Aplikacion
Vjedhja e llogarive bankare mendohet të jetë në qindra mijëra euro. Skandali, sipas të njëjtave raportime, është zbuluar nga drejtuesit e bankës, por ata kanë vendosur ta mbajnë të fshehtë për të mos dëmtuar imazhin e bankës, me qëllim që klientët të mos largohen prej saj.
“Ka ndërhyrje për të izoluar hetimet që të mos shkojnë deri tek roli i kupolës drejtuese (të Raiffeisen Bank) si drejtori i Përgjithshëm Christian Canacaris apo anëtarja e bordit drejtues për Retail, Vilma Baçe”, – shkruhet në artikujt e të paktën dy portaleve të njohura në vend.
Drejtoresha Esela Metaj raportohet të jetë zhdukur prej 24 nëntorit të këtij viti, së bashku me milionat që u ka vjedhur klientëve të Raiffeisen Bank në degën ku ajo punonte në Tiranë.
Një arkëtare e përfshirë në skemën e zhvatjes ka zbuluar të gjithë mekanizmin. Ajo ka deklaruar se pre e vjedhjeve kanë qenë jo vetëm klientë shqiptarë, por edhe të huaj. Në këtë mënyrë, skandali merr përmasa më të mëdha.
Megjithatë, në vend të denoncimit penal dhe të transparencës me klientët, Raiffeisen Bank ka vendosur të mbyllë gojën.
Zoom.al kërkoi informacione zyrtarisht nga Raiffeisen Bank në Shqipëri. Zyra e shtypit, në një përgjigjje të shkurtër dhe evazive, nuk e mohoi vjedhjen, por tha se raportimet mbi rastin ishin të ekzagjeruara.
“Në artikujt e publikuar nga disa portale, një pjesë e konsiderueshme janë ekzagjerime dhe nxjerrje nga konteksti” – thuhet në përgjigjen për Zoom.al. Zyra e shtypi premtoi një sqarim më të detajuar nëpërmjet e-mailit, i cili nuk mbërriti në redaksinë tonë deri në momentin e botimit të këtij artikulli.
Disa burime të besueshme i thanë Zoom.al se përgjegjësia për mbajtjen e fshehtë të këtij rasti dhe të mos denoncimit të tij pranë organeve ligjzbatuese janë Drejtori i Përgjithshëm i Raiffeisen Bankës Christian Canacaris dhe anëtarja e bordit drejtues për Biznesin Retail, Vilma Baçe, si dy personat që kanë këmbëngulur që rasti të mbahet i fshehtë. Zoom.al kërkoi informacion nga banka edhe për qëndrimet e anëtarëve të bordit.
Por teksa Raiffeisen Bank ka vendosur ta fshehë rastin për interesat e saj, është e pashpjegueshme heshtja e disa institucioneve të tjera, si Banka e Shqipërisë apo edhe vetë zyrat qëndrore të Raiffeisen Bank në Austri.
Banka e Shqipërisë do të duhet të kishte kërkuar informacione të hollësishme se si është kryer vjedhja, sa janë dëmtuar interesat e klientëve dhe vetë sistemi i Raiffeisen Bank. Banka e Shqipërisë do të duhej po ashtu të kishte kërkuar informacione për të kuptuar nëse vjedhja ka ardhur si pasojë e shkeljes së protokolleve bankare nga Raiffeisen Bank.
Zoom.al kërkoi sqarime edhe nga Banka e Shqipërisë nëse kishte ndërmarrë ndonjë veprim ndaj Raiffeisen Bank në mbrojtje të kursimeve të qytetarëve, por deri në momentin e publikimit të këtij artikulli nuk pati ndonjë reagim.
Rasti i Bosnjës, arrestime e shkarkime
Një rast i ngjashëm i vjedhjes së klientëve nga drejtuesit e Raiffeisen Bank u regjistrua pak kohë më parë edhe në Bosnje Hercegovinë.
Por ndryshe nga sa po ndodh në Shqipëri, drejtuesit e bankës në Sarajevë i denoncuan punonjësit që kishin ngritur një skemë mashtrimi si kjo e zonës së Kombinatit në Tiranë dhe u kishin marrë dhjetëra mijëra euro klientëve të ndryshëm.
Ata i pushuan nga puna punonjësit e përfshirë dhe në emër të transparencës sqaruan klientët e tyre dhe opinionin publik se çfarë kishte ndodhur.
Veprimet e drejtuesve të Raiffeisen Bank në Bosnjë u pasuan nga hetime kriminale të policisë dhe prokurorisë së Sarajevës dhe punonjësit e përfshirë në vjedhje u arrestuan.
Denoncimi i vjedhjes nga Drejtori i Përgjithshëm dhe Bordi Drejtues tregoi se ata nuk ishin të përfshirë në asnjë formë në skemën e mashtrimit të ngritur nga një grup punonjësish. Në këtë mënyrë ata u distancuan nga krimi, ndërsa veprimi i tyre rriti besueshmërinë te klientët.
Nisur nga precedenti i Bosnjës, mbajtja e fshehtë e vjedhjes në Tiranë e kompromenton pozicionin e Drejtorit Ekzekutiv dhe të Bordit, derisa ata jo vetëm nuk kanë marrë masa ndaj drejtores së degës dhe punonjësve të tjerë që kanë vjedhur klientët, por as nuk janë distancuar publikisht nga vjedhja. /Zoom.al