zoom

Aktualitet

Zjarret në vend/ Situata e vështirë në disa zona, nisin evakuuimet e banorëve

Ministria e mbrojtjes ka përditësuar të dhënat sa i takon situatës së zjarreve në vend. Në njoftim bëhet me dije se situata është vështirësuar në disa zona, kryesisht në jug të vendit.

Për shkak të rrezikut, dy familje në fshatin Mesopotam të Bashkisë së Finiqit janë evakuuar. Në këtë zonë, përveç forcave vendore janë angazhuar Forcat e Armatosura dhe ato të bashkive fqinje. Në këtë zonë veç forcave vendore janë angazhuar Forcat e Armatosura, dhe ato të bashkive Delvinës, Sarandë, Himarë dhe Dropull.

“Ka 24 orë që luftohet me këto vatra të vështira. Është një terren shumë i thatë, bimësi e dendur. Fatmirësisht nuk kemi pasur zona të banuara të ekspozuara për momentin, por dy familje në lartësitë e Mesopotamit na është dashur t’i evakuojmë me mbështetjen e policisë së qarkut. Të gjitha forcat do të vazhdojnë të qëndrojnë në terren”– tha ministri i sapozgjedhur i Mbrojtjes Pirro Vengu i cili ka dalë në terren për të ndjekur nga afër situatën.

Drejtori i Agjencisë së Mbrojtjes Civile, Haki Çako tha se autoritetet janë në kontakt me Drejtorinë e Përgjithshme të Emergjencave Civile në Bruksel për ndihma.

Në ndihmë të punonjësve zjarrfikës dhe Forcave të Armatosura kanë ardhur dhe banorë të zonës.