zoom

Aktualitet

Vrasja e Xhuvanit/ Rrëfehet pronari i makinës pa targa: Ja çfarë kisha në automjet

Mehmet Greca është personi, nga i cili nisi i gjithë konflikti në Elbasan, që përfundoi me vrasjen e eksponentit të PS-së, Pjerin Xhuvani.Greca thotë se personat e përfshirë në ngjarje nga struktura për mbrojtjen e votës së PD e kanë marrë dhe e kanë mbajt rreth 20 minuta peng.

Ai thotë se Arbër Paplekaj i nxori pistoletën, ndërsa te tjerët e kontrolluan me dhunë. Ai shtoi se në atë moment ka ardhur në vendin e ngjarjes Pjerin Xhuvani, i cili ka kërkuar që ta linin Grecën të lirë dhe direkt personi që kishte nxjerrë edhe më herët armën nga çanta e ka qëlluar disa herë.

Intervista dhënë për Top Channel:

Ku ishit në ato momente?

Greca: Isha si gjithmonë këtu para shtëpisë time, me makinë. Ndaluan 5-6 persona më thirrën dhe ndalova. Më kanë fut prej krahu, njëri ka nxjerrë pistoletën nga një çantë duke më shajt, duke më bërë presion dhe më futën te ky cepi.

Më kërkonin telefonin tim. Më thonin pse kërkon vota për PS-në. Ç’lidhje kam unë i thash, kërkoj vota për PS nuk po i them njeriu, po bëj muhabet me shokët tanë.

Duke më kap këto çunat, e duke më shajt kalon ai zotëria Pjerin Xhuvani. I tha mos e kapni dhe ky personi që kishte armën gjuajti.

Sa larg ishte personi që e qëlloi?

Greca: Ngjitur ka qenë nuk ka qenë shumë larg. Viktima erdhi për t’i thënë lerë mos e cyt se s’ka bërë gjë, se ishin 6-7 veta që më kishin kap dhe po më kërcënonin. Ai gjuajti direkt. E gjuajti shumë herë.

Persona të tjerë patë që u plagosën?

Greca: Kam parë viktimën dhe kam ik me vrap se u tremba. Në fillim kur më kapën kujtova se ishin policë, se vetëm ai mund ta mbajë pistoletën ashtu. Më mbajtën tek ky cepi rreth 15-20 minuta.

Me Klement Xhaferrin jemi rritur se jemi ngjitur këtu, por kam një vit që nuk e kam parë. Po më thoshin që ke në makinë lista, por nuk kisha asgjë në makinë.

Policia më gjeti postera që kemi marrë te mbyllja e fushatës së Ramës, në Elbasan. Makina ishte pa targa se doja me e vënë para targën dhe kisha jo më shumë se 20 minuta që ia kisha heq targat. Kjo mund të vërtetohet shumë lehtë se te kolaudimi ka kamera dhe këtë e vërteton shumë thjeshtë policia.

Kush është Mehmet Greca?

Në vitin 2017, Mehmet Greca është arrestuar nga autoritetet angleze, pasi është kapur me 51 kilogramë kokainë, që nëse do dilte në treg do kapte vlerën e mbi pesë milionë paund.

Mehmet Greca, 32 vjeç, nga Deodora Close, Friern Barnet, asokohe u burgos me gjashtë vite burg nënë akuzën e posedimit të drogës ​​dhe posedim të pasurisë kriminale. Gjykatësi urdhëroi gjithashtu konfiskimin e mbi 80,000 paundëve.