Aplikacion
Tmerri në familjen tonë nisi me një viktimë. Për një javë, nëna e bashkëshortit, 72 vjeç, me të cilën jetonim në një shtepi, krejt papritur zë shtratin. Kishte dalë si gjithnjë xhiro ditën e shtunë, datë 17 tetor, nga parku Rinia dhe pedonalja, dhe të dielën shfaq shqetësime me bark e të vjella, e më pas temperaturë. Menduam një e ftohur. Të hënën i bëjmë skanerin që tregoi përkeqësim të veshkave, tëmthit, zmadhim të zemrës dhe një të ftohur të hershme, por jo COVID19. Vazhdojmë ta ndjekim te sëmundjet e brendshme, e çuam për konsultë te Spitali Ushtarak. Por, jo ndonjë përgjigje e saktë. Mundohemi ta ushqejmë, ta trajtojmë me paracetamol, por çdo ditë gjendja e saj rëndohej, mezi ngrihej dhe për tualet, refuzonte të hante. Ambulanca erdhi disa herë, njeherë i bënë qetësues, herën tjeter na i referuan për tampon për COVID19. Erdhën dhe i bënë tamponin të shtunën 24 tetor, pas shumë telefonatash. Të dielën në mëngjes, me vështirësi në frymëmarrje, morëm për herë të 4-rt në telefon 127-ën, e cila kësaj here pasi i mati dhe oksigjenin, e mori menjëherë në ambulance drejt Spitalit ‘Nënë Tereza’. Aty i bënë skanerin e dytë, i cili tregoi se mushkritë ishin dëmtuar rëndë dhe e dërguan direkt ne Senatorium, ne intubim. Shumë shumë vonë… U shtrua të dielën në intubim, dhe të martën më 27 tetor, mbylli sytë… Kaq ishte. Një sëmundje që pa kuptuar asgjë, të merr shpirtin për një javë. Ajo s’e donte spitalin, s’donte të vdiste atje, ishte shumë e fortë dhe aktive deri ditën që virusi, të cilin nuk e kuptuam ku e mori, i pushtoi trupin. Shkaku i vdekjes, COVID19. Aty kuptuam atë që nuk e kishim besuar kurrë. Ishim ekspozuar ndaj një sëmundjeje që të vdes për një javë.
….
Ferri sapo kishte hapur portën për familjen tonë. Me një vdekje në shtepi, tani ishim të tmerruar. Edhe ne kishim simptoma, perveç vajzës adoleshente. Personalisht temperatura nuk më zbriste gjithë ditën, fillimisht 37.7 por pastaj 38.5. Shkova te ambulanca e lagjes, me dhanë takipirinë, azitromicinë për 3 ditë dhe ditën e 5-të më dhanë një rekomandim për grafi te dispanseria (se për grafi duhet të kenë kaluar 5 dite nga simptoma e parë). Ditën që bëmë grafinë me tim shoq, rezultoi se mushkritë e mia ishin prekur, te tijat jo. Dr Silva e Dispanserisë na dha disa analiza për të berë dhe disa ilaçe që duhet t’i fillonim, si dhe shurup për kollën.
