Aplikacion
Kur më 30 maj Lulzim Bashës iu grumbulluan dhjetëra njerëz në një rrugë në zonën e Kënetës në Durrës, Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, u shpreh e tmerruar.
“Si ministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale jam e tmerruar nga kjo shfaqje ekstreme papërgjegjshmërie, në kushtet e hapjes, kur më shumë se kurrë njerëzit duhet të respektojnë rregullat e mbrojtjes nga COVID-19, sepse ekspozimi është i madh”, ishte reagimi i Manastirliut.
“Si mund të jepet kjo shfaqje dhe cili lider në botën e sotme jep këtë shembull thjesht për interesin e vet politik?!”, ngriti ajo me shqetësim pyetjen.
6 muaj më vonë, takimet politike nuk janë ndalur, as nga Basha e as nga Rama.
Tani vendi është në valën e dytë të covid-19 dhe qeveria ka nisur të kufizojë sërish lëvizjet. Por takimet me pjesëmarrje të madhe janë të përditshme.
Po bëhen në vende të hapura, por janë sërish grumbullime. Në televizione, Rama apo Basha shfaqen të rrethuar nga njerëz që mbajnë maska e ruajnë distancën, por para apo pas këtyre rreshtimeve të rregullta nuk dihet se ç’bëhet e as sa e kanë të mundur ta ruajnë distancën të ftuarit e tyre.
Astrit Patozi, një kritik i dyshes Rama – Basha i kërkoi kryeministrit Publikisht që t’i ndërpriste tubimet.
«Nëse thua se je duke u bezdisur nga opozita e Bashës, që e ka kthyer prej kohësh në kalë beteje temën e Covid 19, të paktën mund t’i shmangësh takimet elektorale këto ditë të vështira, kur infektimet janë rritur frikshëm. Ndryshe, i bie që i thua popullit tënd mos bëj atë që bëj unë, por vetëm atë që them unë. Sado ta përgatisësh mirë skenografinë në natyrë, me distancat sociale korrekte apo me maskat në gatishmëri, prapëseprapë ato grumbullime militantësh dhe figurantësh mbeten vatra të mundshme të përhapjes së virusit.»
Po përse kryeministri nuk i eviton këto grumbullime që mund të rezultojnë të rrezikshme, sic ishte kongresi i socialistëve i thirrur pak ditë para mbylljes së madhe të marsit, ku dyshohet se u infektuan dhjetëra persona?
Nëse vërtet grumbullimet shërbejnë si përhapës të tij, çfarë e detyron kryeministrin të mos i evitojë ato? «Një grusht vota», shkruan Patozi.
Por a mund të rrezikohet shëndeti i qytetarëve për pushtet?
Në maj, Ministrja e Shëndetësisë i kërkonte pikërisht këtë Bashës.
“U bëj thirrje qytetarëve të mos bien pre e kësaj papërgjegjshmërie të pajustifikueshme dhe zotit Basha të mos i faturojë njerëzve e vendit, koston e papërballueshme të luftës së tij të dëshpëruar për pushtet!”, apelonte Manastirliu.
A nuk është koha që ky apel t’i përsëritet edhe Ramës?
PËR NJË GRUSHT VOTASH MË SHUMË…
Nëse thua se je duke u bezdisur nga opozita e Bashës, që e ka kthyer prej kohësh në kalë beteje temën e Covid 19, të paktën mund t’i shmangësh takimet elektorale këto ditë të vështira, kur infektimet janë rritur frikshëm.
Ndryshe, i bie që i thua popullit tënd mos bëj atë që bëj unë, por vetëm atë që them unë.
Sado ta përgatisësh mirë skenografinë në natyrë, me distancat sociale korrekte apo me maskat në gatishmëri, prapëseprapë ato grumbullime militantësh dhe figurantësh mbeten vatra të mundshme të përhapjes së virusit.
Jo për gjë, por nuk ke asnjë arsye të nxitosh, sepse ata të tjerët nuk kanë ndërmend të zbresin në fushë, ngaqë janë duke thënë se po presin Komisionin e Venecias, i cili mund të flasë diku nga mesi i dhjetorit.
Deri atëherë mund t’ia kursesh Shqipërisë ca qindra apo mijëra infektime, në radhë të parë, duke mos shërbyer si model i keq, sepse interesa të vogla politike nuk mund të mbizotërojnë mbi kërcënimin kombëtar, që përfaqëson një shpërthim i shifrave të epidemisë.
I cili mund të marë me vete, jo vetëm jetë njerëzish, por bashkë me ta edhe ekonominë e vendit për një grusht votash më shumë.
Kosova, larg konsensusit për Presidentin e riZgjedhja e një kandidati për president të vendit duket të jetë vështirë e arritshme për koalicionin aktual qeverisës. Megjithëse LDK pret diskutim përtej partive në pushtet për të gjetur një zgjidhje, në Lëvizjen Vetëvendosje mohojnë kategorikisht përfshirjen, në atë që ata i quajnë, pazare për postin e kreut të shtetit. Ndërsa në PDK thonë se kjo temë është vetëm e koalicionit qeverisës dhe se nuk është diskutuar asnjëherë brenda partisë.
Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi thotë se nëse ka një marrëveshje të gjerë për një zgjidhje të caktuar do të marrin vendimet e duhura, por thotë se “votë blanco” nuk japin për askënd.
“Kjo është çështje më gjithëpërfshirëse dhe duhet të diskutohet përtej koalicionit. Ky koalicion qeverisës e ka të pamundur të zgjidhë çështjen e presidentit dhe duhet një konsultim më i gjerë se konsultimin brenda koalicionit… Kjo nënkupton se duhet të ketë konsultime më të gjëra, përfshi Vetëvendosjen dhe PDK-në për të arritur një proces të suksesshëm në Kuvend… Nëse ka marrëveshje të gjerë për një zgjidhje të caktuar atëherë normal që ne do diskutojmë dhe do të marrim vendimet e duhura… Nuk mundet askush të japë ‘vota blanco’ për askënd”, thotë ai, për KP.
Por kundër çfarëdo lloj përfshirjeje për emërimin e një presidenti të ri, pa zgjedhje të reja, u shpreh deputetja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila.
“Nuk mundemi të përfshihemi në pazaret të cilat i sjellin vetëm dëme vendit. E dyta të cilat nuk kanë asnjë peshë apo relevancë për qytetarët në këtë moment. Në këtë moment për qytetarët është e rëndësishme t’i kthehet legjitimiteti një qeveri të re. Të ketë vendimmarrje të mirëfilltë për qytetarët dhe natyrisht legjislatura e radhës të vendosë për një kandidat apo kandidate konsensuale dhe që reflekton unitetin në vend dhe jo që synon, ashtu siç kemi parë deri tash, vazhdimin e politikës së pazareve prej postit të presidentit”, thotë ajo.
E deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri u shpreh se zgjidhja e një presidenti të ri për vendin nuk është temë brenda partisë dhe se asnjëherë nuk është diskutuar.
“Kjo nuk është temë brenda PDK-së. As nuk është diskutuar dhe as nuk është duke u diskutuar”, tha ai ditë më parë.
Ndërkaq, rol të rëndësishëm në votimin e një presidenti të ri, Arton Demhasaj nga shoqëria civile e sheh tek AAK-ja.
Sipas tij, nëse kjo e fundit nuk lëshon pe në kërkesën e tyre për kandidaturën e Ramush Haradinajt atëherë vendi shumë lehtë mund të shkojë në zgjedhje të reja.
“Duke marrë parasysh se çelësi i zgjidhjes së këtij problemi dhe krijimi i shumicës së nevojshme për t’u zgjedhur presidenti është tek AAK-ja atëherë me gjasë mund të ndodh që AAK-ja mos të lëshojë pe tek pozita e presidentit, pastaj do të lindë nevoja që PDK me LDK-në të gjejnë një zgjidhje që t’i japin më shumë hise PDK-së në qeveri në mënyrë që vendi mos të shkojë në zgjedhje. Të dyja janë të mundshme, por me gjasë për shkak të pozicionit të fortë që AAK-ja e ka në këtë moment dhe mund të mos lëshojnë pe”, thotë ai.
KosovaPress ka tentuar të marrë një qëndrim edhe nga AAK-ja për këtë çështje, mirëpo nuk kanë qenë të qasshëm.
Më 4 nëntor, pas konfirmimit të aktakuzës nga Gjykata Speciale, ish-presidenti Hashim Thaçi dha dorëheqje nga posti i të parit të shtetit. Detyrën e kreut të shtetit po e ushtron kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani.
Kroaci/ Në klasën e mësimit shqip në komunitetin arbëneshNë Zarë të Kroacisë, profesoresha Makslimijana Barançiç dhe bashkëpunëtori i saj Nilo Karuc, japin kontributin e tyre në ruajtjen e gjuhës dhe kulturës arbëneshe.
Barançiç realizon seanca mësimi shqip për fëmijët e komunitetit Arbënesh, duke i aftësuar me mësimin e fjalorit dhe mënyrat e shqiptimit të tingujve dhe fjalëve në shqip. Së bashku me Karuc, kanë realizuar edhe disa botime të përshtatura për fëmijët e klasave fillore, shoqëruar me ilustrime, me tematikë mbi kafshët shtëpiake dhe veprimtari jetësore të përditshme, që gjithashtu shfaqen në video së bashku edhe Fjalorin Arbënisht-Kroacisht, që doli nga botimi pak ditë më parë.
