zoom

Day Archive“Balfin” dhe “Kastrati”, dy grupet me fitime më të mëdha në 2019

 “Balfin” dhe “Kastrati”, janë dy grupet me fitime më të larta në vend. Në vitin 2019, “Kastrati Group” raportoi fitimet më të larta nga aktiviteti në Shqipëri, me 3.1 miliardë lekë, sipas deklarimeve në Qendrën Kombëtare të Biznesit. “Balfin” raportoi fitime 2.6 miliardë lekë brenda vendit, ndërsa përfshirë dhe aktivitetet jashtë, totali i fitimeve arriti në 6.4 miliardë lekë, sipas burimeve zyrtare nga grupi.

“Alb-Building”, në sektorin e ndërtimit së bashku me “Alb-Energy”, në prodhimin e energjisë u renditën në vend të tretë me 1.8 miliardë lekë fitime.

“Finman”, me aktivitet në fushën e ndërtimit (kompania kryesore është “Alb-Star” ishte i katërti për fitimet e realizuara në 2019-n, me 1.7 miliardë lekë.

Më pas, renditet grupi “Infosoft-Joti”, me aktivitet në shpërndarjen e produkteve dhe teknologji informacioni, me 1.3 miliardë lekë fitime para taksave. “Agna”, distributori më i madh në vend, realizoi fitime 1.2 miliardë lekësh. “Unioni Financiar Shqiptar”, me aktivitet në fushën financiare, raportoi fitime po 1.2 miliardë lekë.

EHW, grupi më i madh i industrisë përpunuese në vend, së bashku me rrjetin e supermarketeve “Conad” dhe “Conad Food Trade”, ku EHW ka shumicën, raporti fitime prej 1 miliardë lekësh.

Me rritjen e të ardhurave dhe fitimeve, diversifikimi brenda vendit duket se nuk mjafton. Shqipëria po bëhet edhe më e vogël për të mëdhenjtë dhe grupet kanë deklaruar se po shohin me përparësi zgjerimin në rajon.

Në renditje në 2019-n ka hyrë dhe “Grupi Bolv”, me aktivitet në tregtimin e karburanteve dhe në punimet inxhinierike për shpime për kompanitë e naftës dhe gazit raportoi fitime prej 1 miliardë lekësh, me rritje të ndjeshme prej 60% në krahasim me 2019-n.

 

“Kastrati”

Kastrati është grupi më i madh sa i përket xhiros, ndërsa ka kaluar në 2019-n i pari edhe për fitimet, nga aktiviteti në vend. Kompanitë kryesore të grupit “KASTRATI group” (tregtim me shumicë i naftës), “KASTRATI” (tregtim me pakicë i naftës), “Alb-Siguracion” (sigurime) dhe Autostar Albania (tregtim dhe shërbime ndaj automjeteve) raportuan në total, një fitim prej 3.1 miliardë lekësh, me rritje prej 12% me bazë vjetore.

Përmirësimi i fitimeve u ndikua nga nafta, e cila rriti përfitueshmërinë në 2019-n, si rrjedhojë e tendencës ulëse të çmimeve të tregtimit, me ritme më të ngadalta se në tregjet globale. Albanian Highway Concession (ku Kastrati ka 50%), që gjeneroi fitime të larta një vit më parë, në 2019-n raportoi rezultat minimal, pasi kompania hyri në ciklin e investimeve.

Kompania është optimiste edhe për ecurinë në 2020, pavarësisht krizës së shkaktuar nga COVID-19. Drejtuesit vlerësojnë se madhësia dhe diversifikimi do t’i ndihmojnë ata në këtë fazë. “Ne në Kastrati Group jemi përpjekur që situatën e krijuar ta kthejmë në avantazhe dhe të përshpejtojmë proceset e brendshme që lidhen me përmirësimin tonë.

Gjatë kësaj periudhe, kemi përshpejtuar të gjitha projektet e planifikuara në kohë për ‘rinovimin’ e vetvetes, sigurisht duke interpretuar ndryshimet e kushteve me maturi dhe në kohën e duhur. Por, ne vazhdojmë të punojmë me kapacitete të plota në të gjitha projektet e tjera dhe nuk kemi asnjë shtyrje apo ngadalësim të investimeve apo projekteve”, pohon zëvendëspresidenti i Kastrati Group, z. Leonard Kastrati.

Grupi, vitet e fundit, është diversifikuar në ndërtim, me projektin më të madh “Downtown One”, një projekt shumëfunksional, me apartamente rezidenciale luksoze, zyra dhe ambiente lokale. Në turizëm, pas blerjes së aksioneve të ish-Sheraton është nënshkruar marrëveshja me “Hyatt Hotels Corporaton”. Z.Kastrati thotë se humbjet e shkaktuara gjatë kësaj periudhe në sektorin e hotelerisë dhe turizmit do të kompensohen në të ardhmen e afërt.

 

 

“Balfin”

“Grupi BALFIN” ka fitimet më të mëdha, në një total prej rreth 6.4 miliardë lekësh, mbi gjysma e të cilave vjen nga aktivitetet jashtë Shqipërisë, sipas burimeve zyrtare.

Në total, në vitin 2019, fitimi para taksave i 11 kompanive më të mëdha të grupit, vetëm ato që operojnë në Shqipëri, ishte rreth 2.6 miliardë lekë, me një rënie prej 31% me bazë vjetore. Arsyeja kryesore e rënies së fitimeve lidhet me performancën negative të Albchrome, që deri një vit më parë (në 2018) gjeneronte fitimet më të larta për grupin. Prodhuesi dhe përpunuesi i kromit ka kaluar një vit të vështirë, për shkak të performancës së pafavorshme të çmimeve në tregjet ndërkombëtare. Në rënie ishin edhe fitimet e sipërmarrjes së ndërtimit Mane TCI, e cila varet nga cikli i zhvillimit të projekteve.

Në kahun pozitiv ndikoi Tirana Bank, e cila nga humbjet e 2018-s, periudhë kur pronësia kaloi nga grekët e Bankës së Pireut tek Grupi BALFIN, ka rezultuar me fitime 633 milionë lekë në 2019-n.

Për nga norma e përfitueshmërisë kryesojnë qendrat tregtare, “TEG” dhe “QTU”, dy modele biznesi që sollën një riformatim të tregtisë me pakicë në vend dhe ndonëse u kopjuan nga shumë të tjerë, sërish nuk kanë arritur t’i konkurrojnë. QTU iu rikthye fitimeve në 2019-n, pas investimit që dyfishoi sipërfaqen e tij. “Kid Zone” (Jumbo) është një nga sipërmarrjet e tjera fitimprurëse të grupit.

“Green Coast”, një investim në fushën e turizmit, ku grupi ka përqendruar vëmendjen së fundmi, ka filluar të gjenerojë fitime në 2019-n.

Duke përfshirë shoqëritë që operojnë në Shqipëri dhe jashtë saj, fitimet e konsoliduara të Grupit BALFIN kapin shifrën e 6.4 miliardë lekëve, sipas burimeve zyrtare. Rreth 50% e aktivitetit të Grupit BALFIN zhvillohet jashtë Shqipërisë.

