zoom

Day ArchivePolicët e Tiranës: Kastriot Islami na tha “zagarë të Edi Ramës”

Pas zhurmës që bëri në publik shoqërimi ish-deputetit Kastriot Islami për shkak se nuk mbante maskë teksa po vraponte pranë Liqenit Artificial, policia e Tiranës ka sqaruar motivin e këtij veprimi.

Në një njoftim zyrtar thuhet se Islami i ka kundërshtuar punonjësit e policisë dhe i ka quajtur ata “zagarë të Ramës”.

Ndërsa Islami, në reagimin e tij të parë thotë se veprimi policëve të Tiranës ishte i qëllimshëm. “Veprim i urdhëruar, i porositur apo i parafabrikuar! Përndryshe grabitje e personit publik dhe akt bandistesk! Jo thjesht kunder meje se une as trembem dhe as stepem madje motivohem me shume!”-ishte reagimi i Islamit.

Për mosmbajtjen e maskës ndëshkimi është gjoba, por policia thotë se ishte kundërshtimi dhe fyerja arsyeja e shoqërimit.

NJOFTIMI I PLOTË I POLICISË:

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë

Në mënyrë të përsëritur shtetasi Kastriot Islami është prononcuar publikisht me pretendimin që Policia e Shtetit e ka keqtrajtuar.

E vërteta është se ky shtetas ka keqtrajtuar punonjësit e patrullës policore me një fjalor shumë të ulët.

Kastriot Islami është ndaluar nga patrulla e Përgjithshme si një kalimtar pa maskë. Ai menjëherë ka lëshuar ndaj punonjësve të policisë fjalë të ulëta, duke pretenduar se ai ishte një figurë publike që nuk mund të ndalohej prej tyre. Madje shtetasi i ka kërcënuar punonjësit e policisë, që “do ta shihnin pas 25 prillit, si të gjithë zagarët e Ramës”!

Patrulla e policisë është detyruar ta shoqërojë atë në komisariat, ku janë kryer procedurat ligjore dhe i është komunikuar gjoba për mosmbajtjen e maskës mbrojtëse.

Duke hedhur poshtë akuzat e fabrikuara nga shtetasi Kastriot Islami për Policinë e Shtetit dhe shprehur keqardhjen për fjalorin e tij ndaj punonjësve tanë, gjejmë rastin të theksojmë se Policia e Shtetit nuk i shërben politikës por ligjit.

 

Transportonte emigrantë sirianë, arrestohet 32 vjeçari nga Korça

 

Policia ka arrestuar një 32- vjeçar nga Korça i cili po transportonte drejt Tiranës, 4 emigrantë sirianë me qëllim kalimin e kufirit në mënyrë të paligjshme, kundrejt pagesës prej 215 euro secilit.

Drejtuesi i mjetit, D.M  gjatë transportit  të emigrantëve me mjetin e tij tip “Benz” është ndaluar në aksin rrugor Pogradec-Librazhd, nga pamjet e policisë duket qartë se një nga emigrantët ka qënë i fshehur në bagazhin e mjetit.

 

Njoftimi i Policisë :

Në kuadër të tij goditet një tjetër rast i veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit.

U kap duke transportuar 4 emigrantë të paligjshëm, vihet në pranga 1 shtetas.

Strukturat për Hetimin e Krimeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, në bashkëpunim me Policinë Kufitare, Sektorin e Policisë Rrugore dhe Komisariatin e Policisë Pogradec, në vijim të operacionit policor “Perimetri”, kanë goditur një tjetër rast të aktivitetit kriminal në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt shpërblimit, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit D. M., 32 vjeç, banues në Korçë.

Ky shtetas është kapur nga shërbimet e Policisë, në aksin rrugor Pogradec-Librazhd, pranë vendit të quajtur “Lumi i Tërhanit”, duke transportuar në drejtim të Tiranës, me mjetin tip “Benz”, 4 emigrantë të paligjshëm, të cilëve, kundrejt fitimit 215 euro për secilin, iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pogradec, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.

