në fjalë gjithashtu parashikon që një astronaut kanadez të jetë pjesë e misionit Artemis II në 2023, misioni i parë hënor me njerëz që prej vitit 1972.
Emri i astronautit kanadez i cili do të marrë pjesë në ekuipazhin e ardhshëm hënor nuk dihet ende. Gjithmonë ky vendim merret sa më vonë që të jetë e mundur çka krijon kohë të mjaftueshme për trajnim ka shpjeguar me tone entuziaste në një intervistë me ICI RDI astronauti kanadez me origjinë nga Québec City, 50 vjeçari David Saint-Jacques, sipas të cilit, “ky është një lajm mahnitës, që duhet t’i bëjë krenarë të gjithë qytetarët kanadezë”.
Ndërkohë, disa kompani kanadeze do të marrin pjesë në procesin e përgatitjes së Canadarm 3 të destinuar për stacionin Gateway, që do të kontrollohet në distancë nga një qendër kontrolli në Kanada. Evropa dhe Japonia gjithashtu janë pjesmarrëse në këtë projekt ndërkombëtar.
Anija kozmike Orion – Foto NASA
Kapsula Orion do të jetë anija kozmike që do të lejojë transportin e ekuipazheve të misioneve Artemis. Stacioni Gateway, ndryshe nga Stacioni Ndërkombëtar i Hapësirës (ISS), nuk do të ketë ekuipazh të përhershëm në bordin e vet, ndërsa misionet me njerëz do të shkojnë atje të paktën një herë në vit. Canadarm 3 do të jetë përgjegjës për pjesën më të madhe të funksionimit të tij. Si në rastin e ISS, modulet e stacionit do të bashkohen me radhë një nga një. Dy modulet e para do lëshohen drej hapsirës në të njëjtën kohë në vitin 2023, pastaj do të shtohen module të tjera.
Stacioni hënor Gateway do të përbëhet nga module të kërkimit shkencor dhe module të banueshme. Katër astronautë do mund të jetojnë atje për një maksimum prej tre muajsh në të njëjtën kohë. Ata parashikohet të zbresin mbi sipërfaqen e Hënës për të kryer eksperimente shkencore dhe për të testuar teknologji të reja. Kësisoj, Gateway do të stërvisë astronautët për misione të gjata në përgatitje të udhëtimeve drejt planetit Mars.
Ilustrim artistik i Stacionit hapësinor Gateway – Foto NASA
Misionet Artemis
Artemis I planifikuar për në vitin 2022: fluturim provë pa pilot i anijes Orion.
Artemis II i planifikuar për në vitin 2023: Fluturimi i parë me personel i Orionit.
Artemis III i planifikuar për në vitin 2024: femra e pare astronaute në Hënë dhe pas saj një astronaut mashkull.
Platforma e hedhje së raketave NASA
Grishje në vend të urimitMiq,
Para se të fillojë vërshimi i urimeve për vitin e ri 2021 dhe të “përmbyteni” prej tyre, dëshiroj t’ua uroj me disa fjalë të thjeshta ndërrimin e viteve.
Ndërsa falenderojmë Zotin për vitin që lamë pas, sigurisht që duam një vit të ri më të mirë, pa problemet e rënda me të cilat na shoqëroi 2020-ta. Në të vërtetë, a nuk është ky urimi që bëjmë çdo vit? A nuk themi çdo vit: “Qoftë një vit më i mirë ky që po vjen! Me i mirë se ai që iku!”?
Edhe unë mund t’ju uroja me të njëjtat fjalë: “2021-shi qoftë një vit më i mirë për çdonjërën prej familjeve tuaja dhe për secilin prej jush!”
Por më lejoni të shtoj diçka: mos ta lëmë foljen e urimit në mënyrën dëshirore, sepse kam një lloj droje, sikur i nënshtrohemi një farë fataliteti e presim një ndryshim që vjen nga jashtë, nga të tjerët.
