zoom

Ekonomi

15.4% e shqiptarëve në moshë madhore kanë borxhe

Shqipëria mbetet ekonomia më pak e kredituar në Rajon, me diferencë të konsiderueshme nga vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

Të dhënat krahasuese të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) tregojnë se raporti i kredisë ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto për vitin 2021 ishte 33.86%, në rënie nga niveli prej 35.52% i vitit 2020.

Megjithëse kreditimi për ekonominë u rrit me ritme dyshifrore, raporti pësoi rënie për shkak të rimëkëmbjes së shpejtë të ekonomisë reale nga efektet e pandemisë. Krahasuar me vitin 2019, kreditimi i ekonomisë shqiptare në terma realë paraqitet në rritje me rritje, me 1.59 pikë përqindje.

Sidoqoftë, Shqipëria ngelet dukshëm ekonomia më pak e kredituar e Ballkanit Perëndimor.

Shifrat e FMN tregojnë se vendi më i afërt me Shqipërinë është Serbia, me 46.48% të PBB-së, e ndjekur nga Kosova, me 49.05%, Mali i Zi, me 52.71%, Bosnje-Hercegovina, me 52.84% dhe Maqedonia e Veriut, me 53.04%.

Kreditimi ende pakët i ekonomisë shqiptare është i dukshëm edhe sipas treguesit të numrit të huamarrësve në raport me popullsinë. Shifrat e FMN-së tregojnë që numri i huamarrësve nga sektori bankar në Shqipëri është më pak se 154 për çdo 1000 mijë persona në moshë madhore (ose rreth 15.4%). Për këtë indikator, Shqipëria renditet e dyta nga fundi në rajon, duke lënë pas vetëm Kosovë, ku numri i huamarrësve në raport me popullsinë në moshë madhore është afërsisht 13%. Për vendet e tjera të rajonit, angazhimi i popullsisë në hua nga sektori bankar është shumë më i lartë. Ky raport fillon nga 30% në rastin e Maqedonisë së veriut, deri në 55.5% në rastin e Serbisë.

Nënkreditimi i ekonomisë shqiptare mund të shpjegohet me disa faktorë, duke filluar nga mungesa e një tradite të konsoliduar të ekonomisë së tregut dhe zhvillimit të sektorit bankar privat. Zhvillimi i këtij sektori në periudhën postkomuniste u frenua nga ngjarjet e vitit 1997 dhe nga proceset relativisht të vonuara të privatizimit të bankave me kapital shtetëror. Kreditimi përjetoi një ritme të shpejtë në periudhën 2004-2010, por më pas u ngadalësua gradualisht nga rritja e raportit të kredive me probleme. Sidomos pas vitit 2013, sektori bankar u orientuar kryesisht në menaxhimin dhe pastrimin e portofoleve nga kreditë e këqija dhe kjo bëri që portofoli i kredisë për ekonominë të qëndronte në stanjacion deri në vitin 2019, kur nisi një cikël i ri i rritjes.

Paralelisht, kreditimi u ndikua negativisht edhe nga ndryshimet strukturore që pësoi sektori bankar, me një pjesë të mirë të bankave me kapital të huaj që hynë në proces shitjeje pas vitit 2015. Sfidë për rritjen e kreditimit të ekonomisë ngelet edhe niveli i lartë i informalitetit, që e vështirëson aksesin në kredi bankare për një numër të madh të punëonjësve dhe bizneseve të vogla e mikro në vend.

Megjithatë sinjalet pozitive që po shfaq kreditimit gjatë viteve të fundit, falë uljes së kredive me probleme dhe konsolidimit të sektorit bankar, shifrat krahasuese tregojnë qartë se hendeku i kreditimit të ekonomisë shqiptare, qoftë edhe në krahasuar me vendet e tjera të rajonit ngelet ende mjaft i madh./monitor