Sekuencat e fundit të kësaj kronike televizive u kushtohen fëmijëve arbënesh që recitojnë në gjuhën e tyre amtare. Ministria e Arsimit në Kroaci ka miratuar futjen e lëndës së “Gjuhës dhe Kulturës shqipe” në shkollën e lokalitetit Arbanas në Zarë, lëndë që ka frekuentim dhe për realizimin e saj janë dërguar Abetaret dhe tekstet e tjera nga Qendra e Botimeve të Diasporës pranë Ministrit të Shtetit për Diasporën.
Anketa e madhe e emigracionit, e zhvilluar vitin e kaluar nga INSTAT, në rreth 20 mijë familje në të gjithë vendin, ka gjetur se, gjatë periudhës 2011-2019, ka emigruar jashtë 13% e popullsisë ose mbi 360 mijë persona. Tirana, me emigrimin më të madh të familjeve, ndërsa Shkodra, Fieri, Durrësi, me humbjet më të mëdha të popullsisë. Kukësi ka normat më të larta të ikjes së popullsisë, jashtë dhe brenda vendit. 53% e të ikurve janë me arsim të mesëm ose të lartë. Shumica, të rinj. Gati 60% e të ikurve rendisin varfërinë si arsye
Blerina Hoxha / Monitor
Po largohet “truri”
Shqipëria është duke përjetuar zhvillime alarmante në humbjen e popullsisë, për shkak të emigracionit të lartë. Edhe pas tri dekadash nga ndryshimi i sistemit, flukset emigratore janë të larta, duke e vënë perspektivën e zhvillimit të vendit në një rrugë pa krye.
Shifrat zyrtare tregojnë se gjatë vitit 2011-2019 janë larguar nga vendi mbi 360 mijë persona, ose 13% e popullsisë banuese në vitin 2011. Rezultatet dolën nga anketa e madhe e emigracionit që zhvilloi INSTAT, në bashkëpunim me donatorët në rreth 20 mijë familje vitin e kaluar (prill-korrik 2019). Anketa ka zbuluar një fakt të frikshëm në dekadën e kaluar, pasi fenomeni është zgjeruar në emigrimin e së gjithë familjes. Gjatë 10-vjeçarit të fundit janë larguar nga vendi 6,6% e familjeve, gjithsej 49,500 të tilla, ndërsa në vitet 2001-2011 ishin larguar 4.4% e njësive familjare.
Në totalin e familjeve të larguara jashtë, numrin më të madh e ka Tirana, ku raportohet se janë larguar 10,3% e totalit të qarkut, ndërsa qarqet me humbjet më të mëdha të popullsisë janë Kukësi dhe Tropoja në Veri, Durrësi dhe Elbasani në qendër dhe Fieri në Jug.
Anketa ka zbuluar se kushtet ekonomike, duke përfshirë varfërinë, papunësinë dhe nënpunësimin, të ardhurat e ulëta nga punësimi, kushtet e vështira të jetesës, mbrojtja e kufizuar sociale dhe borxhet janë faktorët kryesorë për emigrantët shqiptarë.
Përveç këtyre faktorëve bazë, një tjetër shtysë është e ardhmja e fëmijëve. Përveç tyre, ka edhe të tjerë faktorë, si mangësitë dhe cilësia e ulët e shërbimeve të kujdesit shëndetësor, strehimi, konfliktet dhe siguria fizike që shkaktojnë stres të vazhdueshëm psikologjik, përfshi cilësinë e ulët të arsimit. Për disa nëngrupe (p.sh. romët dhe egjiptianët), një faktor shtesë është diskriminimi. Pjesa dërrmuese e personave që emigrojnë janë të rinj, ndërsa 14% e tyre ishin me arsim të lartë. Largimi i burrave ishte 200% më i lartë se ai i grave.
Që në fillim të viteve 1990, migracioni ndërkombëtar dhe ndikimi i tij ekonomik, politik e shoqëror mbeten çështje thelbësore në Shqipëri. Shqipëria është mes vendeve kryesore në botë për shkallën dhe intensitetin e migracionit ndërkombëtar. Ndërkohë, kërkimi i azilit është një dukuri relativisht e re për vendin dhe ka nisur të raportohet në statistikat europiane që prej fillimit të udhëtimit pa viza në zonën e Schengen-it.
Nga viti 2010 deri në shtator të vitit 2019, rreth 193 000 shtetas shqiptarë u regjistruan si azilkërkues për herë të parë në vendet e BE-së. Dukuria arriti pikën kulmore në vitin 2015, kur kërkuan azil rreth 67 000 shtetas shqiptarë, për t’u ulur më tej, si rezultat i procedurave të përshpejtuara të shqyrtimit të kërkesave të azilit, rregullave më rigoroze të migracionit dhe normave më të ulëta të pranimit. Përveç emigracionit jashtë, edhe 200 mijë persona kanë migruar brenda vendit.