Viti nuk ka si të jetë më i mirë vetvetiu, nëse ne nuk e bëjmë atë më të mirë. Viti, koha, jemi ne. Prandaj në vend të një urimi, këtë herë dëshiroj t’ju bëj një grishje.
O burra ta bëjmë më të mirë këtë vit!
Ta bëjmë më ndryshe këtë kohë që po vjen, për vete dhe për familjet tona; për atdheun tonë e për të ardhmen e tij. Të marrim në dorë përgjegjësinë tonë për të ndryshuar veten dhe çka na rrethon, familjen dhe shoqërinë, vetveten dhe të afërmin. Punët e mira që kemi bërë këtë vit, t’i bëjmë akoma më të mira dhe të këqijat t’i ndryshojmë me angazhimin tonë. Po, po! Me angazhimin tonë dhe të mos i delegojmë vendimet dhe përgjegjësitë tona te askush.
Një vit është një rrotullim rreth diellit, rreth dritës. Edhe kur është terr, përsëri rreth dritës sillemi. Po edhe terri na duhet ama, së paku për të shijuar dritën kur të vijë e nesërmja. Ndaj ta marrim në dorë çdo ditë jetën tonë dhe të ngulim sytë tek e nesërmja, tek drita të cilën për momentin ndoshta nuk e shohim, por që është aty.
Ta bëjmë më të mirë 2021-shin!
Bëjeni më të mirë 2021-shin!
Ky është urimi im dhe bashkë me të ju dërgoj një përqafim për secilin prej jush!
©Dom Gjergj Meta
Bukurie Voka, shqiptarja që punon si shofere urbani në ItaliBukurie Voka jeton në Itali prej 13 vitesh, ku aktualisht punon si shofere autobusi. Historia e saj ka tërhequr vëmendjen e mediave të shtetit fqinj, si Corriere della Sera.
Ajo që e bëri atë të bëhet një simbol i emancipimit dhe integrimit të femrës, sidoqoftë, është shamia që mban, duke dëshmuar besimin e saj, por, mbi të gjitha, se dikush mund dhe duhet të besojë në një të nesërme në të cilën distancat midis kulturave nuk janë ato anësore, por mund të lidhen në disa “ndalesa” në rrugën e tolerancës, të mundësive konkrete të barabarta, të respektit të thellë të diversitetit.
“Ajo që bëj për mua është shumë më tepër sesa thjesht një punë sepse çdo ditë kam sigurinë të jem e dobishme për njerëzit”, shpjegon Bukurie me zërin e qetë të dikujt që ndihet si një person i përmbushur.
E divorcuar dhe me një vajzë adoleshente, ajo arriti në Itali 13 vjet më parë, duke ndaluar në Bolonjë përpara se të vendosej përgjithmonë në Merano rreth një dekadë më parë. Pastaj, duke filluar nga gushti 2019 , ishte pika e kthesës: ajo u punësua nga Sasa si shofere.
“Unë gjithmonë kam bërë punë që më kanë lejuar të jetoj me dinjitet – thotë ajo -. Para se të merrja autobusët, në fakt, unë punoja në një depo frutash në Gargazzone”.
Një trajektore njerëzore, ajo e Bukuries, e cila kapërcen pengesat dogmatike dhe klishetë arkaike.
Prandaj, një përvojë që është e mirë për t’u rikthyer, veçanërisht në këtë 2020 të shkatërruar nga Covid, në të cilën kishte shumë pak arsye për të buzëqeshur.
Si muslimane, si ndiheni që jeni bërë simbol i emancipimit dhe integrimit femëror?
“Jam e lumtur nëse njerëzit më shohin si një simbol pozitiv. Sidomos nëse historia ime mund t’u japë shumë grave që përpiqen të arrijnë qëllimet e tyre pa u kushtëzuar aspak. Duke thënë këtë, duhet të them se gjatë shumë viteve që kam jetuar këtu, unë kurrë nuk jam ndjerë e përjashtuar ose viktimë e racizmit. Në Sasa, pra, kam një marrëdhënie të mirë me të gjithë “
Si lindi kjo zgjedhje për tu bërë shofer autobusi?
