Aplikacion
Me nisjen e valës së dytë të pandemisë, udhëtimi është bërë sërish i vështirë. Më 13 tetor, Shoqata Ndërkombëtare e Transportit Ajror (IATA), deklaroi se linjat ajrore po punojnë me vetëm 10 për qind të kapacitetit normal.
Covid-19 ka vënë në rrezik më shumë se 41 milionë vende pune në botën e turizmit, dhe skenarët e të ardhmes nuk janë shumë optimistë. Sipas IATA, udhëtimet e para-pandemisë mund të mos kthehen në nivelin që ishin para vitit 2024.
Fluturoni me mendje
Në këtë skenar, ne përpiqemi të mendojmë mbi mënyrat alternative të udhëtimit, si ajo përmes realitetit virtual (VR) ose të zgjeruar (AR). “Sa më shumë që vazhdon pandemia, aq më i madh është shansi që realiteti virtual të bëhet një formë alternative e udhëtimit”- thotë Ralf Holister.
Sipas tij, pandemia ishte si një “nxitje adrenaline” për këto teknologji deri më tani të nënvlerësuara dhe të papërdorura. Për të kuptuar potencialin e këtij sektori, mjafton vetëm një shembull:linja ajrore japoneze “First Air”, e cila që nga viti 2017 ka ofruar fluturime në realitetin virtual me bileta dhe vakte ushqimore në bord, me mbërritjen e pandemisë ka pasur një rritje me 50 për qind të rezervimeve.
Pas pandemisë
Ndër vendet më në avangardë në udhëtimet virtuale spikat Gjermania, e cila ka krijuar disa video në formatin VR, për të treguar atraksione të ndryshme turistike:nga kështjellat më të famshme që mund të vizitohen me pajisjen “Microsoft Hololens”, deri në videot 360 gradë të brigjeve të Balltikut dhe Detit të Veriut, të shikueshme përmes pajisjes “Oculus Rift”.
Por a do të mësohemi të udhëtojmë pa u larguar nga shtëpia edhe pas pandemisë? Sipas Petra Hedorfer e Bordit Kombëtar të Turizmit në Gjermani (GNBT) jo.
“Aplikimet digjitale nuk mund dhe nuk duan që të zëvendësojnë përvojën e vërtetë të udhëtimit”- thotë ajo për BBC. “VR dhe AR janë elemente thelbësore për të mbajtur të lartë interesin për turizmin gjerman gjatë kufizimeve aktuale, dhe për të treguar destinacionet e udhëtimit në të ardhmen?”- shton ajo.
Udhëtarët e periudhës post-covidiane
Ka edhe nga ata që besojnë se videot virtuale, VR, mund t’i ndihmojë njerëzit të mësohen të udhëtojnë sërish në fund të kësaj emergjence të madhe shëndetësore. “Kur të nisim të dalim nga makthi i Covid-19, do të ketë nga ata që do të fillojnë të udhëtojnë menjëherë, siç janë më të rinjtë”- shrpehet Migel Flesha nga “Açenture”.
“Dhe ka nga ata që do të jenë më të kujdesshëm dhe nuk do të ndihen të sigurt”- shto ai. Sipas Fleha, teknologjitë gjithëpërfshirëse mund të “simulojnë” një udhëtim në epokën post-covidiane, duke e ilustruar për shembull me procedurat e reja të regjistrimit në hotele dhe aeroporte, dhe duke u dhënë udhëtarëve të ardhshëm sigurinë për t’u kthyer për të eksploruar botën në një qetësi absolute. / Focus – Bota.al
Zbulimi 9.000-vjeçar i një gjuetareje femër në Peru mund të rishkruajë historinëNjë varr në Peru ka zbuluar gjuetaren femër më të vjetër në botë. Ky është një lajm me pasoja të rëndësishme për historinë e njerëzimit, pasi mund të ndryshojë kuptimin tonë të marrëdhënieve gjinore në Amerikën e lashtë dhe madje edhe mbi natyrën e shoqërive parahistorike.
