zoom

Day ArchiveDeklarata e çuditshme e Klosit: Covid përhapet nga valët e muzikës (Video)

Ministri i Turizmit, Blendi Klosi ka dhënë një argument të padëgjuar më parë, se përse nuk lejohet muzika në pare e klube nate. I ftuar në studion e Report Tv, Klosi tha se valët përhapin virusin.

Deklarata befasoi edhe moderatorin, i  cili i vuri në dukje se nuk e kishte dëgjuar më parë një pohim të tillë. “Sa të rrosh do të mësosh”, iu përgjigj ministri (shih videon më poshtë)

Zoom.al kërkoi informacione mbi këtë arsyetim të Klosit mbi ndikimin e valëve zanore në përhapjen e covid-19, por nuk arriti të gjente asnjë të dhënë që e provon diçka të tillë. /Zoom.al

Kë spiunoi shefi i OFL?

Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka lënë në fuqi vendimin për pezullimin nga detyra për ish kreun e OFL, Artan Shkëmbin. Ndërsa ka folur për gazetarët avokati mbrojtës, i cili ka thënë se po punojnë për të zbuluar se si qëndron e vërteta dhe se do e apelojnë këtë vendim.

Ai tha se klienti i tij nuk ka disponuar asnjëherë një telefon që akseson platformën “Encro chat” e cila sipas hetimeve ishte vënë përgjim. Dyshohet se përmes këtij aplikacioni, Shkëmbi ka komunikuar me një grup kriminal dhe e ka njoftuar për një operacion të policisë gjermane kundër anëtarëve të tij. Por ky informacion nuk është i konfirmuar. Prokuroria është e rezervuar, pasi çështja është në hetim.

Avokati Artan Broci u shpreh se ngjarja do të zbardhet shumë shpejt dhe se klienti i tij është i pafajshëm.

Është i interesuar për të zbardhur ngjarjen sa më shpejtë”, tha avokati për klientin e tij. “U la në fuqi masa për pezullimin nga detyra të cilin do të apelojmë”.

Vendimi për shkarkimin i është komunikuar Shkëmbit nga ana e drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu. Akuza e ngritur nga SPAKu është “Shpërdorim detyre” dhe “Nxjerrje sekreti”.

Si përhapet covid-19 përmes ajrit. 5 lexime thelbësore

Shkencëtarët kanë paralajmëruar prej muajsh, se koronavirusi mund të përhapet nga aerosolet – spërklat e vogla të frymëmarrjes që përhapin njerëzit kur flasin ose teshtijnë, dhe të cilat mund të qëndrojnë pezull në ajër për jo pak kohë.

Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) në SHBA, e pranoi publikisht këtë rrezik më 18 shtator. Ajo postoi udhëzime në faqen e saj në internet, duke i klasifikuar aerosolet si një nga mënyrat e përhapjes së koronavirusit, dhe duke theksuar se kishte prova në rritje se grimcat e ajrit mund të qëndrojnë pezull dhe të udhëtojnë përtej 2 metrave.

Por tre ditë më vonë, ky udhëzim ishte fshirë. Në një shënim në vend të tij, thuhej se një draft ishte postuar gabimisht, dhe se CDC po punonte ende për përditësimin e udhëzimeve. Ky lloj ndryshimi në qëndrim, mund të shkaktojë konfuzion tek publiku. Në 5 artikuj të botuar së fundmi në “The Conversation “ ne i kërkuam ekspertëve të na shpjegojnë se çfarë janë aerosolet, si grimcat e ajrit mund ta transmetojnë koronavirusin, dhe si të mbrohemi prej tyre.

  1. Ç’duhet të dini për aerosolet

Kur flisni ose këndoni, vërshimi i ajrit i prish fijet e mukusit në rrugët tuaja të frymëmarrjes, duke dërguar jashtë spërkla të ndryshme. Ndërsa më të mëdhata bien shpejt përtokë, ato më të imëtat dhe më të lehtat mund të qëndrojnë pezull në ajër.

Nëse ju jeni të prekur me Covid-19, ato spërkla mund të përmbajnë koronavirusin, dhe një studim i hershëm sugjeron se mund të jetë infektues nga disa minuta në disa orë. Ekspertët e aerosolit Bajron Erat, Andrea Ferro dhe Godarz Ahmadi nga Universiteti Klarkson, e shpjeguan mekanikën e aerosoleve në një artikull të fundit për “The Conversation”.