Tirana humb 10% të familjeve, Shkodra, Fieri dhe Durrësi, të parat për emigracionin e lartë
53% e të ikurve me arsim të mesëm dhe të lartë
76% e të ikurve të papunë, ose pjesërisht të punësuar
Varfëria, arsye kryesore për emigrim
Teoritë e konspiracionit dhe keqinformimi rreth vaksinaveAnketa e INSTAT për emigracionin, si u realizua dhe çfarë mati
Teoritë e konspiracionit dhe keqinformimi nxisin mosbesimin tek vaksinat dhe mund të ulin nivelet e vaksinimit për COVID-19n në Amerikë dhe Britani nën normat e nevojshme për të mbrojtur komunitetet ndaj sëmundjes, thuhet në një studim të publikuar të enjten.
Studimi, ku morën pjesë 8,000 njerëz nga të dyja vendet, zbuloi se më pak njerëz do ta “bënin patjetër” vaksinën sesa vlerësimi i shkencëtarëve, sipas të cilëve është e nevojshme që vaksinën ta marrë 55% e popullsisë për të siguruar të ashtuquajturin “imunitet të turmës”.
“Vaksinat funksionojnë vetëm nëse njerëzit i marrin ato. Dezinformimi shfrytëzon ankthin ekzistues dhe pasigurinë për vaksinat e reja apo për platformat që po përdoren për krijimin e tyre,” tha Heidi Larson, profesore në Shkollën e Londrës për Higjienën dhe Mjeksinë Tropikale, e cila ishte një ndër drejtueset e studimit.
“Kjo kërcënon të minojë nivelet e pranimit të vaksinës për COVID-19n”, tha zonja Larson, e cila është gjithashtu drejtoreshë e Projektit Ndërkombëtar të Besimit të Vaksinat.
Studimi publikohet ndërkohë që një ndër projektet kryesore të vaksinës dha rezultate premtuese këtë javë. Kompania Pfizer Inc tha të hënën se vaksina e saj eksperimentale për COVID-19n ka një efekt prej më shumë se 90%, bazuar në të dhënat e provave të fazës së vonë. Të dhënat shihen si një hap vendimtar në betejën për të frenuar pandeminë.
Në studimin për keqinformimin, 3,000 persona të anketuar në secilin vend u ekspozuan gjerësisht midis qershorit dhe gushtit ndaj njoftimeve keqinformuese në mediat sociale për vaksinën e koronavirusit. Ndërkaq, 1,000 personave të tjerë në secilin vend iu treguan informacione faktike në lidhje me vaksinën.
Para se të ekspozoheshin ndaj keqinformimit, 54% e këtyre personave në Britani thanë se ata “patjetër” do ta pranonin vaksinën, ashtu si 41,2% në Shtetet e Bashkuara. Por pas shfaqjes në Internet të dezinformimit, shifrat ranë me 6.4 përqind në Britani dhe 2.4 përqind në Shtetet e Bashkuara.
Studimi nxjerr në pah se në të dyja vendet, njerëzit pa diplomë universitare, ata që bëjnë pjesë në grupet me të ardhura të ulëta dhe jo të bardhët kanë më shumë gjasa ta refuzojnë vaksinën.
Gratë, sipas studimit, kanë më shumë të ngjarë se burrat ta refuzojnë vaksinën për koronavirusin. Megjithatë, një numër më i madh të anketuarish në të dyja vendet thanë se do ta merrnin vaksinën nëse do të ishte fjala për të mbrojtur familjen, miqtë ose grupet e rrezikuara të popullatës.
Më shumë se 130 oficerë të CIA me covid-19Më shumë se 130 oficerë të Shërbimit Sekret të Shteteve të Bashkuara kanë rezultuar pozitivë me koronavirusin ose kanë qenë në kontakt të ngushtë me kolegët e infektuar, njoftoi gazeta “The Washington Post”.
Raporti, i botuar të premten, iu atribua tre personave “me njohuri për stafin e agjencisë”.
Oficerët e Shërbimit Sekret, të cilët, ndër të tjera, kanë edhe detyrën për të mbrojtur Presidentin Donald Trump kur ai udhëton, si dhe kur është në Shtëpinë e Bardhë, u urdhëruan kohët e fundit të vetëizoloheshin, thuhej në njoftim.
Burimet, të cilët gazeta thotë se folën në mënyrë anonime që të shpreheshin më lirshëm, thanë se infeksionet besohet se kanë të bëjnë me tubimet e fushatës që Presidenti Trump mbajti para zgjedhjeve presidenciale të 3 nëntorit. Raporti citon gjithashtu burimet të thonë se rreth 10% e ekipit kryesor të sigurisë së agjencisë është “mënjanuar”.