Meraku s’më la të flija atë natë, dhe të nesërmen herët u nisa për të bërë skaner te spitali ‘Nene Tereza’. Skaneri vërtetoi frikën time, – mushkritë tashmë ishin prekur nga COVID19. Doktori që më bëri skanerin me sugjeroi zgjidhje të shpejtë private, dr Mustafain dhe kliniken Ikeda, që janë ngjitur me spitalin, sepse me shtetin funksionon vetëm nëse thërret 127-ën. Unë nuk kisha ndërmend të prisja asnjë sekondë 127-ën, në radhën selektive masive popullore. Shkoj dhe doktori te klinika Ikeda (shyqyr që ka klinika private, privati është shpëtimi për atë që e ka me ngut); më sheh skanerin, më thotë që do besh ca analiza; m’i bëjnë aty në çast, dhe kthehem në shtëpi. Pasdite, del rezultati i analizave, doktori më nis me foto në WhatsApp kurën intra-venoze. Më thotë se gjendja është serioze, nëse s’gjen infermier të vijë në shtepi, do vish ta bësh këtu kurën. Gjeta infermier, një djalë i rrallë, i guximshëm dhe i papërtuar, që vetë e kishte kaluar COVID dhe punon çdo dite te infektivi. Dhe pasi mora ilaçet, kura filloi në mbrëmje, brenda ditës që bëra vizitën dhe skanerin. Trajtimi filloi fatmirësisht në kohë dhe në shtëpi. Me shtetin, me 127, nuk e ke kurrë këtë luks që të nisësh kurën brenda ditës që t’i merr vesh se të janë prekur mushkritë. Ndërsa unë merrja veten, im shoq përkeqësohej çdo ditë, pavarësisht se grafia i kishte dale shumë mirë ca ditë më parë. Ai bën skanerin, rezulton i prekur njësoj në mushkri, pas disa dite temperaturë 39, dhe nis kurën 4 ditë pas meje, në gjendje më të rënduar, por doktorin e kishim, morëm kurën, infermierin po. Fati dhe njerëzit nuk na braktisën. U lidha me një farmaciste që gjithë recetat e ilaçeve që më dërgonte doktori ia nisja me WhatsApp dhe ajo m’i sillte te hyrja e pallatit. Vajza ime, e vetmja me shëndet të plotë, zbriste e ngjiste shkallët për çdo porosi që na vinte. Ushqimet vinin nga prindërit e motrat dhe vellai. Çdo gjë nga njerëzit e mi të dashur.
Sigurisht, të kurohesh në shtëpi, kushton. Mua më shkoi rreth 80 000 leke, bashkë me burrin 1.6 mln të vjetra. Por paratë para shëndetit nuk llogariten. Tmerri më i madh është stresi pa mjek te koka, si do e gdhish natën, çfarë do bësh me temperaturën, çfarë do bësh nëse të bie niveli i oksigjenit, po nëse kura në shtëpi të jep komplikacione, probleme në zemër e organe te tjera, efekte anësore, kush të monitoron shëndetin? Askush. Mjeku që na ndoqi, kuron dhjetra vetë në ditë. Por të përgjigjet vetëm nëse shkon atje, se në shtepi s’të ndjek dot, aq më pak netëve të vështira, se i binte të flinte tek ne. Infermieri e kishte shtëpinë në Kombinat, shkonte dhe në punë te infektivi me turne, vinte dy herë dita te ne. Na thoshte me humor jeni mirë në krahasim me çfarë shoh në spital. Ç’mund të bënte më shumë? Tmerri më i madh ishte si do gdhiheshim të nesërmen deri sa të vinte radha e serumit. A do kishim nevojë për oksigjen? Gjeta dhe një numër telefoni të dikujt që jepte aparate oksigjeni me qera. Çdo gjë privat. Por fatmirësisht, nuk m’u desh kurrë. Ambulancat te rruga M. Shyri kalonin me sirena, 5 a 6 në ditë. Kjo na trembte. Cili do ishte hapi tjetër? S’donim të përfundonim aty. Një njeri i shtëpisë na vdiq në spital.
Këto enigma, këtë stres, infermieri s’ta zgjidh dot, është tej kapacitetit të tij.
U deshën më shumë se 2 javë që ne të ndaheshim nga kjo vdekje me sy hapur, një sëmundje e pabesë që të sulmon nga të gjitha anët me shpejtësi skëterre edhe pse s’ke asnjë sëmundje tjetër, dhe çdo ditë është e panjohur dhe e frikshme.
Ne nuk e pamë spitalin, u kuruam në mënyrë kaotike në shtëpi, pa protokoll, pa vemendjen e shtetit, pavarësisht se kemi një jetë që paguajmë taksa. Në dorë të privatit, të lekëve tona dhe të fatit. Se pa fat, as ilaçe nuk gjen dot.
Nuk gjykoj mjekët. Çdo mjek që kam folur, ka ndihmuar. Nuk e kanë fajin individët. Madje individët në këtë vend janë heronj.