Ata diskutuan gjithashtu se çfarë mund të bëjnë njerëzit për të mbrojtur veten e tyre.

“Vënia e një maske në fytyrë për të ulur rrezikun e ekspozimit në ajër, është tepër thelbësore”, shkruajnë ata, dhe “zvogëlimi i kohës që kalohet në zona të mbingarkuara me

një ajrosje të dobët, është një mënyrë e mirë për të ulur rrezikun e ekspozimit ndaj koronavirusit”.

  1. A mjafton të qëndrosh 2 metra larg tjetrit?

Këshilla e zakonshme për distancimin social, është të qëndrojmë 2 metra larg të tjerëve. Kjo është një këshille e lehtë për t’u mbajtur mend, por ajo nuk mban parasysh të gjitha rreziqet e aerosolit, sidomos në ambientet e mbyllura.

Për shkak se njerëzit e infektuar me SARS-CoV-2 mund të transmetojnë sasi të mëdha të virusit, nuk ka një distancë të sigurt në një dhomë të ajrosur dobët, shkruajnë Erat, Ferro, Ahmadi dhe kolegu i tyre i Universitetit Klarkson Suresh Danijala në një artikull të dytë. Rrymat e ajrit nga një ventilator, apo nga sistemi i ventilimit, mund të përhapin më larg se

2 metra spërklat e frymëmarrjes.

Shkencëtarët përdorën analogjinë e dhomës plot me tym duhani, për ta ilustruar këtë rrezik, dhe sugjeruan disa mënyra për ta menaxhuar atë. “Me kalimin e kohës, nuk do të ketë rëndësi se ku jeni i pozicionuar në dhomë. Ndonëse nuk është një analogji e përsosur, të përshkruash mënyrën se si tymi i cigares lëviz nëpër mjedise të ndryshme, si brenda dhe jashtë, ajo mund të ndihmojë në përshkrimin se si qarkullojnë në ajër spërklat e ngarkuara me koronavirus”- shkruajnë ata.

  1. Grimcat dhe super-përhapësit

Një numër i madh rastesh me Covid-19, janë shkaktuar nga “super-përhapësit”, ku një person që është shumë infektues e përhap virusin tek dhjetëra të tjerë. Studiuesit në Hong Kong, vlerësuan kohët e fundit se rreth 20 për qind e njerëzve të infektuar atje, ishin përgjegjës për 80 për qind të transmetimeve lokal të koronavirusit.

Koret muzikore, shërbesat kishtare, klubet e natës dhe festat e ditëlindjeve, janë vetëm disa nga ngjarjet e dokumentuara të super-përhapjes. Elizabet Mekgrou, që drejton Qendrën e Universitetit Shtetëror të Pensilvanisë për Dinamikën e Sëmundjeve Infektive, shpjegoi në një artikull tjetër provat dhe rëndësinë e super-përhapësve në transmetimin e virusit.

“Lajmi i mirë, është se praktikat e duhura të kontrollit specifik mbi mënyrën e transmetimit të patogjenëve – larja e duarve, maskat, karantina, vaksinimi, zvogëlimi i kontakteve sociale etj. – mund ta ngadalësojnë shkallën e transmetimit dhe ta ndalin një pandemi”- shkroi ajo.

  1. Çfarë nënkupton përhapja e virusit përmes ajrit për rihapjen

Mënyra si përhapet koronavirusi në ajër, përbën një sfidë për rihapjen e bizneseve dhe shkollave. Shkencëtari i frymëmarrjes Dagllas Rid i Universitetit të Pitsburgut, shqyrtoi disa studime që kanë treguar se si është përhapur virusi, përfshirë këtu një call-center në Korenë e Jugut, një restorant në Kinë, dhe një kor muzike në shtetin e Uashingtonit.

“Të dhënat sugjerojnë se transmetimi i virusit përmes ajrit ndodh shumë lehtë, dhe ka të ngjarë të jetë një nxitës i rëndësishëm i kësaj pandemie. Ai duhet të merret seriozisht, ndërsa njerëzit u rikthehen aktiviteteve normale”- shkroi ai. Studime Të tjera janë botuar qëkur doli ai artikull, dhe kjo tregon rëndësinë e përhapjes së virusit përmes ajrit.

