zoom

Aktualitet

Zbardhet itinerari i kontenierit me 143 kg kokainë. U nis nga Ekuadori në fillim të marsit, ndërroi 4 anije

Kontenieri me banane që solli 143 kg kokainë nga Ekuadori në Durrës mban numrin  616242. Ai është ngarkuar në portin Quayaquil të Ekuadorit në fillim të marsit. Është vendosur në anijen MSC MIRRELLA.

Por deri në mbërritjen në Portin e Durrësit ka ndërruar në total 4 anije.

Ndalesa e parë që ka bërë kjo anije në të cilin ishte ngarkuar kontenieri i kompanisë shqiptare të bananeve “Masabi Fruits” ka qenë në portin Rodman të Panamasë, aty ku ka qëndruar për më pak se 24 orë.

Aty kontenieri ka ndërruar sërish anije dhe është zhvendosur nga MSC MIRRELLA në anijen MSC NAOMI dhe është nisur drejt Italisë për të kaluar tranzit në portin e “GIOIA TAURO” ne Kalabri. Në këtë port, kjo anije ka pasur ndalesën më të gjatë, prej më shumë se një jave, që përkon me fundin e marsin.

Sërish edhe në këtë port, kontenieri me sasinë e bananeve zhvendoset në anijen e tretë, të quajtur CONTSHIP, që u nis drjet portit Pireus, në Greqi.

Në Greqi ka ndërruar sërish me anijen, nga CONTSHIP në  ‘DANCE’ me të cilën mbërriti në Portin e Durrësit. Ka qenë një kontroll sipas riskut vendosur nga doganat dhe Policia Shqiptare  e cila ka zbuluar më pas nëpërmjet skanerit gjurmë të modifikimeve në kontenier. Pas kontrollit u gjet sasia prej rreth 143 kg kokainë e cila ishte fshehur në tavanin e kontenierit, afër kabinës.

Policia ka sekuestruar sasinë e drogës, e ndërsa vuri në pranga dy administratorët e kompanisë shqiptare, Erion Peti dhe Klajdi Xibraku. Pas Durrësit anija ‘Dance’ ka vijuar intenerarin e saj, drejt destinacionit final për ku ishte nisur që ishte Porti i Tivarit në Malin e Zi.

Kokaina me shumë gjasa është vendosur në Ekuador pas kontenieri ishte vulosur, teksa 2 administratorët e mohojnë përfshirjen në këtë ngjarje.143 kg kokainë u gjetën të paketuara në 120 pako, mbi të cilën shkruhej  në spanjisht “El Mejor” (më e mira) dhe “Viejo” (i moshuari), teksa bashkangjitur kishin edhe foton e Pablo Escobar, narkotrafikantit kolumbian.