Faji për mua është i sistemit kaotik të shëndetësisë, ashtu si gjithë sistemi kaotik e anarkik, jo institutional që mbretëron e qeveris këtë vend prej dekadash. Që më shumë kohë i kushton fasadës, sesa zinxhirit të funksionimit deri te hallka e fundit e shtetit. Disa herë kam pyetur mjeket e familjes, si të veproj. E ngrenë telefonin, kanë dëshirë të ndihmojnë, por janë lënë pa rol, janë të painformuar, të painstrukturuar, s’kanë protokoll të qartë, janë të trembur vetë nga Covid, mbrohen nga të sëmurët, janë të paorientuar mirë, fare të pamobilizuar. Dhe një gjilpërë për temperaturë të kërkosh prej tyre, thonë hajde ta bësh këtu. Si mund të ngrihet njeriu me temperaturë nga shtrati, të shkojë të bëjë gjilpërë paracetamol? Çfarë u kushton? Reagimi i tyre është aq i ngadaltë, sa nuk e kuptoj përse duhen? Përse dalin në punë, kur zgjidhja mbetet vetëm 127? Përse nuk u japin një rol kyç për të shpëtuar njerëz në këtë pandemi? Enveri do e bënte.
Dhe një fakt tjetër. Përse në klinikë private, COVID19 nuk është aq poshtërues, infermieret të pajisura thjesht me maskë e dorashka, por jo si astronautë të frikshëm, dhe u shërbenin dhjetra njerëzve në ditë, duke dizinfektuar shpesh duart. Eshtë sëmundje si gjithë të tjerat dhe mjekët e infermierët duhet të bëjnë detyrën. Sigurisht duke u mbrojtur, por duke shërbyer.
Shteti ynë ka kapacitet, mjekët tanë janë të përgatitur, infermierët të papërtuar. Çfarë mungon thoni ju? Zinxhiri drejtues nuk funksionon deri në pikën fundore, nuk ka linjë drejtimi për kurimin zyrtar të kësaj sëmundje, nuk ka mobolilizim dhe disiplinë, që askujt dhe atij që s’ka para dhe nuk ka miq mjekët, të mos i mungojë trajtimi. Mjeku i lagjes duhet të përgjigjet jo vetëm në telefon, por t’u dërgojë mjekimin dhe ilaçet e duhura gjithë njerëzve të zonës që kanë nevojë, të paktën për javën e parë. Mund të lidhet ambulanca e lagjes me një farmaci dhe të mos mungojë asnjë ilaç (ta mbulojë shteti se jemi në emergjencë, si kurrë më parë). Njerëzve t’u dërgohen ilaçet në shtëpi, se bëhet fjalë për një kurim në kohë rekord, ndryshe ikën nga kjo botë për një javë. Me lekët shteti mund të merret dhe më vonë, se ky reagim urgjent ka më shumë rëndësi se milionat që po paguan te check-up. Kujt i duhet check-up kur njerëzit po vdesin? Po paratë që paguajmë për këtë shërbim, a mund ti marrim mbrapsht në këtë situatë emergjente? Ambulanca e lagjes të urdhërohet që injeksionet për temperaturë apo dhe për ato kura të domosdoshme intravenoze t’u bëhen njerëzve në shtëpi. Të marrin 5 infermierë shtesë dhe të shkojne e tua japin këtë ndihmë njerëzve një herë/ditë me dy turne gjithë ditën, pa ngarkuar spitalet. Eshtë e mundur, se infermieri im privat ndjek 5 familje dy herë në ditë, plus që shkon 8 orë në punë. Kështu shteti shpëton dhe fytyrën e spitaleve të tyre duke mos i mbingarkuar. Për sa kohë që shumë njerëz në Tiranë po kurohen në shtëpi, shteti mund të ndihmojë taksapaguesit e vet, që e mbajnë në këmbë këtë sistem shëndetësie. Vetëm me disiplinë të rrepte, pak kinezçe, me urdhëra e mobilizim të mjekëve të lagjes deri në pikën fundore, me rimbursime të ilaçeve covid, shtim të infermierëve të lagjes, mund të përballohet. Nëse secila ambulancë e lagjes i vjen në ndihmë banorëve të vet, shteti do e menaxhojë këtë pandemi. Dhe sigurimi i ilaçeve patjetër është detyrë e shtetit. Por nëse përurojnë spitale sa për të dalë në televizor, nëse shkëputen nga njerëzit, nga vuajtja masive e padukshme, sigurisht që do përzgjedhin me 127-ën se kë të marrin e kë të lënë, dhe shumica e njerëzve do bëjnë harakiri në shtëpira.
