zoom

Aktualitet

Vëllai u ndërroi jetë nga Covid-i, familjarët rrahin mjekët në QSUT dhe thyejnë dyert e spitalit

Një ngjarje e rëndë është regjistruar ditën e sotme brenda ambienteve të repartit të Infektivit në QSUT. Dy persona kanë goditur për shkak të detyrës një mjeke në QSUT.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 02:00 të mëngjesit.

Policia arrestoi shtetasit Igli Spahija, 41 vjeç dhe Bledar Bali, 54 vjeç. Po ashtu nën hetim për ngjarjen janë vënë edhe 3 persona të tjerë.

Zoom.al ka mësuar se personat që janë përfshirë në konflikt kanë pasur të shtruar të vëllanë në repartin e Infektivit, i prekur me Covid-19, ndërsa mësohet se personi vuante edhe nga sëmundje të tjera shoqëruese. Gjatë orëve të mbrëmjes ka pësuar atak kardiak dhe si pasojë ka humbur jetën.

Kjo ngjarje ka bërë që të arrestuarit fillimisht të konfliktohen me rojën e spitalit.

Më pas kanë hyrë brenda godinës, kanë thyer çfarë u ka dalë përpara dhe janë zënë me stafin e spitalit, teksa kanë goditur e qëlluar mjeken që ka pasur nën kujdes të afërmin e tyre.

Ndërkohë, ata po ashtu kanë hedhur akuza të forta në drejtim të mjekëve, duke thënë se personeli nuk ka përdorur mjekimet e duhura për të trajtuar viktimën.

Për këtë ngjarje ka reaguar edhe Ministria e Shëndetësisë, duke e cilësuar si të patolerueshme ngjarjen e ndodhur.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dënon ashpër dhunën e ushtruar ndaj ekipit të mjekëve dhe infermierëve në Spitalin Infektiv, të cilët kanë qenë në krye të detyrës, duke reanimuar një pacient në gjendje të rëndë, teksa janë goditur dhe dhunuar nga familjarët e pacientit.MSHMS e konsideron të patolerueshëm çdo akt dhune ndaj personelit shëndetësor dhe inkurajon organet e drejtësisë të çojnë deri në fund zbardhjen e kësaj ngjarjeje, duke çuar para drejtësisë autorin/autorët që kanë ushtruar dhunë ndaj mjekëve dhe infermierëve në detyrë.Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale siguron qytetarët se shërbimi mjekësor është garantuar dhe do të vijojë të garantohet për çdo qytetar nga personeli shëndetësor i kualifikuar. MSHMS mbështet stafin mjekësor që shërben çdo ditë me përkushtim e profesionalizëm për pacientët dhe dekurajon çdokënd që nxit gjuhën e urrejtjes ndaj mjekëve dhe infermierëve./Zoom.al/