zoom

Aktualitet

(VIDEO) “Hape derën o by*hq*r”/ Benzi i zi i ikën Policisë, efektivët u sulen gazetarëve dhe qytetarëve

Një skenë filmash ajo e ndodhur këtë të martë pranë zonës së njohur si “Varri i Bamit” në kryeqytet. Efektivë të policisë ndalojnë një automjet duke i kërkuar drejtuesit të dalë prej tij. Ky i fundit nuk i binden urdhrit dhe largohet. Ndërkohë, policët u turren dy gazetarëve që ishin të pranishëm në vendngjarje dhe një qytetareje që nxjerrin telefonat – me gjasë për të filmuar.

Në pamje duket një efektiv me uniformë dhe dy civilë që identifikohen si “policia” dhe i kërkojnë drejtuesit të një automjeti tip “Benz” me ngjyrë të zezë të hapë derën e mjetit. Madje, teksa drejtuesi i mjetit nuk i përgjigjet thirrjes, një prej tyre i drejtohet me fjalor banal: … Hape derën policia o k*r… Hape derën o bythq***…

Drejt makinës afrohen dhe dy të tjerë: një person me uniformë dhe një tjetër civil. Efektivët tentojnë të hapin derën e automjetit, por pa rezultat. Në një moment, drejtuesi i jep gaz duke u larguar.

Në këto momente, një makinë e një televizioni ndalon pranë vendngjarjes dhe dy gazetarë dalin prej mjetit. Njëri prej tyre bëhet gati të filmojë me celular. Aty, një prej efektivëve i heq nga dora telefonin gazetarit dhe e shtrin përtokë. Po ashtu, policët konfliktohen me një qytetare dhe gazetaren tjetër, duke mos i lejuar përdorimin e celularëve.