Protestat kundër Lukashenkos, mbi 1100 të arrestuar

Kanë kaluar disa muaj që nga fillimi i protestave kundër regjimit të Lukashenkos në Bjellorusi, megjithatë qytetarët nuk heqin dorë nga kërkesat e tyre. Në protestën e së dielës, policia bjelloruse arrestoi më shumë se 1.100 njerëz.

Kërkesat e qytetarëve vazhdojnë të jenë të njëjta, largimi i presidentit Lukashenko dhe mbajtja e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

Grupi i të drejtave të njeriut Vyasna tha se shumica e arrestimeve u kryen në Minsk, ku forcat e sigurisë përdorën gaz lotsjellës për të shpërndarë mijëra demonstrues.

Arrestimet e djeshme shënuan një rekord sa i përket numrit në një ditë të vetme, ndërkohë që nga gushti mendohet të jenë arrestuar të paktën 25.000 persona, mes tyre edhe shumë gazetarë.

Liderja e opozitës në mërgim, Svyatlana Tsikhanouskaya bëri thirrje për mbështetje ndërkombëtare për demonstruesit.

Ne i kërkojmë aleatëve tanë të qëndrojnë me popullin bjellorus dhe të drejtat e njeriut. Na duhet një korridor humanitar për të plagosurit, mbështetje për mediat, hetim ndërkombëtar i krimeve“, shkroi ajo në Twitter.

Tsikhanouskaya  së bashku me shumicën e e liderëve të opozitës u detyruan të largohen nga Bjellorusia menjëherë pas zgjedhjeve të muajit gusht.

Lukashenko, i cili ka drejtuar Bjellorusinë për 26 vjet, më 13 nëntor u zotua se nuk do ta dorëzojë pushtetin.

Vettingu/Konfirmohet në detyrë prokurorja Dorina Bejko

KPK ka konfirmuar në detyrë prokuroren Dorina Bejko. Drejtuesja e Prokurorisë zë Pogradecit, Dorina Bejko u përball të  premten me gjetjet e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për rivlerësimin kalimtar.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konstatoi pasaktësi dhe mospërputhje për likujditetet dhe burimin e krijimit të disa pasurive, ndërkohë që Bejko u vlerësua pozitivisht për figurën dhe profesionalizmin.

KPK konstatoi pasaktësi në pasqyrimin në deklaratën ‘veting’ të likujditetit me vlerë 5.3 milionë lekë të përfituar nga shitja e një apartamenti me sipërfaqe 72 m2 në Tiranë në vitin 2012. Zhegu shpjegoi se Bejko e kishte shënuar këtë vlerë në deklaratën “veting’, pavarësisht se kishte deklaruar pakësimin në vite për shkak të blerjes së një autoveture dhe shpenzimeve të tjera.

“Komisioni konstaton pasaktësi në deklarimin e vlerës së likujditeteve në deklaratën veting, pasi në këtë periudhë nuk e dispononte për shkak se ishte shpenzuar në vitet e mëparshme,” pohoi Zhegu.

Në fjalën e saj, prokurorja Dorina Bejko shprehu vlerësim maksimal për hetimin e kryer nga Komisioni. Ajo u ndal shkurtimisht në gjetjet e KPK-së për pasaktësitë dhe mospërputhjet. Bejko tha se pasaktësia e konstatuar në deklarimin e likujditetit në vlerën 5.3 milionë lekë ka ardhur për faktin se në deklaratën veting duhej të pasqyroheshin gjithë pasuritë, përfshi edhe ato që ishin pakësuar.

“Kam shpjeguar se këto likujditete kanë ardhur nga shitja e apartamentit në Tiranë dhe se janë përdorur për krijimin e pasurive të tjera. Edhe në deklaratat periodike kam shënuar se si janë pakësuar këto likujditete,” deklaroi Bejko.

Ajo këmbënguli se nuk ka pasur qëllim për të kryer deklarim të pasaktë, por që të ishte sa më e hollësishme në deklarime. Bejko kërkoi që vlerësimi i deklaratës veting të kryhej në harmoni me ato periodike.

