zoom

Day ArchiveCovid-19 rëndon Kosovën, Vendi drejt mbylljes totale

Kosova po shkon drejt një mbylljeje totale.  

Është ky paralajmërimi i bërë nga kryeministri i vendit, Avdullah Hoti, i cili në intervistën për Radion Evropa e Lirë tha se brenda dy ditëve të ardhshme pritet të hyjnë masa të reja në fuqi.

Avdullah Hoti: Gjendja është vërtetë e rëndë, tepër e rëndë. Numri i rasteve të reja është tepër i lartë edhe jemi gati në limitet e kapaciteteve që kemi në spitalet tona. Jemi të detyruar të marrim masa që janë bukur drastike. I kemi ndërmarrë disa masa deri më tash, disa masa pak më strikte vikendin e kaluar dhe tash jemi duke i përgatitur masat të cilat besoj për dy ditë hyjnë në fuqi sepse jemi duke i kryer disa konsultime të nevojshme brenda organizatave të ndryshme, me bizneset, me odat ekonomike, me grupe të ndryshme që i prekin kryesisht këto masa, por jemi të detyruar t’i ndërmarrim masa.

“Jemi duke i ndjekur protokollet që i kanë zbatuar edhe vendet e tjera, por ne jemi në një situatë më të vështirë për shkak të kapaciteteve të limituara në spitale, për të akomoduar të gjithë ata që kanë nevojë për shërbim spitalor.

“Duhet thënë që për vite të tëra nuk ka pasur rritje të kapaciteteve në spitale dhe pavarësisht përgatitjeve që i kemi bërë me rritje të kapaciteteve për testim ta zëmë, ose me përfshirjen e spitaleve nëpër regjione dhe Qendrat “Kryesore të Mjekësisë Familjare, edhe me rritjen e të punësuarve në institucionet shëndetësore, prapë është e pamundur që të përballojmë situatën. Prandaj, jemi të detyruar të shkojmë drejt masave ekstreme, përfshirë edhe mbylljen totale”.

Numra të lartë të të prekurve me Covid-19 janë regjistruar ditët e fundit në Kosovë. Vetëm në 24 orët e fundit, janë shënuar 596 raste pozitive. Që nga fillimi i pandemisë, numri numri total i rasteve pozitive është 25.388 raste me virusin Covid-19 dhe 773 raste vdekjeje.

Vakancat në Kushtetuese/Skualifikohet nga gara Sheqir Hasani

Gjykata Administrative e Apelit ka rrëzuar kërkesën e kandidatit për Gjykatën Kushtetuese, Sheqir Hasani, i cili kishte ankimuar vendimin e KED-së.

Hasani pasi ishte skualifikuar nga KED në garën për një vend në Kushtetuese, e apeloi vendimin në Gjykatën Administrative. Gjykatë kjo e cila ka lenë në fuqi vendimin e KED-së duke e bërë të pamundur rikthimin e gjyqtarit në garë.

Kujtojmë se në një vendim tjetër të dhënë ditën e sotme, Gjykata Administrative e Apelit ka vendosur që të rikthejë në garë për Gjykatën Kushtetuese, kandidaten e skualifikuar Zhaklina Peto. Ishte vetë kandidatja që bëri këtë kërkesë, e cila është pranuar nga trupi gjykues i Gjykatës.

Apeli hodhi poshtë vendimin e KED të datës 5 tetor, qe ndaloi kandidimin e Petos për mosplotësim të kushteve ligjore dhe tashmë duhet të rimerret në shqyrtim kandidatura e saj.

Disa ditë më parë, Apeli Administrativ rrëzoi vendimin e KED për ndalim kandidimi për Eugen Papandilen.

Film biografik për Zlatan Ibrahimoviç, ja dy shqiptarët në rol

Një film që bazohet në biografinë e Zlatan Ibrahimovic, “I Am Zlatan”, do të lansohet më 2021, me aktoret që do të luajnë Ibrën e ri dhe të vjetër që tashmë janë gjetur. Në të pritet që të luajnë edhe dy aktorë shqiptar

Jeta e yllit të 39 vjeçarit do të paraqitet në një film me skenar të Jakob Beckman dhe David Lagercrantz kurse regjia punohet nga Jens Sjogren.

Do të jenë dy aktorë që do ta luajnë Zlatanin.  Dominic Bajraktari Andersson që do ta luajë rolin e Ibrahimovic nga mosha 11-13 vjeç derisa Granit Rushiti është aktori tjetër që do ta luajë Ibrën nga mosha 17-23 vjeç.

Xhirimet tashmë kanë filluar në tetor dhe do të vazhdojnë në Amsterdam kurse premiera e filmit pritet të jepet në vjeshtën e vitit 2021.

COVID-19 godet arsimin, 220 mësues të infektuar në Korçë

Vijon të rritet ndjeshëm numri i mësueseve të infektuar nga Covid 19 në qarkun juglindor të Korçës.

