zoom

Politikë

Zgjedhjet/ Misioni i SHBA në OSBE: Problem blerja e votës, SPAK të hetojë! Qeveria përdori administratën

Misioni i SHBA në OSBE ka reaguar lidhur me zgjedhjet e 25 prillit në Shqipëri.

Në një deklaratë të posacme misioni sjell në vëmendjen problematikat gjatë këtij procesi. Ai vlerëson menaxhimin nga KQZ, por ka një lumë kritikash për qeverinë.

Sipas misonit të SHBA në OSBE, partia në pushtet pati përparësi të konsiderueshme nga të qënurit në pushtet, përfshirë kontrollin e administratës  si dhe keqpërdori burimet shtetërore.

Misioni i SHBA thekson se mbetet problem shitblerja e votës dhe gjithashtu është shqetësuese rrjedhja e të dhënave personale të votuesve.

“Ndërsa kishte shumë aspekte pozitive të zgjedhjeve parlamentare të Shqipërisë, Shtetet e Bashkuara vërejnë konstatimin e misionit vëzhgues të OSBE-së se partia në pushtet pati përparësi të konsiderueshme nga të qënurit në pushtet, përfshirë përmes kontrollit të administratave lokale dhe keqpërdorimit të burimeve administrative.

Ne gjithashtu vërejmë konstatimin e tyre se praktikat e përhapura të blerjes së votës mbetën një problem dhe përforcojmë shqetësimet mbi rrjedhjet e të dhënave personale të ndjeshme, duke përfshirë preferencat politike të votuesve.

Shtetet e Bashkuara përsërit se zbatimi i ligjit dhe gjyqësori duhet të mbajnë përgjegjësi çdo individ që shkeli ligjin dhe pengoi të drejtën e popullit të Shqipërisë për të votuar në zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ne mirëpresim njoftimin e Gjykatës Speciale Antikorrupsion (SPAK) për hetimet e krimeve zgjedhore,” thuhet në deklaratë.