“Viti 2019 mund të përfshihet te vitet e suksesshme për ecurinë në tërësi të shoqërive të Grupit BALFIN. Pothuajse të gjithë sektorët ku ne jemi të pranishëm kanë shënuar rritje gjatë 2019, duke iu referuar ecurisë në të gjitha vendet ku jemi të pranishëm. Këtu do të doja të ndalesha tek industria minerare, e cila edhe gjatë 2019-s nuk ka kaluar një moment të mirë, për shkak të rënies së çmimeve në tregjet globale”, pohoi Edlira Muka, Drejtoreshë e Përgjithshme e Grupit BALFIN.

Ajo shton se në vitin 2020, për sa i përket Grupit BALFIN, mund të themi që dy sektorët e ndikuar më shumë nga pandemia janë shitjet me pakicë dhe industria e rëndë e nxjerrjes dhe përpunimit të mineraleve.

“Nga të dhënat tona, që gjithsesi nuk mund të përfaqësojnë gjithë tregun, rënia në total e shitjeve me pakicë është mesatarisht rreth 12% në krahasim me 2019. Këtu përfshijmë harkun kohor nga janari në gusht 2020, duke marrë së bashku shoqëritë e Grupit BALFIN jo vetëm në Shqipëri, por edhe në rajon”, thotë znj. Muka.

 

 

Alb-Building

Alb-Building është një prej më të mëdhenjve në vend në fushën e ndërtimit (rrugë, ujësjellës, shfrytëzim, përpunim dhe tregtim i materialeve inerte), që vitet e fundit është diversifikuar dhe në prodhimin e energjisë, me të ardhura 5.7 miliardë lekë. Në vitin 2019, “Alb-Building” (në ndërtim) dhe “Alb-Energy” (në prodhim energjie), raportuan fitime gati 1.9 miliardë lekësh, duke e renditur në grupin e tretë me fitime më të larta në vend.

 

 

Grupi “Finman”

“Finman” është grupi më i madh i ndërtimit në vend, sipas qarkullimit vjetor. Sipas të dhënave zyrtare nga grupi, qarkullimi vjetor në vitin 2019 ishte rreth 12.4 miliardë lekë.

Grupi u krijua si holding në vitin 2016 dhe përfshin disa prej sipërmarrjeve më të mëdha në fushën e ndërtimeve dhe materialeve të ndërtimit, si ALB – STAR (ndërtime civile dhe industriale), APM (me aktivitet prodhim dhe tregtim i materialeve të ndryshme metalike), “Vibtis” (me tregtimin me shumicë dhe pakicë të materialeve inerte).

Fitimet para taksave arritën në 1.8 miliardë lekë, me rritje prej 58% me bazë vjetore, si rrjedhojë e trefishimit të fitimeve të “Alb-Star”, kompanisë kryesore të grupit, ndërsa subjektet e tjera, shënuan rënie në rezultatin financiar.

Sipas burimeve nga grupi, gjatë 2018-2019, pjesën kryesore të investimeve e kanë zënë dy prej projekteve me ambicioze në vend, ai i Arenës Kombëtare dhe vënia në operim me kapacitet të plotë e 34 km linjë hekurudhore Fier – Vlorë, përfshirë ndërtimin e linjës së re hekurudhore 2.5 km për rafinerinë e Fierit dhe stacionit të ngarkimit të naftës bruto.

 

 

“Infosoft-Joti”

Katër kompanitë e grupit Infosoft-Joti, që kanë për referencë investitorin Grigor Joti (me aktivitet në fushën e tregtimit dhe informatikës dhe distribucion me shumicë), “INFOSOFT SYSTEMS”, “INTER TRADE & DISTRIBUTION”, “INTERBRANDS”, “INTER DISTRIBUTION SERVICES”, kishin fitime 1.3 miliardë lekë në vitin 2019, me një rënie të lehtë në raport me vitin e mëparshëm.

Kompanitë kryesore të Grupit Infosoft kanë realizuar në total një xhiro prej 19.2 miliardë lekësh në aktivitetin në Shqipëri, në 2019, sipas të dhënave nga Tatimet, pothuajse sa një vit më parë. Në fund të vitit 2016, 49% të kuotave të ITD iu shitën grupit Balfin.

Grupi është i mirëpozicionuar për të përballuar krizën e Covid-19. Armand Shara administrator i “Infosoft” pohon se pandemia nxiti investimet në sistemet IT të lidhura këto me frikën e një mbylljeje të dytë volumet sidomos pas verës janë të larta.

“Ne kemi presion që për shkak të rritjes së numrave të infektimeve dhe mundësisë së një mbylljeje të dytë, kontratat e reja të investimeve me bizneset t’i përfundojmë sa më shpejt. Në përgjithësi bizneset pas verës kanë pasur kërkesa në teknologji. Nuk jam në gjendje ta ndaj nëse kjo vjen si efekt i fiskalizimit, si shkak i maturimit të biznesit apo panikut të mbylljes së mundshme nga COVID-19” nënvizon ai.

Investimet në sisteme sipas Sharrës i takojnë Enterprice Resource Planing (Planifikimi i Burimeve të Sipërmarrjes) (ERT), Consumer Relationship Management(Menaxhimi i Marrdhenies me Konsumatorin) që janë shërbimet pas shitjes apo Power Bussines Intelligente (që kërkohet nga nivelet drejtuese). Mendoj që udhëheqësi kryesor është Bussines Intelligence dhe përgjithësisht është ai që ofron një pamje të përqendruar të biznesit. Një tjetër element që ka nxitur sektorin e IT këtë vit ka qenë edhe lulëzimi i E-Commerce në kushtet e pandemisë.

“E-commerce ka rritje por ajo që dua të përmend është që pjesa kryesore që duhet për këtë lloj biznesi është sistemi ERP. Nëse një biznes nuk ka sistem të konsoliduar që menaxhon sistemet e veta e ka të vështirë të ketë një sistem e-commerce të qëndrueshëm. Një tjetër element që kemi vënë re është interesi i rritur për sistemet që menaxhojnë sistemet e brendshme të kompanisë.

Flasim për të dhëna të strukturuara si për shembull për proceset që kanë të bëjnë me miratimin e një kredie, siguracioni, leje. Të gjitha këto automatizohen dhe firmosja apo çuarja para bëhet online pa qenë nevoja të jetë me letër dhe pa qenë nevoja të jesh dhe në zyrë. Ka interes për të automatizuar çdo linjë dokumentesh apo procesi” pohon Sharra.

 

 

“AGNA”

Dy kompanitë kryesore të grupit, “Agna sh.a.” (shpërndarës produktesh dhe investues), “Alfa sh.a.” (ambalazhues i Pepsi, Ivi, 7Up, Lipton Ice Tea; prodhues i Glina dhe Spring; shpërndarës i Heineken, Amstel, Alfa Beers, Tsantali Wines dhe Shark Energy Drink), realizuan për vitin 2019 fitime 1.2 miliardë lekë, me një rënie prej 7% me bazë vjetore.

Dy kompanitë raportuan një xhiro prej rreth 26.4 miliardë lekësh, me një rritje prej 3.2% në raport me vitin e mëparshëm.

Alma Bici, drejtoreshë marketingu e grupit Agna, pohon se ecuria e Agna Group ka qenë e mirë gjatë vitit 2019. Por, 2020-a ka qenë shumë i vështirë, por në sajë të diversifikimit të portofolit, kemi mundur t’ju përgjigjemi nevojave të klientëve dhe konsumatorëve. “Kemi rishikuar strategjitë tona, duke investuar më pak në aktivitetet marketing dhe duke u fokusuar në aktivitete dhe promocione në pikën e shitjes, për të qenë sa më pranë konsumatorëve tanë”, pohon ajo.