Janë 50 mësues pozitivë me koronavirus në Bashkinë e Korçës, 20 në Pogradec ndërkohë që 30 të tjerë janë raste të shpërndara në qytetet e tjera të rrethit.

Sipas procedurës, mësuesit e infektuar pasi vendosen në karantinë të menjëhershme, u merret tamponi rasteve të kontaktit dhe bëhet zëvendësimi nga mësues në listën e portalit.

Bashkia e Korçës kohët e fundit ka bërë thirrje edhe për mësues vullnetarë.

Ndërkohë janë 8 nxënës të infektuar me Covid 19 në Pogradec, konfirmon DSHP, po ashtu mendohet të jenë mbi 20 nxënës në Korçë, të cilët nuk janë duke shkuar nëpër institucionet arsimore.

Pavarësisht numrit të lartë të mësuesve të infektuar, DSHP nuk pranon që institucionet arsimore të jenë kthyer në vatra infeksioni.

Që prej fillimit të pandemisë e deri me tani janë infektuar rreth 220 mësues në të gjithë qarkun.

OBSH ngre alarmin, Shtresat më të varfra në Shqipëri rrezikojnë të bien nën minimumin jetik

Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëron se familjet e varfra në Shqipëri, të cilat janë të pasiguruara, përballen me pengesa financiare për të marrë shërbim në spitale duke përjetuar shpenzime katastrofike, të cilat mund të rrezikojnë të lënë të pambuluara nevojat bazë të jetesës.

Sipas analizës më të fundit të OBSH, rreth 12% e familjeve përjetojnë shpenzime të mëdha, ndërsa rreth 8% e tyre janë futur në varfëri ose do varfërohen më tej pasi paguajnë nga xhepi për të marrë shërbim shëndetësor.

Rreth një e treta e popullsisë që është e pasiguruar detyrohet të paguajë pothuajse çdo shërbim shëndetësor nga buxheti i vet. Sipas OBSH-së mungesa e të ardhurave është arsyeja pse shumë familje kanë nevoja të paplotësuara për shëndetin dhe kujdesin dentar.

Masat e ndërmarra nga qeveria shqiptare konsiderohen të mirëpritura, por OBSH vlerëson se ato nuk adresojnë të gjitha boshllëqet në këtë sektor.

“Qeveria Shqiptare ka ndërmarrë hapa për të përmirësuar aksesin në kujdesin parësor për njerëzit e pasiguruar duke u ofruar atyre check-upe falas në 2015 dhe vizita falas te mjekët e përgjithshmë në 2017. Këto masa janë të mirëseardhura por nuk adresojnë boshllëqe të tjera të rëndësishme në mbulim.”

Në periudhën e marrë në analizë rezulton se pagesat nga xhepi për ilaçe u rritën nga 53% në 76%.

Lidhur me këtë fenomen, OBSH kërkon marrjen e masave për të zvogëluar nevojat e paplotësuara dhe t’u jepet përparë njerëzve në varfëri.

Sipas organizatës, fondi i sigurimit të detyrueshëm shëndetësor duhet të mbulojë automatikisht të gjithë, dhe jo vetëm ata që paguajnë kontribute.

Të tjera masa janë: përjashtimi nga pagesat i personave me pak të ardhura dhe ata me sëmundje gjendje kronike dhe rritja e investimeve publike në sistemin shëndetësor në mënyrë që Shqipëria të mos jetë ndër vendet që alokon fondet më të ulëta për këtë sektor.

 

Covid shënon shifra në rritje, 563 persona pozitivë dhe 8 viktima në 24 orë

Rekord rastesh të reja edhe këtë të martë. Në 24 orët e fundit janë regjistruar 563 raste pozitive në 2723 testime të kryera, prej të cilave 984 janë testime që janë kryer për arsye depistimi.

Rastet pozitive të konfirmuara në 24 orët e fundit janë identifikuar në këto bashki:
255 raste në Tiranë, 56 në Gjirokastër, 43 në Shkodër, nga 24 raste në Korçë, Elbasan, 20 në Fier, 17 në Krujë, 11 në Sarandë, nga 10 raste në Pukë, Kolonjë, nga 9 raste në Lushnje, Mallakastër, nga 8 raste në Lezhë, Kavajë, nga 7 raste në Vlorë, Berat, nga 6 raste në Kukës, Peqin, nga 5 raste në Durrës, Has, nga 4 raste në Tropojë, Gramsh, nga 3 raste në Pogradec, Kuçovë, nga 2 raste në Delvinë, Tepelenë, nga 1 rast në Mirditë, Kamëz, Përmet, Dibër, Malësi e Madhe.

I lartë mbetet edhe numri i vdekjeve, me 8 viktima të regjistruara në 24 orët e fundit.

