zoom

Aktualitet

Zjarret nuk ndalen, shkrumbohen 2 banesa brenda ditës në Tiranë dhe Has. Familjet mbeten rrugëve

Zjarret vijojnë të jenë prezente në jetët e familjeve shqiptare, teksa vetëm ditën e sotme u raportuan dy vatra në Tiranë dhe Has, me pasojë djegien e dy banesave dhe lënien në qiell të hapur të banorëve.

Policia njoftoi se në mesditë u përfshi nga flakët një pallat 4 katësh në zonën e “Varrit të Bamit”. Zjarrfikëset kanë ndërhyrë menjëherë dhe zjarri është fikur.

Fatmirësisht nga flakët nuk ka pasur pasoja në njerëz. Nuk dihet se si ka nisur zjarri, ndërsa vijojnë hetimet.

“Në lagjen “Varri i Bamit”, në katin e parë të një pallati, në banesën e shtetases L. T., 55 vjeçe, ka rënë zjarr. Shërbimet e Policisë në bashkëpunim me forcat zjarrfikëse, menjëherë kanë bërë evakuimin e banorëve të pallatit. Zjarri është fikur dhe si pasojë e tij ka vetëm dëme materiale. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe përcaktimin e shkakut të rënies së zjarrit”, tha policia e kryeqytetit.

Kurse orët e para të ditës, u shkrumbua banesa një-katëshe në fshatin Golaj, të Bashkisë Has.

Pavarësisht ndërhyrjes së forcave të zjarrfikëses, nuk është bërë e mundur shuarja e zjarrit duke shkrumbuar gjithçka brenda banesës.

Fatmirësisht nga flakët nuk ka pasur të lënduar, ndonëse në shtëpi ka pasur familjar në momentin e rënies së zjarrit.

Mendohet se shkaku i zjarrit të ketë qenë një shkëndijë elektrike. Sakaq, grupi i punës në komisariatin e Hasit në bashkëpunim me prokurorinë e Kukësit po bëjnë verifikimin e duhur për të përcaktuar shkakun e rënies së zjarrit në këtë banesë.

Kurse familja e S. Meshit, nga djegia e banesës ka mbetur në qiell të hapur dhe apelon për ndihmën e autoriteteve vendore dhe qendrore.

Pak ditë më parë zjarri përfshiu qendrën tregtare “Metropol” në Lushnjë, pas një shkëndije elektrike të dyshuar në kondicionerin e një prej dyqaneve, duke shkrumbuar disa kate, asfiksuar 42 banorë të pallatit 12-katësh dhe shkaktuar miliona lekë dëme, teksa mumngesa e pajisjeve dhe mjeteve nga zjarrfikësit, shtoi akoma më shumë traumën e qytetarëve dhe dëmet. /ZOOM.AL/