Rendi Has, antropolog nga Universiteti i Kalifornisë, ishte duke punuar me kolegët e tij në një vend të lartë në një zonë të njohur si Uilamaja Patajksa, në jug të Perusë, kur gjeti 6 varre 9.000 vjeçare, të cilët përmbanin mbetjet e gjashtë njerëzve. Gjatë punës së tyre ekipi bashkëpunoi me komunitetin lokal Ajmara.
Por njëri nga varret nuk ishte si të tjerët. Bazuar në paketën e veglave të gjuetisë që u gjetën brenda, ekipi mendoi në fillim se ai i përkiste një gjuetari mashkull. Por kockat ishin shumë të holla, të lehta dhe dukej qartë se i përkisnin një femre .
Bio-arkeologu Xhim Uotson thotë:”Unë mendoj se gjuetarja mund të jetë femër”. Dhe në fakt varri përmbante eshtrat e një gruaje të re që ka vdekur midis 17 dhe 19 vjeç. Gjinia dhe mosha e saj u përcaktuan bazuar në një analizë të proteinave në dhëmbët e saj.
Antropologu Has tha për “Sky News” se gjuetarja ishte varrosur me “maja prej guri për prerjen e kafshëve të mëdha, një thikë dhe një majë shkëmbi për heqjen e organeve të brendshme, si dhe mjete për kruajtjen dhe nxjerrjen e lëkurës”.
Majat prej guri i bashkëngjiteshin shkopinjve të cilat përdoreshin si shtiza mbi kafshët me një forcë të madhe. Gjuetarja femër u gjet afër varrit të një mashkulli, që gjithashtu ishte varrosur me një vegël gjuetie me vete. Ekipi i studiuesve, gjeti edhe prova të eshtrave të kafshëve në sedimentin e varrit, përfshirë drerin andean dhe vicuña, një lloj deveje.
Has thotë se këto 2 kafshë “ishin shënjestrat kryesore të gjuetarëve antikë në atë pjesë të Andeve”. Por ka edhe skeptikë mbi këtë zbulim. Arkeologia Meg Konkej, thotë se prania e mjeteve të gjuetisë në një varr nuk do të thotë domosdoshmërisht se e ndjera ka qenë gjuetare.
Por Has dhe kolegët e tij ishin të përgatitur për këtë skepticizëm, ndaj ndërmorën një studim shterues të literaturës kërkimore në 107 vendet-varrimet e lashta të zbuluara në 2 Amerikat. Të gjitha ato janë midis 6.000-12.500 vjet të tjera. Në total, studiuesit gjetën 10 gra të varrosura me vegla gjuetie.
Hulumtimi i tyre i çoi ata në përfundimin se gratë merrnin pjesë rregullisht në gjuetitë e mëdha, dhe ato përbënin midis 30 për qind dhe 50 për qind të gjuetarëve. Deri vonë, “hipoteza e gjahtarëve burra” ishte pranuar gjerësisht.
Sipas saj gratë bënin “punë grash”, dhe burrat merreshin me aktivitete të tilla si gjuetia, dhe për pasojë ishin gjinia mbizotëruese. Ky përfundim ishte bazuar pjesërisht në studimet moderne të grupeve të gjuetarëve siç janë Hazdat në Tanzani .
Tashmë të frymëzuar nga zbulimi i tyre novator në Peru, studiuesit argumentojnë se nuk ishte kështu. Gjuetia e gjahut të madh kërkonte punë në grup. Prandaj, gratë bashkëpunonin me burrat për të siguruar sukses në ekspeditat e gjuetisë.
Zbulimi i gjuetares antike femër në Peru, mund të transformojë njohuritë tona mbi rolet gjinore në të kaluarën. Nëse gratë kanë gjuajtur vërtetë përkrah burrave, kjo do të nënkuptonte se në shoqëritë parahistorike kishte më shumë barazi midis gjinive.
