zoom

Aktualitet

Zjarri te qendra tregtare, ekspertiza zbulon shkakun/ Detajet nga ngjarja e rëndë

Një ditë pas nxjerrjes së trupit të 33-vjeçarit Arjan Sala, zbulohet se çfarë e shkaktoi zjarrin në magazinën e Casa Italia-s 4 ditë më parë.

Sipas ekspertizës paraprake, zjarri është shkaktuar nga një shkëndije elektrike në kabllin e një llampe neoni, që ka rënë më pas në kontakt me disa rroba sintetike.

Po ashtu mësohet nga hetimet e policisë, se zjarri është konstatuar nga punonjësit e magazinës, të cilët po shkarkonin një kamion.

Paralelisht me dokumentimin e shkakut të zjarrit po hetohet nga ana e policisë dhe prokurorisë edhe për shkaqet e vdekjes se 33-vjeçarit Arjan Sala.

Po sipas shqyrtimeve të ekspertëve, Sala ka qendruar 24 orë gjallë duke mos mundur të triumfojë mbi vdekjen.

Flakët e para kanë rënë mesditën e 24 marsit (15:00) teksa punëtorët e qendrës tregtare po prisnin një kamion të mbushur me mallra.

Në fillim kanë qenë punonjësit e sigurisë, mes tyre edhe 33-vjeçari Sala, që kanë hyrë për të shuar flakët. Ata ia dolën, por nuk mundën dot të identifikonin dhe izolonin vatrën; zjarri u riaktivizua disa minuta më pas.

Arjan Sala ishte personi që arriti të futej në brendësi të magazinës, ndryshe nga dy kolegët e tij dhe djali i pronarit të biznesit. Sipas burimeve të medias, këta të fundit janë kthyer pas në momentin kur janë ndjerë keq nga tymi dhe flakët, ndërsa Arjani ka përparuar më në thellësi të magazinës me një bombul hidrogjeni.

Ai duket se ka tentuar të dalë nga dera e emergjencës, por pa rezultat. Ekspertiza zbulon se nga errësira dhe flakët, Sala është penguar e rrëzuar.

I riu ishte babai i një vajze të mitur dhe prej vitesh ishte punonjës sigurie. Trupi i tij u gjet dje, tre ditë me vonesë, nga momenti i zjarrit.

Arjan Sala shpëtoi 25 qytetarë duke u vetësakrifikuar. Me propozim të mijëra qytetarëve të solidarizuar në rrjet, pritet të shpallet “Dëshmor Atdheu”.