KPK nuk i ka konsideruar si burim krijimi për apartamentin e shitur të ardhurat e deklaruara si të përfituara nga shitja e një trualli 1000 m2 nga familja e bashkëshortit dhe të ardhurat e këtij të fundit nga puna në emigrim.

Zhegu evidentoi mospërputhje midis vlerës së deklaruar si të përfituar nga shitja e truallit me sipërfaqe 1000 m2 në bashkëpronësi të bashkëshortit të prokurores Bejko, me atë të pasqyuar në kontratën noteriale të shit-blerjes. Sipas Zhegut, subjekti ka shpjeguar se trualli 1000 m2 është përfituar nga babai i bashkëshortit si trashëgimtar me vendim të Komisionit të Kompesimit dhe Kthimit të Pronave.

Zhegu tha se Bejko ka shpjeguar se blerësi ka paguar 5 milionë lekë si kapar që në vitin 2004 dhe se bashkëshorti ka përfituar 2/5 pjesë takuese, si dhe pjesën e nënës së tij. Subjekti ka shtuar se është dakordësuar që të gjitha veprimet do të kryheshin prej vëllait të bashkëshortit.

Relatorja Zhegu sqaroi në seancë se në kontratën noteriale të shit-blerjes, çmimi i truallit ishte shënuar 500 mijë lekë. Komisioni nuk e ka konsideruar pretendimin e subjektit se vlera 500 mijë lekë e pasqyruar në kontratë ka qenë një gabim i noterit dhe se kjo shumë ishte diferenca mes çmimit të shitjes 5.5 milionë lekë dhe paradhënies 5 milionë lekë.

Gjithashtu, u evidentua se nuk ishin paguar detyrimet për çmimin përfundimtar vlerën 5.5 milionë lekë në kohën reale. Por Zhegu tha se subjekti ka dorëzuar dokumente dhe shpjegime që do të shqyrtohen gjatë vendimarrjes përfundimtare.

Bejko në fjalën e saj kërkoi që për blerjen e apartamentit në Tiranë të merren në konsideratë të ardhurat nga tjetërsimi i pasurisë së trashëguar, truallit 1000 m2. Ajo shpjegoi se në qershor të vitit 2004, vjehrri ka qenë në dijeni të finalizimit të përfitimit të truallit dhe kanë nisur bisedimet me blerësin. Sipas saj, vlera e parapaguar ka qenë 5 milionë lekë dhe secili nga anëtarët e familjes së bashkëshortit ka përfituar 1/5-ën, nga 1 milionë lekë.

“Më pas kur është nënshkruar kontrata, duket qartë se është finalizimi i gjithë transaksioneve të kryera më parë. Pasqyrimi i shumës 500 mijë lekë është gabim i noterit,” këmbënguli Bejko.

Ajo tha se në momentin që bashkëshorti dhe prindërit ishin vënë në dijeni se vëllai nuk kishte paguar gjithë detyrimin tatimor, e kishin realizuar vetë pagesën, duke shlyer edhe penalitetet.

“Vërtetohet se kanë marrë 5.5 milionë lekë dhe jo 500 mijë lekë siç pasqyrohet në kontratë. Nuk ka logjikë ekonomike që trualli 1000 m2 të shitej për 500 mijë lekë,” pohoi Bejko. “Kërkoj të merren në shqyrtim gjithë aktet, të cilat krijojnë bindjen se justifikojnë burimin e ligjshëm të këtyre të ardhurave,” shtoi ajo.

Prokurorja tha gjithashtu se kishte vendosur në dispozicion dokumentacion që provonte se bashkëshorti kishte përfituar nga puna në Greqi të ardhura në vlerën 2.8 milionë dhrahmi, një pjesë e të cilave kishin shërbyer si burim për blerjen e apartamentit në Tiranë. Lidhur me pagesën e detyrimeve në shtetin grek, Bejko pohoi se kishte qenë detyrim i punëdhënësit. Ajo u shpreh se kishte bindjen se ishin paguar edhe detyrimet, por shtoi se nuk kishte siguruar dot dokumentacion nga institucionet e shtetit grek për shkak të gjendjes së shkaktuar nga COVID-19.