Presidenti Trump, anëtarët e familjes së tij të ngushtë dhe një numër në rritje i zyrtarëve të Shtëpisë së Bardhë dhe të ekipit elektoral kanë rezultuar pozitivë kohët e fundit për koronavirusin pas aktiviteteve të fushatës, ku shumë zyrtarë të administratës dhe të pranishmit e tjerë nuk kishin maska.
Shtëpia e Bardhë dhe Shërbimi Sekret nuk e komentuan menjëherë raportin, por zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Judd Deere i tha gazetës se administrata e merr “seriozisht çdo rast” dhe e referoi gazetën tek Shërbimi Sekret për përgjigje ndaj pyetjeve për përhapjen e infektimeve. Një zëdhënës i agjensisë nuk pranoi të komentojë për gazetën.
Vala e përhapjes e raportuar në radhët e oficerëve u shfaq ndërsa kriza e koronavirusit në Shtetet e Bashkuara vazhdon të përkeqësohet. Më shumë se 153’000 infektime të reja u raportuan të enjten, sipas Universitetit Johns Hopkins, hera e parë që totali i ri njëditor tejkaloi 150’000.
Gati 10.6 milionë njerëz në Shtetet e Bashkuara kanë marrë koronavirusin, ndërsa numri i të vdekurve në vend afrohet tek 243’000, sipas Universitetit Johns Hopkins.
Gjermania: Krimi i organizuar nga Shqipëria u rrit në 2019Në fillim të javës përfundoi në Neu-Ulm, një qytet në Bavari, një gjyq kundër një grupi shqiptarësh. Akuza ishte për ndihmë në tregtinë ilegale të lëndëve narkotike në sasi jo të vogla. Të akuzuarit kishin hyrë në natën e 14 dhjetorit 2019 në një depo staxhionimi frutash në Neu-Ulm për të marrë 500 kg drogë të ruajtur në kutitë e bananeve. Prokuroria e dinte që në depo ndodhej kokaina e ardhur nga Ekuadori nëpërmjet Roterdamit dhe e kishte ndërruar më parë lëndën narkotike me imitime. Në momentin kur shqiptarët hynë për të „vjedhur” drogën, policia i kapi. Gjyqi u dha gjashte të pandehurve dënime prej 6 deri 7 vjetësh, bëhet e ditur nga një deklaratë shtypi e Gjykatës së Landit në Memmingen. Prokurori Markus Schroth, i tha DW se të akuzuarit ishin në përgjithësi persona nga familje të varfra, që kishin marrë pjesë ne aksion nga nevoja për të ardhura.
Rast i Neu-Ulmit nuk është i rrallë. Dy muaj përpara se të kapeshin shqiptarët në fjalë, ishin dënuar në Landshut për të njëjtën akuzë pesë shqiptarë të tjerë në një nga proceset më të mëdha gjyqësore të kokainës në Gjermani. Sasia e kokainës e kapur kështu në kutitë e bananeve, që vinin nga Ekuadori në Hamburg për t’u shpërndarë nëpër depot e staxhionimit në Gjermani ishte mbi 2 tonë. Si në rastin e Landshutit, ashtu edhe në rastin e Neu-Ulmit, në bankën e të akuzuarve ishin vetëm ndihmësit. Kokat e krimit mbeten të pazbuluara.
Të dytët pas gjermanëve
Tregtia ilegale e drogës, kryesisht importi i kokainës nga Ekuadori, dhe shpërndarja nëpër Gjermani, dhe deri diku edhe prodhimi i kanabisit përbënin 93% të aktivitetit të krimit të organizuar shqiptar në Gjermani, bën të ditur Enti Federal i Kriminalistikës (BKA), në pasqyrën vjetore të krimit të organizuar, që u botua javën e kaluar.
Fushat e tjera të aktivitetit të krimit të organizuar në Shqipëri janë krime të pronësisë dhe falsifikim dokumentesh. Shqiptarët edhe në vitin 2019 vijojnë të jenë në krye të listave për pjesëmarrje në strukturat e krimeve të organizuara. Nga 202 grupime të identifikuara për trafik droge, në vitin 2019, 29 ishin të dominuara nga shqiptarët. Numri i grupimeve shqiptare aktive në tregtinë e drogës në vitin 2019 renditej kështu i dyti në listën e BKA-së, pas gjermanëve me 66.
13,5 milione xhiroja
Në statistikat e Entit Federal të Kriminalistikës përmenden vetëm rastet e kapura nga policia. Si krim të organizuar BKA konsideron krimin që përmbush njërin nga tre kushtet a) përdor struktura biznesi, b) përdor kërcënime ose dhunë si mënyrë intimidimi c) ka ndikim në politikë, media, administratë, drejtësi ose ekonomi.
