zoom

In Zoom

VAROUFAKIS, humbja e thellë e Arlind Qorrit të Greqisë dhe një leksion për Shqipërinë

Yanis Varoufakis lideri i partisë MeRA25 (Fronti Realistik i Mosbindjes Evropiane) në Greqi, mbeti jashtë parlamentit grek me një rezultat votash nën 3%, sa është minimumi i nevojshëm për t’u bërë pjesë e legjislativit.

Një radikal i së majtës, Varoufakis nuk duket të jetë përfaqësimi që grekët kërkojnë. Deri vonë ai po shpresonte në mundësinë e një koalicioni midis të majtëve, për të hyrë në parlament; shpresa që Mitsotakis i shuajti pak orë pas rezultatit. Lajm i mirë për grekët, të cilit e shihnin me shqetësim një koalicion të tillë.

Kjo është përgjigja që grekët i dhanë këtij ekstremisti të majtë, duke ia shuar shpresat që ai të mund të ndikonte në parlament apo qeveri me idetë e tij, të cilat shihen si një përpjekje për ta izoluar Greqinë ndaj Europës, duke e vënë Athinën përballë Brukselit në ccështjet më sensitive, sic janë ato të ekonomisë. Me votën e së dielës grekët e larguan përfundimisht nga parlamenti.

Rrugëtimi drejt dështimit

Varoufakis hyri në skenën politike kur kryeministri grek Alexis Tsipras, i ardhur në pushtet me disa teza populiste të partisë Syriza, e bëri atë një yll botëror duke i dhënë ministrinë e Financave, për të shpëtuar Greqinë nga borxhi i kreditorëve.

Ai pati mundësinë të ulej me krerët e financave botërore, ministra dhe drejtues të institucioneve më të rëndësishme financiare të globit. Por shumë shpejt ata kuptuan që tezat e tij për të zgjidhur kriznën e borxhit grek përbënin një pengesë për gjetjen e një zgjidhjeje.

Vetëm 6 muaj në Ministrinë e Financave, i vënën nën presion nga qeveria e tij dhe kreditorët e Greqisë, ai u detyrua të jepte dorëheqjen, teksa vendi rrezikonte kolapsin financiar dhe daljen nga Eurozona. Ai i kishte quajtur si tërroristë vendet që i kishin dhënë borxh Greqisë.

Me largimin e tij dhe ndryshimin e kursit nga Tsipras, Greqia e tejkaloi krizën ekonomike dhe problemet me kreditorët.

Programi radikal

Që atëherë, Varoufakis është përpjekur të nisë një lëvizje politike të majtë pan-europiane, por pa sukses. Profili i tij ka qenë shumë më i ulët dhe ai ka mundur të sigurojë vetëm mbështetjen e individëve që nuk e gjenin veten tek asnjëra nga partitë në pushtet.

Mitsotakis e përmendi këtë herë Varoufakis si një element të keq për drejtimin e Greqisë, duke i thënë grekëve “imagjinoni ta keni atë ministër përsëri dhe të riktheheni të përdorni “dhramitë”. Plani “Dimitra” ishte propozimi radikal i Varoufakis për ekonominë greke.

Ai do t’u lejonte grekëve të ktheheshin te monedha e vjetër dhe të bënin pagesa jashtë sistemit bankar pa u ngarkuar me tarifa të larta.

Varoufakis këmbëngulte se Dimitra nuk do të ishte vetëm shmangia e tarifave bankare, por edhe disponimi i një mjeti tjetër nëse kontrollet e kapitalit do të rifuten ndonjëherë. Plan plotësisht i parealizueshëm sipas ekspertëve, pasi kjo mund të bëhej vetëm nëse do të ekzistonte euro digjitale. Por edhe nëse do të ekzistonte euro digjitale, Dimitra do të përdorej vetëm në Greqi dhe projekti do të rezultonte një flluskë e madhe.

Kur Mitsotakis fitoi zgjedhjet të dielën, bursa e Athinës shënoi një rritje me mbi 6 përqind.

Rreziku i importit të tezave të Varoufakis në Shqipëri

Shqetësimi i tanishëm i qeverisë dhe qytetarëve në Greqi është mbështetja e Varoufakis nga disa grupe të rinjsh anti-sistem, të cilët mendojnë se vetëm përmbysja e kapitalizmit mund të cojë në zhvillim.