“Me gjithë përpjekjet e mjekëve, në 24 orët e fundit, kanë humbur jetën 8 qytetarë me Sars-Cov2 pozitiv në spitalet COVID: një 33 vjeçare nga Lushnja pa sëmundje bashkëshoqëruese, një 46 vjeçar dhe një 60 vjeçare nga Shkodra, një 65 vjeçar nga Prrenjasi, një 65 vjeçar dhe një 66 vjeçar nga Tirana, një 74 vjeçar nga Pogradec, një 76 vjeçar nga Durrës, me sëmundje bashkëshoqëruese”.

Raportimi i testimeve nga laboratorët publik dhe privat

Ministria e Shëndetësisë bën me dije se nga sot, në komunikimin e përditshëm do të raportohen të gjithë testimet që kryhen në Shqipëri, bazuar ne vendimin e Komitetit Teknik të Ekspertëve, pra do raportohet numri total i testimeve të kryera në strukturat publike bashkë me testimet e kryera në laboratorët e licensuar jo publik.

A duhet të mbaj maskë nëse jam vaksinuar kundër COVID dhe sa doza duhet të marr? Mediat e huaja japin sqarime për dilemat që ka njerëzimi

Njerëzimi është në pritje të një vaksinë që do të mposhtë koronavirusin i cili ka marrë më shumë se një milionë jetë njerëzish në të gjithë botën.

Rezultatet paraprake shumë pozitive nga Faza 3 e provave klinike të vaksinës Pfizer/ BioNTech BNT162b1 kanë rritur shpresat se infeksioni COVID-19 përfundimisht do të trajtohet në mënyrë efektive.

Dje, Pfizer, përmes udhëheqësit të saj grek, Dr. Albert Bourla njoftoi se vaksina është 90% efektive në një mostër prej 94 rastesh të konfirmuara të COVID-19.

Po aq pozitive janë rezultatet e dy “rivalëve” të tjerë të fortë të BNT162b1, Moderna mRNA-1273 dhe AstraZeneca / Universiteti i Oksfordit AZD1222, të cilat do të publikohen në të ardhmen e afërt.

Por meqenëse si COVID-19 ashtu edhe SARS-CoV-2 janë paradokse të reja në jetën tonë, ka disa pyetje të arsyeshme në lidhje me rolin e vaksinave në menaxhimin e pandemisë.

Këtu janë shtatë pyetjet dhe përgjigjet në lidhje me vaksinën e re të koronavirusit:

  1. Sa doza të vaksinës duhet të marr?

Siç tregojnë të gjitha të dhënat nga të gjitha provat klinike të Fazës 3 mbi tre vaksinat më të zakonshme (BNT162b1, mRNA-1273 dhe AZD1222), duhen dy doza të vaksinës 28 ditë larg ndërmjet injektimeve për të siguruar imunoprotektimin e duhur.

Sigurisht, ekziston edhe vaksina Johnson & Johnson nën zhvillim , JNJ-78436725, e cila tregon në studimet e Fazës 1 për të arritur një përgjigje të përshtatshme imune me një dozë të vetme.

  1. A duhet të vazhdoj të mbaj maskë nëse jam vaksinuar kundër COVID-19?

Sipas Qendrave Kombëtare të SHBA për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), po ne duhet të vazhdojmë të mbajmë maskën tonë siç duhet (duke mbuluar hundën dhe gojën) për të mbrojtur veten dhe të tjerët.

  1. Nëse kam COVID-19 dhe jam shëruar, a kam nevojë për vaksinën?

Vlerësimet se sa zgjat dikush që është rikuperuar nga imuniteti natyror i COVID-19 nuk janë bërë ende të ditura aktualisht. Provat paraprake sugjerojnë se ky imunitet mund të mos zgjasë shumë, prandaj shumë studime të synuara janë duke u zhvilluar për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje thelbësore. Kështu që për momentin asnjë rregullator nuk mund të përgjigjet qartë nëse njerëzit që janë shëruar nga infeksioni COVID-19 duhet të bëjnë vaksinën apo jo.

  1. A është e nevojshme të vaksinohemi kundër COVID-19 nëse ndjek masat themelore të mbrojtjes (maskë, distanca, higjienë e mirë e duarve)?

Për të ndaluar pandeminë, ekspertët besojnë se duhet të përdoren të gjitha mjetet në dispozicion. Vaksinat janë mënyra për të rritur sistemin imunitar në mënyrë që trupi ynë të jetë i gatshëm të merret me SARS-CoV-2 kur të ballafaqohet me të. Përdorimi i maskës dhe respektimi i distancave ndihmojnë me vendosmëri në zvogëlimin e shanseve për tu ekspozuar ndaj koronavirusit të ri ose nëse jemi transportues për ta transmetuar atë tek ata që na rrethojnë.

Sipas CDC, vaksinimi kundër COVID-19 dhe pajtueshmëria me të gjitha masat e mbrojtjes në kombinim është mënyra më e mirë për të mbrojtur kundër koronavirusit të ri.