Në krahasim me vitin 2018, në vitin 2019 krimi i organizuar i shqiptarëve në përgjithësi rezulton të jetë rritur. Edhe pse numri i të dyshuarve për aktivitete kriminale të organizuara ka mbetur i njëjti si në vitin 2018, pra, 244. Vitin e kaluar autoritetet federale kanë futur në listat e tyre 146 shtetas shqiptarë të rinj, të kapur në kuadër organizatash kriminale. „Mbetja e njëjtë e shifrës së personave të dyshuar është rastësi,”, i tha DW një zëdhënëse e BKA-së.
Të ardhurat nga krimi i organizuar me shtetësi shqiptare në vitin 2019 janë dyfishuar, siç del në pah nga pasqyrat vjetore të BKA-së për krimin e organizuar për vitet përkatëse. Kështu, ndërsa në vitin 2018, xhiroja e grupimeve shqiptare ka qenë mbi gjashtëmilionë euro, në vitin 2019 kemi një rritje në mbi 13,5 milionë euro. Xhiroja e grupimeve të kapura me tregti droge në vitin 2019 ka qenë gjithsej 46,4 milicinë Euro.
Të tretët për krim të organizuar
Sipas raportit vjetor të BKA-së, në vitin 2019, në Gjermani kanë vepruar gjithsej 31 grupime të Krimit të Organizuar të dominuara nga shtetas me shtetësi shqiptare, 29 prej të cilave, pra në tregtinë e drogës. Shtetësia shqiptare zë vendin e tretë kështu, pas gjermanëve me 171 grupime dhe turqve me 78 grupime. Pak më poshtë në listën e dhjetë kombësive më të shpeshta që merren me krim të organizuar në Gjermani, janë edhe kosovarët, me 14 grupime, pas polakëve, italianëve, rusëve. Të fundit në listë janë serbët, me 13 grupime.
Edhe numri i kosovarëve të dyshuar për vepra penale të krimit të organizuar është rritur në 198. (në vitin 2018 ka qenë 182.) Në vitin 2019 janë kapur 48 të rinj. Xhiroja e të ardhurave nga veprimtaria e krimit të organizuar e kosovarëve ka qenë nën 1 milionë euro. Fushat e krimit kanë qenë falsifikimet, tregtia e drogës, vjedhjet dhe puna në të zezë.
Korona na plaku të gjithëve“Gjatë pandemisë edhe të rinjtë ndihen të moshuar sepse e kuptojnë se sa vulnerabël janë”, mendon shkrimtarja rumune Lavinia Braniște
Dy javë më parë takova disa ish-shokë të shkollës së mesme që kishin ardhur në qytetin tonë. Jeta duket të jetë më e durueshme këtu – për arsyen e thjeshtë që prindërit tanë kanë shtëpi me oborr. Këto gjëra tani janë me vlerë të pamatshme. Për disa prej nesh duket e pamundur të arrijnë qëllime të tilla vetë – sidomos jo në një qytet të madh.
Dy nga ish-shokët e mi të shkollës nuk i kam parë që kur kam mbaruar shkollën e mesme, sepse ata u transferuan në vende të tjera, por tani ata mund të punojnë nga shtëpia, kështu që u kthyen për një farë kohe. Sa më pëlqente të mendoja për këtë ribashkim – zemra ime galoponte gjatë gjithë ditës, sepse më në fund do të dilja, jo në qytet, por në oborrin e dikujt – momentet e para të takimit ishin të çuditshme. Lloji i përshëndetjes tregoi menjëherë se si ndihen të gjithë në situatën aktuale mjekësore. Disa ruanin me kujdes distancën, të tjerë përshëndeteshin me bërryla, një tjetër u turr me gëzim për të na përqafuar, por kjo nuk funksionoi tek të gjithë. Edhe pse moshat tona janë të njëjta, në ato momente kisha ndjesinë se disa ishin më të rinj se të tjerët.
Në fillim thuhej se të rinjtë po përhapin virusin pa e ditur
Unë shpresoja se nuk do të flisnim shumë për pandeminë, por sigurisht që kjo temë dominoi në takimin. Në tryezë, midis shisheve dhe tasave me kikirikë, ishin shpërndarë shishe me dezinfektues. Ne i vendosëm karriget tona në mënyrë që të kishte një distancë të caktuar midis tyre, por kjo do të thoshte që nuk e dëgjonim njëri-tjetrin shumë mirë dhe duhej të flisnim me zë më të lartë. Dhe ju e dini që nëse flisni me zë të lartë i shpërndani pikat e pështymës edhe më shumë. Kohët e fundit kam lexuar një artikull që analizonte rrezikun e ngjitjes në situata të ndryshme dhe përfundimi ishte disi se ishte më mirë të mos flisje fare kur takoje miq. Kush e di se çfarë mund të fluturojë sapo të hapësh gojën. Dhe në një dhomë të mbyllur, kjo është edhe më keq.
