zoom

Politikë

Zgjedhjet e 25 prillit, ç’pritet nga koalicioni opozitar

Teksa sot është afati i fundit për dorëzimin e listave të kandidatëve për deputetë nga partitë politike, lëvizjet kanë nisur prej këtij mëngjesi edhe nga koalicioni opozitar. Kryedemokrati Lulzim Basha pritet të kandidojë në Tiranë, ndërsa nuk dihet nëse do ta shfrytëzojë mundësinë për të qenë edhe në qarqe të tjera, siç do të jenë kryetari i PS-së, Edi Rama apo kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi.

Sa i takon partisë së kësaj të fundit, LSI nuk pritet të ketë surpriza në lista, pasi emrat janë publikuar edhe më herët dhe janë drejtues qarqesh apo ish-deputetë të kësaj force politike. Ndërsa sa i përket PD, deri më tani është bërë e ditur që drejtuesit politikë të qarqeve pritet të jenë në lista të sigurta, si Gazment Bardhi është në Elbasan, Paloka në Durrës, Tritan Shehu në Gjirokastër, Xhelal Mziu në Dibër, etj. Thuhet se ish-kryeministri Sali Berisha do të ketë një vend në Qarkun e Tiranës, ashtu si dhe tre aleatë të Bashës, Dashamir Shehi, Fatmir Mediu dhe Shpëtim Idrizi. Po ashtu, Nard Ndoka do të jetë në Shkodër, por nuk dihet ende se ku do të renditet, nëse do të jetë në listë fituese, apo do i duhet ta fitojë vetë mandatin e tij.

Gjatë ditës së sotme, PD do të mbledhë kryesinë, ku Lulzim Basha do propozojë listën e tij përfundimtare. Më pas, Kryesia e PD do të miratojë ose jo listën e Bashës.