Më herët arkeologët kanë gjetur prova të një gruaje luftëtare 5.000-vjeçare në Kaliforni, ndërsa zbulime të tjera sugjerojnë se ka pasur luftëtare femra në shoqëritë mongole dhe vikinge. / Ancient Origins – Bota.al
Cila ishte perandoria më e madhe në botë?Sipas Rekordeve Botërore Gines, përgjigjja është Perandoria Akamenide në vitin 480 Para Erës Sonë, e njohur gjithashtu si Perandoria Persiane. Vlerësohet se 44 për qind e popullsisë së botës sundohet nga monarku akamenid në atë që tani është Irani i sotëm, duke e bërë atë perandorinë më të madhe në historisë.
Por jo që të gjithë bien dakord me këtë vlerësim. Kjo sepse pjesa e popullsisë, është vetëm një nga mënyrat për të matur shtrirjen e një perandorie, dhe disa ekspertë pyesin nëse është vërtet e drejtë të përdoret kjo lloj metrike, kur krahasohen perandoritë në periudha të ndryshme kohore.
Për shembull, kur Perandoria Akamenide ishte në kulmin e vet, bota banohej nga vetëm 112.4 milionë njerëz. Britanikët sunduan mbi çerekun e popullsisë së botës në vitin 1901, por në atë kohë popullsia globale ishte rritur në 1.6 miliardë njerëz.
Pra a është e arsyeshme të krahasohen perandoria britanike dhe ajo akamenide me këtë metrikë? Apo mos po krahasojmë mollët me portokallet? Dhe kjo pa analizuar të mirat dhe të këqijat e mënyrave të tjera në matjen e madhësisë së një perandorie:si shtrirja gjeografike; madhësia e ushtrisë; produkti i brendshëm bruto e kështu me radhë.
”Ne duhet të përdorim një metrikë për të matur ndikimin dhe stabilitetin afatgjatë”- thotë Martin Bomas, egjiptolog dhe drejtor i Muzeut Historik të Universitetit Mekuir në Sidnei të Australisë, pasi një gjë është të nisësh një fushatë ushtarake për të zgjeruar territorin.
Dhe tjetër janë disa aftësi logjistike dhe infrastrukturës që kërkohen, për t’i mbajtur dhe administruar ato territore. “Për mua, metrika duhet të llogaritet me vite. Shihni Rajhun e Tretë të Hitlerit. Iu desh shumë territor për të rivalizuar romakët, por askush nuk do ta quante atë një perandori pasi zgjati 6 gjashtë vjet dhe në një periudhë të luftës totale”- thekson Bomas.
Ai shton se për t’u klasifikuar si një perandori, një shtet i madh duhet të ketë një periudhë paqeje për të sjellë prosperitet. Dhe ky prosperitet mund të shfrytëzohet në mënyrë që burimet dhe pasuria të mund të dërgohen sërish në qendrën e perandorisë, thotë Bomas.
Pikërisht në këtë pikë dështon Perandoria Mongole e Xhengiz Kanit, si një pretendente për të qenë perandoria më e madhe në botë.
Vetëm 88 vjet pas themelimit të saj, perandoria u nda në 4 pjesë, pasi pasardhësit e Xhengiz Kanit u grindën mbi trashëgiminë. Edhe ajo kohë relativisht e shkurtër e unitetit, u shpenzua në betejë me të huajt, duke zgjeruar në mënyrë agresive kufijtë e saj që u provua të jetë një perandori e paqëndrueshme.
Perandoria Britanike mund të mos ketë qenë aq e madhe, por ajo i mund mongolët, për sa i përket territorit që arrinte të kontrollonte. “Dielli nuk perëndonte në Perandorinë Britanike. Britanikët kontrollonin tokat dhe detet”.
