Aplikacion
Një juri në Gjykatën e Qarkut Wayne ka dhënë një dënim prej 75 milionë dollarë, për Nick Remington të riun që i dha një drogë dhe e çoj në helmim studentin ekselent shqiptaro-amerikan, Denis Preka. Mbrëmjen e 18 marsit 2019, Denis Preka, shkoi në shtëpinë e atij që e konsideronte si shokun e vet të ngushtë, Paul Wiedmaier, me idenë të studionin e të përgatiteshin për provimin që kishin ditën tjetër.
Djaloshi shqiptar me zemër të artë, sic e përshkruajnë ata që e kanë njohur, hyri në atë banesë me këmbët e tij e nuk doli më gjallë prej andej. Një fat i kobshëm e priste të riun e tradhtuar pabesisht nga miku i tij, e një kalvar i gjatë priste familjen e përballur me makthin më të paimaigjueshëm. Denis Preka që priste të diplomohej njëkohësisht në dy universitete në SHBA, natën e ngjarjes, kërkoi nga miku i tij i ngushtë gjatë studimit një pilulë Adderall për ta ndihmuar të përqendrohej, por substanca që ai gëlltiti më vonë u përcaktua të ishte MDMA, e njohur zakonisht si ‘Molly’, një drogë e rrezikshme dhe e paligjshme e dhënë nga i pandehuri Nicholas Remington. Familja vijon betejën gjyqësore prej 5 vitesh dhe vendimi historik i Gjykatës prej 75 mln $ i dhënë së fundmi duket se po vendos drejtësinë e munguar për studentin shqiptar, Denis Preka.
Autorja dhe drejtuesja e Top Story, Grida Duma ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të sjellë eksluzivisht për publikun shqiptar detajet e kësaj ngjarje tragjike. Prej disa javësh stafi i Top Story ka mbajtur një korespondencë komunikimesh me autoritetet më larta në Detroit të Shteteve të Bashkuara, përfshirë Guvernatoren e Shtetit, Studion Ligjore, Gjykatën dhe Stacionin e Policisë që raportoi i pari për gjetjen e trupit të pajetë të Denisit. Në puntatën e parë në nisje të këtij sezoni të ri televiziv, Grida Duma do të sjelle eksluzivisht nga Detroit të Shteteve të Bashkuara rrëfimet e familjes, miqve dhe autoriteteve për vrasjen e studentit shqiptar, Denis Preka.