“Ishin dy momente vendimtare. E para ka ndodhur kur isha duke punuar në Gargazzone. Atje, shpesh mbaroja vonë dhe nëse nuk mund ta kapja autobusin në kohë, për mua do të thoshte të prisja një orë në të ftohtë ose në errësirë. Një ditë rastësisht u vonova, por shoferi, duke më parë duke vrapuar, ishte aq i mirë sa të më priste. Një gjest që disa mund ta konsiderojnë banal, por që nuk e kam harruar kurrë. Arsyeja e dytë është takimi me shoqen time Maria, e cila tashmë ishte shofere. Ajo vazhdonte të më thoshte provoje … provoje … derisa u binda vërtet ta bëja”.
Dhe si e priti familja juaj në Shqipëri?
“Prindërit e mi ishin mjaft të befasuar, sepse në fillim u shmanga t’ia tregoja. Unë u përmbajta paksa duke mos ditur se si ata do të prisnin lajmin. Pastaj, duke e parë veten entuziaste për punën dhe të sigurt për atë që po bëja, vendosa t’i tregoja atyre për këtë. Ata më kuptuan dhe më mbështetën, gjithashtu sepse ndiheshin të lumtur dhe të qetë. Nëse ata do të kishin shqetësime se unë do ta mbaja shaminë, nuk më thanë kurrë “.
A keni dëgjuar ndonjëherë ndonjë shaka me shije të keqe nga ndonjë koleg mashkull në lidhje me faktin se keni qenë një shofere femër dhe për më tepër me shami?
“Jo, përkundrazi … një miqësi është krijuar gjithashtu me shumë prej tyre. Unë do të thoja që ata janë të lumtur që më kanë në punë. Pastaj, të gjitha gratë, pavarësisht nga përkatësitë e tyre fetare, kanë të drejtë të bëjnë atë që duan të përmbushin veten si njerëz. Për shembull, unë me të vërtetë i admiroj gratë police”.
Nga udhëtarët në vend?
“Jo drejtpërdrejt. Dikur, një person që unë e njihja solli bisedën e dy zonjave. Njëra prej tyre e pa të çuditshme që unë kisha një shami dhe drejtoja një autobus. Për të cilën ishte vetë bashkëbiseduesi i saj që tha se unë isha mirë në të dhe se në Sasa ata dinë kë të punësojnë. Në përgjithësi, udhëtarët janë shumë të mirë dhe të respektueshëm ndaj meje”.
Sasa punëson njerëz të njëzet kombësive të ndryshme. Çfarë atmosfere ka në kompani dhe çfarë vlerësoni më shumë për këtë mjedis multikulturor?
“Ekziston një humanizëm i madh: shumë kolegë gjithmonë e kanë treguar veten të jenë altruist dhe të dobishëm. Tek ne nuk është e rëndësishme nga vini por si dukeni dhe si silleni”.
Si mendoni se do të shihej një grua me vello duke drejtuar një autobus në Shqipëri?
“Sinqerisht nuk e di. Ndoshta do të dukej e çuditshme, por do të doja që ajo të trajtohej me respekt, pikërisht siç ndodh këtu”.
“Shtëpia e Byrekut”, një sukses shqiptar në SuediMilaim Makolli jeton prej më shumë se 30 vitesh në Suedi, ku aktualisht është sipërmarrës gastronom. Rrugëtimi i tij nuk ka qenë shumë i lehtë teksa u largua nga Kosova në vitin 1991 për në Shqipëri e më pas shkoi drejt Suedisë si një zgjedhje e vëllezërve të tij.