**
Shqiptarët gjithnjë kanë qenë në dorë të Zotit. Për mua shteti, edhe në këtë përjetim me pandeminë, është ai që ka qenë në gjithë këto dekada tranzicioni,- një fasadë jofunksionale në hallkat lidhëse të tij. Zinxhir i shkëputur nga të tëra anët. Jo në shërbim të çdo qytetari, dhe atij që s’mundet. Unë shpëtova se zgjodha privatin, pasi e pësuam me vjehrrën që ia besuam shtetit.
Ah dhe tamponi… tamponi i vjehrrës erdhi 5 ditë pasi vdiq, mua kur po mbaroja punë me COVID19. Po gjithsesi mos prisni tampon, por vraponi, pasi çdo simptomë në këtë kohë thërret vetëm COVID19. Edhe nëse s’keni pará, borxh t’i merrni, vetëm zgjidhni rrugën e shpejtë, sekonda mos humbni! Sekondat janë jetë.
Maskat shpëtim? E kam mbajtur rregullisht, pa u bërë ende e detyrueshme. Kemi qenë aq të kujdesshëm me distancimin, me higjenen. E megjithate u semurëm 5 vetë. Padiskutim grumbullimet të ndalohen, turmat në kafene. Por mendoj se kryeministri nuk duhet të humbasë asnjë sekondë kohë me këto masa, që mund t’i komunikojë dhe një institucion tjeter i dorës së dytë. Ai dhe Ministria e Shëndetësise duhet të sigurojë funksionimin e zinxhirit të plotë të sistemit shëndetësor deri te lagjia, aty ku jeton çdo banor, dhe jo vetëm në Tiranë. Duhet të garantojë kujdesin për çdo njeri. Ilaçet të mos mungojnë, duhet trajnim urgjent të infermiereve dhe shtim të tyre, motivim dhe pagesa per ta dhe pajisje mbrojtëse për ta. Kur të ketë furnizuar dhe vënë në funksion çdo hallkë, me investimin dhe disiplinën e duhur, mund të komunikoje masa izolimi shtesë…
Ah, të mos të guxojë dikush të thotë s’ka COVID19, se nuk mund ta konsideroj qënie normale njerëzore. Këtë rrëfim mund ta mbaja dhe për vete, por e bëj për të ndihmuar ata që kanë nevojë, dhe për të sugjeruar ndonjë zgjidhje, nëse dikush nga shteti do më dëgjojë…. / Ky shkrim është marrë nga adresa në Facebook e Eva Kushovës. Titulli është i redaksisë
Thaçi mohon akuzat në Hagë, Jam i pafajshëm
Shkurt dhe prerë, ish- presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka mohuar para trupës gjykuese të Gjykatës Speciale të Hagës të 10 akuzat që rëndojnë ndaj tij për krime lufte! Ndryshe nga ish- kreu i Kuvendit, Jakup Krasniqi, Thaçi është treguar i kursyer në fjalët e tij duke lënë avokatin mbrojtës, David Hooper. “Akuza është krejt e paqëndrueshme dhe deklarohem i pafajshëm plotësisht për të gjitha pikat e akuzës”, ishte kjo fjalia e vetme e presidentit të dorëhequr të Kosovës në Hagë, ndërkohë avokati i tij ka pasur kritika për praktikat e ndjekura nga kjo Gjykatë.