Kjo është një ndër tezat kryesore të Varoufakis, të publikuara në librin “Rruga tjetër”, sipas të cilit “kapitalizmi nuk po funksionon”, ndaj duhet zëvendësuar.

Varoufakis ishte themeluesi i Internacionales Progresive, një lëvizje për të demokratizuar institucionet politike ndërkombëtarisht dhe për të luftuar programet shtrënguese të imponuara ndaj shteteve kombëtare nga Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Në Europë ai gjeti mbështetje tek ish -laburisti Jeremy Corbin, i cili humbi në zgjedhje dhe u largua nga drejtimi i partisë, për se tezat e tij për udhëheqjen e vendit u refuzuan nga britanikët.

Pavarësisht dështimeve të vazhdueshme, Varoufakis po përpiqet të gjejë aleatë në vendet e tjera për t’i provuar tezat e tij anti-kapital.

Në Shqipëri, tezat e tij po përqafohen nga partia “Bashkë”, e cila drejtohet nga Arlind Qorri, një lëvizje e ekstremit të majtë që arriti të renditet forcë e tretë në Tiranë. Qorri mori votat e afro 14 mijë qytetarëve, të cilët e shohin atë si një individ “anti-establishment”, ashtu sicc panë grekët pak vite më parë dyshen Tsipras – Varoufakis.

Qorri hyri në politikë nëpërmjet lëvizjeve të tij populiste me “Organizatën Politike” që tentoi të mbështeste disa kauza të minatorëve dhe naftëtareve apo duke shfrytëzuar lëvizjen studentore “Për Universitetin”. Por angazhimet e tij u panë me dyshim si nga punëtorët ashtu edhe nga studentët, të cilët e refuzuan atë publikisht, duke e akuzuar se po mbronte interesat e qeverisë.

Në prill të këtij viti, në periudhën e fushatës elektorale, ai pati një takim në Athinë me Varoufakis, por pa dhënë detaje mbi ccfarë u bisedua.

Programi antikapitalist i Varoufakis

Ish-ministri i Financave, Yanis Varufakis, thotë se kapitalizmit po i vjen fundi si gjithçkaje tjetër të vjetëruar. Në një leksion në University College London mbi ndikimin që ngritja e gjigantëve të teknologjisë dhe inteligjenca artificiale do të kenë te sistemi ekonomik, ai thotë se kapitalizmi do të vetëhidhet në erë.

Varufakis u reshtua kundër kompanive të teknologjisë si Google-it dhe Facebook-ut, duke hedhur idenë se ndonëse këto kompani ofrojnë shërbime të nevojshme për qytetarët në mbarë botën, ato nuk duhen paguar.

“Së pari, teknologjitë u themeluan nga disa grante qeveritare. Së dyti, sa herë kërkon diçka në Google, ti kontribuon në kapitalin e tij. Dhe kush e merr fitimin nga kapitali? Google sigurisht, jo ti. Pra nuk ka më dyshime se kapitali po prodhohet nga shoqëria dhe fitimet po privatizohen. Me inteligjencën artificiale, ky do të jetë fundi i kapitalizmit”, tha Varufakis.

Një marksist i thekur, ai thotë se Karl Marksi do të hakmerret për gjithccka po ndodh.

“Kapitalizmi do të hedhë në erë vetveten, sepse ai po prodhon të gjitha këto teknologjitë e reja që do t’i bëjnë korporatat dhe mjetet private të dala jashtë mode. Çfarë ndodh më pas? Nuk e kam idenë”, thotë ai.

Grekët treguan në këto zgjedhje se tezat e tij populiste nuk mundën ta infektonin shoqërinë. Por fronti i tij anti-europian, marksist dhe anti-kapitalist rrezikon të gjejë terren në të tjera shoqëri që nuk i kanë provuar ende rreziqet e këtyre eksperimenteve shoqërore. Shqipëria nuk është imune ndaj këtij rreziku, por shembulli i Greqisë është leksioni që duhet mësuar përpara provimit të ardhshëm në kutitë e votimit. /Zoom.al

Lexoni më poshtë edhe këtë artikull të Zoom.al:

Neokomunistët, rreziku që i kanoset protestës për çmimet