zoom

Aktualitet

Zhdukja e biznesmenit italian në Pukë, Roma rrëzon Tiranën, heton për vrasje dhe drogë

Pas më shumë se dy muaj nga zhdukja e biznesmenit Italian Davide Pecorelli në Pukë, autoritetet italiane kanë zhvilluar hetimet në drejtime të tjera. Mediat italiane raportojnë se prokuroria po heton vetëm në dy pista, atë të “vrasjes” dhe të “trafikut të drogës”, duke përjashtuar kështu pistën e vetëvrasjes apo të ngjarjes aksidentale që hetojnë autoritetet shqiptare.

Ditët e fundit, hetuesit e Seksionit të Krimit të Organizuar kanë marrë në pyetje disa persona. Edhe bashkëjetuesja shqiptare e biznesmenit, është marrë përsëri në pyetje, si një person i informuar mbi faktet.

ABC ka kontaktuar me të, por ajo nuk ka pranuar të tregojë se përse është dashur të japë përsëri deklarata përpara hetuesve.

Autoritetet shqiptare kanë kërkuar ndihmën e homologëve për të konfirmuar nëse këto eshtra i përkasin biznesmenit 45 vjeçar.

Por me një vonesë të pashpjegueshme, mbetjet kockore që u gjetën brenda makinës së djegur dhe që dyshohet se i përkasin Pecorellit, kanë mbërritur më në fund vetëm mbrëmjen e së martës në laboratorët e Policisë Shkencore të Romës.

Ekspertët e gjenetikës pasi të nxjerrin analizën e ADN do ta krahasojnë atë me mostrat e profilit gjenetik të fëmijëve të Pecorellit.

Policia po verifikon gjithashtu të gjithë raportet ekonomike të Pecorellit si dhe situatën financiare të ndërmarrjeve të tij.

45- vjeçari u zhduk pa lënë gjurmë që prej datës 6 Janar, pas një udhëtimi për arsye biznesi në Gjegjan të Pukës.