Perandoria Britanike u krijua në fund të viteve 1500, kur mbretëritë deri atëherë të ndara të Anglisë dhe Skocisë, krijuan kolonitë e tyre të para jashtë shtetit në Amerikë dhe Karaibe. Në një nivel teknik, mund të thuhet se Perandoria Britanike ekziston ende -edhe pse e zvogëluar në mënyrë dramatike – përmes posedimit të saj të vazhdueshëm të 14 territoreve relativisht të vogla jashtë shtetit, përfshirë Gjibraltarin dhe Ishujt Falkland.
Ekzistojnë gjithashtu 16 vende të pavarura, të njohura gjithashtu si Komonuelth, ku Mbretëresha Elizabeta II është ende kryetare e shtetit, duke përfshirë Australinë, Belizenë, Kanadanë, Zelandën e Re, Papua Guinenë e Re dhe disa vende në Karaibe.
Por shumica e historianëve thonë se ajo përfundoi në 1997, kur Mbretëria e Bashkuar ia ktheu Hong Kongun Kinës. “Vetë Princi Çarls e ka pranuar këtë. Ishte kolonia e fundit e madhe në perandori”- thotë Bomas. Nëse pajtohemi më këtë konstatim, atëherë rezulton se Perandoria Britanike ekzistoi për afro 400 vjet, gjë që do të thotë se megjithëse britanikët pushtuan më shumë pjesë të globit se kushdo tjetër, ata prapë nuk mund të quhen perandoria më e madhe kur maten me parametrin e jetëgjatësisë.
Perandoria Osmane, e qeverisur nga Turqia e sotme, e sfidon Perandorinë Britanike, pasi ajo sundoi për të paktën 600 vjet. Por ishin romakët – duke supozuar se jeni dakord që Perandoria Romake vazhdoi edhe kur u nda në dysh, për të krijuar Perandorinë Romake Perëndimore dhe Perandorinë Romake Lindore – që zgjati më gjatë nga të gjitha, afro 1500 vjet. / Livescience – Bota.al
Marrëveshjet hidrokarbure dhe PPP fshehin taksat dhe lidhjet politike në parajsa fiskaleMyrjeme Fezaj filloi punë si laborante në Kombinatin e Përpunimit të Thellë të Naftës në Ballsh në vitin 1985, pasi mbaroi Teknikumin në moshën 18-vjeçare. Gjatë muajit të fundit, 53- vjeçarja ishte pjesë e grupit të dhjetë grave naftëtare, që mbajtën një grevë urie 25-ditore në kërkim të 25 pagave të prapambetura nga pronarët e rafinerisë.
“Pronar kjo uzinë nuk ka tani,” tha ajo gjatë një interviste më 19 tetor, ndërsa shtoi se kompani të ndryshme kanë ardhur dhe ikur, duke i zhgënjyer.
“Privat thotë ai, por privatët ai i sillte, një ikte, një vinte, duke lënë borxhe një pas një dhe ashtu u akumuluan dhe lekët e tona dhe nuk na i japin,” u ankua Fezaj, që në atë kohë kishte pesë ditë në grevë urie.
Punëtorja e Kombinatit të Ballshit nuk është e vetmja që ka pikëpyetje mbi pronësinë e rafinerisë, e cila pas privatizimit nga biznesmeni famëkeq Rezart Taçi në vitin 2008, ka ndërruar disa herë pronësinë me kompani te regjistruara në parajsa fiskale, fonde investimesh, është konfiskuar nga banka dhe është dhënë në përdorim me kontrata qiraje, duke lënë pas një mal me borxhe ndaj buxhetit të shtetit dhe naftëtarëve.
Asetet e rafinerisë janë në pronësi të një kompanie të të quajtur “Allum Enterprises”, e cila që prej majit 2019-të është në pronësi të një kompania tjetër të regjistruar në Zvicër e quajtur Mercado Exterior – e cila raportohet se është e lidhur me një zyrtar të lartë nga Azerbajxhani. Pronari i vërtetë i rafinerisë nuk dihet.