 

 

“Union Financiar Grup”

“Union Financiar Grup” është një nga grupet financiare me kapital shqiptar, me fitime më të larta.

Për katër kompanitë kryesore të grupit, banka “Union Bank”, operatori i shërbimeve financiare dhe transfertave “Union Financiar Tiranë”, sipërmarrja e qirasë financiare “LandesLease” dhe “Paylink” (në përpunimin e pagesave, që është në fazë të ngritjes së biznesit të saj e rezulton ende me humbje) fitimet arritën në vitin 2019 në 1.2 miliardë lekë, me një rritje prej 13% me bazë vjetore, si rrjedhojë e performancës së mirë të të tre sipërmarrjeve kryesore të grupit. “Unioni Financiar Tiranë”, kompania mëmë e grupit, është edhe kompania më fitimprurëse, me një normë prej rreth 50%.

“2019-a ishte një vit i mirë në përgjithësi për grupin e Unionit Financiar dhe arritja e rezultatit të këtij viti është një bazë për të vijuar rritjen e mëtejshme të kompanive të Grupit”, thotë z.Edmond Leka, Kryetari i Bordit Drejtues të “Union Financiar Tiranë”, kompania mëmë e grupit të Union Financiar, që përfshin “Union Bank”, “Unioni Financiar” dhe “LandesLease”.

“Ne kemi arritur jo vetëm të rritemi me ritme më të larta se tregu bankar në Union Bank, por kemi arritur edhe një stabilitet në performancë si në aspektin e kthyeshmërisë nga kapitali dhe aktivet. Gjatë vitit 2019, arritëm të përfshijmë në Bankë edhe biznesin e ICB (ish-bankës Malajziane) që e blemë në fund të vitit 2018 dhe kjo u bë pa cenuar këto parametra të performancës që përmenda më parë.

Po ashtu në kompanitë e grupit, që ofrojnë shërbime pagesash kemi vijuar rritjen e mëtejshme të biznesit dhe rritjen e eficiencës operative të brendshme në to dhe do të vijojmë të jemi inovativë në një fushe që tashmë e ka të domosdoshme që të kesh inovacionin në bazë të modelit të biznesit që po ofron tek klientët në treg”.

Leka shton se viti 2020 me fenomenin e Covid-19 sigurisht që përbën një sfidë për të gjithë aktorët në treg e kjo përfshin edhe kompanitë e grupit. Është e pritshme që kriza e Covid-19 të ketë një ndikim në sektorin Bankar dhe kjo varet shumë nga kohëzgjatja e krizës. “Deri tani këto efekte kanë qenë relativisht të ulëta por shpresoj, që thellimi i krizës në vendet fqinjë apo në BE të mos replikohet edhe në Shqipëri, pasi sigurisht që do të ketë një ndikim më të madh në këtë skenar”.

Ai pohon se shërbimet e pagesave që ofrojnë krahas atyre bankare janë pak më resiliente në lidhje me krizën, pasi njerëzit sidoqoftë do të duhet të bëjnë pagesa për shërbimet që marrin. “Është e vërtetë që një pjesë e atyre që kanë preferuar pagesat cash kalojnë në pagesa online apo me karta, por në këtë aspekt ne kemi investuar në mënyrë që të kemi infrastrukturën e duhur për të lejuar aksesin e klientëve në shërbimet tona në disa mënyra dhe kjo e mban klientin të shërbyer pavarësisht nga mënyra se si e akseson këtë shërbim”.

 

 

 

EHW

EHW është grupi më i madh i industrisë përpunuese në vend, me aktivitet në përpunimin e mishit (marka EHW), prodhimi i ujit (marka “Qafështama”) dhe vitet e fundit është zgjeruar dhe në zinxhirin e supermarketeve me aksione në “Conad”. Në total, grupi EHW, që përfshin dhe subjektet e tjera të grupit në industrinë përpunuese, raportoi një qarkullim vjetor prej 5.3 miliardë lekësh, me rritje 4.2% në raport me vitin 2018. Prej disa vitesh, kompania publikon bilanc të konsoliduar për grupin, nën logon e EHW, me fitime prej 536 milionë lekësh.

Së bashku me rrjetin e supermarketeve “Conad” dhe “Conad Food Trade” (ku EHW ka shumicën e aksioneve) fitimet e grupit arrijnë në rreth 1 miliard lekë, me rritje 17% me bazë vjetore.

Z.Luan Leka, president i EHW i konsideron pozitive rezultatet e vitit 2019 për grupin EHW. “Kompania EHW ka vazhduar politikën e investimeve në mënyrë të pandërprerë me qëllim përmirësimin e teknologjisë së prodhimit, realizimin e produkteve të reja dhe optimizimin e menaxhimit të proceseve. Kompania Qafshtama, pjesë e grupit, përfundoi ndërtimin dhe vënien në punë të stabilimentit të ri në Qafshtamë, ku prodhohet formati 19 litra, që përdoret kryesisht për konsum në zyra. Është programuar ndërkohë investimi për prodhimin e pijeve freskuese”.

 

 

Grupi Bolv

Grupi Bolv, një nga më të mëdhenjtë në sektorin e tregtimit të naftës ka hyrë në 2019-n në listën e grupeve me fitime të mëdha, si rrjedhojë e diversifikimit në fushën e punimeve inxhinierike për kompanitë e naftës dhe gazit. Albrilling, e krijuar në vitin 2014 ka raportuar një rritje të ndjeshme si të të ardhurave (në 2.4 miliardë lekë) ashtu dhe fitimeve në 2019-n, që u dyfishuan në 733 milionë lekë. Së bashku me tregtimin e naftës (Bolv Oil dhe Olsi), fitimet e grupit arritën në rreth 1 miliardë lekë në 2019-n, me rritje gati 60% me bazë vjetore. Së fundmi grupi po diversifikohet dhe në turizëm dhe po investon për ndërtimin e një hoteli në hyrje të Tiranës, në partneritet me markën ACCOR.

 

Dom Gjergj Meta propozon 8 Nëntorin si Dita Kombëtare e Gjuhës Shqipe

Si sot, para 558 vjetëve, është shkruar Formula e Pagëzimit, dokumenti i parë i shqipes së shkruar.

Duke e kujtuar këtë ngjarje me rëndësi të madhe për gjuhën dhe shkrimin shqip, Dom Gjergj Meta sot ka dhënë një propozim, që kjo ditë të shpallet si Dita Kombëtare e Gjuhës Shqipe. Ky propozim duhet përkrahur, duke ditur rëndësinë gjuhësore dhe kulturore të kësaj fraze në historinë e gjuhës dhe të shkrimit shqip.

“Gjuha është shprehja e parë e kombësisë” – shkruante Mitrush Kuteli, ndërkaq për kombin tonë përbën paradigmën themelore të identitetit kombëtar.

Dokumenti i parë i shkruar në gjuhën shqipe është shkruar me 8 nëntor 1462 nga Pal Engjëlli, Arqipeshkvi i Durrësit dhe bashkëpunëtor i heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriotit. Teksti i kësaj fraze praktikohet në liturgjinë kishtare, për pagëzim të fëmijëve dhe njihet në këtë formë: “Unte paghesont premenit Atit et birit et spirtit seint”.

