zoom

Bota

Zarf anonim me dy plumba! Kërcënohet ish-kryeministri italian, Matteo Renzi

Ish-kryeministri i Italisë, Matteo Renzi ka marrë një zarf anonim me dy plumba brenda tij, thanë anëtarë të partisë Italia Viva, në mediat sociale. Lajmi është dënuar masivisht nga politikanët italianë, përfshirë Legën e Veriut dhe Lëvizjen Pesë Yjet, që kanë shprehur kundërshtinë e tyre ndaj kërcënimeve mbi politikanët.

“Është koha t’i themi mjaft kësaj politike dhune dhe urrejtjeje”, tha Teresa Bellanova, zëvendës ministre dhe anëtare e Italia Viva. Edhe presidentja e Dhomës së Deputetëve, Maria Elisabetta Casellati, po ashtu i telefonoi ish-kryeministrit për t’i shprehur solidaritetin e saj.

“Pakënaqësia politike, edhe pse e ashpër, nuk mund dhe nuk duhet të degjenerojë në kërcënime dhe dhunë”, shtoi edhe ministrja Mara Carfagna.

Vetë Renzi, në një postim në Facebook pas morisë së mbështetjes online tha:

“Faleminderit të gjithëve. Le të ecim përpara të gjithë, me liri dhe kurajo”.

Renzi ka shërbyer si kryeministër i Italisë nga 2014 deri në 2016 dhe mbetet në Senat si lider i Italia Viva, një grup i vogël i shkëputur nga Partia Demokratike. Në janar, vendimi i partisë së tij për të dalë nga qeveria e koalicionit, çoi në dorëheqjen e Giuseppe Contes dhe e çoi Italinë në krizë politike.

Edhe politikanë të tjerë në Itali, përfshirë ish-kryeministrat Silvio Berluskoni dhe Mario Monti kanë marrë më herët zarfe anonime me plumba.