Aplikacion
Ajo u shpreh se të gjitha mbledhjet duhet të jenë të tilla dhe kjo ndodh vetëm nëse respektohet ligji dhe rregullorja. Vokshi shtoi se mazhoranca vijon të kërkojë devijimin nga objekti i hetimit të komisionit, duke akuzuar se shumica po përpiqet që ta kthejë të gjithën në një estradë.
“Nuk ka asnjë arsye pse në komision, të ketë tensione. Duhet të bazohen në ligj e rregullore. Kur këto zbatohen mbledhjet duhet të vijojnë në mënyrë normale, nuk ka pse të ketë anomali. PS ka vijuar të dëshmojë mungesën e vullnetit për të bërë hetimin parlamentar të dy nga koncesionet më korruptive.
Mazhoranca vijon të ngulë këmbë që objekti të dalë jashtë vendimit të parlamentit. Sa kohë duan të devijojnë hetimin, nuk duan të përqendrohen në objektin e hetimit, nuk duna të nisin hetimet kur Rama Beqaj dhe ata me të cilët kanë bërë aferën, duan ta shtrijnë që nga 2009 e duan ta kthejnë në estradë”, tha ajo për “News24”.
Dhe më tej shtoi se opozita do që të përqendrohet, pasi është detyra e tyre që të bëjnë një gjë të tillë.
“SPAK nuk e ka hetuar “Sterilizimin”. Ka hetuar deri në momentin e lidhjes së kontratës. Nuk kemi qëllim vetëm hetim administrativ, por të ndihmojmë hetimin penal dhe duke parë legjislacionin aktual, të sigurohemi që veprat kriminale të mos ndodhin më. Do të propozojmë ndryshime ligjore që të mos ndodhin më këto vepra kriminale”, tha ajo ndër të tjera. /ZOOM.AL/