Rafineria e Ballshit nuk është e vetmja kompani që operon në tregun shqiptar me pronarë të fshehur pas vellos së anonimatit që sigurojnë parajsat fiskale. Të dhënat e mbledhura nga BIRN tregojnë se regjistrimi i aksionerëve të kompanive në juridiksione që fshehin pronarët përfitues është një praktikë e përhapur për kontratat koncesionare dhe marrëveshjet hidrokarbure.
Regjistrimi ‘offshore’ i këtyre kompanive bëhet për disa arsye, përfshi fshehjen e lidhjeve politike pas marrëveshjeve fitimprurëse me shtetin, pastrimin e parave dhe evazionin fiskal. Për t’i adresuar këto problematika, Shqipëria miratoi së fundmi një ligj për ngritjen e një regjistri të pronarëve përfitues, por ekspertët dhe aktivistët mbeten skeptikë për realizmin dhe efikasitetin e tij.
“Unë nuk e di a do të ndërtohet ndonjëherë ky regjistër,” thotë me dyshim Pano Sako, pjesëtar i Nismës Thurje, një organizatë e shoqërisë civile që po ndërmerr hapa për t’u kthyer në një lëvizje politike.
‘U ligjërua që do të ndërtohet, por nuk e dimë nëse do të mbetemi peng i VKM-ve, i urdhrave të ministrit, siç ka ndodhur rëndom me shumë ligje të tjera,” shtoi ai.
Ekonomisti Zef Preçi është njësoj pesimist për ndikimin e këtij ligji në transparencë dhe llogaridhënie.
“Jam pesimist që regjistri mund të përmirësojë situatën,” tha Preçi. “Ne kemi nevojë për ndryshimin e mënyrës së qeverisjes,” shtoi ai.
Koncesionet regjistrohen në parajsa fiskale
Në botë sot njihen rreth 80 streha fiskale, ku sipas Indeksit të Fshehtësisë Financiare (Financial Secrecy Index) për vitin 2020, në vend ta parë renditen Ishujt Cayman. Pas tyre vijnë Shtetet e Bashkuara, Zvicra, Hong-Kongu dhe Singapori.
Në 10 vendet më të preferuara ‘offshore’ renditen gjithashtu edhe Luksemburgu, Japonia, Holanda, Ishujt Britanikë Virxhin dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Indeksi është publikuar nga ‘Tax Justice Netëork’, – një rrjet i pavarur, i specializuar në kërkim, analizë dhe mbrojtjen e rregullave tatimore dhe financiare në nivel ndërkombëtar.
Në raportin e fundit të publikuar në tetor nga Moneyval – mekanizimi i Këshillit të Evropës për Vlerësimin e Masave Kundër Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit, Shqipëria u fut sërish në listën gri, duke u bërë pjesë e listës së shteteve nën monitorim të zgjeruar.
Shtetet që bëhen pjesë e kësaj liste kanë mangësi strategjike në parandalimin e pastrimit të parave nga krimi i organizuar ose nga financimi i terrorizmit.
Edhe Indeksi vjetor i Institutit të Bazelit për Qeverisjen e renditi Shqipërinë të dytën në Europë dhe të 44-tën në botë për rrezikun e pastrimit të parave.
Sipas Moneyval, pjesë e riskut për Shqipërinë vjen si pasojë e ekspozimit të lartë të tregut shqiptar ndaj kompanive të regjistruara në parajsa fiskale.
Parajsat apo strehat fiskale janë territore apo juridiksione që u mundësojnë personave jo rezidentë të shmangin detyrimet fiskale në vendet që kryejnë realisht aktivitetin e tyre.
“Kompanitë offshore kanë si karakteristikë që ndërmarrin transaksione nga kompanitë mëma apo bija, duke fshehur taksat,” tha Preçi për BIRN.