Një nga këto studime zbuloi se të rriturit që kishin rezultuar pozitivë me Covid-19, kishin rreth 2 herë më shumë të ngjarë të kishin darkuar në një restorant, sesa ata që rezultuan negativë nga tamponi. Një studim tjetër, përshkroi një shpërthim të madh epidemik në një lagje ku ndodhej një azil pleqsh, i cili kishte një ventilim të dobët të ambienteve të tij.

Dy studime të tjera gjurmuan mënyrën se si virusi ishte përhapur gjatë fluturimeve të linjave ajrore. Një artikull i veçantë nga Kejsi Ernst dhe Paloma Bemer të Universitetit të Arizonës, SHBA, analizuan rreziqet e fluturimit me avion gjatë pandemisë, dhe dhanë këshilla për ata që duhet udhëtojnë me avion, se si të qëndrojnë sa më të sigurt që të jetë e mundur.

  1. Problemi me transportin publik

Me uljen e temperaturave, do të jetë më e vështirë të mbahen hapur dritaret për të ajrosur hapësirat e mbyllura, dhe këtu përfshihet transporti publik dhe autobuzët e shkollave. Xhesi Kapeçelatro, inxhinier i mekanikës në Universitetin e Miçiganit, foli për rreziqet e përhapjes së koronavirusit brenda një autobuzi dhe ofroi 8 rekomandime. “Udhëtime të shkurtra. Të gjithë me maska. Shumë më pak pasagjerë se më parë ”- shkroi ai. / Stacy Morford – “The Conversation”

Pasaportat, ndryshojnë procedurat

Duke filluar nga sot, të gjithë qytetarët që u ka skaduar afati i përdorimit të pasaportës biometrike mund të riaplikojnë për pasaporta me procedurë të thjeshtuar, pa formular Policie.

Ata nuk do të kenë  më nevojë të shpenzojnë kohë pranë Policisë për të plotësuar formularë, por mund të paraqiten menjëherë pranë zyrave të aplikimit.

Në ndryshim nga praktika e deritanishme, për riaplikimin janë hequr detyrimet për t’u paraqitur pranë Policisë, për të bërë aplikim dhe për të plotësuar formularë pranë Policisë së Shtetit.

Duke filluar nga data 1 tetor, qytetarët që duhet të riaplikojnë për pasaportë u mjafton vetëm të paraqiten pranë sportelit përkatës të aplikimeve, pas përcaktimit të orarit të aplikimit që bëhet online.

Një risi tjetër  lidhet me faktin që për qytetarët që aplikojnë për karta identiteti dhe që janë mbi moshën 75 vjeç, ajo lëshohet pa afat vlefshmërie, që do të thotë se kushdo që ka kaluar moshën 75 vjeç dhe aplikon për të marrë një kartë identiteti, ajo lëshohet pa afat skadence.

Shqipëria, më keq se çdo vend tjetër i rajonit

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) ka mbajtur të pandryshuar pritshmërinë për ecurinë ekonomike të vendit në vitin 2019, për një rënie prej -9%, ndërsa ka ulur ndjeshëm parashikimin për rritjen ekonomike vitin e ardhshëm, duke zbehur shpresat për një rikuperim të shpejtë.

Sipas “Perspektivës Ekonomike Globale në rajonet e BERZH”, të sapo publikuar, ekonomia shqiptare, pas rënies me 9% në vitin 2020 pritet që të rritet me vetëm 4.5% në vitin 2021. Në raportin e muajit maj, ekonomia shqiptare parashikohej që do të rimëkëmbej me shpejtësi me 12% në 2021, ndërsa tashmë ky vlerësim është ulur me 7.5 pikë përqindje. Ky është rishikimi më i madh në ulje jo vetëm për vendet e Ballkanit, por për të gjithë rajonin e BERZH.

Më herët, edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar uli pritshmërinë për ecurinë ekonomike të vendit nga -5% në vlerësimin e prillit, në -7.5% në raportin e fundit.

Sipas raportit të fundit të BERZH, nga Ballkani Perëndimor, Shqipëria dhe Mali i Zi pritet që të kenë rënin më të madhe ekonomike si rrjedhojë e  goditjes së Covid-19. Serbia pritet që ta vuajë më pak krizën, me një tkurrje prej -3.5%. Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Bosnja do të shohin një rënie prej -5%.

