zoom

Aktualitet

Ylli komunist në “Sunny Hill”, një provokim kriminal ndaj viktimave të diktaturës dhe shoqërisë

Ndonëse kanë 31 vjet që kanë ndryshuar emrin e partisë, nga Partia e Punës në Partinë Socialiste, socialistët vijojnë të jenë nostalgjik ndaj origjinës së tyre.
Këtë e kanë treguar thuajse në çdo 16 shtator kur kujtojnë Ditën e Konferencës së Pezës, ashtu edhe në çdo 29 nëntor kur, ndryshe nga pjesa tjetër e shqiptarëve, festojnë ditën e çlirimit.
Nuk kanë munguar në këto ditë të shënuara për ta edhe shfaqja e simboleve komuniste, siç është flamuri i kuq me yll e drapër apo edhe portetet e ish-diktatorit Enver Hoxha.
Në të gjitha këto raste socialistët janë përpjekur të shfajësohen se këto veprime janë shfaqje disa ish-komunistëve nostalgjik, por nuk i kanë dënuar kurrë këto shfaqje, aq më pak të kenë ndërmarrë nisma politike e ligjore për t’i ndaluar ato, pavarësisht se shumë nga ata që kanë vuajtur regjimin komunist janë ndjerë të provokuar dhe të fyer.

Kështu ndodhi edhe në mbrëmjen e 28 gushtit, teksa nata e tretë e “Sunny Hill Festival” në Tiranë u shoqëruar me një skandal të madh, siç ishte ai i shfaqjes së flamurit kombëtar me yllin komunist.

Ndërsa kjo shfaqje shkaktoi një reagim të fortë publik dhe politikë, socialistët në pushtet, me anë të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u shfajësuan se ajo nuk ishte pjesë e organizimit, por një satirë artistike e grupit “Asgjë  sikur dielli”, kundër regjimit komunist.

Madje sikur të mos kishte asnjë përgjegjësi që në një aktivitet të organizuar prej tij shfaqej një prej simboleve të diktaturës, Veliaj gjeti kohën të bëjë edhe ironi me drejtuesit e opozitës, njërin prej të cilit e quajti ish-sekretar të PPSH-së dhe tjetrin ish-sigurims.

Por se si mund të bëhet satirë me simbolet e regjimit komunist, duke i promovuar para mijërave të rinjve e jo vetëm, këtë vetëm Veliaj mund ta dijë.

Për t’ia bërë më të thjeshtë që të kuptojë se nuk mund të bëhet satirë me simbolet që kanë lënë shumë plagë në shoqërinë tonë, po i japim një shembull lehtësisht të perceptueshëm.

Shafqja e yllit komunist në “Sunny Hill” është njësoj sikur në “October Fest” në Gjermani të shfaqej në ekranë gjigantë simboli i nazizmit, svastika.

Imagjinojeni këtë simbol të Hitlerit të shfaqej në një koncert në Tel Aviv apo Jeruzalem.

Edhe sikur të shfqqej në “Sunny Hill” svastika hitleriane, nuk ka pikë dyshimi që atij dhe organitorëve do t’u mbërrinin nota proteste si nga ambasada gjermane dhe ajo izraelite.

Nuk ka asgjë për të qeshur kur atyre që kanë vuajtur nga regjimi i egër komunist i Enver Hoxhës u serviret simboli i dhimbjeve e torturave, anipse i shoqëruar me gota birre e muzikë rock apo hip-hop.

Nuk ka birrë gjermane që do e përtypte zvastikën naziste në një koncert në Berlin!

Për t’i dhënë Veliajt, apo grupeve muzikore që për kulturë njohin veç paranë, që të kuptojnë komunizmin, po ju kujtojmë krimet monstruoze që u kryen ndaj shoqërisë shqiptare nën yllin e kuq:

1. Rreth 6800 persona u vranë gjatë diktaturës komuniste. 1 mijë humbën jetën nëpër burgjet famëkeqe, ndërsa rreth 6 mijë të tjerë vdiqën në kampet e internimot.
2. 34 mijë persona vuajtën dënimet politike, me një total prej 1 milion vite burg.
3. Mbi 59 mijë qytetarë u internuan dhe bënë punë të detyruar.
4. 100 burgje, kampe me tela me gjemba, kampe internimi, kampe pune të detyruar u ngritën për t’i shëbyer komunizmit me yll të kuq.

Shqipëria njohu komunizmin më të egër të Europës Lindore, por askush nuk u dënua për krimet e kryera.
Ndoshta kjo është edhe arsyeja që viktimat e regjimit vijojnë të tallen në çdo rast të mundshëm, në një vend që ka një bunker gjigant e modern në qendër të tij për të kujtuar komunistët dhe një mini-bunker kur mezi rri një person i vetëm, i instaluar me këmbënguljen e një ish -të dënuari si Fatos Lubonja, që dëmtohet dita – ditës.

Nëse mund të bëhet satirë më të tilla monstruozitete dhe nëse këto marrëzi kriminale justifikohen publikisht nga vetē i pari i qytetit të Tiranës, çfarë tjetër mund të merret seriozisht në këtë vend?

Le ta provojë Veliaj të bëjë satirë me svastikën e Hitlerit nëse do t’i bjerë rasti të takojë kryebashkiaken e Berlinit apo atë të Tel Avivit.

Pasi të marrë reagimet e tyre, le ta përsërisë mbrojtjen e yllit të kuq komunist në Tiranë.

Në çdo vend të botës perëndimore diçka e tillë do të ngjallte protesta të forta.

Në Shqipëri, ku shoqëria po bëhet gjithnjë e më e nështruar, provokatorët duartrokiten si heronj, teksa në të vërtetë janë fati i keq i një kombi. /Zoom.al