  1. A zgjat më shumë imuniteti i dikujt që është rikuperuar nga COVID-19 sesa mbrojtja që siguron vaksina?

Imuniteti natyror siç u përmend më lart nuk dihet saktësisht sa zgjat dhe mund të ndryshojë nga personi në person. Dhe për shkak se SARS-CoV-2 është e re për shkencëtarët, gjithashtu nuk dihet se sa kohë do të zgjasë mbrojtja e vaksinave.

  1. Nëse jam vaksinuar kundër COVID-19, a mund ta kaloj SARS-CoV-2 te njerëzit e tjerë?

Teorikisht, nëse vaksina është dhënë në mënyrë korrekte dhe personi i vaksinuar ka zhvilluar një përgjigje të përshtatshme imune, atëherë transmetimi i virusit tek të tjerët nuk është i mundur. Sidoqoftë, meqë hulumtimi është ende në vazhdim, përgjigja përfundimtare do të jepet në praktikë.

  1. Cila përqindje e popullsisë duhet të vaksinohet për të arritur “imunitetin e tufës” ndaj COVID-19?

Një studim amerikan i botuar në Revistën Amerikane të Mjekësisë Parandaluese në Qershor, bazuar në një algoritëm llogaritës, vlerësoi se rreth 60-70% e popullsisë së botës duhet të vaksinohen për të ndaluar përhapjen e SARS-CoV-2 në komunitet.

“Basha dhe Shtëpia e Verdhë”/ Gazetarët që po çmontojnë dhe mbrojnë akuzat e Ramës

Përmes disa twitter-ave, pak pas arrestimit të Hashim Thaçit, Edi Rama tentoi të ngrinte një furtunë nacionaliste kundër kundështarit të tij, Lulzim Bashës, të cilin e etiketon si mik sa herë kërkon të ngjallë dyshimet e vjetra se atë e ka bashkëpunëtor.

Fillimisht e akuzoi për lidhje me të ashtuquajturën “Shtëpia e Verdhë”, një shtëpi e rrënuar në fshatin Gurrë të Matit, ku sipas raportit të Dick Marty dhe librit të ish –kryeprokurores së Hagës, Carla del Ponte, dy persona të akuzuar për lidhje me Serbinë, është kryer trafik organesh.

Edi Rama: “Lulëzim a e sqaron dot çfarë dosje ke përgatitur për sajesën e Shtëpisë së Verdhë bashkë me mjekun peruan që dëshmon se ti ke mbledhur dëshmitë bashkë me të?”

Më pas, i tha se PD kishte votuar në Këshillin e Europës pro raportit të Dick Marty-t, që ngriti akuza për krime lufte dhe kundër njerëzimit për drejtuesit e UÇk. Plot 5 postime me të njëjtin qëllim. Vorbulla që krijoi Rama e arriti qëllimin. Disa gazetarë u përfshinë në këtë histori për të hedhur dritë mbi të.

Elona Meço, një gazetare me përvojë që sot punon si drejtore e zyrës së shtypit në PD, publikoi disa informacione, që sipas saj çmontojnë akuzat e Ramës dhe provojnë se ai gënjen.

Elona Meço: “Edi Rama gënjen për qendrimin e Shqipërisë ndaj raportit të Dick Marty. Ky raport nuk u votua kurrë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës në Janar 2011, sepse raportet nuk votohen. Në Asamble, Shqipëria votoi pro një rezolute, e cila kërkonte hetim për çështjet e ngritura në raportin e Dick Marty. Rezoluta i bën thirrje Eulex-it, Kosovës, Shqipërisë, Serbisë etj që të ndihmojnë me hetimin. Pra, vota nuk është pro raportit të zotit Dick, por pro rezolutës. Raporti mund të prodhonte vetëm zhurmë, e cila mbahej e ndezur vetëm nëse Shqipëria do të votonte kundër rezolutës, që kërkonte mbështetje për hetimin e akuzave. Sot, thashethemet e zotit Dick mbahen gjallë vetëm nga zoti Edi. Për luftë të brendshme politike apo për interesa të tjerë, si ato të raportit të Dick Marty, le të na e thotë ai.”

Top Channel nxorri nga arkivat shkrimin e një gazete zvicerane “Le Temps”, sipas të cilës, një antropolog peruan që kishte qenë pjesë e grupit hetimor në “Shtëpinë e Verdhë”, kishte përmendur Lulzim Bashën si njeri që kishte mbledhur të dhëna.