Mospërputhje u identifikuan edhe për burimin e deklaruar për blerjen e një automjeti tip Audi në maj të vitit 2012 në shumën 7000 euro. Zhegu pohoi se si burim për këtë pasuri ishin deklaruar të ardhurat e përfituara nga parapagesa e shitjes së apartamentit në Tiranë në qershor të vitit 2012.

Komisioni konstaton se apartamenti është shitur tre javë pasi është blerë automjeti dhe si pasojë, të ardhurat e përfituara nga shitja e banesës nuk mund të kenë shërbyer për makinën. Zhegu pohoi se nga shpjegimet dhe provat e dorëzuara nga subjekti nuk është arritur të provohet se të ardhurat e përfituara nga shitja e apartamentit kanë shërbyer për blerjen e automjetit tip Audi.

Prokurorja Bejko deklaroi në seancë se si burim krijimi për automjetin tip Audi ishte përdorur pikërisht parapagesa e marrë nga bashkëshorti për apartamentin e shitur në Tiranë në qershor të vitit 2012. Ajo pretendoi se ky qëndrim i saj mbështetej edhe nga deklarimi i blerësit. “Blerësi e ka pasqyruar hollësisht se kur është dhënë vlera e paradhënies. Edhe në vitin 2012 kam deklaruar se burim ishte paradhënia,” shpjegoi Bejko.

Ajo kërkoi që të merrej parashysh edhe marrëdhënia e posaçme që kishin pasur me blerësin, duke shpjeguar se ishin miq dhe kishte pasur mirëbesim.

“Kam shpjeguar se si e kemi shpenzuar gjithë vlerën e përfituar nga shitja e këtij apartamenti. Lind pyetja se ku duhej ta kisha përdorur tjetër këtë shumë monetare të përfituar. Rezultoj me bilanc pozitiv dhe mund të ishin deklaruar edhe të ardhurat e tjera, por kemi deklaruar situatën faktike,” theksoi Bejko dhe shtoi se kishte dorëzuar prova të mjaftueshme për të vërtetuar se burim krijimi për Audi-n ishin të ardhurat e përfituara nga shitja e apartamentit në Tiranë.

Komisioni nuk evidentoi probleme lidhur me disa troje të përfituara nga familja e bashkëshortit me vendim të Komisionit të Kthimit dhe Kompesimit të Pronave, në cilësinë e trashëgimtarëve.
Gjithashtu, nuk janë gjetur probleme në likujditetet në cash si dhe për një shtëpi në fshat të ndërtuar në vitet ’60, të trashëguar nga bashkëshorti i subjektit prej prindërve të tij, si dhe disa parcela tokë arë të përfituara nga ligji 7501.

 

Zbulimi italian: Covid ka qarkulluar nga shtatori 2019

Virusi SarsCov2 ka qarkulluar në Itali që në Shtator të vitit 2019. Kështu shkruan agjencia e lajmeve italiane Ansa, e cila i referohet një studimi të fundit, i cili ka zbuluar një detaj që nuk ishte menduar deri më tani.

Studimi është kryer nga Instituti për Kancerin në Milano dhe Universiteti i Sienës, i cili ka drejtorn shkencor Giovanni Apolone dhe gjetjet janë botuar në “Tumori Journal.

Duke analizuar mostrat e 959 personave, të gjithë asimptomatikë, të cilët kishin marrë pjesë në ekzaminimet për kancerin e mushkërive midis shtatorit 2019 dhe marsit 2020, 11.6% (111 nga 959) e këtyre njerëzve kishin antitrupa ndaj koronavirusit, nga të cilët 14% tashmë në shtator, 30% në javën e dytë të shkurtit 2020.

Dhe studimi ka treguar se numri më i madh i këtyre personave me antitrupa (53.2%) jetonin në Lombardi.

