zoom

Day ArchiveTrump-Biden, beteja për shtetet e lëkundura

Kur kanë mbetur edhe nëntë ditë përpara zgjedhjeve të 3 nëntorit, Presidenti republikan Donald Trump, sfiduesi i tij demokrat Joe Biden si dhe dy kandidatët për nënpresident, Pence dhe Harris, po përpiqen të inkurajojnë mbështetësit e tyre e të ndikojnë tek votuesit e pavendosur.

Zoti Trump zhvilloi tubime në shtete të vogla në verilindje të vendit si Nju Hempshër dhe Mein, numri i vogël i votave elektorale të të cilave mund të jetë vendimtar ne rast të një rezultati të ngushtë. Dy kandidatët për president po kërkojnë të sigurojnë një shumicë prej 270 votash nga Kolegji Zgjedhor prej 538 anëtarësh.

Në vitin 2016 zoti Trump humbi 4 votat elektorale të Nju Hempshërit me një rezultat të ngushtë ndaj demokrates Hillary Clinton. Por rreth katër vite më parë ai fitoi një nga katër votat elektorale të Meinit, atë të distriktit rural të tij dhe aktualisht është në një garë të ngushtë me zotin Biden për këtë zonë.

Ndërkohë, të dielën në mbrëmje ish-nënpresidenti Biden pritet të mbajë një fjalim virtual në një koncert të titulluar “Unë do të votoj”. Në një kohë kur presidenti Trump vazhdon të organizojë tubime të mëdha me mbështetësit e tij, shpesh në aeroporte, zoti Biden ka ndjekur një qasje më të matur për fushatën përballë epidemisë së koronavirusit. Ai është shfaqur në tubime të vogla, sikurse këtë të dielë, ose përmes transmetimit të drejtpërdrejtë nëpërmjet internetit.

Nënpresidenti Mike Pence, gjithashtu ka marrë pjesë në tubime elektorale dhe planifikon një paraqitje të dielën në mbrëmje në Kinston të Karolinës së Veriut, një tjetër shtet fushëbeteje, ku dy rivalet janë në një garë të ngushtë me njëri-tjetrin.

Zoti Trump e fitoi këtë shtet në vitin 2016, por këtë herë sondazhet tregojnë zotin Biden në një avantazh të ngushtë ndaj tij.

Senatorja demokrate Kamala Harris, kandidate për nënpresidente, ndodhet në një tjetër shtet vendimtar për fatin e zgjedhjeve në Miçigan. Ajo do të zhvillojë tubime në Detroit, Trojë dhe Pontiak.

Presidenti Trump arriti të sigurojë një fitore të ngushtë në vitin 2016 në Miçigan, një shtet tradicionalisht demokrat, i cili së bashku me fitoret në Pensilvani dhe Uiskonsin, i dhanë atij një mandat katër vjeçar në krye të Shtëpisë së Bardhë.

Por sondazhet tregojnë se mbështetja ndaj zotit Trump ka pësuar një rënie me rreth 8 për qind në Miçigan dhe se ai gjithashtu renditet pas me përqindje më të ulta edhe në Uiskonsin dhe Pensilvani.

Të tre këto shtete janë thelbësore për rezultatin e vitit 2020, ashtu siç janë edhe disa shtete të tjera të cilat zoti Trump i fitoi në 2016, por ku tashmë renditet pas zotit Biden.

Deri tani kanë votuar më shumë se 58 milionë amerikanë, rreth dy të tretat e tyre me postë dhe një e treta personalisht. Shumë prej tyre thonë se votuan përpara datës së zgjedhjeve për të shkak të pandemisë.

Sipas sondazheve më pak se 5 për qind e votuesve nuk e kanë vendosur ende se për kë do të votojnë. Shumë prej mbështetësve të hershëm të zotit Biden kanë thënë se donin të ishin ndër të parët që do të votonin kundër zotit Trump. Ndërkohë, shumë republikanë thonë se kanë në plan të votojnë ditën e zgjedhjeve, siç ka qenë traditë për dekada të tëra SHBA.