Kjo frazë e shkurtër, qëndron mes një shkrimi të gjatë në latinisht prej 37 faqesh.

Vlera e kësaj fraze, nëpër kohë, natyrshëm ka tejkaluar karakterin dhe funksionin e saj primar dhe është bërë paradigmë kulturore e identitare në kulturën e shkrimit shqip, duke u pasuar me një korpus të gjerë tekstesh letrare, që janë krijuar në lidhje të fuqishme me Biblën dhe kulturën biblike.

Heronjtë e gjuhës dhe të kulturës shqiptare përgjatë shekujve të mëvonshëm janë ata prijës që shkruan ‘en sëh dashunit së botës sënë (Gjon Buzuku) dhe nuk lejuan që të dvarej gjuha e dija shqipe (Pjetër Bogdani), si shprehja e parë e kombësisë, por i kënduan asaj, ashtu siç bëri Gjergj Fishta në poezinë e bukur ‘Gjuha shqype’, por edhe shumë autorë të tjerë.

Në pesë shekujt e ekzistimit të letërsisë shqipe, me gjuhën si tipar shënjues shkrimi, Bibla dhe kultura biblike, kanë influencuar në masë të madhe qenien e letërsisë shqiptare, si në aspektin tematik, semantik, po ashtu edhe në atë stilistik e estetik.

Poezia, proza dhe dramaturgjia shqipe e kanë shfrytëzuar Biblën si një rezervat kulturor, duke krijuar kështu një lidhje organike me letërsinë perëndimore, e cila siç, ka shkruar studiuesi Northrop Fray “është e ndikuar nga Bibla më shumë se nga çdo libër tjetër.”

Letërsia shqipe, prej Buzukut, Budit, Bogdanit e Bardhit, me autorët e mëdhenj të Rilindjes dhe të periudhës së Pavarësisë Kombëtare dhe me autorët e rëndësishëm modernë, Ismail Kadare, Martin Camaj, Anton Pashku, Frederik Reshpja e shumë të tjerë, e ruan një lidhje të fuqishme me Biblën dhe kulturën biblike.

Formula e Pagëzimit, simbolikisht qëndron në themelet e kësaj kulture dhe duket sikur e ka vulosur këtë lidhje.

Ca sojlinj e ca sojsëzë

Naftëtaret e Ballshit janë në grevë urie. Kërkojnë rrogat e papaguara. Thënë ndryshe, kërkojnë djersën e ballit, bukën e kalamajve.

Futbollistët janë në bojkot. Kërkojnë që qeveria t’u ulë taksat.

Të dyja palët i mirëkuptoj: shfrytëzojnë një të drejtë që ua jep ligji. Vetëm qeverinë nuk e marr që nuk e marr vesh.

Naftëtarëve u kërkon të dalin nga greva, pastaj mund të negociojnë. Me futbollistët vazhdon negociatat, megjithëse janë në bojkot e megjithëse i akuzon se deri më sot kanë fshehur të ardhurat.

Mos më thuaj që e drejta përcaktohet nga numrat apo, mos o zot, që ca janë sojlinj e ca sojsëzë, ca të nënës e ca të njerkës…

Oligarkët e babëzitur, shkak për një revolucion popullor

Sa herë që shqiptarët janë ndërgjegjësuar që e gjithë pasuria e tyre është përqëndruar në pak duar, nuk janë menduar gjatë, kanë vepruar ashpër, duke permbysur gjithçka dhe sikurse ai lumi i rrëmbyer, kanë marrë osh çfarë u del përpara, duke rënë edhe vetë në greminën e hakmarrjes barbare.

A nuk ndodhi kështu, kur një dorë, prej pothuaj 10 feudalësh të mëdhenj, kishin përfshirë të gjithë pasuritë dhe nuk linin kënd prej shekujsh, që të merrte pjesë në politikbërje…!? Fillimisht nisi me eliminime fizike feudalësh të mëdhenj dhe më pas me tentativa për eliminimin kryefeudalit, vetë naltmadhnisë së tij, i cili në atë kohë kishte ndërmarrë shumë reforma. Më pas urrejtja e akumuluar ndër vite e shekuj për feudalët, e nakatosur me luftën e sapo nisur, i shpuri në gojën e djallit më të rrezikshëm shqiptar, të veshur me qyrk barazitis, me emrin utopik komunizëm, ku të verbuar nga ideologjia e eksperimentit, hodhën në erë gjithçka kishin bërë me mund e djersë gjer atëherë.

Revolucioni erdhi si një ortek i madh, ku të parët që vuri përfund, ishin ata që shpresonin për ditë më të mira, por jeta askete, me liri të vrarë, që bënë për një gjysëm shekulli, tregoi më në fund se, ata që vërvitnin ortekun, nuk ishin më shumë se “10-udhëheqës të vetëquajtur komunistë” që u kishin grabitur pushtetin punëtorëve dhe fshatarëve, pikërisht të pafatëve, që historia nuk i kishte favorizuar ndonjëherë.

Urrejtja që polli terrori dhe krimet makabre totalitare, prej përreth 10-liderëve diktatorë, anëtarë të byrosë politike, që rrokullisnin pasuritë dhe kishin shtënë në duar të hekurta institucionet dhe gjithë politikbërjen vendase, për herë të parë hyri në një shtrat të drejtë dhe për shqiptarët e vonuar, më në fund u bë reale ajo, që në planet sot njihet si udha më e drejtë politike, demokracia e ekonomisë së tregut me barazi në start. Por e gjithë kjo pati një kosto aq të madhe materiale dhe shpirtërore, saqë do të duhen breza për ta zëvendësuar.

Me mungesë eksperience për çështjet e demokracisë dhe të mpirë nga ndryshimet e menjëhershme dhe të mëdha që sjell vetëm ekonomia e tregut, shumë shpejt shqiptarët zgjodhën të shijojnë të mirat materiale të tregut, duke mos u kujdesur për lirinë dhe institucionet që kontrollojnë tregun dhe vetë demokracinë.

Kështu, mbas vitesh të tëra zhvatjeje, shqiptarët tashmë ndodhen edhe një herë përpara dilemës së madhe, për të bërë zgjidhjen e radhës. Në qoftë se radhën e parë u hynë nga çatia duke u rrëmbyer politikën dhe më pas pushtetin, këtë radhë grabitësit me një etimologji shumë të vjetër që quhet oligarki, kanë ardhur nga poshtë, duke rrëmbyer atë që është më e rëndësishme, vetë ekonominë, e cila sikurse raportojnë organet e Kontrollit të Shtetit apo raportet e përsëritura të organizmave ndërkombëtare përkatëse po gëlon nga koncesionet dhe PPP. Shkurt,  vetë realiteti e varfëria shqiptare na tregon akoma më qartë që e gjithë pasuria në vend është përqëndruar në duart e pothuaj 10 oligarkëve shqiptarë.

Oligarkët janë një rreth i ngushtë shokësh dhe miqsh që qëndrojnë shumë pranë qeverisë dhe që ushtrojnë kontroll politik dhe ekonomik, veçanërisht për arësye vetjake dhe korruptive. Të ndihmuar nga politika e subvencionit ata tashmë kanë përqëndruar pasuri të mëdha duke shkaktuar një polarizim të madh shoqëror shumë të dëmshëm për të ardhmen e demokracisë, por edhe të shoqërisë shqiptare.