Ky studim tregon një qarkullim  shumë më të hershëm të SARS-CoV-2 mes individëve asimptomatikë në Itali disa muaj para identifikimit të pacientit të parë dhe sqaron fillimin dhe përhapjen e pandemisë nga koronavirusi (COVID-19). Gjetja e antitrupave SARS-CoV-2 tek njerëzit asimptomatikë para shpërthimit të COVID-19 në Itali mund të riformojë historinë e pandemisë”, shkruajnë mediat italiane.

Dosja “Toyota Yaris”/Gjykata pushon hetimet për 4 nga 6 të dyshuarit

 

Gjykata e Tiranës ka pushuar akuzën për 4 nga 6 personat e dyshuar për cështjen “Toyota Yaris”, ku u gjetën 3.4 milionë euro të padeklaruara në mjet.

Në gjykim është dërguar vetëm Ervis Vladi për akuzën e “mosdeklarimit të të hollave në kufi” dhe Agim Çeka për “armëmbajtje pa leje”

Për të dyshuarit Alfred Vladi, Edi Lika, Klevi Cani dhe Alban Mollaymeri është pushuar akuza, pasi nuk janë gjetur prova nga ana e prokurorisë për përfshirjen e tyre.

Vendimi i Gjykatës së Tiranës është ankimuar nga prokuroria në Gjykatën e Apelit.

“Toyota Yaris”, të lirë 5 nga 6 të akuzuarit

Gjykata e Tiranës ka pushuar akuzën për 5 nga 6 personat e dyshuar për cështjen “Toyota Yaris”, Alfred Vladi (në arrati), Alban Mollaymerin, Edi Likën, si dhe për Klevis Canin dhe Agim Çekajn.

“News 24” ka publikuar dokumentin ku kërkohet pushimi i akuzës për shtetasit e lartpërmendur, që akuzohen për transportin e 3,4 milionë eurove në dy makina “Toyota Yaris”, në qershor 2018.

Kujtojmë që më herët gjykata kishte vendosur masën e sigurisë “detyrim paraqitje” duke hequr arrestin me burg.

Në dokument shkruhet se pushohet akuza në ngarkim të të pandehurve për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”, në bashkëpunim të parashikuar nga neni 179/a e 25 i Kodit Penal.

Gjithashtu pushohet çështja penale për veprën “Fshehja e të ardhurave”, të parashikuar nga neni 180/3 dhe 25 i Kodit Penal.

SHBA me mbi 11 milion të prekur nga covid-19, ashpërsohen masat

Michigan dhe Washington janë shtet më të fundit në SHBA që kanë vendosur masa të rrepta për parandalimin e koronavirusit.
Shkollat e mesme dhe kolegjet do të ndërpresin mësimin, ndërsa restorantet nga e mërkura do të ndalojnë shërbimin.
Restorantet gjithashtu janë të ndaluara në Washington, po ashtu edhe palestrat, kinematë, teatrot dhe muzetë do të mbyllen.
Rastet e koronavirusit në SHBA kanë tejkaluar 11 milion të prekur, ndërsa shtrimet në spitale vijojnë të jenë në rritje.
Mesatarisht 1,000 pacientë në ditë humbin jetën nga COVID-19, ndërsa numri i përgjithshëm i viktimave që nga fillimi i pandemisë ka arritur në 250,000 viktima.

Ekskluzive nga ERTV/ Rama fut Alteon në ISHP

Çdo lajm që ka të bëjë me pandeminë, qytetarët shqiptarë po e marrin nëpërmjet ERTV. Alteo, gazetari i këtij kanali privat të kryeministrit shqiptar Edi Rama, po hyn atje ku asnjë gazetar shqiptar nuk ka arritur më parë.

Sot ai u shfaq në ERTV brenda laboratorit të ISHP ku kryhen testet për covid-19. Hyri për të treguar ambientet dhe si punohet. Na tregoi, ai vetë dhe jo punonjësit e ISHP, se aty punohet 24 orë. Punonjësit vetëm pohonin “patjetër, patjetër”. Kur shtonin diçka, Alteo pohonte me kokë nga ana tjetër.