Kronika e Top Channel- Jose Pablo Baraybar: “Përkthyes im quhej Lulëzim Basha, dhe ai ka punuar si mbledhës të dhënash përmes përkthimit për Gjykatën Ndërkombëtare Penale për ish- Jugosllavinë. Më vonë ai u bë Ministër i Punëve Publike në Shqipëri dhe unë e kam dëgjuar vitin e kaluar të deklarojë se kjo histori e organeve është asgjë. Tani unë po them çfarë ai ka thënë. Ai ishte me mua. Ai ka regjistruar dëshmitë bashkë me mua. Ai kishte dosjen”, tha Jose Pablo Baraybar, antropolog mjeko-ligjor nga Peruja, i cili ka punuar si një ekspert i OKB-së në pjesën më të madhe të skenave të krimeve të luftës dhe genocidit në botë si në Haiti, Ruanda, Bosnjë, Kroaci dhe natyrisht Kosovë.” (kronika e plotë e Top Channel – https://www.youtube.com/watch?v=qefTpQlnVb4)

Por gazetari Habjon Hasani i dha zë një interviste të vjetër që ai kishte realizuar me mjekun peruan, që citohej nga gazeta zivecaren dhe që Rama e përmendi në përpjekjen e tij për të lidhur Lulzim Bashën me atë që po i ndodh sot Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit.

Ai kritikoi fort edhe kronikën e Top Channel, si “nje turp, bazuar ne nje shkrim te genjeshtert te nje gazete zvicerane”, ndërsa ribotoi në faqen Hashtag.al intervistën e tij me mjekun peruan.

Habjon Hasani: “Eksperti i OKB-së Jose Pablo Baraybar mohoi kategorikisht të ishte shprehur për gazetën zvicerane “Le Tiemps” se kur kishte vizituar “Shtëpinë e Verdhë” ai shoqërohej nga Lulzim Basha. “Unë kurrë nuk kam thënë dhe e përsëris, kurrë, se zoti Basha ishte me mua në Shtëpinë e Verdhë. Nëse kjo është botuar ka qenë një citim i gabuar.”, – u përgjigj eksperti duke demontuar me një fjali gjithë tymnajën e ngritur në Tiranë”. (Shkrimi i plotë – https://hashtag.al/index.php/2020/11/09/deshmia-ekskluzive-eksperti-i-okb-gazeta-zvicerane-ka-shpifur-lulzim-basha-ska-qene-me-mua-ne-shtepine-e-verdhe/

Por Top Channel insistoi në versionin që i përafrohej akuzave të Edi Ramës ndaj Lulzim Bashës. Gazetari Muhamet Veliu, intervistoi avokatin që mbrojti në Hagë Ramush Haradinajn. Tom Gashi e përmendi Bashën si zyrtar të lartë të UMNIK dhe e lidhi atë me hetimet e dala nga raporti i Dick Marty.

Muhamed Veliu: Përmendët rrolin e Lulzim Bashës në UNMIK por kush ka qenë shefi i tij në Kosovë?

Avokat Tom Gashi: Shefi Lulzim Bashës në fund të mandatit të UNMIK ka qenë prokurori amerikan Clint Williamson. Ky prokuror është ai i cili e ka hetuar raportin e senatorit Dick Marty të cilin nga një dokument politik e ka shndërruar në dokument juridiko-penal. Clint Ëilliamson ka qenë prokuror I njohur për shumë vite në Kosovë dhe ka punuar si drejtor në departamentin e drejtësisë, pra ka pasur rol kryesorë në drejtësinë e Kosovës dhe Lulzim Basha publikisht dihet që ka qenë në atë punë dhe rroli i tij ka qenë një prej zyrtarëve më të lartë në transferimin e çështjeve nga UNMIK tek vendorët. Sigurisht që këtu konsiderohen edhe dosjet penale dhe civile të cilat janë transferuar.

Deri tani asnjë media tjetër nuk është përfshirë në debatin që ngriti Rama, duke përdorur për politikë të brendshme atë që po u ndodh ish-krerëve të UÇK. Nga gazetarët e pakët që u përfshinë, ndarja është e qartë, njëra pjesë që nxjerr Ramën si gënjeshtar dhe Top Channel që me gazetarët e tij rrëmon të mbështesë deklaratat e kryeministrit, të cilat deri tani janë të babaza, përderisa nuk ka publikuar ende ndonjë dokument që i vërtetojnë ato. /Zoom.al

Një shqiptare në krye të Këshillit Suedez për Paqen në NATO

Shkipe Bunjaku ndonëse e lindur në Suedi, me një krenari për tu pasur zili në cdo kohë thekson prejardhjen e saj shqiptare, madje ajo është shndërruar në një ambasadore të denjë të kulturës dhe traditës së vendit të saj të origjinës.