Paqartësi për vaksinën e Coronës

Tingëllon si premtim i shumëpritur në kohët e rritjes së vazhdueshme të infektimeve: Një vaksinë kundër virusit Corona që këtë vit! Këtë e njoftoi së fundmi gazeta gjermane „Bild”. Gazeta është bazuar në të dhëna të ministrit të Shëndetësisë, Jens Spahn, vetë ndërkohë i infektuar me Corona. Në fillim të javës së kaluar, ministri paska bërë të ditur, se firma e Manzit, BioNTech është pak para marrjes së lejes për vaksinën. Vetëm pak orë më vonë u hodh poshtë ky njoftim nga zëdhënësi i Jens Spahn. Në një intervistë me revistën „Spiegel”, Spahn thotë, se ai e pret vaksinën për popullin gjerman kundër COVID-19 në fillim të vitit të ardhshëm. Mund të jetë fillimi i janarit, ndoshta shkurti apo marsi, apo më vonë.

Lodhja nga pandemia dhe shpresa për normalitet

Një vaksinë për pak javë apo muaj? Të festosh festat e fundvitit pranë familjes i sapovaksinuar dhe pa shqetësim? Apo në verën e ardhshme të shkosh për pushime pas vaksinimit? Përqafime me miqtë? Të gjithë këto përfytyrime i elektrizojnë gjermanët, që gjithnjë e më shumë  janë të nervozuar me kufizimet, infektimet në rritje apo një lockdoën të ri.

Berlin | Pressekonferenz zu Pflege und Corona: Jens Spahn (Kay Nietfeld/dpa/picture-alliance)Jens Spahn

Sipas „Bild” do të fillojnë përgatitjet në të gjithë Gjermaninë për vaksinimin. Për këtë do të ngrihen qendra vaksinimi në të gjithë vendin. Ministria e Shëndetësisë u ka kërkuar landeve brenda dy javësh të përcaktojnë vendet, ku do të ngrihen qendra e vaksinimit, thotë më tej gazeta. Vetëm kështu mund të arrihet një vaksinim i shpejtë i popullsisë. Qendrat e vaksinimit janë të nevojshme pasi vaksina duhet ruajtur në një temperaturë minus 78 gradë dhe pastaj të ofrohet. Zëdhënësi i ministrit të Shëndetësisë pas këtij raportimi të “Bild” sqaroi: Mes landeve dhe federatës po zhvillohen aktualisht negociata. Hedhje poshtë e lajmit kjo nuk është, se për të ka tjetër përzgjedhje fjalësh.

Jeta me virusin

Një shpim, një leukoplast dhe Corona do të kthehet në kujtim? Kështu nuk ka për të ndodhur, thonë ekspertët. Presidenti i Shoqatës Botërore të Mjekëve, Frank Montgomery i përgatit njerëzit për një rrugë të gjatë. “Ne duhet të jetojmë me vite me virusin dhe duhet të vazhdojmë të ruajmë distancën, të mbajmë maskën apo të lajmë duart”, këto kanë për të qenë për një kohë të gjatë të rëndësishme. Montgomery nuk mendon se vaksina do të jetë kaq shpejt gati për të gjithë. Organizata Botërore e Shëndetësisë, OBSH pret mesin e vitit të ardhshëm. “Por deri sa të vaksinohet e gjithë popullata, do të zgjasë dy ose tre vjet,” është i mendimit Montgomery. “Për një vaksinim menjëherë për të gjithë nuk as doza të mjaftueshme dhe as personal të mjaftueshëm.”

