zoom

Aktualitet

Vrau vëllanë! U shfaq kur familja po përcillte viktimën në varreza, banorët i vihen pas

Ka rënë në prangat e policisë, 26-vjeçari Florjan Tonuzi i cili akuzohet si autori kryesor i vrasjes së Benard Tonuzit, vëllait të tij më të vogël një ditë më parë.

26-vjeçari është afruar pranë banesës së tij, në momentin kur familja po përcillte viktimën për në banesën e fundit, ku është parë nga banorët e lagjes të cilët i kanë thirrur të ndalojë.

Florjan Tonuzi ka refuzuar të ndalojë, ndërsa është nisur drejt një banese të braktisur në atë zonë ku dhe është fshehur.

26-vjeçarit i janë vënë pas disa të rinj të fshatit, duke lokalizuar vendndodhjen ku fshihej autori për forcat e policisë.

Në ambientet e banesës së braktisur kanë mbërritur edhe Forcat e Ndërhyrje së Shpejtë bashkë me policinë e Dibrës për të neutralizuar 26-vjeçarin.

FNSH të pajisur me antiplumb dhe të armatosur me kallashnikovë afrohen pranë banesës së braktisur ku dyshohej se fshihej Florjan Tonuzi, pas deklarimit të banorëve.

Nga të dhënat, pas kontrollit të bërë në banesën e braktisur nga FNSH, autorit ishte larguar, ndërsa u arrestua në një nga rrugët e lagjes, pranë zonës ku ndodhi edhe krimi në familje, një ditë më parë në Maqellarë.