Nuk ka kaluar një vit që nga shenjat e para shqetësuese se virusi po përhapet, por shumë aspekte të jetës sonë janë rikonfiguruar tashmë. Nga normat e mirësjelljes tek perceptimi i epokës sonë. Në muajt e parë u tha se sëmundja nuk i prek shumë të rinjtë, dhe për pasojë ata nuk ishin mjaft të kujdesshëm. Dhe njerëzit i tregonin me gisht sepse ata po përhapnin virusin pa e ditur. Në ndërkohë, mjaft të rinj janë sëmurë dhe ky ligjërim është moderuar disi. Ne të gjithë jemi plakur – domethënë, të prekshëm. Unë isha e re për sa kohë që jetoja vetëm në muajt e parë të pandemisë, por pastaj u ktheva në shtëpi dhe mora moshën e njerëzve me të cilët tani jetoj.
Ne jemi duke përjetuar kohë fluide dhe të luhatshme në të cilat të dhënat e mbledhura nga një ditë në tjetrën po ndryshojnë vazhdimisht statistikat. Asgjë nuk është më e sigurt në jetën tonë të përditshme, planet nuk kanë më kuptim. Njoftimet e autoriteteve duhet t’i ndjekim vazhdimisht. Dhe këto autoritete pengohen dhe pengohen.
Në rajonin tonë secili lufton për veten
Unë vuaj nga një miopi e moderuar që kur isha 13 vjeç dhe pa syze jetoj në një botë mjaft të mjegullt. Kur largohem nga dhomat e mia private dhe duhet të vendos maskën, nuk mbaj syze sepse ato gjithmonë mjegullohen, gjë që është e bezdisshme.
Kjo është arsyeja pse universi im pandemik është i hutuar dhe difuz, plot zëra që ndonjëherë nuk e di nga vijnë. Në këtë univers, mungesa e një kuptimi dobëson edhe të tjerët. Duket sikur edhe kjo më zvogëlon pak inteligjencën: më ka ndodhur tashmë disa herë që kur më duhet të bëj pazar bëj gabime duke numëruar paratë. Ndonjëherë kaloj rrugën kur semafori është i kuq, megjithëse e shoh ngjyrën e semaforit, por kam ndjesinë se nuk mund ta përpunoj më këtë sinjal.
Ky është imazhi që unë do të lidh me pandeminë – edhe pasi të ketë mbaruar: një kohë e mjegullt, e hutuar, me rreziqe budallaqe në çdo hap, të tilla si një vrimë në asfalt ku mund të ndrydhësh kyçin e këmbës. Një kohë në të cilën të gjithë luftojnë për veten e tyre, siç është gjithmonë në rajonin tonë kur kalojmë kriza. Sepse shteti nuk është në gjendje të kujdeset për qytetarët e tij – më së paku për të vegjlit dhe të dobëtit. Një kohë kur gjëja më e rëndësishme është të mbledhësh forcat e tua në mënyrë që këmba jote të shkelë pikërisht në vendin e duhur, një hap pas një, në mënyrë që të mos rrëzohesh. Sidomos kur edhe njerëzit e tjerë janë të varur prej teje.
Të gjithë jemi në rrezik
Ka shumë gjëra që ne nuk i shohim qartë në këtë kohë sepse nuk jemi në gjendje të kapim informacionin e plotë. Gjërat që lidhen me përhapjen e virusit dhe garën për vaksinën, me mbikëqyrjen masive të përshpejtuar, me zhvillimin e aftësive për të shkruar dhe lexuar si një nxënës i klasës së dytë që për një vit ka bërë mësim vetëm përmes internetit, me pasoja të tjera të panumërta të valëve të goditjes të masave anti-korona që arrijnë në të gjitha klasat shoqërore. Shumica jonë është dritëshkurtër në shumë fusha – dhe është e pamundur që të jemi ndryshe.
Nuk kam asnjë përgjigje të shkurtër për pyetjen e vështirë dhe komplekse se si të rinjtë po kalojnë nëpër këtë krizë. Ka të ngjarë të ketë institucione që kanë statistika të azhurnuara për shkallën e infeksionit sipas grupmoshave, shifrat e papunësisë dhe të dhëna mbi rënien e fuqisë blerëse. Mosha jonë mund të gjendet në një bosht të këtyre grafikëve. Por edhe sikur të kisha qasje në të gjitha këto të dhëna, do të ishte ende e vështirë për mua t’i lexoja. Përshtypja ime është se nuk është më aq e rëndësishme sa vjeç jemi, sepse ti gjithashtu mund të jesh një “i ri me sëmundje të fshehura”. Ti nuk e di se në sa mënyra trupi yt mund të të tradhtojë. Të gjithë jemi në rrezik. Nuk është mosha ajo që na dallon tani, por më shumë situata ekonomike. Në një farë mënyre, si pensionist ke më shumë siguri: ka ikur koha kur punëdhënësi bëhej merak për ty. Madje konsiderohesh i parëndësishëm nëse punon në një sektor “jo relevant për sistemin”, si kultura (ky është në thelb mesazhi që na përcjellin).
