zoom

Aktualitet

Vrasja e Afrim Bunjakut/ Interpol lëshon urdhër-arrest ndërkombëtar për autorët

Interpol ka lëshuar urdhër-arreste ndërkombëtare për vrasjen e efektivit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

Lajmin e dha ministrit të Brendshëm, Xhelal Zveçla, i cili e konsideroi këtë si një hap të rëndësishëm që çon para drejtësisë personat që ishin përgjegjës për sulmin terrorist në Banjskë.

“Mirëpres njoftimin zyrtar nga selia qendrore e INTERPOL se tashmë janë insertuar në sistemin e urdhër arrestit ndërkombëtar të gjithë personat e dyshuar që realizuan sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit.

Ky është një hap i rëndësishëm dhe si i tillë ka efektin e plotë atëherë kur Serbia e cila është duke strehuar dhe akomoduar këta terroristë, i dorëzon tek autoritetet tona për t’u përgjigjur para drejtësisë.

Llogaridhënia për organizimin dhe realizimin e sulmit terrorist të 24 shtatorit ku mbeti i vrarë Rreshter Afrim Bunjaku është e domosdoshme. Ndëshkimi për urdhërdhënësit, organizatorët dhe ekzekutuesit e këtij sulmi duhet të ndodhë sa më parë, si garancë e mos përsëritjes së akteve të ngjajshme terroriste”, tha Xhelal Zveçla në “Facebook”.

Afrim Bunjaku u vra në krye të detyrës në Banjskë gjatë përballjes me grupin terrorist, i cili drejtohej nga Milan Radoiçiç, i cili ishte nënkryetar i Listës Serbe. Pasi pranoi akuzat, ai dha dorëheqjen.