Së pari, avokati ka deklaruar se mbrojtja nuk është njoftuar në kohë, çka ka bërë që të mos paraqitej me ekipin e plotë të avokatëve. Kritika ka pasur edhe për akt-akuzën e përgatitur nga Prokuroria, sipas të cilit janë hequr dy akuzat kryesore për të cilat është ngritur kjo gjykatë, ajo e trafikut të organeve dhe ‘shtëpia e verdhë’ në Burrel, akuzat më të bujshme të ngritura nga Carla Del Ponte në një librë dhe në raportin e Dick Marty. Hooper kërkoi që Thaçi të gjykohej i lirë, pasi sipas tij Thaçi është person me integritet dhe ndershmëri, që i ka shërbyer vendit të tij dhe në kohë paqe, por shtoi se këtë kërkesë do ta zyrtarizonte në momentin që do të merrte një përgjigje me shkrim lidhur me heqjen e atyre dy akuzave nga Prokuroria.
Kritika e tretë e avokati britanik lidhet me faktin se në këtë Gjykatë, e ngritur nga Kosova në bashkëpunim me BE-në, me qëllim hetimin e ish-luftëtarëve të UÇK-së, nuk ka asnjë simbol të shqiptarëve, as shqiponjën e zezë mbi të kuqe dhe as ndonjë veshje karakteristike të shqiptarëve, duke kërkuar që kjo vërejtje e tij të merret parasysh.
Ish- presidenti Hashim Thaçi akuzohet për 10 akuza, për përndjekje, burgosje, ndalim arbitrar, aktet të tjera ç’njerëzore, trajtim mizor, torturë, vrasje si krim kundër njerëzimit, vrasje e paligjshme si krim lufte, zhdukje me forcë e personave, në periudhën mes prill 1998- gushtit 1991.
Ndërkohë më herët para tij, në orën 11:00 para trupës gjykuese të Gjykatës Speciale në Hagë doli ish- kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi. Ai u mbrojt vetë, duke thënë se akuzat nuk qëndrojnë, se është trajtuar nga kjo Gjykatë si kriminel, ku në një moment edhe është përlotur pasi sipas tij të cilësosh “UÇK si një organizatë kriminale” është fyesuese. Seancat do të pasohet nga Kadri Veseli të martën ora 15:00, e të mërkurën me Rexhep Selimin në orën 11:00.
Covid shënon rekord/ 12 viktima, 525 raste pozitiveVijon sërish trendi rritës i të infektuarve me koronavirus në të gjithë vendin tonë. Gjatë 24 orëve të fundit në Shqipëri u kryen 1967 testime prej të cilave 525 kanë rezultuar pozitivë me koronavirus.
Shifër rekord ka qënë edhe ajo e viktimave, me pacientë që humbën jetën nga koronavirusi.
Betejën me pandeminë e kanë fituar 111 qytetarë duke e çuar numrin e përgjithshëm të të shëruarve në 12.203. Një lajm pozitiv vjen nga pacientët e shtruar ku është vënë re një ulje të pacientëve të intubuar.
Aktualisht në 3 spitalet COVID, po marrin shërbim mjekësor 360 pacientë, 10 në terapi intensive dhe 2 të intubuar.
Rëndohet situata nga covid-19 në Itali, 356 viktima në 24 orët e funditRreth 356 persona kanë humbur jetën në 24 orët e fundit në Itali për shkak të Covid-19.
Shifrat vijojnë të mbeten alarmante në vendin fqinj, teksa raportohen 25.271 raste të reja.
Deri më tani numri i pacienëve të shtruar ka shkuar në 345.289, ndërkohë që të infektuar në total janë 960.373. Gjithashtu është shtuar edhe numri i pacientëve në terapi intensive me 100 pacientë dhe 1296 pacientë më shumë që kërkojnë kurim spitalor.
Në total janë 345.289 të shëruar nga virusi. Sakaq numri i tamponëve të kryer në 24 orët e fundit është ulur në 147.725.
Tre të vrarë në një bazë ushtarake në RusiNjë ushtar rus ka qëlluar për vdekje një oficer dhe dy ushtarakë.
Sipas CNN, oficeri ka humbur jetën pasi është goditur me sopatë nga ushtaraku, ndërkohë që dy ushtarët e tjerë janë qëlluar me armë zjarri.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur në një bazë pranë qytetit Voronezh në Rusi, orët e para të mëngjesit të sotëm.