Vaksinimi zgjat me vite

Niederlande Utrecht Coronatest (picture-alliance/dpa/R. Utrecht)

Ish-zëvendëskryetari i Këshillit të Ekspertëve për Shëndetin që konsulton qeverinë gjermane, Matthias Schrappe tha për gazetat e grupit mediatik „Funke Mediengruppe”, se edhe ai pret që një fushatë vaksinimi të zgjasë disa vite. Në një llogaritje të grupit të ekspertëve, do të vaksinohesin 60 milionë vetë. Nëse në një ditë do të jepeshin 60.000 milionë dota, atëherë vaksinimi do të zgjaste 1000 ditë. „Pra katër vjet”, thotë mjeku. Madje kjo llogaritje është shumë optimiste, thotë ai. Programet e vaksinimit në të shkuarën si kundër lisë apo poliomelitit kanë zgjatur me dekada. „Ky është një proces i komplikuar shoqëror”, thotë Schrappe. Madje edhe gjetja e një konsesusi, se kush duhet të vaksinohet më parë nuk është e lehtë, thotë ai. „Këtë nuk mund ta vendosin mjekët, por duhet ta rregullojë politika.”

Komisioni Europian rekomandon që shtetet anëtare të trajtojnë disa grupe të caktuara se kush do të marrë vaksinën i pari. Për shkak se në fillim ka një sasi të vogël vaksinash, duhet të vaksinohet personeli mjekësor, personat mbi 60 vjeç, të sëmurët dhe personat me disavantazhe sociale. Këto parime do të duhet të zbatohen edhe në Gjermani, nga Ministria e Shëndetësisë thuhet se po „punohet për një koncept priorizimi”. Nuk do të ketë një detyrim për vaksinim.

Pak kohë më parë, ministri Jens Spahn u shpreh që njerëzit të vaksinohen kundër gripit në këtë sezon vjeshte e dimri. Por disa klinika në Gjermani që tani njoftojnë, se nuk kanë më vaksina në dispozicion. Ekspertët janë të mendimit se ngushtica në furnizime mund të ketë edhe me vaksinën e ardhshme të Coronës. Në intervistë me „Spiegel”, Jens Spahn i uli shumë tonet optimiste për një fund të shpejtë të krizës së Coronës. “Natyrisht do të ishte më e mirë, një vaksinë do pengonte infektimet e reja.” Por do të ishte fitore, edhe sikur ajo ta zbuste sëmundjen.”

8 miliardë euro do të fshihen nga ekonomia shqiptare

Sa më shumë kalojnë muajt, aq më të qarta bëhen pasojat që ajo solli në ekonomi infeksioni i padukshëm i Covid-19, dhe po aq më e pasigurt bëhet edhe e ardhmja.

Vetëm një gjë është e sigurt, që ekonomia nuk do të jetë më si më parë dhe ditët e “arta” të një aktiviteti normal dhe jetese të shkujdesur kanë marrë fund, të paktën për një periudhë afatmesme. Të gjitha pritshmëritë për ecurinë ekonomike, jo vetëm në Shqipëri, por në mbarë botën janë zhvlerësuar.

Humbjet në vend, në raport me vitin e mëparshëm, por dhe në krahasim me rritjen që do të kishte pasur vendi nëse nuk do të ishte përballur me koronavirusit janë tepër të larta.

Sipas parashikimeve të Ministrisë së Financave, përpara se të fillonte kriza e Covid-19, prodhimi i brendshëm bruto (PBB-vlera e mallrave dhe shërbimeve përfundimtare të krijuara nga ekonomia gjatë një periudhe kohe të caktuar) pritej që të arrinte në 2.4 trilionë lekë, pse gati 19 miliardë euro në vitin 2022. Financat prisnin mesatarisht një rritje ekonomike prej rreth 4% në vit.

Por, në relacionin e projektbuxhetit 2021, pritshmëritë për PBB-në në vitin 2022 tashmë janë zhvlerësuar në 14.5 miliardë euro.

Në vetëm tre vjet, 2020-2022, Covid-19 pritet të fshijë rreth 1 trilionë lekë, ose 8 miliardë euro të ardhura potenciale, që do të ishin krijuar nëse do të kishim pasur ecuri normale të ekonomisë (diferenca midis PBB-së së projektuar para krizës dhe pas krizës, përkatësisht për secilin vit).

Për vitin 2020, kur vlerësohet të ketë qenë kulmi i efekteve të Covid-19, ekonomia shqiptare pritet të tkurret nga -6.4%, sipas parashikimeve të qeverisë shqiptare, deri në -9% (nga banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim). Fondi Monetar Ndërkombëtare pret që tkurrja të jetë -7.5% dhe banka Botërore në -8.4%. Cilado që të jetë rënie, kjo do të jetë tkurrja më e madhe e ekonomisë që nga viti 1997, kur vendi ra me më shumë sesa 10%.