Lindur dhe rritur në Suedi, Shkipe Bunjaku njeh mjaft mirë trojet shqiptare dhe pa dyshim gjuhën shqipe. Prindërit në fillim i mësuan gjuhën amtare, shqipen, më pas në moshën pesë vjeçare filloi të mësoi gjuhën e vendit ku jetonte, suedishten. Në klasën e parë mësuesja që e prezantoi Shkipen, i foli nxënësve të tjerë mjaft mirë për Shqipërinë dhe shqiptarët, gjë që ndikoi tek Shkipja e vogël në atë kohë dhe ja shtoi dashurinë për rrënjët e saj. Përveçse një patriote e flaktë, Shkipe Bunjaku është edhe një grua mjaft e suksesshme në karrierë. Një bizneswomen që tashmë drejton shumë kompani, me një përvojë të suksesshme si Kryetare e Këshillit Suedez për Paqen në NATO, si dhe aktiviste e palodhur e çështjeve të Diasporës, Shkipe Bunjaku rrëfen shumë detaje nga jeta e saj në një intervistë për “Diaspora Shqiptare”.

Ju keni lindur në Suedi, por lidhja me Shqiptarinë dhe shqiptarët ka qenë gjithmonë e fortë, si e shpjegoni këtë lidhje dhe kush ka ndikuar?

Kam lindur në kryeqytetin e Suedisë, Stockholm në vitin 1974. Familja ime erdhën në Suedi me kontratë pune nga Turqia, vend nga i cili u arratisën në 1964 nga Shkupi. Nëna ime ka lindur në Burrim të Pejës, por kur ajo ishte 2 vjeçe gjyshi im u pushkatua nga forcat serbe në vitin 1945 dhe gjyshja ime me dy fëmijë u arratis në Shkup. Babi im lindi në Shkup, por duke qenë se xhaxhai im Rexhep Bunjaku ishte i burgosur politik, familja e babait tim kanë vuajtur shumë. I tregova këto detaje, sepse mendoj që vuatja e familjes sime, qoftë nga ana e nënës, por edhe nga babi janë dikimet e para për çështjet shqiptare.

Në vitin 1974 u hap Ambasada e parë Shqiptare në Stockholm dhe pasi babi im asnjëherë nuk ka bërë dallime në mesin e shqiptarëve doli dhe e priti ambasadorin e parë shqiptar në aeroportin e Stockholmit, Arlanda. Prindërit e mi janë shoqëruar me shqiptar ballista, zogista, komunista, katolik dhe musliman, por ajo që i mbante ishte fakti që të gjithë ishin shqiptar. Ambasada Shqiptare në atë kohë lejonte të porosisim libra në gjuhën shqipe dhe aty ishte qendra ku mblidheshim të gjithë shqiptarët në Stockholm.

Me anë të librave në gjuhen shqipe na tregonin për historinë shqiptare, por edhe gjithmonë babi bënte porosi për video kaseta të festivalit të këngës në Gjirokastër dhe aty i mësova vallet shqiptare dhe këngët shqipe dhe prej këtyreve valleve më lindi ëndrra që të studioi në Akademinë e Baletit në Shqipëri, sepse unë i adhuroj shumë vallet Shqiptare.

Nëna ime u shkollua në Stockholm dhe mori diplomë si mësuese për fëmijë. Ajo e mësoi shumë shpejt gjuhën suedeze dhe na lexonte përrallat të Astrid Lindgren në gjuhën shqipe dhe unë në moshën 5 vjeçe fillova ta mësoj suedishten, pasi që kam qenë në shtëpi gjatë gjithë kësaj kohe. Fillova në shkollë në moshën 6 vjeç dhe kisha fatin ta kem një mësuese suedeze ku herën e parë që kishim prezentimin në klasë dhe unë tregova për origjinën time shqiptare ajo ma forcoj krenarinë e origjinës duke i tregu klasës sime për Shqipërinë dhe shqiptarët më shumë fjalë të bukura.

Këto janë njerëzit që më dhanë inspirimin e parë që si shqiptare jam superiore.

Emri juaj Shkipe sikur e shton edhe më shumë këtë lidhje?

E vërtetë. Ne jemi 4 fëmijë, motra ime e madhe quhet Lulieta dhe vëllai i madh quhet Luan, këto të dy janë të lindur në Shkup. Pastaj është vëllai Alban dhe unë Shkipe. Motra ime kish takuar në Kosovë një gazetare që e kishte emrin Shkipe dhe e kish pyet për këtë emër, ajo kish treguar për ardhjen e emrit Shkipe dhe burimin e kohës së At Gjergj Fishtës. Kur linda unë vendosën familja që të ma vendosin emrin Shkipe të cilin e mbaj me shumë krenari. Mund edhe t’ju tregoj që kur e takova një Shkipe tjetër në Prishtinë, të dyja ishim shumë krenare me emrin.

Cili ka qenë angazhimi juaj i parë në çështjet e Diasporës?

Përpos demonstratave anembanë Europës që merrja pjesë në vitet ’80-’90,  angazhimi im e parë ishte kur një ministër Suedez me emer Birgit Friggebo doli dhe tha që shqiptarët e kanë kulturë hilen. Kjo ishte shumë e rëndë për ne që kishim punuar shumë për të treguar kush jemi ne shqiptarët në këtë shtet. Unë me anë të mësueses sime e gjeta numrin e telefonit dhe e mora atë në telefon. Asaj i tregova krejt ndjenjën time dhe i thash që nuk mundet me e përfshi një popull krejt për arsye të disa kriminelëve sikur se për fat keq i thashë që edhe ju Suedezët keni disa pedofila, a do të thotë kjo që ju gjithë jeni të tillë?

E kishim një bashkëbisedim shumë të mirë dhe ajo në ditën tjetër kërkoi falje haptazi në TV dhe në radio Suedeze. Ky ishte angazhimi i parë në vitin 1993. Pas kësaj në vitin 1994 me studime në Stockholm për BE dhe historinë e shteteve Nordike u lidha me organizata jo qeveritare dhe aty fillova lobimin për çarmatimin nuklear dhe për gjendjen e Kosovës në OKB, BE dhe në NATO si Kryetare e Këshillit Suedez për Paqe.

Ju keni studiuar në Washington. Si e kujtoni eksperiencën tuaj në Amerikë dhe pse nuk vendosët të jetoni në SHBA?

Studiova në Washington DC për arsye që caku im atëherë ishte që të bëhem avokate e popullit në OKB. Aplikova për dy kurse që mendoja do më japin dituri dhe eksperiencë me vlera për këtë drejtim. “Internatinal Relations” (Marrëdhënie Ndërkombëtare) dhe “International journalism” (Gazetarin ndërkombëtare).

Më pas u kthyet sërish për studime në Stokholm, këtë herë për Drejtësi, pse kjo degë?

Së pari kisha mundësi të rri në Washington sepse më ofruan punë dhe vazhdim shkollor, por me dukej shumë larg shtëpisë Amerika dhe unë vendosa të kthehem në Suedi, në fakt ku do në Europë sepse e gjithë Europa është shtëpia ime.

Aplikova për studime në Universitetin e Stockholmit për drejtësi, sepse ende kisha dëshirë të punoj për të drejtat e njeriut, u pranova dhe u shpërngula në Stockholm.

Më pas çfarë keni ushtruar si profesion?

Kam punuar në Ushtrinë suedeze 3 vjet ku kam stërvitur oficer të NATO-s se si përdoret përkthyesi në misione paqësore. Pastaj kam punuar si menaxhere në një fondacion. Kam qenë kryetare e partisë Social-demokrate në komunën Nacka në Suedi dhe këshilltare i Integrimit në komunë.

Menaxhere e përgjithshme në fushën Marinare të naftës dhe gazit, ku më pas ndërtova kompanitë e mia në Suedi, Norvegji dhe Kosovë në fushën Marinare të naftës dhe gazit ku kishim eksperta, fuqi punëtore për t’i udhëzuar klientëve në këtë industri. Këtu isha femra e parë në moshën 35 vjeç si drejtore.

I parapritë pyetjes sonë duke treguar se në moshë shumë të re keni qenë femra e parë drejtuese në fushën e naftës dhe gazit. Si ndikoi kjo në karrierën tuaj të mëpasme?

Nuk ka qenë e lehtë të jem një femër e re dhe e huaj, por kam arrit të fitoj respektin në këtë industri. Në fillim më ka ndodh që për shembull klientët nuk kanë kuptuar që unë jam femër dhe në takimin e parë me një klient mu drejtuan dhe më kërkuan tí sjell kafen. I kisha dy menaxherë shitës që punonin me mua, njëri ishte vëllai im Albani dhe tjetri ishte një suedez me emrin Göran dhe në këtë rast unë u ngrita dhe ja solla kafet duke qeshur. U ula dhe vëllai im më prezantoi si drejtoresha e komapanisë. Natyrisht të gjithë u turpëruan dhe kërkuan falje, por më dukej se gjesti ime modest rrodhi dhe ata u bënë klientët më të mirë në atë kohë.

Pastaj princi i Arabis Saudite na ftoi në Riad me bashkëpunim me Ambasadën Suedeze për të parë mundësitë për bashkëpunim. Personalisht nuk shkova por i dërgova dy menaxherët ( Meshkuj) të mi në këto takime. Në faqen e fundit të prezentimit të kompanisë sime ishte një foto e imja dhe një biografi e shkurtër e imja. Ata ishin mbledh i gjithë stafi ndërsa unë vetëm dy persona i kisha dërguar dhe drejtori ju drejtua stafit tim duke mbajt lart prezentimin dhe duke thënë kështu nuk duam, domethënë një femër dhe pa shami. Stafi im ju drejtuan duke thënë, por kjo është drejtoresha e kompanisë dhe është ajo që i merr vendimet përfundimtar. Më pas edhe me to nënshkruam një kontratë.

Këto ndodhi më kanë bërë edhe më të fortë, por mund të them që fuqin e parë që e kam ndje ishte kur e bëra ushtrinë dhe u vërtetova që njeriu mund të bëjë atë që e do vet pa marrë parasysh nëse je femër ose mashkull. Nuk janë mashkujt inferior, por edhe ne femrat mundemi.