Përveç avantazheve fiskale, vendet offshore mundësojnë anonimatin e personave që ‘fshihen’ pas kompanive si dhe ruajnë sekret të lartë bankar.
“Gjykohet apo vlerësohet që në një pjesë të këtyre kontratave, politikanë të rëndësishëm shqiptarë apo zgjatime të tyre nga komuniteti i biznesit janë bashkëpronarë,” shtoi Preçi .
Të dhënat e analizuara nga BIRN tregojnë se nga 33 kontrata të Partneritetit Publik Privat në Shqipëri [pa përfshirë koncesionet në sektorin e energjisë], 1/3 e tyre janë fituar nga kompani të regjistruara në parajsa fiskale. Nga këto kompani të regjistruara offshore, në 10 raste nuk njihet përfituesi fundor i tyre.
Kompanitë e regjistruara ‘offshore’ i transferojnë shpesh aksionet nga një entitet në një tjetër, një mekanizëm që sipas ekspertit Zef Preçi shërben për të humbur origjinën e vërtetë të parave.
“Ky fenomen ka qenë konstant gjatë gjithë periudhës, duke përfshirë edhe sektorët strategjikë,” tha Preçi, i cili thekson se vitet e fundit ky mekanizëm po përdoret edhe për të pastruar paratë që vijnë nga droga. “Kompanitë regjistrohen jashtë, vijnë bëjnë një aktivitet në Shqipëri, që del shumë fitimprurës e më pas shitet e rishitet e kështu humbet origjina e parave, pra është pjesë e ciklit të fshehjes së origjinës së parave,” shpjegoi ai.
Edhe sipas aktivistit dhe ekspertit të ekonomisë, Pano Soko, shitja e aksioneve nga këto kompani është pjesë e një skeme përftimi jo transparente.
”Çdo gjë që ndodh jashtë dritës së diellit dhe jashtë logjikës financiare, ka nga mbrapa një skemë,” tha Soko.
“Nëse shikojmë kompani koncesionare, të cilave iu ndërrohen pronarët apo kemi shitje të aksioneve, këto janë skema që ndërtohen në atë formë për të shfrytëzuar të gjitha hapësirat e vogla ligjore, me qëllim që në finale të përfitojë ai që duhet të përfitojë,” shtoi ai.
Ndërkaq, edhe 5 nga 6 kompanitë që kanë firmosur marrëveshje hidrokarbure për nxjerrjen e naftës rezultojnë të regjistruara në parajsa fiskale.
Nisma për Transparencë në Industrinë Nxjerrëse (EITI) ka kërkuar prej vitesh hartimin e një pakete ligjore për publikimin e përfituesve realë të kompanive që operojnë në sektorët e industrisë nxjerrëse dhe elektroenergjisë.
“Ne kërkojmë që marrëveshjet hidrokarbure të jenë të hapura dhe të disponueshme për këdo që kërkon informacion,” tha Anila Hajnaj, përfaqësuese e shoqërisë civile në Grupin Ndërinstitucional të EITI-t.
“Transparenca kërkon që të identifikohen pronarët e vërtetë, e thënë ndryshe përfituesit realë të kompanive operuese në industrinë nxjerrëse, për të parë nëse njerëz me pushtet influencojnë për përfitime personale, gjë që përbën bazën e korrupsionit,” shtoi ajo.
Regjistri i pronarëve përfitues
Me datë 29 korrik, Presidenti i Republikës, Ilir Meta dekretoi ligjin 112/2020 “Për regjistrin e pronarëve përfitues.” Ky ligj vinte si pjesë e rekomandimeve të komitetit te ekspertëve të Moneyval kundër pastrimit të parave.
Ky regjistër do të përmbajë të dhëna të përgjithshme mbi subjektin raportues dhe të dhëna të detyrueshme për pronarët përfitues të subjektit raportues, ndërkohë që ai duhet të jetë gati jo më vonë se data 31 janar 2021.
“Duke qenë se Shqipëria është renditur si vendi i dytë në Evropë për pastrimin e parave, patjetër që institucionet partnere do të reagonin dhe ky është një detyrim në kuadër të anëtarësimit të vendit tonë në Bashkimin Evropian,” shpjegoi Pano Soko.
Sipas ligjit, subjektet raportuese kanë detyrimin të ruajnë dhe të mbajnë të dhëna dhe dokumente shoqëruese të duhura, të sakta dhe të përditësuara, në bazë të të cilave përcaktohen pronarët përfitues të subjektit dhe lloji i kontrollit të pronarëve të tyre përfitues.
Sipas Zef Preçit, ekonomia shqiptare nuk ka përfitime nga ekspozimi i lartë ndaj kompanive ‘offshore’, madje këto kompani përbëjnë rrezik për zhvillimin e tregut.
“Është dëmtuar konkurrenca nga këto lloj kontratash, interesi publik, përfitueshmëria ekonomike, janë kufizuar fondet që minimumi do të shpenzoheshin brenda vendit, pra ka ndodhur fenomeni i nxjerrjes së parave jashtë vendit,” theksoi ai.
“Vlerësimi duhet bërë për çdo sektor, por ajo që mund të them për naftën është që do të kishte qenë më me leverdi për ekonominë dhe të ardhmen e vendit, që këto pasuri të rrinin nëntokë sesa shfrytëzoheshin në këtë formë, duke marrë parasysh edhe dëmet në mjedis,“ shtoi Preçi.
Ndërkohë, Soko thekson se fakti që qeveritë nuk e ndalojnë ekspozimin ndaj këtyre kompanive do të thotë që e përkrahin apo e nxisin përdorimin e tyre.
“Logjika e pastër të çon te përfundimi që patjetër këtu ka politikanë apo njerëz të përfshirë me politikën, të cilët kanë interes dhe pse jo të jenë edhe të përfshirë në këto kompani që përfitojnë para nga buxheti i shtetit,” tha Soko.
Fshehja e politikanëve pas kontratave koncesionare i bën ekspertët e ekonomisë skeptikë për suksesin e regjistrit të përfituesve fundorë.
“Kjo është procedurë formale, por që nuk zgjidh gjë, pasi pasuritë do të vazhdojnë të grabiten,” tha Preçi.
Ai mendon se Shqipëria duhet të ndalë me ligj ofertat e pakërkuara koncesionare, pjesëmarrjen në tenderë publikë të kompanive ‘offshore’ – pavarësisht nga vendi ku janë të regjistruar (në Europë apo jashtë saj), si dhe të rritet bashkëpunimi me agjencitë ndërkombëtare ligjzbatuese, sidomos me ato që ndjekin evazionin fiskal, korrupsionin dhe krimin e organizuar.
Edhe Soko sugjeron përjashtimin e kompanive të regjistruar në parajsa fiskale nga garat tenderuese dhe përfitimi i parave publike.
“Nëse ka vullnet politik, mjafton të dalë një VKM, ku thua që ndalohen kompanitë të cilave nuk iu dihet përfituesi fundor e kështu përjashton nga gara çdo kompani offshore,” tha ai.
Ndërkaq, Preçi kërkon edhe mbajtjen e përgjegjësisë, sidomos për autorizimet që ka dhënë ministrat përgjegjës për ekonominë për shitje e rishitje aksionesh apo për transferime të pasurive.
“Në çdo fushatë elektorale premtojnë që do ia kthejnë pasuritë popullit, por më pas i thonë popullit që janë kontrata të ratifikuara nga parlamenti dhe nuk mund të ndryshojnë,” tha Preçi.
“E vërteta është që është tentuar të përdoret parlamenti si koracë për vendime, të cilat janë në mos haptazi në kundërshtim me ligjin, pa interes ekonomik, pa justifikim për interesat ekonomike kombëtare, pra pa dobi kombëtare,” përfundoi ai. /Ola Mitre – BIRN