Për vitin 2021, gjithnjë nëse nuk do të ketë mbyllje tjetër drastike, ekonomia pritet të rikuperohet me ngadalë, me rritje prej rreth 5-5.5%, sipas pritshmërive të qeverisë dhe institucioneve ndërkombëtare. Sipas të gjitha gjasave, si rrjedhojë e rënies së fortë këtë vit dhe rikuperimit të ngadaltë vtin e ardhshëm, ekonomia pritet që të arrijë nivelin e para krizës (2019-s) vetëm në 2022-in.

Tkurrja e ekonomisë pritet që të ulë dhe të ardhurat për frymë, të cilat sipas parashikimeve të projektbuxhetit pritet të bien me 6% në 2020-n, (nga 586,400 lekë në 550,400 lekë).ose 36 mijë lekë (290 euro) më pak.

FMN është edhe më pesimiste.   Sipas saj të ardhurat për frymë të shqiptarëve në 2020 pritet të ulen me 425 dollarë, ose me gati 8% në krahasim me vitin e mëparshëm

Në rajon, Shqipëria (-425 USD) dhe Mali i Zi (-892 USD) pritet të kenë rënien më të lartë të të ardhurave për frymë, për shkak të tkurrjes më të lartë ekonomike të parashikuar për këto vende, që janë të lidhura me turizmin.

Për maqedonasit, humbja do të jetë minimale (90 dollarë më pak) dhe për boshnjakët arrin në -253 dollarë për frymë më pak. Për shtetasit e Kosovës, humbja është -287 dollarë për frymë, me një rënie prej 6.5%. Në rajon, shteti që ka qenë më rezistent ndaj krizës së Covid-19 është Serbia. Ky i fundit është ndër të paktët në botë, ku FMN parashikon që të ardhurat për frymë nuk do të bien, përkundrazi do të rriten lehtë, me 90 dollarë.