Sipas raportit të BERZH, “Pandemia e Covid-19 po prek ekonominë shqiptare kryesisht përmes efektit të saj negativ në turizëm, i cili normalisht kontribuon në më shumë se një të pestën e PBB-së së vendit. Sipas Unionit Shqiptar të Turizmit, rreth 5 milion qëndrime gjatë natës gjatë sezonit të verës janë anuluar këtë vit. Gjithashtu, eksportet e mallrave në Itali, partneri kryesor tregtar i Shqipërisë, ranë me më shumë se 40 për qind në vit gjatë bllokimit më të ashpër (mars-maj 2020) dhe me 15 për qind nga viti në vit në qershor korrik.

Në përgjithësi, eksportet totale të mallrave në shtatë muajin e parë të vitit 2020 ishin 17 për qind më të ulëta në terma vjetorë. Rënia e remitancave, të cilat u ulën me pothuajse një të pestën në gjysmën e parë të vitit 2020 kundrejt të njëjtës periudhë të vitit 2019, ka dëmtuar konsumin privat. Deri në fund të gushtit 2020, qeveria kishte miratuar dy paketa të mbështetjes ekonomike, me vlerë 2.8 për qind të PBB-së. Paketat konsistonin kryesisht në rritjen e shpenzimeve qeveritare për të mbështetur bizneset, garancitë sovrane dhe transfertat sociale.

Reagimi i politikës monetare ishte me ulje të normës së politikës, në nivelin më të ulët rekord prej 0,5 për qind, ndërsa ndërhyrjet e tregut valutor në fund të marsit 2020 kërkuan të zbusnin presionet e zhvlerësimit. Deri në mesin e vitit 2020 borxhi publik arriti në 80 për qind të PBB-së, 14 pikë përqindje më i lartë se në fund të vitit 2019. Duke marrë parasysh të gjithë faktorët, PBB e Shqipërisë parashikohet të tkurret me 9.0 për qind në 2020, duke u rikthyer në rritjen prej 4.5 për qind në 2021 , mbështetur nga rindërtimi pas tërmetit të mëparshëm. Këto parashikime nuk supozojnë ndonjë ringjallje të madhe të pandemisë”, thekson BERZH.

INSTAT publikoi dje shifrën për ecurinë ekonomike të tremujorin të dytë 2020, që përkon me kulmin e pandemisë. Sipas INSTAT, ekonomia ra me 10.2% me bazë vjetore dhe 8.8% në krahasim me tremujorin e mëparshëm. Sektori më i goditur ishte “Tregti, Transport, Akomodim dhe Shërbim ushqimor”, që ra me -28% me bazë vjetore.

Trump – Biden, kush e fitoi debatin?

Për çdo person të arsyeshëm që e ndoqi, ishte e qartë se presidenti Trump ishte i përgatitur dhe e mposhti dukshëm ish-zëvendëspresidentin Xho Bajden, në debatin e parë presidencial të së martës në Klivlend.

Me votimin e hershëm që tashmë ka nisur, e marta ishte hera e parë kur miliona votues mundën të kishin një panoramë më të qartë se çfarë u ofron Bajden. Ndërsa presidenti Trump është çdo ditë në krye të detyrës duke e udhëhequr me guxim vendin tonë në këtë situatë të vështirë, Bajden ka qenë në më të shumtën e kohës i vetë-izoluar në shtëpinë e tij në Delauer.

Për dekada me radhë, në kulmin e fushatës zgjedhore, kandidatët për president kanë qenë më të ekspozuar ndaj publikut. Ndërkohë Bajden e ka shfrytëzuar pandeminë e Covid-19 si një justifikim për të bërë sa më pak që është e mundur, për të fituar besimin e popullit amerikan.

Që nga fillimi i fushatës së tij presidenciale të vitit 2016, kandidati i atëhershëm Trump e bëri të qartë se reforma në sistemin shëndetësore e demokratëve, ObamaCare, ishte një katastrofë dhe se sistemi ynë i kujdesit shëndetësor kishte nevojë për një reformë të thellë.

Presidenti pati në këtë debat të parë shansin për t’i bërë Bajdenit shumë pyetje të tjera që media liberale refuzon t’ia bëjë. Në lidhje me çështjen e integritetit të zgjedhjeve dhe tranzicionit paqësor të pushtetit, shumë është thënë mbi manipulimin e votave.

Xho Bajden dhe ata që e kontrollojnë nga pas në të majtën radikale, refuzojnë të pranojnë se votimi universal parmes postës, i hap rrugën kaosit dhe manipulimeve. Të gjithë e dinë se është Hilari Klinton, ajo që nuk e ka pranuar ende rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2016.

Reagimi i presidentit Trump ndaj koronavirusit kinez ka qenë i jashtëzakonshëm. Ai ka bërë gjithçka që ka pasur mundësi për t’i garantuar sigurinë amerikanëve. Nga ndalimi i shpejtë i udhëtimeve ndërkombëtare drejt Shteteve të Bashkuara, tek plotësimi i kërkesës së çdo guvernatori, pavarësisht përkatësisë politike, për pajisje mbrojtëse personale, shtretër dhe ventilatorë.

Deri tek operacioni “Warp Speed”, për të gjetur një vaksinë ndaj Covid-19. Ky president ka ditur të jetë në lartësinë e sfidës që ka sjellë pandemia. Është shumë e lehtë të kritikosh nga pozitat e Bajdenit. Por është e qartë se nëse ky i fundit do të ishte president, dhe do të përballej me këtë krizë të paparë, ai me siguri që do të kishte dështuar.

Debati i parë Trump-Biden/ "Lumë" reagimesh të ashpra

“The New York Times”, media liberale që mbështet Xho Bajdenin, e ka rihedhur në treg çështjen e vjetër të pagimit të taksave nga presidenti. Në fillim të kësaj jave, gazeta shtiu në dorë të dhënat fiskale të Trump përmes mjeteve shumë të diskutueshme, dhe më pas përzgjodhi enkas disa nga të dhënat për ta nxirë më tej imazhin publik të presidentit.

Pastaj, në një lëvizje qartazi të koordinuar, Bajden bëri publike ​​deklaratat e tij tatimore. Por populli amerikan nuk mashtrohet nga marifete të tilla. Ai e di se presidenti Trump i bëri publike deklaratat e tij tatimore shumë kohë para se të zgjidhej në postet publike.

Dhe nga ana tjetër, amerikanët e dinë se familja e Xho Bajdenit ka bërë shumë para gjatë 4 dekadave të tij në poste publike. Nëse Bajden do të ishte i sinqertë, ai do ta urdhëronte djalin e tij Hanter dhe anëtarët e tjerë të familjes të bënin publike deklaratat e tyre tatimore.

Media duhet të investigojë rreth pagesës prej 3.5 milionë dollarësh nga Rusia ndaj Hanter Bajdenit. Gjatë debatit, presidenti Trump nxori në pah ndryshimet e mëdha midis arritjeve dhe vizionit të tij optimist për të ardhmen, krahasuar me atë të një Xho Bajdeni të përgjumur.

Trump foli për rëndësinë që i jep përparësi lirisë së individit, përkundrejt një shoqërie socialiste; nderimin e heronjve dhe mësimin nga historia e kombit tonë, në vend ta fshirjes së saj; dhe përmirësimit të jetës së gjithë amerikanëve me politika ekonomike pro-rritjes, krahasuar me një burokraci të pafytyrë që zgjedh fituesit dhe humbësit.

Kur u pyet nga Trump, Bajden nuk arriti të përmendte një departament të vetëm policor që e mbështet kandidaturën e tij, teka refuzoi të dënojë veprimet e dhunshme të anarkistëve të ANTIFA-s. Për më tepër, Bajdenit nuk mund t’i besohet se do të mbajë të sigurt kufijtë e vendit tonë, se nuk do të rritë taksat, se nuk do të miratojë rregullore të tjera që mbyllin vende pune në SHBA për të shkuar diku tjetër, se nuk do të lejojë nxjerrjen jashtë ligjit të sigurimin shëndetësor privat, apo se do të marrë vendimet në politikën e jashtme, bazuar tek mentaliteti i paqes.

Përkundrazi, për pjesën më të madhe të 18 muajve të fundit, Bajden ka treguar një indiferencë skandaloze ndaj shkeljes së ligjit dhe rendit, si dhe ndaj policisë sonë heroike. Ai ka premtuar të rrisë taksat, të mbajë marrëdhënie shumë të mira me Kinën, t’u japë kujdes shëndetësor falas emigrantëve të paligjshëm, dhe të miratojë pjesë të Marrëveshjes së Re të Gjelbër, aq shumë e promovuar nga senatori socialist Berni Sanders.

Askush nuk të beson tani Xho! Bajden nuk ka ende asnjë përgjigje, se përse nuk arriti të bëjë në 47 vjet atë që presidenti Trump ka bërë për popullin amerikan në vetëm 47 muaj. Populli amerikan e meriton një përgjigje për këtë. David N.Bossie “Fox News”