zoom

Politikë

25 prilli, PD-ja do të kërkojë përsëritjen e zgjedhjeve në 9 qarqe

Dy javë pas zgjedhjeve të 25 Prillit, të cilat nuk i njohu, Partia Demokratike po bëhet gati për të bërë hapin e parë zyrtar për t’ju drejtuar institucioneve.

PD në ditët në vijim pritet që të dorëzojë pranë Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve në KQZ kërkesën për shpalljen e pavlefshmërisë së rezultatit të zgjedhjeve të 25 prillit për 9 qarqe në vend.

Të vetmet qarqe ku PD nuk pretendon se ka pasur parregullsi janë Shkodra, Lezha dhe Dibra, të cilat i ka fituar.

Mes qarqeve që kërkohet rivotim përpos Durrësit, Tiranës, Elbasanit, Fierit, Beratit, Gjirokastrës, Korçës dhe Vlorës është edhe Kukësi, që PD e ka fituar në 25 Prill.

Me provat që sipas tyre disponojnë, PD pretendon se në 9 këto qarqe procesi zgjedhor nuk ka qenë i drejtë dhe vullneti i qytetarëve është deformuar.

Çfarëdo vendimi që të marrë KAS me shumë shanse fjalën e fundit për dosjen do ta thotë Kolegji Zgjedhor. Në 25 Prill Edi Rama mori 74 mandate për të qeverisur edhe për një tjetër mandat, i treti radhazi në pushtet.