Nga një vështrim i thjeshtë, pothuaj asnjë prej oligarkëve shqiptarë, nuk është pasuruar me anë të produktit të tij, askush prej tyre nuk ka një identitet të tijin, sikurse ka ndodhur me shumë homologë biznesmenë ndërkombëtarë, duke përmendur këtu, Steven Jobs, Zuckerberg, Bill Gates apo Kompaninë Amazon etj. Asnjë prej tyre nuk është bërë i njohur, apo të shquhet për produktin e tij i cili shitet në tregun shqiptar, apo atë ndërkombëtar. Fama e tyre dhe të ardhurat kryesore vijnë nga korrupsioni me asetet e shtetit, sikurse miniera të marra me koncesion, resorte të mëdha turistike, objekte të industrisë së naftës dhe gazit, energjisë etj, të cilat janë pronë e shtetit.

Suksesi i tyre në biznes është përqëndruar kryesisht duke u lidhur ngushtë me qeverinë dhe duke blerë dhe shitur interesa me përfaqësuesit e qeverisë. Ky është modeli klasik i oligarkut shqiptar. Mjafton të hedhësh një sy të mprehtë në raportet e KLSH-së apo raportet e BIRN, apo faktet e dala së fundi mbi funksionimin, investimin dhe licensat e inceneratorëve dhe mbetjeve urbane, për të kuptuar qartë këtë simbiozë të shëmtuar ndërmjet oligarkëve dhe përfaqësuesve të pushtetit shqiptar.

Përqëndrimi i të gjithë pasurive në disa duar ka sjellë atë që të gjithë pushtetet të përqëndrohen në duartë e një numri të kufizuar njerëzish. Njësoj sikurse në Rusi vendin avanguard të oligarkisë, edhe tek ne, për të qënë i pasur, duhet patjetër të kesh lidhje me pushtetin.

Natyrisht që probleme të tilla hasen edhe në vendet me demokraci të zhvilluar, por futja nga ana e jonë në këtë lloj ekonomie është një nga dëmët më të mëdha, kosto e të cilit, do të kërkojnë shumë mund, ndoshta dhe breza për ta larguar. Edhe Nobelisti Joseph Stiglitz, një nga emrat më të rëndësishëm në fushën e ekonomisë sot evidenton se: “Shumë pushtet në pak duar shtrëmbëron tregun, rrit çmimet, pengon inovacionet dhe në fund rrit pabarazitë…” Duke iu referuar shtetit amerikan në librin e tij “Populli, pushteti dhe përfitimet” ai thotë se gjysma e amerikaneve kanë më pak se njëmijë dollarë në bankë, ndërsa 150 milionë njerëz kanë më pak pasuri se tre miliarderët e parë të marrë së bashku (Jeff Bezos, Bill Gates dhe Warren Buffet)

Por në qoftë se ekonomia amerikane ka vite që ka hyrë në një rrugë të tillë, për Shqipërinë që hyri rishtas në rrugën e kapitalizmit, ekzistonin të gjithë mundësitë për të gjetur rrugë shumë më të favorshme, për t’i mundësuar asaj një zhvillim me të ardhme. Kapitalistët e rinj shqiptarë në fillimet e tyre nuk kishin asnjë pengesë nga klasat e vjetra, përballë kishin vetëm shtresën e politikanëve dhe sikurse po veprojnë me të shpejtë këto tetë vjet pasi kanë mbaruar shitjen e skrapit, po përfundojnë tërësisht blerjen dhe dhënien me koncesion të ndërrmarrjeve publike për dy lekë. Pushtimi i nëntokës, me të gjithë minierat dhe pasuritë nuk ka ngelur prapa pushtimit të të gjithë lulishteve dhe pronave publike të mbushura me beton e pallate shumëkateshe etj.

Të gjitha këto nuk u bënë duke i paguar taksën shtetit, por duke i dhënë haraçin pushtetarëve dhe duke u përzierë bashkë me njëri-tjetrin, ne nuk jemi në gjëndje, të gjejmë se ku mbaron biznesmeni dhe ku fillon pushtetari, sepse sapo një deputet le detyrën bëhet menjëherë biznesmen dhe e kundërta. Postet e larta të shtetit sikurse deputetë, ministra, ambasadorë, gjyqtarë, prokurorë, zyrtarë të lartë, nuk janë alternativa të meritokracisë, por thjeshtë mallra, që shiten e blihen në treg, sipas çmimit të kripur, që përballohet vetëm nga oligarkët.

Asnjë intelektual shqiptar nuk është më i motivuar për të marrë pjesë në politikbërje, për të dhënë kontributin e tij në zhvillimin e demokracisë, por edhe për t’u shpërblyer për punën e tij, sepse tashmë të gjitha nivelet e larta të shtetit nuk u përkasin grupeve të individëve, atyre që mund ta meritojnë, por janë thjeshtë çmime, për të cilat duhet paguar. Kjo është arësyeja që përpos largimit të krahut të lirë të punës, këto tetë vitet e fundit kemi një ikje në masë të inteligjencës nga Shqipëria. Përpos ikjes, kemi edhe një indiferencë të theksuar të inteligjencës e cila nuk është as në gjëndje të japë kontributin e saj në shkencë, politikë, art, letërsi sepse edhe këtu oligarkia ka monopolin e saj.

Nuk gjendet asnjë oligark shqiptar që nuk ka televizion, gazetë, apo portale, mbi të cilët ata kanë vendosur edhe monopolin e të vërtetës. Strukturat e larta të shtetit janë mbushur me inkompetentë, militantë, trafikantë votash, fëmijë pa eksperiencë, trafikantë narkotikësh, të dashura biznesmenësh dhe oligarkësh, bij gjyqtarësh dhe prokurorësh, që shpërblehen për favorët me drejtësinë e korruptuar dhe kur ndodhemi përballë situatave të vështira, sikurse rasti i ndarjes së detit me Greqinë, falim territor, sepse nuk jemi të aftë të mbrohemi dhe të ballafaqohemi denjësisht.

Rinia, si pjesa më progresive e shoqërisë, natyrisht që e ka kuptuar këtë situatë dhe shpresëhumbur, nuk shikon të ardhmen në vendin e saj. Të gjithë shërbimet publike sikurse shëndetësia arsimi dhe drejtësia janë lënë në pikë të hallit sepse ekonomia është vënë në dispozicion të shumëfishimit të të ardhurave të një grupi të vogël oligarkësh që gëlltit të gjithë të ardhurat e vendit. Edhe deklarimet false, që bën qeveria çdo vit, përsa i përket rritjes ekonomike nuk kanë asnjë vlerë, sepse ajo që ka rëndësi, është fakti, se ku shkojnë të gjitha këto të ardhura, të cilat nuk shkojnë në vend tjetër, veçse në barqet e panginjura të oligarkëve, ortakë të qeverisë.

Por ku do të shkojmë me këtë megakorrupsion që kemi krijuar…?  Ku vetëm 10 persona superpasurohen dhe gjithë të tjerët varfërohen progresivisht?  Ku 10 persona disponojnë të gjithë pasurinë ekonomike dhe politike të Shqipërisë dhe gjithkush tjetër nuk është veçse një vëzhgues pasiv i jetës së shfrenuar luksoze, arrogancës dhe korrrupsionit të pandëshkuar. A nuk është ky një shkak madhor për të provokuar revolucione të dhunshme?

