zoom

Politikë

“Vendi digjet, qeveria krihet”/Në mes të krizës së çmimeve gjysma e kabinetit shkon në Dubai

Të martën në mëngjes, kur vendi u zgjua me çmime rekord të naftës, kreu i qeverisë Edi Rama dhe ministrja e Energjitikës, Belinda Balluku dolën në një konferencë për mediat me fokus te kriza e çmimeve të energjisë dhe karburanteve.

Një konferencë kjo që Kryeministria e kishte paralajmëruar që një ditë më parë, çka tregonte se e kishin me urgjencë. Por në fakt urgjenca nuk kishte të bënte me hallin e shqiptarëve, të cilët po përballen çdo ditë me rritje galopante të çmimeve të karburanteve dhe të gjithë produkteve ushqimore, por sepse atë mesditë duhet të niseshin për në Dubai, në Emiratet e Bashkuara Arabe, ku do të merrnin pjesë në një panair.

E pasi i ftuan shqiptarët që të “shtërgojnë rripin” e të lënë makinat në shtëpi, morën avionin dhe u nisën në Dubai.

Dhe nuk do të ishin vetëm ata dy, por gati gjysma e qeverisë, përfshi ministrin e Brendshëm, Blendi Çuçi, ministren e Jashtme, Olta Xhaçka, ministren e Financave, Delina Ibrahimaj, ministren e Kulturës, Elva Margariti, këshilltarin e kryeministrit për mediat, Endri Fuga, e shumë zyrtarë të tjerë. Kishin marrë me vete edhe nje ansambël popullor me vallëtarë e këngëtarë.

E duke qënë se kishin shkuar që një ditë më parë, ata “shkëlqenin” me praninë e tyre gjatë ceremonisë së hapjes së pavionit të Shqipërisë në panair. Natyrisht në sy binte ministrja e Energjitikës, Belinda Balluku, e cila për t’iu përshtatur edhe motit, por edhe traditës arabe, kishte veshur një fustan të bardhë.

Një ekspozim i tepërt ky, të paktën në këtë kohë të vështirë që po kalon vendi, ku çmimet, siç janë në mëngjes nuk i gjen në darkë. E këtu duket se vlen tamam ajo shprehja që përdorin shpesh shqiptarët: “Stambolli digjet, k…. krihet./ Zoom.al