zoom

Day ArchiveBSH, optimiste: Më e keqja ka kaluar. Por ekonomia do të jetë me rënie -7.6%

Banka e Shqipërisë parashikon një rënie të ekonomisë me 7.6% për këtë vit.

Pas mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës, Guvernatori Gent Sejko, dha për herë të parë një parashikim pikësor për rënien e ekonomisë shqiptare gjatë vitit 2020, projeksion ky jo shumë i largët nga ai i Bankës Botërore, që sot e përditësoi atë në nivelin 8.4%.

Megjithatë, Sejko tha se tashmë ekonomia e ka kaluar pikën më të ulët të rënies në tremujorin e dytë dhe në pjesën e mbetur të vitit tkurrja e prodhimit kombëtar pritet të jetë në përmasa më të kufizuara.

Sipas Guvernatorit, rritja e besimit të biznesit dhe konsumatorëve, por edhe përmirësimi i treguesve fiskalë janë të dhëna të tërthorta që dëshmojnë se efekti i krizës në ekonomi po zbutet. Sipas skenarit bazë, Banka e Shqipërisë pret që ekonomia t’i kthehet rritjes duke filluar nga viti i ardhshëm.

“Këshilli Mbikëqyrës gjykon se efekti i pandemisë në ekonomi do të vijë drejt reduktimit gjatë tremujorëve në vijim. Në skenarin bazë, aktiviteti ekonomik në vend pritet të vijë në përmirësim, por të mbetet ende në territor negativ, gjatë gjysmës së dytë të vitit aktual dhe t’i kthehet rritjes në vitin e ardhshëm. Jetësimi i skenarit bazë është i kushtëzuar nga ecuria e mëtejshme e pandemisë, nga ndikimi i saj në sjelljen e ardhshme të biznesit dhe konsumatorit, nga shpejtësia e përmirësimit të aktivitetit ekonomik në partnerët tanë tregtarë, si dhe nga reagimi i duhur në kohë i autoriteteve publike dhe sektorit privat,” tha Sejko.

Sidoqoftë, Guvernatori nuk harroi të theksonte sërish se rreziqet ngelen të larta, të lidhura kryesisht me përkeqësimin e gjendjes së pandemisë dhe me nevojën e mundshme për masa të reja kufizuese, që do të ndikonin negativisht ekonominë.

Një skenar i tillë do të diktonte nevojën për një thellim të mëtejshëm të stimulit monetar. Veç uljes së mëtejshme të normës bazë të interesit, për herë të parë Banka e Shqipërisë ka përgatitur edhe një skenar rezervë, në formën e programit të lehtësimit sasior, që do të konsistonte në blerjen e letrave të borxhit të qeverisë në tregun dytësor, me qëllim rritjen e mëtejshme të likuiditetit në ekonomi.

Sejko theksoi edhe njëherë se stabiliteti i sistemit financiar dhe në veçanti gjendja e mirë e sektorit bankar janë premisa pozitive për rimëkëmbjen ekonomike.

Sipas tij, tregjet financiare janë të qeta, normat e interesit pranë minimumeve histroike. Bankat kanë vijuar huadhënien dhe kredia regjistroi një rritje mesatare me 6.4% gjatë muajve korrik dhe gusht.

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi sot të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin 0.5%. Në muajt korrik dhe gusht inflacioni pësoi sërish rënie, pranë një niveli mesatar 1.3%, duke qenë ende larg intervalit të poshtëm të objektivit të Bankës së Shqipërisë. Këshilli Mbikëqyrës parashikon që inflacioni të fillojë rritjen vitin e ardhshëm dhe të kthehet pranë objektivit prej 3% vetëm në vitin 2022.

Në orientimin për tregjet, Banka e Shqipërisë përsëriti angazhimin për të ruajtur një politikë monetare stimuluese

“Duke parë nga e ardhmja, Këshilli Mbikëqyrës vëren se garantimi i rritjes ekonomike kërkon ruajtjen e një kahu stimulues të politikave makroekonomike.

Po ashtu, Këshilli Mbikëqyrës vëren se stabiliteti monetar dhe financiar në vend përbën një premisë pozitive për rikuperimin e ekonomisë dhe një parakusht esencial për qëndrueshmërinë në kohë të saj. Në këtë kontekst, ndërsa reduktimi i pritur i stimulit fiskal në të ardhmen dhe normalizimi makroprudencial do të ndihmojnë ruajtjen e ekuilibrave financiare të vendit, politika monetare duhet të vijojë të ruajë qëndrimin e saj akomodues,” thuhet në deklaratën e Këshillit Mbikëqyrës.

 

 

Falen të gjitha gjobat për shkeljet gjatë pandemisë. Efektet, pozitive apo negative?

Asnjë gjobë e vendosur gjatë pandemisë, nuk do të paguhet. Kush i ka paguar, do të marrë paratë mbrapsht. Qeveria vendosi t’i falë të gjitha; gjobat për individët që shkelën karantinën, lokalet që u hapën në kundërshtim me ligjin, makinat që qarkulluan pa autorizim, ata që bënë dasma kur nuk lejohej duke rrezikuar jetën e qytetarëve me përhapjen e covid…, pra gjithkujt që shkeli ligjet e rregullat do t’i falen dënimet që ka marrë.