E pyeti Silva Binon, një nga drejtueset e ISHP, se si kishin qenë këto ditë nga ana njerëzore, siç pyeten zakonisht të ftuarit në emisionet televizive rozë të pasditeve.

Si gazetar i televizionit privat të Edi Ramës, e pyeti për të marrë përgjigjen e shumëkërkuar nga kryeministri: “Unë do doja që bashkë me ju të bënim një lloj krahasimi që nga momenti i parë kur pandemia u shfaq në vendin tonë, lidhur ne numrin e testimeve. A kemi ne realisht një rritje faktike të testimeve në Shqipëri?” Imagjinojeni vetë përgjigjen. A mund t’i thotë gazetarit të kryeministrit një punonjëse e ISHP të kundërtën e asaj që pret kryeministri e që ai e thotë përditë ku t’i jepet rasti?

Gazetari insiston: “ka zëra, kryesisht vijnë nga opozita, nga politika se Shqipëria ka një numër shumë të ulët testimesh edhe krahasuar me vendet e rajonit”.

“Jo, Shqipëria nuk ka një numër të ulët testimesh. Shqipëria ka raportuar vetëm testimet publike. Shqipëria nuk ka raportuar asnjëherë testimet private, gjë e cila ne po e kryejmë aktualisht. Deri në 2500 – 3000 testime në ditë, përfshirë publikun dhe privatin”, thotë Silva Bino e ISHP.

E pyeti Alteo, Binon, edhe për qytetarët që nuk bëjnë kujdes e për shumë të tjera. Por një pyetje, që do t’ia kishte bërë çdo gazetar, edhe ai i televizionit publik apo atyre që i bëjnë jehonë propagandës së kryeministrit, nuk ia artikuloi dot: Si ka mundësi që qytetarëve u vonohet përgjigjja e tamponit edhe 12 apo 14 ditë dhe a ka më vlerë tamponi kur nuk u jepet përgjigje për aq kohë sa virusi o mund të ketë ikur vetë o pacienti mund të ketë shkuar në gradën e fundit?

Megjithatë Alteon mund ta ndiqni për të parë mjediset e ISHP apo infektivit, ato pjesë të tyre që duken bukur në ekran.
Për të bërë gazetarin natyrisht i duhet një kryeredaktor dhe një pronar tjetër televizioni, jo si ai që ka aktualisht. / Zoom.al

 

Firmoset marrëveshja më të madhe botërore për tregti

Pavarësisht konfliktit tregtar me SHBA, Kina ka nënshkruar marrëveshjen më të madhe të tregtisë së lirë në botë me 14 vende të oqeanit Paqësor në Azi. Pas tetë vjet negociatash, marrëveshja u nënshkrua gjatë një samiti virtual të vendeve të Azisë Juglindore dhe shteteve ASEAN në kryeqytetin e Vietnamit, Hanoi.

“Partneriteti ekonomik rajonal, gjithëpërfshirës” ose RCEP, siç quhet, përfshin 2.2 miliardë njerëz dhe pothuajse një të tretën e prodhimit ekonomik global. Marrëveshja ul tarifat, përcakton rregullat e përbashkëta tregtare dhe kështu lehtëson edhe rrugët e furnizimit. Marrëveshja përfshin tregtinë, shërbimet, investimet, tregtinë elektronike, telekomunikacionin dhe të drejtat e autorit.

Sukses i madh për udhëheqjen në Pekin

Përveç Kinës, që është ekonomia e dytë më e madhe në botë, këtë marrëveshje e kanë nënshkruar edhe dhjetë vendet e ASEAN-it: Vietnami, Singapori, Indonezia, Malajzia, Tailanda, Filipinet, Birmania, Brunei, Laosi dhe Kamboxhia, Japonia, Australia, Koreja e Jugut dhe Zelanda e Re. Marrëveshja për tregti të lirë ëshë një sinjal i fuqishëm në kohën e luftës së vazhdueshme tregtare me SHBA, që konsiderohet si një sukses i madh për udhëheqjen komuniste në Pekin.

