Aplikacion
Ndonëse është plagosur në Shkodër me 2 plumba, Vinçens Piroli, i cili dyshohet se është vrasës me pagesë, ka marrë në telefon një person, që e ka dërguar në spitalin e Lezhës.
Por pse Piroli zgjodhi të shkojë në Lezhë kur ishte i plagosur me 2 plumba dhe kur spitalin e Shkodrës e kishte 7 minuta larg, ndërsa atë të Lezhës gjysmë ore larg? Kjo është një pikë e errët që pritet të zbardhet nga hetimet.
Prej Spitalit të Lezhës, 34-vjeçari më pas u transferua drejt Tiranës në Spitalin e Traumës për ndërhyrje më të specializuar. Personi që e ka dërguar në spital ende nuk është identifikuar, pasi është larguar menjëherë.
Kush është i plagosuri
Vinçesk Piroli rezulton të jetë person në kërkim ndërkombëtar. Piroli kërkohet nga autoritetet e Malit të Zi për një vrasje të ndodhur aty në Korrik të vitit 2021 në Ulqin ku u vra Momçillo Gjurishiq. Për këtë ngjarje, policia malazeze shpalli në kërkim ndërkombëtar Vinçesk Pirolin dhe Dorjan Lalën, si persona të dyshuar. Shërbimet e policisë dhe grupi hetimor po vazhdojnë kontrollet intensive, këqyrjen e kamerave, identifikimin e personave të cilët mund të kenë dijeni për ngjarjen. Janë ngritur pika kontrolli në të gjitha hyrjet dhe daljet e qarkut të Lezhë dhe në bashkëpunim me DVP Shkodër punojnë për identifikimin dhe kapjen e autorit, si dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes.