zoom

Aktualitet

Vrasja e bujshme në Shkodër, çfarë deklaruan dy të arrestuarit, alibia e udhëtimit në Kosovë

Kristjan Kelmendi dhe Marjan Kola, të dyshuar për vrasjen e ish deputetit Pashko Ujka, mbrëmjen e 29 nëntorit në Shkodër dolën sot para gjykatës ku u njohën me akuzën.

Familjaret e viktimës kanë deklaruar në polici se dyshojnë për Kristjan Kelmendin por edhe për një person tjetër. Ndërkohë pikërisht personi tjetër që familjarët kanë ngritur dyshime mbi, ndodhet në kërkim nga policia.

Nga ana tjetër dy të arrestuarit Kristjan Kelmendi dhe Marjan Kola kanë mohuar përfshirjen në këtë ngjarje të rëndë, ndërsa kanë deklaruar se në momentin kur ndodhi vrasja nuk ndodheshin në Shqipëri por në Kosovë ku Kelmendi është takuar me babanë e tij Aleksandrin.

Por çfarë ka deklaruar Kristjan Kelmendi para gjykatës?

Kristjan Kelmendi (autor i dyshuar): Babai im ka pasur një bisede me Pashkon sepse jam shokë me të. Edhe unë djalin e Pashkos e kam shok sepse kemi qenë në shkollë bashkë. Po ashtu babai im dhe Pashko kanë qenë shokë. Pashko i ka thënë babait qe ti japë paratë e shtëpisë që na e kane shitur 11 vite me parë. Bëhej fjalë për një shumë prej 20 mije që në atë kohë Pashko ka thënë që nuk i dua. Babai i ka thënë se është bisede e mbyllur ajo dhe unë di qe nuk kemi pasur ndonjë problem për atë bisede dhe familja ime ka vijuar që të qëndrojë në atë shtëpi. Unë para pak kohësh desha te iki nga Italia ne Angli për një jetë më te mire por më kapen dhe me kthyen në Shqipëri në tentative për të ikur drejt Anglisë. Kur erdha u takova rastësisht me Marjanin i cili me tha se do shkonte ne Kosove për të blerë rroba. Unë i thash po vij me të sepse kisha babain në Kosovë dhe doja ta takoja. Kemi ikur me 28 nëntor ne Kosovë dhe me 29 nëntor po ashtu kemi qenë atje. Pra natën kur është bërë vrasje me 29 nëntor unë dhe Marjani kemi qene ne Kosove. Në atë orar kemi qene ne market duke blere rroba dhe me pas jemi futur në një poligon qitjeje atje për  qejf. Duke u kthyer drejt Shqipërisë na kanë arrestuar.

Edhe Marjan Kola i arrestuar për vrasjen ka deklaruar të njëjtën gjë duke mohuar krimin.

Marjan Kola: Nuk kam asnjë lidhje me vrasjen. Babain e Kristjanit e kam shok. U takuam rastësisht dhe ikëm bashkë drejt Kosovës meqë unë doja të blija rroba dhe Kristjani donte te takonte babanë. Natën e 29 nëntorit kur është bërë vrasja unë kam qenë ne Kosovë bashkë me Kristjanin dhe nuk kam patur asnjë dijeni as për vrasjen as për asgjë tjetër. Me 30 nëntor kemi  qenë duke u kthyer drejt Shqipërisë dhe vetëm kur na arrestuan.

Arrestimi i Kristjan Kelmendit dhe Marjan Koles është bërë kur kanë qenë duke u kthyer nga Kosova ne Shqipëri dhe jo duke ikur ne drejtim tw Kosovws siç ka pretenduar policia. Me 28 dhe 29 nëntor kalimi drejt Kosovës ka qene i lire por edhe nga Kosova drejt Shqipërisë pa regjistrime për shkak te festave të Pavarësisë dhe Çlirimit.

Avokatët mbrojtës Agim Martini dhe Ardjan Brunga kanë kërkuar që të merren kamerat e sigurisë të doganës në Morinë, kamerat e sigurisë tek poligoni i qitjes sepse pretendohet se përkon me orarin kur është bërë vrasja si dhe kane kërkuar që makina me të cilën kanë qenë duke u kthyer nga Kosova ne Shqipëri të hapet sepse pala mbrojtëse pretendon se brenda janë rrobat që kanë blerë në Kosovë bashkë me faturat përkatëse.