Kohët e fundit, Presidenti i Republikës Ilir Meta, hodhi një ide me të ardhme, shumë të rëndësishme, sipas së cilës, e vetmja forcë që mund ta mposhtë këtë të keqe, që po i mbyt shqiptarët dhe i ka lënë në fundin e Europës, është ndërgjegja dhe forca popullore, së cilës ai i vetëm dhe me shumë kurajë ka ndërmarrë përsipër ta prijë.

Një ide me shumë rëndësi, e cila është hedhur me shumë të drejtë nga filozofi dhe sociologu i mirënjohur britanik dhe botëror, Anthony Giddens, ish-këshilltar i Tony Blair i cili thotë se: “kur qeveria braktis popullin, politika gjen vend në subpolitikë, në iniciativat qytetare, në grupet qytetare të individëve, në popull” të cilën ai e quan “demokracia dialoguese” e cila është e vetmja forcë që mund ta shporrë këtë mortajë, që njësoj sikurse koha e rëndë totalitare, i ka marrë frymën vendit.

Shkrimtarja shqiptare hap shkollë për të huajt në emigracion

Jorida Dervishi ka vetëm gjashtë vite që jeton në Itali, por ka arritur të integrohet mjaft mirë në shoqërinë e shtetit fqinj. Ajo iku si një emigrante pasi mbaroi studimet në Tiranë dhe si çdo emigrante fillimi nuk ishte i lehtë. Ajo në një kohë të shkurtër me vullnetin e saj mori iniciativën dhe hapi një shkollë për emigrantët, duke u njohur kështu me historitë e tyre nga vende të ndryshme të botës. Kjo nismë do ta ndihmonte të spikaste për aftësitë e saj në mësimdhënie duke marrë kështu një ofertë për të punuar si pedagoge në Universitetin e Milanos. Pasioni i Joridës për të shkruar ka nisur në Shqipëri dhe tani në Itali ajo nuk heq dorë, por vazhdon të shkruaj, me shpresën se shumë shpejt librat e saj do të jenë edhe pranë lexuesit shqiptar në vendlindjen e saj.

 Më datë 15 nëntor do të prezantoni librin tuaj “La mia storia è la tua storia”, nisur nga përvoja juaj na tregoni disa detaje si ndryshon përshtatja e emigrantëve sipas shteteve nga ata vijnë?

Pyetjes suaj po i përgjigjem bazuar në eksperiencën time personale si një grua emigrante, por njëkohësisht dhe si një vajzë e cila 6 vite më parë mori guximin të hapte një klasë ku mesohej gjuha italiane. Aty fillova  të jepja kontributin tim të vogël në mbështetje të grave emigrante nga vende të ndryshme të botës, por, kryesisht pjesa më të madhe vinte nga kontinenti afrikan. Më vonë kam punuar si animatore kulturale (animatrice culturale), gjithmonë kam mbuluar rolin edukativ,  në qendra dhe shkolla të tjera emigrantesh ku kam pasur mundësinë të njihem me burra, gra dhe të rinj të cilët kishin gjetur emigrimin si mënyrën e vetme të përmirësimit të jetesës; disa të tjerë kishin luftuar me valet e detit e të tjerë ishin larguar nga lufa. Dikush tjeter kishte emigruar për t’i siguruar fëmijës një të ardhme më të mire. Të gjitha këto dëshmi  vërtetojnë atë që sot  fjala “emigracion” nuk ka vetëm një kuptim. Nuk ka një definicion përfundimtar. Ajo vjen e ndarë në nivele sipas nevojave të gjithesecilit prej tyre.  Unë them se është një koncept i komplikuar por njëkohësisht të lë hapësirë për ta përkthyer në çdo gjuhë. E megjithatë një gjë mbetet mëse  e sigurt, kur emigrantet vijnë në një vend të huaj ajo që i bashkon është rrugëtimi drejt përshtatjes me jeten e re. Dhe kjo mbetet pika që i bashkon të gjithë. Me këtë nënkuptoj sigurimin e lejes së qendrimit, gjetja e një pune, strehimi dhe pastaj integrimi me një kulturë dhe gjuhë të huaj. Përballja e parë lidhet me  mësimin e  gjuhës, komunikimin, të cilët mbeten disa prej faktorëve thelbësorë në kërkimin e ndihmës, qoftë dhe të nevojave bazë. Dikush  ndihmohet nga  familjarët, dikush tjetër gjen strehim në qendrat e strehimit, dikush, për fat të keq përfundon  në rrugë.

Referuar eksperiencës suaj personale, si i kujtoni fillimet në Itali dhe sa kohë ju desh të përshtateshit me një vend dhe kulturë tjetër?

Ardhjen time në Itali e kujtoj me një buzeqeshje, ishte një vendim i imi personal. Kur isha studente e vizitoja Italinë dhe veçanërisht Milanon  si një turiste. Madhështija  e tij më mrekulloi. Doja  të hapja çdo derë dhe mundësi që ofronte ky qytet, ëndërroja me pak fjalë! Por, kur në 2014 vendosa të zgjedh për të jetuar në këtë qytet gjithçka fillova ta shikoja me një sy tjetër. Tanimë nuk isha një turiste, më duhej të studioja çdo centimeter të rrugëve. Në Shqipëri sapo isha diplomuar në Fakultetin Ekonomik, pranë Universitetit të Tiranës,  madje dhe kisha filluar të punoja. Kështu që kur vendosa të zhvendosem në Itali, e mendoja vazhdimësinë e jetës time si një rrjedhim i asaj që kisha ndërtuar në vendin tim. Por jo, në Milano m’u desh të rifilloja gjithçka nga e para, duke filluar nga përmirësimi  i gjuhës. Përballja me një kulturë dhe mentalitet tjetër nuk  ishte e thjesht. Shumë herë mendoja të hiqja dorë, por pastaj vendosa të projektoja diçka që nuk e kisha bërë më parë; këtë herë protagonistët e këtij projekti do të ishin dy: historia ime dhe ajo e personave të tjerë emigrantë që do të takoja gjatë rrugëtimit tim. Fqinjët e mi më folën për një shkollë afër shtepisë time. Aty zhvilloheshin kurse për të huajt gjatë darkës, dy herë në javë nga mesues italianë. Ishin qendra që u vinin në ndihmë emigranteve. Vendosa të shkoj pa u menduar dy herë. Gjatë kursit vura re mungesën e studenteve gra. Pasi u informova mësova  se gjatë darkës për gratë, sidomos ato arabe, ishte shumë e vështirë pjesëmarrja në leksionet e darkës, shumica e tyre në atë orar kujdeseshin për femijët. Kjo përgjigje nuk më mjaftoi, për këtë arsye,  pas dy muajsh vendosa të hap brenda ambienteve të shoqatës një shkollë vetëm për gratë emigrante. Jepja mësim tre herë në javë.  Së bashku, pavarësisht vështirësive për t’u kuptuar ia dolëm të çonin para projektin për dy vjet. Kjo ishte shkalla e parë që unë ngrita, ishte  fillimi i një rrugëtimi që ende vazhdon …Pra vështirësitë kanë qenë të shumta por besimi dhe këmbëngulja ime, puna e palodhshme e çdo dite, përkrahja dhe suporti i familjes më kanë ndihmuar të eci përpara edhe në momente të vështira.

