zoom

Sport

Zbulohet skandali i Lance Armstrong, përdorte një motor të fshehur në biçikletë

Një gazetar francez, i quajtur Antoine Vayer, zbuloi një skandal të ri në lidhje me ish-çiklistin e famshëm amerikan, Lance Armstrong. Ai ka deklaruar se shtatë herë fituesi i Turit të Francës, të cilit iu hoqën të gjithë titujt e fituar për doping, ka përdoruar një motor të vogël të instaluar në biçikletën e tij për të ecur më shpejt.

Eksperti i çiklizmit e ka vënë re këtë fakt duke studiuar në detaje disa video në të cilat ish-kampioni amerikan shihet duke prekur pjesën e pasme të shalës. Menjëherë pas këtij gjesti, Armstrong, papritmas do të rriste shpejtësinë.

Bëhet fjalë për një pajisje që peshonte vetëm 800 gramë, pra e lehtë për t’u fshehur në biçikletë, e përbërë nga një motor që do të prodhonte 500w energji dhe një bateri të futur brenda shishes së përdorur nga çiklistët. Pavarësisht nga fuqia e shtuar, duhet të vazhdosh pedalimin që pajisja të funksionojë:

“Nuk është si të ngasësh një motor. Duhet të punosh shumë për ta bërë atë të funksionojë”, – shpjegoi Harry Gibbings, kreu i kompanisë “Typhoon”, prodhues i këtyre motorëve. Armstrong presupozohet se e ka instaluar këtë sistem gjatë viteve të karrierës së tij.