“Albanian and Proud”, një projekt shqiptar në Kanada

Davidi është një kanadez i thjeshtë, i cili ka dëgjuar dhe lexuar për historinë dhe kulturën e lashtë shqiptare, dhe mundohet të gjej lidhje me shqiptarët në Kanada. Duke shëtitur dhe hulumtuar nëpër internet, ai ka gjetur  “Albanian and Proud”, që është një dyqan online me produkte me simbole kombëtare shqiptare. Aty ka porositur dhe ka blere disa bluza me shqiponjë, dhe nuk ka hezituar të tregojë në rrjetet e tij sociale se ato bluza e kanë frymëzuar ta vizitojë Shqipërinë. Pastaj, ka mësuar edhe disa fjalë shqip që kur të shkojë në Shqipëri të ketë mundësi të komunikojë me banorët lokalë. “Në fakt, Davidi nuk është i vetmi shtetas i huaj që ka blerë veshje me simbolet tona, ka edhe shtetas të tjerë që s’janë shqiptarë, por duke pasur miq që janë në një lidhje me shqiptarë blejnë produkte me simbolet tona, që u lënë përshtypje”- thotë me entuziazëm Klodian Lusha, shqiptari që jeton në qytetin Kitchener, Ontario, dhe që para ca kohësh ka hapur dyqanin online me produkte shqiptare “Albanian and Proud”.
Në një bisedë për gazetën “Diaspora Shqiptare” Klodiani tregon se “Albanian and Proud” është një biznes familjar online i inspiriruar nga dashuria dhe historia e vendit të tij të lindjes, Shqipërisë. “Gëzimi dhe frymëzimi ynë më i madh është kur shikoj të rinj shqiptarë kudo në botë si në Kanada, Australi, Amerikë, Angli, etj., duke veshur bluza me simbolet tona ku shkruhet “Shqiptar”. “Proud Albanian, “I am Pellazgo- Ilir”, “Dardanians”etj, që e tregojnë praninë tonë kudo që jetojmë. Për këtë besoj se shumë shpejt do të sjell edhe veshje tradicionale kombëtare që janë punime artizanale nga Shqipëria, pasi duam qe t’i mbështesim duart e arta në vendlindje”- shprehet Klodiani. Ideja i ka ardhur nga dashuria e madhe që ai ka për vendlindjen. Duke e ditur historinë , kulturën dhe besën e shqiptarëve, është shumë e thjeshtë të merr inspirim. Ai tregon se edhe targat e makinës së tij  i ka të personalizuara ku shkruhet “Albania”, për ta treguar krenarinë që ndjen për prejardhjen e tij. Në këtë kontekst “duke parë që për ne shqiptarët në emigrim është pak e vështirë që të gjesh veshje shqiptare që të jenë moderne dhe me origjinalitet vendosa që të hap dyqanin online “Albanian and Proud” që të gjithë shqiptarët kudo në botë të kenë mundësi të porosisin për veten dhe të afërmit e tyre në mënyre të shpejtë dhe të thjeshtë. Realizimi ka marrë kohë pak në fillim pasi donim që produktet tona të jenë sa më cilësore dhe të veçanta, prandaj gjatë gjithë kësaj kohe kemi punuar me dizajnerë profesionistë e të famshëm nga Shqipëria dhe Kosova”.
“Gjatë periudhës së pandemisë COVID- 19 ka ka pasur një rritje të shitjeve edhe tek biznesi ynë, sepse njerëzit nga frika janë detyruar të qëndrojnë të mbyllur në shtepitë e tyre, dhe për pasojë të shpenzojnë më shumë kohë online. Por, pa marrë parasysh përfitimet, unë shpresoj që pandemia të kalojë sa më me pak pasoja, dhe ne të takohemi në ditë më të mira nëpër organizimet e shqiptarëve në komunitetin tonë në rritje” lutet Klodiani.
Rrugëtimi i tij deri këtu është i ngjashëm me shumë shqiptarë të tjerë të larguar nga atdheu viteve të fundit. Ai ka lindur në Golaj të Hasit, Shqipëri më 1993. Në vitin 2005 zhvendoset me familjen në Durrës, ku ka vazhduar studimet e larta në Universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës për Financë-Bankë, ku më vonë detyrohet t’i ndërpres ato në mes, për shkaqe ekonomike të familjes që nuk ishin edhe aq të mira.
Klodian Lusha emigron në Kitchener, Ontario më 2016 pasi kishte jetuar disa vite në Londër, Angli. Klodiani duke marrë shkas dashurinë dhe mallin për Shqipërinë, dhe duke marrë inspirim nga historia dhe kultura e mrekullueshme e vendlindjes së tij vendos të hap një dyqan online për shitje rrobash, po me emër “patriotik”, në mënyrë që të gjithë të interesuarit shqiptarë në botë të kenë mundësi të vishen me simbole shqiptare, që po merr çdo ditë e më shumë një emër të mirë për shërbimin cilësor që ka treguar.
Në interesimin tonë se si a ka pritur komuniteti shqiptar këtë lloj biznesi me simbole kombëtare, Klodiani shprehet: “Komuniteti shqiptar këtu në Kanada është i mrekullueshëm dhe e ka përkrahur idenë time që nga fillimi.  Ne të gjithë shqiptarët që jetojmë në Kanada, kemi shumë mall për vendlindjen, dhe duke pasë veshje me simbole shqiptare na bën të jemi krenarë dhe më afër atdheut”- shprehet ai.

Dyqani i tij www.albanianandproud.com bën shpërndarjen e produkteve në mbarë botën, ndërsa shitjet më të mëdha i ka në Kanada, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Evropë, ndërsa sapo të hyni në faqe ju pret edhe përshëndetja në gjuhën shqipe “Mirë se erdhët!”. Edhe aty shpjegohet se “Albanian and Proud” është një lidhje veshjesh dhe aksesorësh familjarë, të frymëzuar nga dashuria për vendin tonë dhe historinë e tij.