Sot si prind unë nuk bëj dallime me djalin ose vajzën time. E kam një kërkesë ndaj të dyve dhe kjo është që ta bëjnë ushtrinë të dy.

Keni qenë Kryetare e Këshillit për Paqen Suedeze. Si e kujtoni si eksperiencë?

Mendoj se isha shumë me fat që kjo ndodhi pikërisht në kohën e duhur ku me mbeshtetje të kolegëve të mi kisha raste të flisja për Kosovën, shqiptarët në ish-Jugosllavi dhe për gjendjen kritike. Kisha rastin të informoj të gjithë pjesëtarët që kurrë të arrij lufta në Kosovë nuk është e njëjtë sikur në viset tjera ku luftërat u përshkruanin si lufta fetare, qoftë ajo ne Bosnje, por edhe në Kroaci. Këtu është historia ndryshe se janë kombe të ndryshe dhe nuk ka të bëjë me fe.

Në faqen tuaj në facebook, vum re se gëzoni respektin e shumë shqiptarëve të Diasporës, si ndiheni kur merrni fjalë kaq pozitive?

Rrugtimi për ta arrit këtë respekt si femër shqiptare nuk ka qenë as pak e lehtë, por mendoj që puna ime dhe respektin që e kam për të gjithë shqiptare vet tregohet.

Jam shumë krenare dhe falenderoj të gjithë që me mbeshtesin nga zemra nuk di si të ua shpjegoj sa falenderuese jam si femër shqiptare për këtë respekt. Kjo me duket që është shumë e rëndësishëm edhe për të gjithë vajza dhe gra shqiptare.

Sa e përfshirë jeni në çështjet e Diasporës dhe cili është roli juaj konkret si koordinatore, përmendim këtu edhe faktin që jeni bërë pjesë e FED?

FED ka organizime kudo në botë dhe për disa persona është e vështirë ta udhëheqin këtë punë masive vetë.  Ndaj jam koordinatore për Europën dhe detyra ime është t’i mbështes koordinuesit shtetërorë me këshilla nga përvoja ime po ashtu për t’i drejtuar tek ndihma e duhur ose tek arritja e cakut për lobimin në Europë.

E vizitoni shpesh Shqipërinë?

Shqipërinë e vizitoj cdo verë, vetëm sivjet nuk munda për shkak të pandemisë. E dua bregdetin tonë më të bukur në botë dhe i respektoj shumë njerëzit modestë të Vlores e në gjithë jugun. Kanë një kulturë të lart, ushqime fantastike etj.. Kurse edhe fakti që takohet Adriatiku me detin Jon në Vlorë e bën Vlorën edhe më magjike dhe më duket që nuk kam nevojë t’ju tregoj për historinë që na ka lënë trashigim Vlora, dhe për shkrimtarët, poetët e mëdhenj.

*Ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i intervistës pa cituar burimin “Diaspora Shqiptare”. 

Nesër mbyllja. Leje për të lëvizur pas orës 22:00

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, ka bërë të ditur se prej ditës së nesërme 11 nëntor hyjnë në fuqi masat e reja të propozuara nga Komiteti Teknik i Ekspertëve për parandalimin e COVID19.

Ministrja Manastirliu deklaroi se nga dita e nesërme hyjnë në fuqi urdhrat për ndalimin e aktiviteteve të bareve, restoranteve dhe kufizimin e lëvizjes së qytetarëve nga ora 22:00- 06:00, për një periudhë 3 javore si masa për frenimin e përhapjes së virusit SARSCOV2. Spias urdhrit të firmosur përjashtim nga kufizimet bëjnë personat që do të lëvizin për motive pune, emergjenca shëndetësore apo nevoja të domosdoshme.

“Do të ketë kufizim të lëvizjes së qytetarëve nga ora 22:00 deri në orën 06:00, në të gjithë vendin, deri në datën 02.12.2020. Përjashtim nga ky rregull urdhëri bëhet për personat që duhet të lëvizin për emergjenca shëndetësore, motive pune apo nevoja të domosdoshme. Duke filluar nga data 11 Nëntori, baret restorantet, fast food, lokale që ofrojnë shërbim për klientët nuk do të shërbejnë nga ora 22:00 deri në orën 06:00, në të gjithë vendin, përvec shërbimit në banesë, deri më datë 2 Dhjetor”, tha Manastirliu.

Manastirliu nënvizoi se administrata do të punojë nga shtëpia për tre javë dhe për personat që do të duan të lëvizin pas orës 22:00 do të duhet të pajisen me një leje nga E-albania.

Personeli i shëndetësisë, punonjësit e strukturave të shërbimeve kritike, përjashtohen nga rregulli i aplikimit në portalin e-Albania, duke patur dokumentacionin që vërteton punësimin pranë institucioneve.