zoom

Aktualitet

117 vjeçe/ Ndërron jetë gruaja më e moshuar në botë

Gruaja më e moshuar në botë, Maria Branyas Moreranga, e cila lindi në SHBA në vitin 1907 dhe jetoi gjatë dy pandemive dhe dy Luftërave Botërore, ka vdekur në moshën 117-vjeçare.

“Maria Branyas na ka lënë. Ajo vdiq siç deshi: në gjumë, e qetë dhe pa dhimbje”- njoftoi familja e saj këtë të martë. “Ne do ta kujtojmë gjithmonë për këshillat dhe mirësinë e saj.”

Branyas, e cila kishte jetuar për dy dekadat e fundit në shtëpinë e të moshuarve Santa Maria del Tura në qytetin Olot në Spanjën verilindore, kishte thënë në një postim se ndihej e dobët dhe se koha që të largohej nga jeta ishte afër.

“Mos qani, nuk më pëlqejnë lotët. Dhe mbi të gjitha mos vuani për mua. Kudo që të shkoj do të jem e lumtur”, kishte shkruar 117-vjeçarja në një postimin në llogarinë e saj që menaxhohej nga familjarët.

Rekordet Botërore të Guinness-it e kishin pranuar zyrtarisht statusin e Branyas si personi më i vjetër në botë në janar 2023 pas vdekjes, në moshën 118-vjeçare, të murgeshës franceze Lucile Randon.