Aplikacion
Avokati Lavdosh Shehu është prangosur nga SPAK ditën e sotme. Vetë Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë ka njoftuar se e ka regjistruar procedimit penal nr. 179 të vitit 2021 dhe kanë siguruar prova që krijojnë dyshimin e arsyeshëm se avokati Lavdosh Shehu ka kërkuar një shumë prej 12.000 (dymbëdhjetë mijë) eurosh, nga familjarët e të dënuarit F.H., duke premtuar dhe siguruar se ka aftësinë për të korruptuar funksionarë të Ministrisë së Drejtësisë. Sipas SPAK ngjarja ka ndodhur në vitin 2020. Avokatit Shehu i është caktuar masa e sigurimit “arrest në burg”.
Njoftimi i SPAK:
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, ka regjistruar procedimit penal nr. 179 të vitit 2021. Në kuadër të hetimeve të kryera nga strukturat e policisë gjyqësore, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit janë grumbulluar prova që krijojnë dyshimin të arsyeshëm se shtetasi L. Sh., me profesion avokat, ka kërkuar një shumë prej 12.000 (dymbëdhjetë mijë) eurosh, nga familjarët e të dënuarit F. H., duke premtuar dhe siguruar se ka aftësinë për të ushtruar ndikim në funksionarë të Ministrisë së Drejtësisë, për kryerjen e ekstradimit të shtetasit F. H. nga shteti Italian, për të vuajtur dënimin në Shqipëri.
Në vijim, personi nën hetim Lavdosh Shehu, ka arritur të marrë nga familjarët e të dënuarit F. H. një shumë prej 5.000 (pesë mijë) eurosh, pikërisht për realizimin e këtij ekstradimi. Kjo ngjarje ka ndodhur në vitin 2020.
Në hetimin e këtij procedimi penal dhe mbledhjen e provave për të sqaruar ngjarjen e ndodhur ka dhënë një kontribut të rëndësishëm emisoni investigativ “STOP”, i TV Klan.
Bazuar në kërkesën e Prokurorisë së Posaçme Gjykata e Posaçme të Shkallës së Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me vendimin nr. 86 datë 21.10.2021, ka vendosur:
Caktimin i masës së sigurimit personal “arrest në burg” parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, ndaj shtetasit Lavdosh Shehu, me profesion avokat, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” të parashikuar nga neni 245/1 paragrafi (2) i Kodit Penal.
Sot me datë 22.10.2021 është ekzekutuar nga strukturat e Policisë së Shtetit vendimi i gjykatës për caktimin e masës së sigurimit personal “arrest në burg”, ndaj shtetasit L. Sh.