Autori i ngjarjes është ndaluar, ndërkohë që po hetohet gjendja e tij mendore. Ende nuk dihen shkaqet e ngjarjes.
OFL në Kurbin, u kërkon formularin tre ish të dënuarveOperacioni Forca e Ligjit zbarkon në rrethin e Kurbinit, aty ku i ka dërguar formularët tre ish të dënuarve për “vjedhje me armë”, “prodhim dhe shitja e narkotikëve” dhe “prodhim narkotikësh e mbetur në tentativë”.
Sipas asaj që mëson Ora News, bëhet fjalë për shtetasit Ardit Ramaj, Arben Bajraktari dhe Edmond Gjinaj.
Njoftimi i OFL:
Vijon pa ndërprerë Operacioni Forca e Ligjit, në zbatim të detyrave të përcaktuara në Aktin Normativ të datës 31 janar 2020.
Në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, OFL i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, shtetasve:
Ardit Ramaj, banues në Mamurras, i dënuar për veprën penale “Vjedhja me armë”, e kryer në bashkëpunim;
Arben Bajraktari, banues në Shemri, Kurbin, i dënuar për veprën penale “Prodhimi dhe shitja narkotikëve”;
Edmond Gjinaj, banues në Laç, i dënuar për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, e mbetur në tentativë.
Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.
Samiti i Mini-Shengenit, Vucic: Luftojmë bashkë pandeminëNdër vendimet e mara ishte dhe lëvizja e lirë pa teste PCR mes tre vendeve, dhe Vuçiç këtë e komenton si një hap të rëndësishëm.
Ai garanton se Serbia, Shqipëria e Maqedonia do e luftojnë bashkë pandeminë dhe memorandumi i sotëm i bashkëpunimit thellon besimin dhe marrëdhëniet e mira mes Tiranës, Shkupit e Beogradit.
STATUSI NGA ALEKSANDAR VUÇIÇ
Është shumë e rëndësishme që kemi rënë dakord të mos i mbyllim kufijtë me njëri-tjetrin, por të luftojmë së bashku pandeminë dhe të vazhdojmë të përmirësojmë tregtinë tonë.Ne jemi kombe të vegjël, të cilët zakonisht janë ndikuar shumë nga forca të ndryshme që kanë dashur të ndjekin interesat e tyre gjatë gjithë historisë. Sot, kjo nuk ka ndryshuar shumë, por është e rëndësishme që, duke u kujdesur për veten, të përpiqemi të ruajmë pavarësinë tonë dhe të marrim vendimet tona. Dhe me kë do të marrim vendime nëse jo me ata që janë më afër nesh. Kjo thellon besimin dhe marrëdhëniet e mira midis Tiranës, Shkupit dhe Beogradit.
Masa të reja për covid-19, Ndalohet lëvizja nga ora 22:00 – 06:00
Komiteti ekspertëve të shëndetësisë komunikoi këtë të hënë disa masa të reja kufizimi për Shqipërinë për të parandaluar përhapjen e koronavirusit në vend.
Duke filluar nga dita e mërkurë, do të ndalohet lëvizja e qytetarëve nga ora 22:00 – 06:00. Ky kufizim, i cili përfshin edhe restorantet e baret, do të zgjasë 3 javë.
“Kemi analizuar me hollësi dhe në detaje rezultatin e masave të marra deri më tani si dhe eksperincën e vendeve përreth. Kemi evidentuar se në Shqipëri është vënë re një shtim i transmetueshmërisë së infeksionit. Është rritur edhe incidenca. Në kushtet ku nuk ka ende një kurrë, mënyra më e mirë është parandalimi.
Duke analizuar shifrat, shkaqet, rekomandimet e organizatës së OBSH-së komiteti propozon të merren disa masa në përputhje me strategjinë tone vjeshtë-dimër. Ne vlerësojmë se duhet ti marrim këto masa dhe i konsiderojmë ato të domosdoshme për pengimin e përhapjes së këtij infeksioni. Duke analizuar shifrat, rekomandimet e OBSh për këtë fazë, si edhe eksperiencën në Botë, e Europë, komiteti propozon të merren disa masa. I konsiderojmë të domosdoshme.” u shpreh zv/ministrja, Mira Rakacolli.