Sot është një biznesmen i suksesshëm atje, teksa vendosi për 100-vjetorin e pavarësisë të hapë “Burek House” (Shtëpia e Byrekut) një restorant mjaft i pëlqyer në Malmo si për shqiptarët dhe për të huajt. Interesant është fakti se Milaimi të gjithë punonjësit i ka shqiptarë nga të gjitha trevat dhe kjo është një zgjedhje e tij.
Restoranti ka gatime tradicionale të trevave shqiptare, por Milaimi do të dëshironte shumë që dhe produktet të shkonin nga vendlindja.
“Do të ishte shumë mirë për ne sepse gatimet tona tradicionale do e kishin shijen tamam shqiptare vetëm atëherë kur të kishin produktet që vijnë nga vendi jonë. Ne në mugnesë të këtyre produkteve kemi vështirësi ndoshta që ta arrijmë atë që dëshirojmë me gatimet tona”, thotë ai në këtë intervistë për “Diaspora Shqiptare”.
INTERVISTA
Z. Makolli prej 30 vitesh jetoni në Suedi ku jeni sipërmarrës gastronom. A mund të na rrëfeni për vështirësitë e fillimit tuaj në një shtet të ri, pse zgjodhët Suedinë?
Të them të drejtën kanë kaluar mëse 30 vite dhe kur sot po i krahasoj vështirësitë që kam pasur atëherë në një shtet siç është Suedia dhe krahasim me vështirësitë që po ndodhin sot në vendlindjen time, në Kosovë, por jo dhe larg nesh në shtetin shqiptar. Nuk mund ta gjej përgjigjen e duhur. Sido që të jetë ka qenë shumë e vështirë. Vendimi që të lëshohet vendlindja nuk ka ardhur nga dëshira, por nga dhuna dhe terrori që në atë kohë zhvillonte okupatori serb në Kosovë. Vendimi që unë të lëshoj Kosovën asesi ska qenë që unë të largohem në perëndim dhe nuk e kam bërë atë, sepse strehimi i parë i imi ka qenë shteti amë shqiptar, qysh në vitin 1991. Kur e thashë më herët krahasimin mes vendit ku jetoj sot dhe vendlindjes apo shtetit amë mund të them se pas qëndrimit tim në Shqipëri për 3 muaj dhe pas asaj vështirësie të jetesës që u bënte në kohën e tranzicionit që kishte Shqipëria e domosdoshme ishte të merrej vendimi që të gjej një vend ku unë doja të jetoja dhe strehoja familjen time. Suedia u përzgjodh, jo që dija diçka as shumë për Suedinë në krahasim me shtete të tjera evropiane që kisha njohuri po si shkas ishte sepse gjatë kohës sime të qëndrimit në Shqipëri dy vëllezërit e mi ikën nga Kosova dhe u strehuan në Suedi dhe pas asaj mora vendimin dhe unë që të bashkohem e të jem afër tyre.
Prej vitesh menaxhoni Burek House në Malmo të Suedisë, ku kryefjala e shërbimit janë pikërisht gatimet tradicionale të Shqipërisë dhe Kosovës. Nuk ka si buka e mëmëdheut është shprehja e shqiptarëve jashtë vendit, si ruhet kjo traditë dhe pjatat tradicionale?
Sinqerisht ju them unë me biznese jam marrë që nga 1996 atëherë kur dhe kam arritur që të marr qëndrimin në Suedi dhe të drejtën e punës këtu. Kryesisht kam filluar me gastronomi, por kam pasur dhe agjenci turistike dhe pas disa problemeve edhe shëndetësore, unë kam pushuar një kohë të gjatë, deri në vitin 2012, kur dhe vendosa që të hapë restorantin me gatime tradicionale që quhet “Burek House” dhe pikërisht rezultoi që ajo të jetë në 100-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë dhe aty me logon e restorantit tonë vendosëm dhe simbolet e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Është e vërtetë që në biznesin tonë kanë kaluar më shumë se 40 punëtorë, apo më mirë ti quaj bashkëpunëtorë, që prej 8 vitesh që kanë qenë të gjithë shqiptarë ku dhe sot punojnë diku 13 punëtorë në bizneset e mia që janë të gjithë shqiptarë, dhe nga të gjitha viset shqiptare që unë në një farë mënyre e kam titulluar “Shqipërinë etnike” në miniaturë. Në shërbejmë ushqimet tona tradicionale dhe prodhojmë, apo gatuajmë çdo ditë këto ushqime. Kuzhinierët tanë janë nga të gjitha viset, siç thashe dhe më herët që janë familjarë nga Tetova, kemi nga Prizreni, Tirana, Tepelena dhe pjesë të tjera të trojeve tona shqiptare.