Thatë që keni mbaruar studimet në Tiranë, kishit një punë, çfarë ju shtyu të emigroni?

Unë kam lindur në Korçë në vitin 1991, familja ime jeton aty. Unë vendosa të lija  çdo gjë për t’u bashkuar me të fejuarin tim. Njeri nga ne duhet të hiqte dorë nga karriera, vendosa ta bëj unë këtë sakrifice… Vendim për të cilin nuk do pendohem asnjëherë.  Një udhetimim i cili me hapi shumë dyer dhe më bëri të kuptoj gjëra që më parë nuk i mendoja.

Me emigrantë nga vende të tjera, ju bashkon fakti i të qenurit emigrant, apo dëshira për të njohur më shumë mbi një vend dhe kulturë tjetër?

Sigurisht që në fillim të bashkon fakti i të qenurit emigrant, nevojat e përbashkëta. Në rastin tim, hapja e shkollës, dëshira ime e brendshme për të ndarë rrugëtimin  tim me njerëz të ngjashëm me nevojat e mia. Më vonë kur fillova të njoh historitë e tyre, shumica u bënë miqtë e mi. Askush nuk më quante “mësuese”. Çdo njeri prej tyre kishte një bagazh të ndryshëm. Fillova të mësoj rëndësinë e bukurisë së kulturave, traditave, gjuhës. Çdo person që takoja çelte një horizont të ri dijesh tek unë. Edhe kur më tregonin gjëra të vogla nga e përditshmërija e tyre. Mësova kuptimin dhe rëndësinë e fjalës diversitet. Dhe mbi gjithçka kuptova rëndësinë  e të qenurit human.

Në një libër që flet për emigrantët, pra individë me kultura të ndryshme që ju keni takuar. Kush prej tyre jua sjell më shumë në mendje Shqipërinë, pra ngjashmërinë me vendin tonë në disa tipare?

Kjo pyetje më kujton mikeshën time Yanina  me origjine bullgare. Jam e bindur se Ballkani mbetet ajo pjesë e hartës e cila na bashkon në aspektin kulturor dhe social.

Ju jeni pedagoge në Universitetin e Milanos, për një shqiptare ishte e vështirë rruga për të arritur në këtë pozicion?

Sigurisht që nuk ka qenë dhe nuk është e lehtë. Jam përpjekur ta bëj të tillë… Gjithçka filloi kur jepja leksione private një studenti italian. Mamaja e tij më dëgjon  një ditë teksa shpjegoja. Unë zakonisht punoj me skema, kam bllokun tim për çdo lëndë që mbuloj. Ajo u habit dhe një ditë më ftoi për një bisedë pranë zyrave të fakultetit  dhe më thotë: “Si thua do të të pëlqente të punoje në universitetin e Milanos”?

Këtë vit mësimi do të zhvillohet online apo jo? 

Po, kemi marrë udhëzime që  dhe këtë vit akademik i gjithë programi  do të zhvillohet online përfshirë dhe provimet. Çdo leksion shpjegohet nëpërmjet aplikacionit ‘Teams’ dhe pastaj regjistrohet në “Steam”. Në këtë mënyrë studentëve iu jepet mundësia të rishikojnë leksionin. Për mua personalisht dhënia  e mësimit online sigurisht nuk është  e njëjtë me metodën e vjetër, mesimdhënien në prezencë, por në këto kohë të vështira  mbetet alternativa më e mirë. Mos harrojmë se ka universitete të cilat aplikojnë  vetëm mësimdhënien online ( përmend këtu Campus).

Libri është i ndarë në tri pjesë ku trajtoni çdo etapë: Të jesh emigrant, historitë e emigrantëve dhe rrjeti i emigrantëve. Të ndalemi tek pjesa e fundit që mbeti e paprekur: Sa e lidhur dhe sa aktive jeni ju me rrjetin e emigrantëve shqiptarë në Itali?

Në pjesën e tretë flas për rrjetin e emigrantëve si dhe stadet e integrimit, bazuar në një studim që unë kam realizuar gjatë periudhës 2014-2019. Përsa i përket rrjetit të emigrantëve shqipëtarë në Itali kërkoj të lidh kontakte me ato mundësi që më janë ofruar. Për fat të keq në shkollat ku kam dhënë mësim kam takuar shumë pak emigrantë nga Shqipëria. Në atë botën time të vogël kam krijuar rrjetin tim. Në  librin “ Historia ime është dhe historia jote” trajtoj katër histori qe rrëfejnë emigracionin shqiptar të viteve ‘90. Projekti im i ardhshëm ka si synim mbledhjen e dëshmive të arbereshëve në  Kalabri. Jemi duke punuar, por për shkak të pandemisë gjërat janë lenë pak mënjanë për momentin.

Keni menduar që librat tí shkruani edhe në shqip?

Po punoj për të sjell ne tregun shqiptar një liber me poema/poezi titulluar “Ditari i një ëndërrimtareje “. Kam një vit që po punoj. Dy prej poezive janë botuar tashmë në librin “Poesie di Strada “ këtu në Itali. Dëshiroj të përkthej librin “A voce Alta” ( Me zë të lartë) ku vij si bashkëautore. Uroj me gjithe zemër t’ia arrij. Dëshira ime më e madhe është të jem pranë lexuesit shqiptar. Aty kam filluar të shkruaj e të derdh vargjet e para…

A do t’i japë Biden fund idesë për shkëmbim territoresh në Kosovë?

Ideja që ka qarkulluar tre vjetët e fundit në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, sipas analistëve, nuk do të mbështetet nga politikani që e njeh mirë historinë e rajonit.

Analisti politik në Këshillin për Demokratizim me seli në Berlin dhe Bruksel Bodo Weber, ka thënë për “Kohën” se negociatat do t’u kthehen parimeve origjinale, me synimin që të arrihet një marrëveshje ligjërisht e obligueshme, raporton KOHA.

“Përfundimisht do t’i jepet fund episodit të rrezikshëm dhe shtyrjes së palëve drejt një marrëveshje për shkëmbim territoresh. Rikthimi i dialogut brenda kornizës origjinale do të bëhet duke ruajtur parimet themelore të tij – se ideja e ndryshimit të kufijve në Ballkan është e tejkaluar. Serbia duhet t’i kthehet politikës e cila bazohet në realitet duke pranuar se ka humbur prej kohësh Kosovën, në mënyrë që të bëhet një partner i vërtetë i Perëndimit”, ka thënë analisti gjerman, Bodo Weber.

Sa i përket marrëveshjes së 4 shtatorit të ndërmjetësuar nga ish-presidenti Trump, sipas analistit gjerman, çështjet ekonomike si ajo për mini Schegenin, do të zhvendosen brenda kontekstit të Bashkimit Evropian.

Kurse pika e marrëveshjes që flet për zhvendosjen e ambasadave në Jerusalem, siç ka thënë Weber, do të bjerë në momentin që Biden futet në Shtëpinë e Bardhë.

Gjatë fushatës zgjedhore, Biden ka thënë se Pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme.

Në një letër drejtuar shqiptaro-amerikanëve, presidenti demokrat është zotuar se, do të punojë me Bashkimin Evropian për të ringjallur dialogun, “me qëllimin për të lehtësuar një zgjidhje të drejtë dhe gjithëpërfshirëse që respekton integritetin territorial të Kosovës dhe të arrihet njohja e plotë reciproke”.