Vendimi

  1. Falen të gjitha masat administrative me karakter ndëshkues, të vendosura nga autoritetet shtetërore përkatëse për shkeljen e rregullave apo të akteve ligjore e nënligjore të nxjerra në kuadër të masave të ndërmarra për parandalimin dhe luftimin e infeksionit të shkaktuar nga COVID-19, nga data 17.4.2020 deri në datën 7.10.2020.
  2. Kthimi i shumës së detyrimit të falur, por të paguar, për masat administrative me gjobë, merret nga zëri përkatës i buxhetit të shtetit apo buxhetit të institucionit në të cilin është arkëtuar shuma, me urdhër të nëpunësit të parë autorizues, dhe kalohet në llogarinë bankare të subjektit përfitues ose, në mungesë të saj, kjo shumë i dërgohet institucionit shtetëror që ka vendosur masën me gjobë për t’ia dorëzuar subjektit përfitues.
  3. Të gjitha institucionet shtetërore, të cilat kanë ushtruar autoritetin e vendosjes së masës administrative me gjobë, duhet të përgatisin listat e subjekteve ndaj të cilave është vendosur masa administrative me gjobë, duke përfshirë shumën si dhe të dhënat e nevojshme për kthimin e saj brenda datës 30 tetor 2020.
  4. Kthimi i shumave pranë llogarisë bankare të subjektit përfitues apo institucionit shtetëror që ka vendosur masën administrative me gjobë të bëhet brenda datës 15 nëntor 2020.
  5. Mënyra dhe rregullat e hollësishme të kthimit të shumave të paguara përcaktohen me udhëzim të ministrit të Financave dhe Ekonomisë.
  6. Në rastin e gjobave të vendosura nga njësitë e vetëqeverisjes vendore, sipas pikës 2, të nenit 1, të këtij akti, të gjitha strukturat përkatëse duhet të dërgojnë listat e subjekteve ndaj të cilave është vendosur masa administrative. Mënyra dhe rregullat e hollësishme për zbatimin e faljes dhe kthimin e shumave të paguara, sipas përcaktimeve të këtij akti normativ, përcaktohen nga këshilli bashkiak.

Kthimi i lejeve/licencave dhe i mjeteve të bllokuara, në zbatim të masave administrative

  1. Të gjitha masat administrative me karakter ndëshkues, përjashtuar ato të parashikuara në nenin 2, të këtij akti normativ, si lejet/licencat dhe mjetet e bllokuara, duhet të kthehen brenda datës 15 nëntor 2020 te subjekti përfitues.

Efektet, pozitive apo negative?

Për ata që u ndëshkuan gjatë pandemisë, sipas ligjit, vendimi i qeverisë është sigurisht i mirëpritur. Sot ata do të marrin mbrapsht të gjitha paratë që u detyruan të paguajnë për gjobat që institucionet shtetërore u vendosën me të drejtë për shkak se vepruan në kundërshtim me ligjin.

Por ky vendim ka edhe efekte negative, pasi ai nxit mos-respektimin e rregullave.

Gjithkush që i respektoi ligjet është potencialisht i prirur që në rast të vendosjes se rregullave të tjera, t’i shkelë ato, duke menduar se dikur ndëshkimet do të falen. /Zoom.al

Debati i kandidatëve për zv.presidentë, më i qetë se Trump – Biden

Zëvëndës-presidenti i Shteteve të Bashkuara, Mike Pence dhe kandidatja demokrate për këtë post, Kamala Harris u treguan më të përmbajtur në debatin e tyre më 7 tetor.

Ata diskutuan për temat që përfshinin pandeminë e koronavirusit dhe kujdesin shëndetësor, ekonominë si dhe politikën e jashtme. Ata shmangën përplasjet të cilat e karakterizuan debatin e javës së kaluar, ndërmjet kandidatëve për president, të nominuarit nga ana e demokratëve, Joe Biden si dhe presidentit, Donald Trump.

Kandidatët për zëvëndës-president e ndërprisnin rrallë njëri-tjetrin, ishin kryesisht të përzemërt, dhe treguan përmbajtje të plotë nga thirrja e njëri-tjetrit me emër.

Moderatorja e debatit, Susan Page, nga USA Today, shpesh duhej të paralajmëronte Pence për të folur më gjatë sesa koha e caktuar.

Debati u hap me pyetjen në lidhje me përgjigjen e administratës Trump ndaj pandemisë, të cilën Pence e mbrojti ndërsa Harris e kritikoi ashpër.

“Populli amerikan ka qenë dëshmitar i dështimit më të madh të çdo administrate presidenciale në historinë e vendit tonë”, tha Harris.

Pandemia ka shkaktuar më shumë se 211,000 vdekje në Shtetet e Bashkuara dhe ka infektuar më shumë se 7.5 milionë njerëz.

Pandemia gjithashtu ka shkaktuar një rritje të mprehtë të papunësisë për shkak të mbylljes së bizneseve dhe kufizimeve që synojnë të parandalojnë përhapjen e koronavirusit.

Pence mbrojti përpjekjet e administratës së Trumpit në luftën kundër sëmundjes COVID-19, që e shkakton koronavirusi, duke përmendur vendimin e Trumpit, i cili me këshillën e ekspertëve mjekësorë, në fund të janarit, kufizoi udhëtimet nga epiqendra e pandemisë në Kinë.

“Unë dua që populli amerikan të dijë se që nga dita e parë, presidenti Donald Trump e ka vendosur shëndetësinë në rend të parë në Amerikë”, tha ai.

Menjëherë pas debatit, Trump, shkroi në rrjetin social Twitter: “Mike Pence, fitore e madhe”.

Presidenti është ende duke u shëruar nga COVID-19. Përveç tij, në periudhën e fundit, janë infektuar edhe Zonja e Parë, Melania dhe zyrtarë të tjerë të administratës amerikane.

Më 7 tetor, përmes një videoje ai tha se po ndihet mirë dhe për këtë, sipas tij, meritë ka një trajtim me ilaçe eksperimentale.