zoom

Lajme

“Xibraka”/ Debate të forta te Konferenca e Kryetarëve, mazhoranca refuzon interpelancën me Ramën

U mblodh sot Konferenca e Kryetarëve, ku po diskutohet me tone të ashpra dhe tensione, kërkesa e grupit parlamentar të PD-së, për një interpelancë me Ramën pas akuzave ndaj vëllait të tij Olsi Rama, në lidhje me laboratorin e drogës në Xibrakë.

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Blendi Çuçi, ka deklaruar se kërkesa e Gazment Bardhit nuk ka lidhje me veprimtarinë e Kryeministrit

“Këtu jemi në Konferencë Kryetarësh, jo në mbledhje grupi parlamentar apo mbledhje partie. Përgjigjja është e qartë,  s’ka lidhje me objektin e kërkesës për interpelancë që kërkon Bardhi. Nuk mund të jetë çdo tryezë për të thënë çdo gjë që na vjen në mendje. S’ka arsye të zgjatemi në këtë pikë”, deklaroi Çuçi në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve.

Teksa mazhoranca refuzoi, reagoi fuqishëm edhe deputeti Gazment Bardhi.

Ky i fundit i ka bërë kërkesë kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla që të fusë në rend të ditës interpelancën me kryeministrin, me pretendimet se vëllai i tij, Olsi Rama, është përfshirë në trafikun e drogës në laboratorin e kokainës në Xibrakë.

“Kushtetuta dhe rregullorja të detyron të përfshish në rendin e ditës interpelancën me kryeministrin. Sot jam njoftuar publikisht nga kryeministri, për refuzimin e interpelancës. E ke i shndërruar Republikën parlamentare në Republikë kryeministrit. Nuk ka tagër ligjor dhe kushtetues që kryeministri të vendos arsyet dhe temat e thirrjes në interpelancë ashtu siç nuk ka tagër të refuzojë. Kjo është shkelje e hapur kushtetuese”, tha Bardhi.

Në këtë moment reagoi fortë edhe kryeparlamentarja Lindita Nikolla ndaj Bardhit, duke theksuar se interpelanca nuk parashikon çështje personale.

Pjesë nga debati:

Nikolla: Interpelanca nuk parashikon çështje personale.

Bardhi: Çështjet që kam ngritur ndaj Kryeministrit, nuk janë çështje personale. Nuk kam interes se si shkon ai me vëllain e tij apo pse i ka vënë mbrojtje nga Garda dhe nga kush kërcënohet vëllai për t’u mbrojtur nga oficerët e Gardës?

/ZOOM.AL/