Aplikacion
Pasagjerët që prisnin të niseshin nga Praga në Tiranë janë braktisur nga Wizz Air në zonën e imbarkimit. Ata tregojnë se avioni është nisur, por pasagjerët janë lënë në aeroportin çek ndonëse kanë paguar biletat.
Fillimisht Wizz Air e ka shtyrë udhëtimin 3 herë brenda ditës dhe më pas është nisur drejt Tiranës, duke lënë pas qindra shqiptarë.
“Wizz Air ka pasur një udhëtim direkt të programuar në orën 2, e ka shtyrë 3 herë brenda ditës. Nga ora 14:00 e çoi në 17:00, nga 17:00 e çoi në 18:30 pastaj e çoi në 19:10 dhe më pas në kohën kur ne ishim dukë u bërë gati, duke imbarkuar, mbyllin derën dhe ikën avioni me 1/3 e pasagjerëve. Te gjithë tjerët jemi këtu, mbi 150 veta,”- rrëfen njëri nga pasagjerët.
Zoom.al ka dëshmuar prej kohësh problematikat e linjës hungareze në Shqipëri. Vonesat dhe anullimet janë të zakonta për Wizz Air, duke i vështirësuar jo pak herë udhëtimet e shqiptarëve . Së fundmi, probleme të ngjashme ka shfaqur dhe linja shtetërore e fluturimit Air Albania. Qartazi tregu ajror në vend është në një krizë serioze menaxhimi, kostot e së cilës i paguajnë vetëm qytetarët.
Nga ana tjetër, Wizz Air ka reaguar lidhur me rastin në fjalë:
“Wizz Air konfirmon se fluturimi me numër W4 6632 nga Praga në Tiranë i cili ishte i planifikuar të nisej me 25 Mars, në ora 17:50 është vonuar pasi priste mbërritjen e pasagjerëve që po kalonin kontrollin e sigurisë – për fat të keq, procesi i kontrollit të sigurisë në Aeroportin e Pragës ka pasur vonesa të konsiderueshme.
Për shkak të kufizimeve operative në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës (TIA), nisja ishte e domosdoshme në mënyrë që të sigurohej mbërritja në kohë në Tiranë. Mosnisja do të rezultonte në pamundësinë për të zbritur në TIA, duke lënë të gjithë pasagjerët e fluturimit në Pragë.
Duke e kuptuar shqetësimin e shkaktuar nga kjo situatë, u kërkojmë ndjesë të gjithë pasagjerëve të prekur. Linja ajrore aktualisht po ofron akomodim për pasagjerët në Pragë dhe opsione fluturimi alternative për të siguruar që pasagjerët të arrijnë në destinacionet e tyre sa më shpejt të jetë e mundur.”/Zoom.al