Aplikacion
Dhjetë vjet pa ministër të Brendeshëm kthyen krimin në sundues dhe Ramën në të punësuar të tij!
Edi Rama qëllimisht e ka lënë Shqipërinë për plot dhjetë vjet pa ministër të Brendeshëm sepse ka qenë ai vetë ministri i Brendshëm i vërtetë.
Në këto dhjetë vjet pa Ministri të Brendshme i është krijuar hapësirë veprimi pa fund per narkotrafikun, bandat kriminale dhe pastrimin e parasë.
Ministra të larguar turpshëm dhe të kompromentuar, thjesht vegla qorre në duart e Edi Ramës nga njëra anë dhe krijimi i narkoshtetit nga ana tjetër këto janë dy anët e së njëjtës fytyrë të narkoMinistrisë së Brendshme.
Tahiri i burgosur për përfshirje narkotrafik, Xhafaj i larguar në mënyrë të përbuzur dhe me vëllain narkotrafikant, Lleshaj një dhunues i përbindshëm i opozitës, që mbuloi sa herë Tiranën me gaz të helmuar dhe që rrinte duarlidhur para trafikut i larguar turpshëm edhe ai, Çuçi një ministër i familjes kryeministrore ku skandalet nuk kishin të sosur deri në shkatërrimin de facto të Policisë së Shtetit edhe ky i larguar siç deshi Rama, dhe më në fund qershia mbi tortë është Balla, që e ka mbyllur misionin pa hyrë në zyrë, me trajektoren nga Rrajat, tek vrasja e Xhuvanit në Elbasan e duke vazhduar tek Toyta Jaris e lidhje me bandat etj., etj., skandale pa fund.
Drejtorët e Përgjithshëm të Policisë të vendosur e të larguar sipas qëllimeve të Ramës janë hequr dhe vënë duke mos përmirsuar asgjë, por thjesht kanë bërë figurantin e radhës dhe pastaj janë larguar duke mbyllur gojën e duke i qëndruar omertës së heshtjes.
Pra për dhjetë vjet, rendi publik, dhe siguria e qytetarëve nuk kanë ekzistuar realisht dhe krimi ka komanduar duke pasur një Polici Shteti, që trembej, i shërbente dhe i përulej krimit, por nuk ndeshej kurrë me të.
Për dhjetë vjet kemi parë vetëm që narkotrafiku është gjigandizuar duke pasur mbështetjen, mbrojtjen dhe bashkëpjesmarrësen e Policisë së Shtetit.
Nuk kanë të numëruar komisarët dhe drejtuesit e policisë të përfshirë në narkotrafik.
Policia e Shtetit me të gjitha segmentet e saj ka shërbyer si krahu i armatosur i qeverisë për grabitjen mafioze të zgjedhjeve, duke u përfshirë vetë në mënyre direkte dhe duke mbështetur bandat kriminale për vjedhjen e shitblerjen e votave.
Nuk kanë të numëruar rastet e dhunës së pashpirt të policisë ndaj qytetarëve deri edhe vdekjet e rënda në paraburgime.
Policia ka vrarë qytetarë të pafajshëm si në rastin e Klodian Rashës dhe është sjellë si kriminele duke sajuar prova të rreme e duke mashtruar publikisht pa i hyrë një gjemb në këmbë.
Policia ka dhunuar në mënyrë shtazarake opozitën dhe të drejtat demogratike të qytetarëve për të protestuar duke mos parë moshë, që nga të rinj 13-14 vjeçarë e deri të moshuar në moshë të thellë e gra shtatzana.
Policia ka mbështetur me dhunë operacionet e paligjshme të qeverisë e rrëmbimin e pronave dhe banesave të qytetarëe duke mos kursyer edhe jetën e shëndetin e tyre.
Në prani të kësaj policie shteti, krimi i organizuar ka kryer atentate pafund në mes të qyteteve tona deri edhe në mes të Tiranës në mes të ditës dhe asnjë shqetësim nuk i ka ardhur prej saj.
Policia nga mbrojtëse e qytetarëve është kthyer në një informatore e bandave dhe kriminelëve duke i ndërsyer ato kundër qytetarëve të thjeshtë.
Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit të drejtuara de facto nga Edi Rama dhe de jure nga kukullat e tij të inkriminuara ka thelluar në mënyrë kritike negative të gjithë treguesit dhe duke mos përmirsuar e ndryshuar qëllimisht asnjë prej tyre.
Objektivi i vetëm i Policisë së Shtetit ka qenë dhunimi, survejimi, inskenimi i operacioneve mafioze policore dhe presioni i egër policor ndaj opozitës politike dhe i të gjithë aktivitetit të saj për llogari të Edi Ramës.
Mjaft shefa policie maskarenj dhe të inkriminuar deri në fyt janë ngritur në detyrë për meritën e zellit të tyre në shtypjen e i opozitës dhe protestuesve.
Në dhjetë vjet pa Ministri të Brendeshme u krye instalimi i narkoshtetit, që po shkatërron sigurinë, jetën dhe shpresën e qytetarëve.
Emërimi i Taulant Ballës është prova finale asgjësuese, që Edi Rama nuk është më as aksioner në qeverisje, por është thjesht dhe vetëm një i punësuar nga krimi për të bërë kryeministrin.