Vietnam Hanoi | Abschluss virtueller ASEAN-Gipfel | Freihandelsabkommen (Nhac NGUYEN/AFP)

Marrëveshja sipas mendimit të ekspertëve do të promovojë integrimin ekonomik në rajonin e Azisë së Paqësorit dhe do të kundërshtojë tendencat proteksioniste. Para krizës së Coronës, vendet e RCEP përbënin 29 përqind të vëllimit të tregtisë globale – pak më pak se BE, me 33 përqind. Përqindja e RCEP do të vazhdojë të rritet, thonë ekspertët. “RCEP do të rishikojë hartën ekonomike dhe strategjike të Indo-Paqësorit,” tha Jeffrey Wilson i Institutit Australian të Politikës Strategjike (ASPI). Marrëveshja e tregtisë së lirë do t’u japë gjithashtu një nxitje përpjekjeve për rimëkëmbje ekonomike pas pandemisë.

India tërhiqet nga negociatat

Marrëveshja është përgatitur pas 31 raunde negociatash dhe 18 takimesh në nivelin e ministrave. Gjashtë herë janë shtyrë afatet e parashikuara për nënshkrim. Në fund, marrëveshja varej shumë nga India, e cila nuk dëshironte të hapej ndaj këtij tregu. Nju Delhi u tërhoq nga negociatat në fund të vitit të kaluar dhe kështu u hap rruga për këtë marrëveshje.

Kjo Marrëveshje është nënshkruar përkundër paktit të mëparshëm, “Marrëveshjes Gjithëpërfshirëse dhe Progresive për një Partneritet Trans-Paqësor”, CPTPP. Por CPTPP përfaqëson vetëm 13 përqind të prodhimit ekonomik global. Presidenti Trump e ka tërhequr SHBA-në nga projekti më ambicioz i Partneritetit Trans-Paqësor (TPP), në vitin 2017. Trump nuk mori pjesë në bisedimet e ASEAN-it për të tretin vit me radhë.

SHBA e ka humbur peshën në rajonin e Paqësorit aziatik në kohën e presidentit Trump, ndërsa Kina po e zgjeron ndikimin e saj edhe më tej me këtë Marrëveshje. RCEP është më i gjerë sesa projekti CPTPP, por nuk shkon aq thellë në bashkëpunim, thonë ekspertët. Partneriteti trans-Paqësor CPTPP midis Australisë, Bruneit, Kanadasë, Kilit, Japonisë, Malajzisë, Meksikës, Zelandës së Re, Perusë, Singaporit dhe Vietnamit deri më tani është ratifikuar nga shtatë vende dhe përfshin 480 milionë njerëz.

Roli i Bidenit

Vietnam Hanoi | Abschluss virtueller ASEAN-Gipfel | Freihandelsabkommen (Kham/REUTERS)

Mbetet të shihet nëse SHBA do t’i bashkohet përsëri partneritetit trans-Paqësor, pas marrjes së postit të presidentit nga Joe Biden, të cilit po ashtu i duhet miratimi i Kongresit. Ekspertët thonë se dy marrëveshjet e tregtisë së lirë nuk janë në kundërshtim mes tyre. Përkundrazi, marrëveshja e re e RCEP me Kinën mund të konsiderohet si një plotësim i marrëveshjeve të mëparshme. Japonia, Vietnami, Singapori, Brunei, Malajzia, Australia dhe Zelanda e Re janë pjesë e të dy marrëveshjeve.

Sidoqoftë, Marrëveshja e re e tregtisë së lirë nuk do të thotë se janë zgjidhur të gjitha problemet midis partnerëve tregtarë apo se vendet nënshkruese nuk janë të shqetësuara me rritjen e varësisë nga Kina. Japonia aktualisht po rishikon lidhjet e saja të furnizimit nga Kina. Konflikte ka edhe midis Australisë dhe Kinës, sepse Pekini po kufizon importet nga Australia për shkak të tensioneve politike. Por kjo marrëveshje demonstron se ekonomitë e këtij rajoni janë të shqetësuara dhe skeptike ndaj politikës së Trumpit në këtë rajon.