Arbresha Loxha nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike pret që Biden të jetë më i ashpër karshi sfidimit që i bëhet shtetit të Kosovës nga Serbia e Rusia.

“Ky ndryshim ne presim natyrisht që të reflektojë në dialogun Kosovë-Serbi në të cilin Shtëpia e Bardhë do të jetë shumëfish më stabile, karshi promovimit të shtetit të pavarur të Kosovës dhe kundërshtuese e hapur ndaj praktikave të Serbisë dhe Rusisë në fushatën e tyre për çnjohjen e pavarësisë së Kosovës”, ka thënë Loxha.

Në periudhën e administratës Obama, ku Biden ishte zëvendëspresident nuk ka pasur përfshirje direkte të Shteteve të Bashkuara në dialog, duke ia besuar rolin e ndërmjetësit Bashkimit Evropian.

Gjatë vizitave të mëhershme në Kosovë, kërkesë kryesore e Bidenit ka qenë forcimi i shtetit demokratik si dhe luftimi i krimit të organizuar e korrupsionit.

Të gjitha akuzat ndaj Hashim Thaçit

Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë të enjten në mbrëmje publikoi aktakuzën që akuzon presidentin e Kosovës Hashim Thaçi dhe tre ish-udhëheqës të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të kthyer në politikanë për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.

Thaçi akuzohet së bashku me ish-kreun e Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, kreun e grupit parlamentar të partisë opozitare Lëvizja Vetëvendosje, Rexhep Selimi, dhe kryetarin e këshillit kombëtar të partisë Nisma Socialdemokrate, (NISMA), Jakup Krasniqi.

Aktakuza prej 68 faqesh përmban dhjetë akuza dhe rendit veprat e tyre të pretenduara si “krime lufte për arrestim dhe ndalimi të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje, dhe krime kundër njerëzimit për burgosje, veprime të tjera çnjerëzore, tortura, vrasje, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje”.

Ajo thotë se krimet u kryen “të paktën nga marsi 1998 deri në shtator 1999”. Të katër burrat ishin figura të larta në UÇK-së gjatë luftës dhe Thaçi ishte lideri politik i organizatës guerile.

Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi akuzohen si përgjegjës për krimet e kryera nga ata vetë dhe ish-pjesëtarë të tjerë të UÇK-së në pjesë të ndryshme të Kosovës, por edhe në Shqipërinë e veriut, “kundër qindra civilëve dhe personave që nuk morën pjesë në luftime”.

Shumica e krimeve janë kryer në qendrat e paraburgimit në 17 komuna të Kosovës dhe në Kukës dhe Has në Shqipëri.

Të katër burrat akuzohen se kanë qenë pjesë e një sipërmarrje të përbashkët kriminale dhe kanë ndarë “qëllimin e përbashkët për të fituar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën”, duke përdorur mjete përfshirë “kanosje, keqtrajtim, ushtrim dhune, si edhe duke larguar ata që konsideroheshin si kundërshtarë”.

Kundërshtarët përfshinin bashkëpunëtorë të dyshuar me institucionet jugosllave dhe forcat e armatosura të Sllobodan Millosheviçit, njerëz të lidhur me Lidhjen Demokratike të Kosovës rivale dhe “persona të etnive serbe, rome dhe të etnive të tjera”.

Aktakuza më tej pretendon se katër ish-udhëheqësit e UÇK-së të kthyer në politikanë kishin “përgjegjësi superiore”, pasi ata ishin të vetëdijshëm për krimet e përmendura në aktakuzë, dhe i nxitën ato, si edhe ishin të përfshirë në kryerjen e tyre.

Thaçi dha dorëheqjen si president të enjten dhe u dërgua në Hagë për t’u përballur me akuzat. Dorëheqja e tij pas konfirmimit të aktakuzës ndaj tij nxiti mesazhe solidariteti për luftën e UÇK-së nga udhëheqësit politikë etnikë shqiptarë në të gjitha anët e spektrit politik në Kosovë dhe Shqipëri.

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së gjithashtu ka kërcënuar se do të mbajë një protestë, pavarësisht nga masat parandaluese të vendosura nga qeveria për COVID-19, sipas të cilave janë të ndaluara tubimet publike të më shumë se pesë personave.

Dhomat e Specializuara të Kosovës u krijuan për të gjykuar krime të pretenduara të kryera gjatë dhe menjëherë pas luftës së Kosovës nga viti 1998 në 2000. Ato janë pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por ndodhen në Hagë dhe përbëhen nga staf ndërkombëtar.

Ato u krijuan nën presionin e aleatëve perëndimorë të Kosovës, të cilët druheshin se sistemi i drejtësisë në Kosovë nuk ishte aq i fuqishëm sa të gjykonte çështje të UÇK-së dhe të mbronte dëshmitarët nga ndërhyrjet.

E ashtuquajtura “Gjykatë Speciale” nuk shihet me sy të mirë nga shqiptarët e Kosovës, të cilët e shohin atë si një fyerje të luftës së UÇK-së për çlirimin nga sundimi serb.

Dhunë për 5 mijë lekë në mes të qytetit

 

Dy të rinj në Elbasan kanë dhunuar dhe kanosur me thikë një qytetar vetëm për t’i marrë 5 mijë lekë.

Ngjarja ka ndodhur në Parkun Rinia dhe aventura e dy agresorëve ka zgjatur shumë pak, pasi u arrestuan nga policia.

Në prangat e policisë kanë rënë R.B., 19 vjeç dhe H P., 16 vjeç, banues në Elbasan, pasi dhunuan dhe grabitën nën kërcënimin e thikës 23-vjeçarin F.K.

 

Gjithashtu do të hetohet në gjendje të lirë edhe 41-vjeçari G.Gj., i cili ishte me dy të rinjtë në momentin e arrestimit dhe nuk i është bindur efektivëve të policisë për kontroll.

Aksident në Gjirokastër, makina përplas këmbësoren

 

GJIROKASTËR- Një automjet ka përplasur një kalimtare në lagjen ’18 Shtatori’, e cila është dërguar me urgjencë në spitalin Rajonal ‘Omer Nishani’.

 

Në vendin e ngjarjes ka shkuar policia, e cila ka bërë të mundur ndalimin dhe shoqërimin e shoferit që përplasi kalimtaren me iniciale R.K., e cila po kalonte rrugën kur u aksidentua nga një automjet.

 

Ende nuk dihen shkaqet e aksidentit, ndërkohë grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e shkaqeve.

Ezaurohen shtretërit në spitalin infektiv, në shërbim të pacientëve 8 ambulanca në oborrin e spitalit

 

Për shkak të tejmbushjes së spitalit infektiv, në shërbim të pacientëve të sëmurë me Covid janë vënë 8 autoambulanca.

 

Ato ofrojnë shërbim ambulator në oborrin e Infektivit pasi nuk ka shtretër bosh.

Ndërkohë infeksionet vazhdojnë të rriten. Ministria e Shëndetësisë raportoi një ditë më parë 495 raste të reja me Covid-19, ndërsa 8 qytetarë humbën jetën.

Po sipas Ministrisë në tre spitalet COVID po trajtohen 352 pacientë, ku 9 prej të cilëve janë në terapi intensive dhe 4 janë të intubuar.