Pfizer zbulon vaksinën kundër covid-19Kompania amerikane Prizer dhe partneri i saj gjerman BioNTech deklaruan të hënën se vaksina e saj eksperimentale kundër covid-19 është më shumë se 90 % efektive në parandalimin e virusit që ka vrarë mbi 1.2 milionë njerëz dhe ka gjunjëzuar ekonominë botërore.
Kompanitë thanë se gjatë testeve nuk kanë zbuluar shqetësime serioze në shëndetin e pacientëve dhe se do të kërkojnë autorizimin për ta përdorur vaksinën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, gjatë këtij muaji.
Nëse autorizohet, numri i dozave të vaksinës fillimisht do të jetë i kufizuar.
“Sot është një ditë e shkëlqyer për shkencën dhe njerëzimin,” tha Albert Bourla, kryetari dhe shefi ekzekutiv i Pfizer, në një deklaratë.
“Ne po arrijmë në këtë moment të rëndësishëm në programin tonë të zhvillimit të vaksinave në një kohë kur bota ka më shumë nevojë për të, me infeksionet që po kapin rekorde, spitalet afër tejmbushjes dhe me ekonomitë që po përpiqen të rihapen”.
Pfizer pret të kërkojë autorizimin e gjerë të përdorimit për njerëzit e moshës 16 deri 85 vjeç.
Për ta bërë këtë, kompania do të duhet mbledhë të dhënat e dy muajve për afro gjysmën e 44 mijë personave që iu nënshtruan testimeve.
“Unë jam afër ekstazës”, tha Bill Gruber, një nga shkencëtarët kryesorë të vaksinave të Pfizer, në një intervistë. “Kjo është një ditë e shkëlqyer për shëndetin publik dhe për potencialin që të na nxjerrë të gjithëve nga rrethanat në të cilat ndodhemi tani.”
Vaksina u injektua në 2 faza, përgjatë 3 javësh.
Shkalla e efikasitetit të saj është shumë më e lartë se 50% e efikasitetit të kërkuar nga Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave për një vaksinë të koronavirusit.
Por shumë pyetje mbeten pa përgjigje, përfshirë atë se, për sa kohë do të jenë të mbrojtur personat që e marrin vaksinën.
Pfizer dhe BioNTech kanë një kontratë 1.95 miliardë dollarë me qeverinë amerikane për të shpërndarë 100 milion doza vaksinash duke filluar nga ky vit.
Ata gjithashtu kanë arritur marrëveshje furnizimi me Bashkimin Evropian, Mbretërinë e Bashkuar, Kanadanë dhe Japoninë. Problem mbeten vendet e varfra. Pfizer tha se pret të prodhojë deri në 1.3 miliardë doza të vaksinës në 2021.
Borxhi rritet, por jemi të fundit në Europë për mbështetjen e ekonomisë
Në fund të 6 mujorit të parë 2020, borxhi publik në vend arriti në 80% të prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), me një rritje prej 13.8 pikë përqindje në krahasim me fundin e 2019-s, sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave.
Rritja e borxhit ishte e lidhur kryesisht me paketat ndihmëse, pas krizës që u shkaktua në vend nga karantimi disa mujor i ekonomisë, dhe rindërtimin pas tërmetit.
Në fakt, e gjithë Europa ka marrë më shumë borxh në pjesën e parë të vitit, në një përpjekje të jashtëzakonshme për të shëruar ekonomitë e tyre të goditura nga mbyllja pas Covid-19. Sipas të dhënave të Eurostat, borxhi publik në 27 vendet e BE-së u rrit me 10.2 pikë përqindje në raport me dhjetor 2019, (me ritme më të ulëta se i Shqipërisë), duke arritur në 87.8% të PBB-së, në fund të 6 mujorit të parë.