E ardhmja, ëndërr marrëzish
Dje një fqinj më tha që nëse ai do të ishte “shefi i botës” do t’i bllokonte të gjithë në shtëpi për një muaj e gjysmë dhe kështu do të shpëtonim nga virusi. Do të doja të kisha optimizmin e këtij personi i cili është i bindur se ka zgjidhje të thjeshta. Më bën kurioz se ndaj kujt drejtohet zemërimi i tij, sepse diçka po vlon ndër të gjithë ne, por biseda u ndërpre shpejt. Një muaj e gjysmë – duket si një moment, por në rrethanat aktuale sigurisht që nuk do të ishte kështu. Koha është zgjeruar, është ngrirë pothuajse, marsi tashmë na duket sikur i përket një jete tjetër. Kështu që ne jetojmë në këtë mjegull në të cilën na mbetet vetëm të lëvizim me kujdes, nga afër në afër. Këtu e ardhmja është bërë një ëndërr marrëzish, pavarësisht sa të rinj jemi.
Romani i parë i Lavinia Braniștes “Brendësia zero” u zgjodh si romani më i mirë i vitit në Rumani në 2016. Në vitin 2018 ai u përkthye në gjermanisht dhe u botua nga Mikrotext-Verlag, Berlin. Romani i saj i dytë “Sonia ridică mână” (“Sonia ngre dorën”) do të botohet në përkthimin gjermanisht në fillim të vitit 2021.
Një vaksinë kundër Coronës do të vijë “shumë shpejt” bëri të ditur presidenti, Donald Trump para shtypit në Shtëpinë e Bardhë të premten. Që në dhjetor do të vaksinohen amerikanët e parë, kurse në prill vaksina e Biontech dhe Pfizer do të jetë në dispozicion të të gjithë popullatës, tha Trump. Qeveria amerikane ka siguruar me kontratë 100 milionë doza vaksine dhe ka mundësinë të sigurojë disa milionë doza të tjera.
Dyshimet e para për fitoren?
Trump për herë të parë shfaqi dyshime të lehta për atë që deri më tani është theksuar si fitore e tij në zgjedhjet presidenciale. “Idealja do ishte të mos hynim në një lokdaun”, tha ai, duke pasur parasysh rritjen e fortë të rasteve të Coronës në SHBA. “Të shpresojmë, se pavarësisht, se ç’do të ndodhë në të ardhmen, se cila qeveria do të jetë, mendoj, këtë do ta tregojë e ardhmja, por unë mund t’iu them: kjo qeveri tani nuk do të hyjë në lokdaun.”
Më shumë se një gjysmë fjalie të tillë nuk tha Trump. Nuk ishin lejuar pyetjet nga ana e gazetarëve pas deklaratës së Trumpit, ku ai lëvdoi punën e qeverisë aktuale. Ndërkohë mediat amerikane kanë njoftuar fituesit edhe në dy shtetet e fundit federale, ku ende numëroheshin votat. Sipas tyre, Joe Biden fiton në Georgia, kurse Trump në North Carolina. Me këtë fitore Joe Biden siguron 360 delegatë zgjedhorë, për të fitur zgjedhjet duhen 270 syresh.
Presidenti i zgjedhur, Joe Biden kërkoi përkundër kësaj masa të menjëhershme kundër përhapjes kaq të shpejtë të virusit. Deri sa një vaksinë kundër COVID-19 të jetë në dispozicion për të gjithë, do të kalojnë muaj. “Sot nevojitet veprim urgjent, nga qeveria e tanishme, duke filluar me pohimin se as serioze është gjendja”, tha Biden.
Leja për vaksinën aplikohet tek autoriteti amerikan FDA
Sipërmarrja gjermane Biontech dhe partneri amerikan farmaceutik, Pfizer duan të aplikojnë gjatë muajit për lejen në kushte emergjence për përdorimin e vaksinës në SHBA. Në fillim të javës u bë e ditur, se kjo vaksinë sipas të dhënave të para- ofron 90% mbrojtje nga infeksioni me Corona. Kriteret për lejen e emergjencës tek enti amerikan FDA nuk janë shumë të larta. Thënë në mënyrë të thjeshtëzuar, duhet të provohet, se një ilaç apo vaksinë ndihmon më shumë se krijon rreziqe. Kurse për një leje të plotë kërkohen nga FDA plotësimi i më shumë kritereve dhe një proces më i gjatë.