Unë personalisht jam nga Prishtina dhe me profesion jam agro-ekonomist, por skam qenë kurrë gastronom.Në Suedi më solli puna që të bëhem dhe gastronom. Përveç këtij biznesi ne kemi dhe një restorat tjetër ku dhe aty punojnë bashkëpunëtorët e mi nga Tirana. Ne punojmë dhe japim konsulencë dhe për çështje ekonomike dhe leje pune në bashkëpunim me Migracionin Suedez. Këto falë fëmijëve që i kam me profesion ekonomist apo editor i certifikuar si dhe vajzës në përfundim të juridikut.
Krahas shqiptarëve na tregoni pak për përshtypjet e të huajve kur vijnë në restorantit tuaj, interesin për produktet tona?
Me thënë të drejtën në fillim ka qenë pak e vështirë, por tani kemi arritur mund të them dhe kulmin, sepse restorantin tonë e frekuentojnë komunitete nga e gjithë bota dhe në kohën e COVID kur gastronomia ka pësuar rënie gjithë andej në Europë, fati i mirë është që shërbimi dhe kualiteti i ushqimit tonë ka bërë që të mos e ndjejë fare këtë krizë. Përkundrazi, këtë vit jemi më mirë se vitin e kaluar. Kjo falë punës dhe përkushtimit të njerëzve që punojnë dhe pa lodhje në këtë restorant. Natyrisht, kjo punë e madhe që bëhet u ka lënë përshtypje shumë të mirë të gjithë komuniteteve që e frekuentojnë restorantin tonë dhe për këtë i jam shumë mirënjohës së pari stafit.
Mund t’ju them sinqerisht se ne punojmë me produkte qumështi dhe mishi që janë produktet kryesore dhe fatkeqësist as Shqipëria dhe as Kosova nuk ka arritur që të bëjë eksportimin e këtyre produkteve jashtë vendit. Këto kanë një mungesë në Suedi përveç atyre që vijnë produkte bujqësore, që në momentin që vijnë në Suedi ne gjithësesi i fusim në kuzhinën tonë. Pse nuk janë këto produkte në tregun suedez, si produktet e qumështit dhe mishit, do të doja që ta shihni në Shqipëri e Kosovë dhe gjithëandej ku janë viset shqiptare. Do të ishte shumë mirë për ne sepse gatimet tona tradicionale do e kishin shijen tamam shqiptare vetëm atëherë kur të kishin produktet që vijnë nga vendi jonë. Ne në mugnesë të këtyre produkteve kemi vështirësi ndoshta që ta arrijmë atë që dëshirojmë me gatimet tona.
Si është situata aktualisht në Suedi për shkak të pandemisë, sa vështirësi keni në biznesin tuaj?
Suedia ka qenë shteti i vetëm që ka udhëhequr një politikë ndryshe nga të gjitha shtetet e Europës dhe nuk ka pasur mbyllje totale. Kohët e fundit mund të them se pandemia ka nisur të jetë shumë më e vështirë se sa më herët. Natyrisht, politikat suedeze që i ka mbajtur gjatë gjithë vitit ka ndikuar pozitivisht në ekonomi, mirëpo tani situata është rënduar në shëndetësi dhe shpresojmë që kjo të përfundojë sa më shpejtë, përndryshe dhe këtu do të ketë ndikim negativ. Suedezët nuk dënojnë, por rekomandojnë. Shquhen si popull i dëgjueshëm dhe porsa qeveria jep një rekomandim ata respektojnë me përpikmëri. Deri më tani mund të them se ia kanë arritur, po nuk do të thotë se nuk janë dorëzuar tashmë në fund.