Shqipëria rezulton, sipas të dhënave të Eurostat për BE-në dhe Komisionit Europian për rajonin, se ka pasur rritjen e gjashtë më të lartë të borxhit publik në Europë, në krahasim me periudhën e para krizës (fundin e 2019-s), pas Qipros që e rriti këtë tregues me 19.2 pikë përqindje, Belgjikës (16.6 pp), Francës (16 pp), Italisë (14.7 pp), Spanjës (13.8 pp).
Por, ndonëse ka pasur rritjen e borxhit publik ndër më të lartën në Europë, Shqipëria nuk rezulton të ketë përdorur këtë shtesë të huamarrjes për të mbështetur ekonominë, që në kontrast ishte minimale. Sipas një vlerësimi të Fondit Monetar Ndërkombëtar mbështetja fiskale (shpenzime shtesë dhe shtyrje të pagesave të taksave) ishte më pak se 1 % e PBB së vendit, më e ulëta për gjithë Europën.
Të gjitha vendet e tjera të rajonit, që rritën më pak borxhin në gjashtëmujorin e parë të vitit kanë dhënë më shumë mbështetje direkte për ekonominë. Mali i Zi, që e rriti borxhin në nivele të ngjashme me ne (79.5% e PBB-së), ka dhënë suport prej gati 8% të PBB-së, Serbia e kishte këtë tregues sipas FMN-së gati 5%, Maqedonia e Veriut 3% e PBB-së (shih grafikun në fund).
Në vend të 11 në Europë për madhësinë e borxhit publik
Edhe në raport me madhësinë e ekonomisë, Shqipëria u rendit në fund të 6 mujorit të dytë ndër shtetet me borxhin më të lartë publik
Sipas të dhënave të Eurostat për Bashkimin Europian dhe Komisionit Europian për vendet e rajonit, Shqipëria ishte e 11-a në Europë dhe e para në rajon, për treguesin e borxhit nga PBB-së.
Në nivele të ngjashme është dhe Mali i Zi (79.5%), ndërsa Serbia (58.1%), Maqedonia e Veriut (50.7%), Bosnja (35.6%), Kosova (17.5%) e kanë borxhin publik nën 60% të PBB-së. Për vendet në zhvillim vlerësohet se niveli i 60% të PBB-së është kufiri maksimal i qëndrueshëm për vendet në zhvillim (Shqipëria e kishte gati 67% në fund të 2019-s).
Në kontrast me borxhin e lartë, Shqipëria renditet si shteti me konkurrueshmërinë më të ulët në Europë, sipas Forumit Ekonomik Global, në një tregues indirekt se borxhi nuk është përdorur për të nxitur një zhvillim të qëndrueshëm dhe ekonomi produktive. Sa më pak konkurruese ekonomia, aq më e ulët është dhe aftësia për të shlyer detyrimet. Si rrjedhojë, vendi rrezikon të futet në një spirale ku shtimi i borxhit nuk do të arrijë të prodhojë rritjen ekonomike të nevojshme për ta ulur atë (borxhin) në afatin e mesëm.
Vetëm për pagesat e koncesioneve, Shqipëria është angazhuar tashmë në dhjetëvjeçarin e ardhshëm me 9.5% të PBB-së që janë llogari jashtë bilancit, që është më e larta në Europë, ndërsa nuk ka të dhëna për eficiencën në ekonomi të këtyre angazhimeve.
Në Europë, kryeson Greqia
Borxhin më të lartë në Europë e ka Greqia, në 187.4% të PBB-së. Ndonëse e zhytur në detyrime, shteti fqinjë e ka rritur këtë tregues edhe me 10.8 pikë përqindje në 6 mujorin e parë të vitit për të nxitur ekonominë e sëmurë.
E dyta në Europë është Italia, me 149.4% të PBB-së. Edhe Italia, që u godit e para nga Covid-19 ka shpenzuar gati 15% të PBB-së në 6 mujorin e parë për të mbështetur bizneset dhe individët.
E treta në Europë për madhësinë e borxhit është Portugalia (126.1% e PBB-së), Belgjika (115.3%), Franca (114.1%).
Shteti me më pak borxhe në Europë është Kosova, me 17.5% në raport me madhësinë e ekonomisë së vet./ O.Liperi – Monitor