zoom

Aktualitet

VIDEO/ Shihni momentin kur policia përplas në tokë hajdutin e vilave në Tiranë

5 pjesëtarë të një grupi kriminal që merrej me vjedhjen e pronave u arrestuan nga policia në një operacion të koduar me emrin “Start&Stop”.

Janë të gjithë me precedent të theksuar kriminal në fushën e vjedhjes së pronës

  1. Dorjan Lamani (Qirjazi), 38 vjeç, banues në Sarandë, i dënuar më parë për “Kultivim të bimëve narkotike”;
  2. Klodian Çypi, 34 vjeç, banues në Derven, Fushë Krujë, i dënuar më parë për “Kultivim të bimëve narkotike”;
  3. Halil Topalli, 29 vjeç, banues në Tapizë, Fushë Krujë, i dënuar më parë për “Kanosja” dhe “Kundërshtimi i punonjësve të Policisë”;
  4. Redian Begaj, 32 vjeç, banues në Vlorë, i dënuar me parë për “Heqja e paligjshme e lirisë” dhe “Moskallëzim krimi”;
  5. Dajvid Dosti, 21 vjeç, banues në Poliçan, Skrapar.

Ky grup dyshohet të ketë kryer veprimtari kriminale edhe në disa vende të BE-së. Policai thotë se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në datën 12.04.2021, janë kapur në flagrancë menjëherë pas kryerjes së vjedhjes së banesës së shtetases B. S., të kompleksi i vilave pas qendrës tregtare “TEG”, ku kanë marrë një shumë të konsiderueshme në euro, bizhuteri dhe sende të tjera me vlerë.

Nga grupi hetimor i ngritur posaçërisht për hetimin e kësaj ngjarjeje janë sekuestruar:

1  armë zjarri automatik, me dy krehër dhe 123 fishekë; 17.150 euro, 2 radio marrëse-dhënëse si ato që përdor Policia e Shtetit, Bizhuteri të ndryshme floriri, si unaza, vathë, ora dore, varëse, medialionë etj, 3 palë çelësa automjetesh, njëri prej të cilit dyshohet të jetë vjedhur në banesën e shtetasit A. N., ngjarje e ndodhur në datën 14.12.2020, 1 automjet tip “Ford”, si dhe pajisje të tjera që shërbejnë për hapjen e bravave dhe dyerve të blinduara. Në bashkëpunim edhe me shtetas të tjerë, ata dyshohet se kanë vjedhur banesën e shtetasit A. N., në rrugën ‘Xhanfize Keko”, ngjarje e ndodhur në datën 14.12.2020, ku janë vjedhur 40.000 lekë dhe automjeti i tij.

Gjithashtu nga hetimet e deritanishme rezulton se këta shtetas, pasi siguronin informacione dhe piketonin banesa ku kishte shuma parash dhe bizhuteri, organizonin dhe kryenin vjedhjen e tyre.

Nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për dokumentimin dhe zbardhjen e ngjarjeve të tjera në të cilat mund të jenë të përfshirë këta shtetas.

Nëpërmjet Interpol Tiranës po bashkëpunohet edhe me disa vende të BE-së, për të dokumentuar aktivitetin kriminal të këtyre personave në Greqi dhe vende të tjera të BE-së. /Zoom.al