Përsa i përket komunitetit shqiptar në Suedi, sa të lidhur dhe të organizuar janë shqiptarët në Malmo?
Mund të them se ka pasur raste kur kanë qenë shumë mirë të organizuar. Tek organizimet ka ndikuar dhe pandemia dhe kanë humb kontaktet ndoshta për organizime kulturore apo komunikuese siç ka ndodh më herët. Këtu ekziston në Malmo qendra kulturore që ka qenë dikur dhe është e mbyllur. Aty më tepër kemi komunikuar. Ka ekzistuar më herët rrjeti i bizneseve shqiptare, ku kam qenë pjesë edhe unë si pjesëmarrës, si duket aktiviteti i këtij rrjeti edhe tani është shuar, dhe nuk kam ndonjë informatë nëse është duke u zhvilluar ndonj aktivitet. Po njerëzit në mënyra individuale punojnë, veprojnë dhe ka një pjesë madhe që kanë arritur sukseset e veta. Çka është më e rëndësishme është se gjenerata e dytë ka arritur të shkollohet dhe arsimohet dhe mund të them që nuk ka institucion në shtetin suedez që nga komuna, kryetare komune, apo deputet në Parlament e deri në nivelet më të ulëta që nuk ka njerëz të punësuar. Mund të them në çdo institucion mund të gjesh që ke shqiptarë, inxhinierë, policë, avokat etj.
A i mbani lidhjet me Atdheun, e vizitoni shpesh?
Ne në çdo vit jemi në Kosovë dhe në Shqipëri, pushimet verore zakonisht i kemi kaluar në Shqipëri. Këtë vit na ka penguar pandemia, duke u munduar që të ruajmë veten dhe të tjerët, apo anasjelltas, vetë fakti se punojmë me biznese dhe shqiptarë tregon se jemi shumë të lidhur me vendlindjen. Unë i përmbahem gjithmonë një thënie: Unë jam shqiptar, mburrem që jam shqiptar dhe duke e vlerësuar veten mund ta vlerësojë dhe tjetrin. Në këtë aspekt dhe suedezët e dijnë se unë nuk do bëhem suedez kurrë, por do jem mirënjohës shtetit suedez për jetë e mot. Është vendi i dytë për të cilën do punoja dhe do luftoja. Kjo më ka bërë mua që fëmijët e mi të arrijnë aty ku janë në kulmin e suksesit. Unë u thashë, Vlora Makolli, vajza ime vitin e kaluar ka qenë përfaqësuese e qeverisë suedeze në Kombet e Bashkuara dhe këtë përzgjedhje ia ka bërë Suedia, këtë mundësi ia ka dhënë Suedia. I jam mirënjohës këtij shteti që nuk diskriminon, por jep të gjitha mundësitë atij që do të punojë dhe veprojë.
Vritet politikani italian, arrestohet i biriMediat italiane raportojnë se politikani italian Franco Colleoni është vrarë nga djali i tij 34-vjeçar.
Sipas mediave italiane ngjarja ka ndodhur pas një konflikti që babë e bir kishin për restorantin.
Babai dhe djali janë konfliktuar për hapjen e restorantit dhe janë përleshur me njëri-tjetrin. Dyshohet se i biri e ka rrahur brutalisht të atin, duke i shkaktuar edhe vdekjen.
Gjatë natës, i arrestuari pranoi konfliktet me babanë e tij, por shprehej se nuk mbante mend asgjë për ngjarjen.
Franco Colleoni ishte sekretar i “Lega Nord” në Bergamo për 5 vite.